Skip to main content

Tetova News

Ç’shkruante Agolli, Çabej, Shuteriqi, Spasse, ditën kur vdiq Fan Noli

Sot 49 vjetori i vdekjes së shqiptarit të shquar

Vdekja e shkrimtarit, historianit, politikanit, përkthyesit dhe krijuesit të kishës të parë autoqefale shqiptare, Fan.S.Noli, më 13 mars të 1965-s ngjalli edhe reagimet e gjithë intelektualëve shqiptarë. Megjithëse brenda kontekstit të periudhës komuniste, secili prej figurave më me emër të asaj kohe është përpjekur të përshkruajë ndjesinë që provoi nga mungesa e gjigantit të letrave shqiptare dhe boshllëkun që krijoi vdekja e tij në artin shqiptar. Skulptorë, shkrimtarë, poetë dhe piktorë, sipas mënyrës së tyre kanë derdhur disa rreshta një muaj pas vdekjes, në nder të një prej shtyllave të historisë moderne shqiptare. Duke filluar nga Dhimitër Shuteriqi, Aleks Çaçi, Aleks Buda, Sterio Spase, Eqerem Çabej e duke përfunduar tek shkrimtari i njohur, Dritëro Agolli, ju do të mund të lexoni përshtypjet dhe vlerësimet për personazhin e Fan Nolit.

Dritëro Agolli
Shkrimtar
Gati të gjithëve na ka ndodhur kështu: në fëmini e rini kemi dashur një poet a vjershëtor. Nga dashuria, atë e kemi përfytyruar poet të madh. Kanë kaluar vite e ne me keqardhje kemi thënë: “qenka i vogël, kot e paskemi idealizuar!” Po ka poetë, që me rrjedhjen e viteve, para syve tona, rriten e rriten e përherë e më shumë bëhen të papushtuarshëm. I tillë është edhe Fan.S.Noli. Për mua në fëmini e rini, ai ka qenë një poet i madh. Vitet shkuan. Filluan të më dalin thinjë të bardha. Ai në vetëdijen time u bë si piramidë Egjypti, pastaj madhëria e tij arriu përpjesëtime që nuk mund të merren me mënd. Tani ai mbylli sytë. Unë shfletoj “Albumin”, ndjej si ai që qesh. Po kjo e qeshur është e madhe e përmbajtur. Unë shfletoj “Albumin”, ndjej se ai vajton. Po ky vajtim është i thellë, po i përmbajtur. Ai nuk din të përlotohet me mallëngjim të vockël. Gjithçka ai në vargje e bën të madhe, të fuqishme. Ai e bëri Don Kishotin të ëndërrojë shqip, ai e bëri Otellon të zemërohet shqip, ai e bëri Hamletin të pikëllohet shqip, ai e bëri Omar Khajamin të tallet e të qeshë shqip….Me këtë ai tregoi se gjuha shqipe është një gjuhë që mund të japë gjithë nuancat e fjalëve e tingujve e gjithë shkallët e mendimit njerëzor. Fan Noli për ne poetët e rinj mbetet një ndër mësonjësit e mëdhenj të vargut. Ai na thotë se fjalë në varg duhet të jetë e tillë që askush të mos guxojë ta lëvizë nga vendi. Provo dhe hiqi një fjalë apo një tingull vargjeve të Fan.S. Nolit! Vargu i tij është kala, fjala shkëmb kalaje, që nuk e lëviz dot. Ai shkroi me dashuri e dhëmbje të madhe për popullin. Poezia e tij mund të futet thellë në shpirtin e çdo njeriu.

Sterjo Spasse
Shkrimtar
FAN NOLI – Kryekalorësi i lirisë shqiptare, dhimiurgu i verbit shqip, i mërguari i madh, figura me poliedrikë e inteligjencës shqiptare, – na varfëroi me vdekjen e tij. Por FAN NOLI na pasuroi me krijimtarinë e tij enciklopedike e me veprimtarinë e tij të gjithanshme dhe AI vetë hyri në historinë e Shqipërisë si ‘një flamur heroik i shoshitur me plumba, por i paunjur’, si një shqiponjë që u sul nën flamurin e kuq në flakë të luftës duke iu dridhur trupi nga dehja e barutit e duke iu ndezur shpirti nga zjarr i lirisë me thirrmën: “Rroftë Shqipëria!”. Ai u vendos në alltarin e kombit tonë si një “trim tribun i Vegjëlisë” e “vigan liberator”, – personazh i denjë për poema homerike e për muzikë shopeniane, kurdoherë me notën më madhore epiko-lirike, kurdoherë me frymë Shqipërije! Ai mbetet si një poemë epope e madhërishme, që do të frymëzojë ndër shekuj breznitë shqiptare! Dhe në këto momente zije e krenarie mbetemi kurdoherë të dëshiruar e të lektisur për të parë një ditë kurmim ose zemrën e tij të prehet në gjirin e mëmës Shqipëri mbuluar me lavditë e flamurit të socializmit.

Dhimitër Shuteriqi
Shkrimtar
Noli vdiq! Shqipëria, me futën e zezë, hedh një vështrimi të përlotur dhe krenar mbi djalin e saj, mbi veprën e tij – jo mbi një lipsan, po mbi një shtatore graniti në një nga këto male të lartë, si ç’u ngrit vërtet shtatore vepra e tij ndër malet e kulturës tonë. Dhe secilit prej nesh i gjëmojnë në vesh troketë e tij stentoriane, thirrjet për shpëtimin e Atdheut, thirrjet për të refuzuar feudalët, për bashkim të fshatarëve dhe të punëtorëve “që nga Shkodra gjer në Vlorë”, – apo vargjet e tij fishkëllyese të anadollakësisë, të zgjyrës së agallarëve, vargje ku Noli i nxirrte tradhtarët lakuriq e pis në sy të popullit, me kamxhikun përpara, si gjykatës dhe hakmarrës popullor. Janë marshe me tinguj biblikë si ai i Barabait, po nëpër to marshon historia e Shqipërisë, – lufta për tokën, për demokracinë, për kulturën. Noli vdiq! Shqipëria edhe njëherë mbahet me kokën lart për veprën e politikanit , të letrarit, të artistit, të shkencëtarit. Përpjekja e tij patriotike hyri në faqet e arta të historisë dhe brezat, si ç’e kanë kujtuar, ashtu edhe do ta kujtojnë me admirimi e veneratë. Fjala shqipe e tij, që ushqeu kaq breza, do të vazhdojë të ushqejë bijtë, nipërit e stërnipërit tanë në shekuj, me atë forcën e saj të rrallë, me atë harmoninë klasike,- ajo shqipe që, duke u kalitur në kudhrën e luftës për liri dhe demokraci, mori tinguj nga tërmetet që lëkundën shoqërinë e nga vringëllimat e shpatave. Po edhe nga burimet dhe krojet, nga fërshëllimat e fëshfërimet e gjethit dhe të ernave. Në të shpalosi fletën flamuri kuq e zi dhe zhgaba, apo u hodhën sulm me ushtrinë e Skënderbeut, apo buçiti Brutusi e klithi Otelloja, qau Ofelia, Omar Khajami qesëndisi buzëgaz e buzëvrer fetë e dogmat e gjer në Prishtinë, kurse Don Kishoti shtjelloi ëndrrat e tij qesharake aq edhe tragjike. Nëpër tribuna, siç ishin ato të ndonjë ballkoni në Korçë apo të ndonjë kishëze në Amerikë, të parlamentit shqiptar apo Lidhjes së Kombeve, fjala e tij kaq spontane e kaq e lidhur, kaq rrëmbejtëse, sidomos, bëri të shtangin si njerëzit pa opingë ashtu edhe dhelprat e diplomacisë. Me gjallje të tij ai është bërë një klasik në Atdhe. Ky klasik i gjallë i shqipes, që mbylli sytë më 13 mars në Florida, në atë çast të fundit duhet t’i ketë buzëqeshur fatit të madh të Shqipërisë. Ai, në atë çast suprem duhet edhe një herë t’i ketë buzëqeshur veprës që na la dhe bashkë me atë vepër, që midis nesh është aq e gjallë, të vijë me mendje tek ne përjetë, ashtu siç e dëshiroi aq fort tërë jetën.

Aleks Buda
Historian
Fan.S. Noli nuk është vetëm një figurë e shquar e kulturës sonë kombëtare, madje edhe botërore. Ne nuk do ta vlerësonim drejt këtë mendje të madhe universale, të parë midis atyre që i dhanë impulse të fuqishme historisë sonë politike e shoqërore si mendimtar, si burrë shteti, si udhëheqës politik në çaste kthesash vendimtare të historisë sonë të re. Ai përfaqëson për ne mishërimin e idealeve të Rilindjes – por në një plan më të lartë tashmë. F.S.Noli i zhvilloi më tej, në mënyrë revolucionare elementët demokratikë në mendimin e veprimtarinë e Rilindësve tanë dhe arriti deri në atë kthesë vendimtare për gjithë historinë tonë: në kuptimin se liria dhe pavarësia kombëtare, përparimi kultural e shoqëror nuk do të fitoheshin e mbroheshin po të mos bëheshin çështje të “katundarit e punëtorit”, të “miletit”, po të mos lidheshin me çështjen e madhe të çlirimit të popullit punonjës në gjithë botën dhe me luftën antiimperialiste. E njëjta vijë e madhe zhvillimi konseguent edhe në veprën e tij shkencore, në historiografi: nga “Historia e Skënderbeut” e vitit 1921 – ku kryetrimi është pothuajse një “gjysmë-perëndi”, që zbret në gjirin e popullit – në veprën e vitit 1946, ku është populli ai që i fal fuqitë e tij të pashtershme kryetrimit, e deri në librin mbi Bethovenin, ku në mënyrë kaq të thellë e bindëse lidhet gjeniu i muzikës me revolucionin e madh frëng. E vajtojmë se prisnim të na falte ende kaq vepra mjeshtërore se prisnim që të realizonte ëndrrën e tij e tonën – të shihnim në Shqipërinë – mëmë. Por figura si F.S.Noli nuk mund të vdesin.

Janaq Paço
Skulptor
Kur u inaugurua monumenti i Skënderbeut në Krujë, Fan Noli më dërgoi një letër me anën e së cilës më përgëzonte për punën time që përjetësonte në skulpturë figurën e heroit tonë legjendar. Më mallëngjyen ato pak rreshta të poetit dhe patriotit të madh, të atij që, shumë vite më para meje, e kish përjetësuar me historinë e tij figurën madhështore të Skënderbeut, dhe më lindi kështu dëshira t’i vihem punës për të krijuar figurën e atij që ia kushtoi jetën atdheut, të cilin e dëshiroi për së gjalli duke qëndruar pothuaj gjithmonë larg. Fan Noli më dërgoi disa fotografi të tijat të fundit dhe unë u mundova që më 1959 të krijoj diçka mbi poetin tonë të mërguar, mbi atdhetarin dhe luftëtarin e paepur për pavarësinë kombëtare dhe lulëzimin e Shqipërisë!
Fatmir Gjata
Shkrimtar
Në kohën kur ne i gëzoheshim pranverës së njëzetë e njëjtë të jetës së lirë, vdiq i fundmi i Rilindësve, pushoi së rrahuri zemra e bardhë e marathonomakut tonë. Armiqtë nuk na lejuan t’i shkonim pranë. Por kjo s’na prish punë. Të gjithë ne, edhe ai që ka pasur fatin ta njohë e të bashkëpunojë me patriotin e madh, edhe ai që është mëkuar me perlat e ndritura të poetit të madh, tërë populli, me mendje e shpirt, u rreshtua para shtratit të pamortshëm, u përkul me nderim e mirënjohje dhe i dha lamtumirën e fundit me mallëngjim të thellë, me dhimbje e me krenari të ligjshme. Se Noli është bir i shquar i Shqipërisë dhe jo i laro-derbederëve. Ai jetoi e vdiq në Amerikën e zezë, po zemra e mendja e tij ishin gjithmonë në Shqipërinë e tij. Ç’fat i hidhur dhe i rëndë! Dikur njerëzit dhe toka shqiptare rënkonin ndënë zgjedhën e beut e të të huajit. Bijtë më të mirë të Shqipërisë lëngonin në mërgim. Megjithëse ky fat ka qenë kaq tragjik. Noli gjithmonë pat shpresuar që të vinte në Shqipëri. Ky ishte amaneti i tij i fundit. Ai donte të vinte në Shqipërinë e re, që realizoi ëndrrën e tij të hershme, në Shqipërinë e vogël që “qëndron ballë përpjetë dhe di t’ua japë xhuvapin kapadainjve që i bien më qafë, qofshin të humbur… qofshin të mëdhenj…” Dhe amaneti s’bëhet ujë. Noli s’erdhi dot i gjallë. Po eshtrat e tij do të prehen përjetësisht vetëm në këto brigje të rilindur, që ai i pat ndërmend ditë e natë. Se ato nuk mund t’i tretë dheri i huaj! Noli, me tërë veprën e tij të madhe, diti të gjejë rrugën që shpinte në zemrën e shqiptarëve. Ai ka hyrë atje përgjithmonë dhe do të vazhdojë të rrojë në shekuj. Ai ka qenë kurdoherë me ne dhe s’ka për t’u larguar kurrë.

Eqrem Çabej
Gjuhëtar
Në këto çaste, në mes të kaq shkrimtarëve, një njeri që s’është shkrimtar e ka vështirë të thotë një fjalë të vetën për një personalitet shkrimtari me një format të tillë siç është Fan Noli.
Në qoftë se fjala që vepra e një shkrimtari është pasqyra më e vërtetë e forma mentis dhe e shpirtit të tij ësht’ e drejtë, atëherë vjershat që shkroi ky poet dhe veprat e shqipëruara që na ka lënë përfaqësojnë në kuptimin e tyre simbolik që në krye e deri në fund një konfesion të vetëm, credon e një njeriu e të një jete. Në këtë kuptim nuk është një gjë gand e rastit që Fan Noli mori e përktheu një varg tragjedish nga të Shakespearit, në të cilat përpjekjet për liri sociale e politike dhe konfliktet e brendshme shpirtërore janë ndërthurur në një mënyrë si moskund në literaturën botërore; që ai shqipëroi disa drama të Ibsenit, Don Kishotin e Cervantesit, Rubajatet e Omar Khajamit, disa vjersha të Edgar Poes, Baudelairit e të tjera; e që në kohën e qëndrimit të tij si emigrant politik në Mauern afër Vjenës pas fjalëve të mikut të tij Norbert Joklit u muar për një kohë të gjatë me planin e përkthimit të Faustit të Goethes, duke studiuar edhe disa nga komentarët e kësaj vepre. Nuk është gjithashtu një gjë gand e rastit që ai shkroi Historinë e Skënderbeut dhe ato vjersha që shkroi. Kudo në këto vepra, në krijimet e veta e në përkthime, është përdredhur fryma komplekse e shkrimtarit. Ai i ka jetuar ato, ka jetuar vetë nëpër to, në figurat e heronjve. Kudo në këto na shfaqet, ku më çelur, ku më mbyllur, shpirti i autorit të tyre. Ai na del pa dashur si te Bruti, ashtu dhe te Hamleti, te Don Kishoti, ashtu si te Omar Khajami, te profeti Moisi ashtu sit e Galileasi, te Prometeu i mbërthyer e te armiku i popullit, që në të vërtetë është miku i vërtetë i tij. Revolucionarë e profetë, poetë e dashamirës aktivë të njerëzimit janë po aq mishërime të unë-s së tij, nëpër ta shprehet ai vetë. Në këtë vështrim dhe shqipërimet në një kuptim më të thellë janë krijime të tij. Fan Noli si për formimin e tij poetik si për shprehjen gjuhësore qëndron më vete në literaturën shqiptare. Ai nuk është poet i lartësive eterike, po është shkrimtar i plisit të dheut. Është një Ante i literaturës sonë, që i merr fuqitë prej mëmës tokë. Ai ka të vetën diçka demonike, e cila mbase është vetia e parë e njeriut krijonjës, cilësia e mirëfilltë e furor poëticus, e marrëzisë së poetit të vërtetë. Në fushën e kësaj literature ai nuk është një fill bar, që sot bleron e nesër thahet; nuk është as lule, që sot shkëlqen e nesër veshket. Ai na paraqitet si një lis i moçëm e plot gdhenj; lis i vetmuar, po me rrënjë ngulur mirë në të thellat e dheut. E këtillë mbetet edhe gjuha e tij. Në këtë nuk dihet ëmbëlsia e flladit të verës sesa furia e murrërit të dimrit. Ajo nuk ka aromën e luleve, por ka erën e shëndoshë të dheut. Ka edhe diçka prej pikash të rënda e të idhëta, në të shprehet ana e rëndë e jetës shqiptare. Në këtë poezi shihet sa mund të jetë gjuha shqipe e ashpër dhe e vrazhdë, dhe e fortë në ashpërsinë e saj. Me zhdukjen e këtij njeriu të rrallë një valë pikëllimi përshkroi an’ e mb’anë botën shqiptare, kudo ku i thonë bukës bukë e ujit ujë. Por kjo nuk është një valë dëshpërimi. Fan Noli nuk është një madhësi efemere. Fjala e tij nuk është nga ato që i merr era. Në këtë Shqipëri mëmë e lashtë burrash të shquar, të cilën ai e deshi me të gjitha fijet e zemrës, ai mbetet i gjallë ndër ne, si sot si në ditët që do të vijnë.

Aleks Çaçi
Poet
Lajmi i vdekjes të Fan.S.Nolit na preku në zemër. Po ne krenohemi që vepra e tij do të mbetet e pavdekshme gjatë shekujve dhe do t’u tregojë brezave të ardhshëm se njeriu gjersa të jetë gjallë, duhet të punojë pa u lodhur për të mirën e popullit dhe të Atdheut. Penda e tij e artë, fjala e tij therëse, e ngrohtë, do të tingëllojë gjithnjë si një kushtrim, si një këmbanë, ku do të gjejnë burim frymëzimi, për vepra të mëdha, të rinjtë e çdo kohe. Fan. S.Noli vdiq, por ai rron dhe do të rrojë në zemrat tona. Larg atdheut mbeti, po ai është gjithnjë pranë nesh, midis nesh dhe na flet akoma. Ai shikon se si ndërtohet dhe zbukurohet vendi ynë, si lulëzon Shqipëria. Që në bangot e shkollës, vjershat e tij, proza e tij e bukur, fjalimet dhe artikujt e tij, më kanë lënë një mbresë të madhe. Ashtu si tridhjetë vjet e ca vjet më parë më tingëllojnë, edhe sot, vargjet:
Ngrihuni dhe bjeruni
Korrini dhe shtypni,
Katundarë e punëtorë,
Që nga Shkodra gjer në Vlorë.
Unë, një fshatar i varfër, i shtypur nga çifligarët dhe agallarët, i kam ndjerë thellë këto vargje dhe më kanë frymëzuar që të urreja akoma më shumë shtypjen dhe skllavërinë. Thirrja e Nolit, me këto vargje, u bë realitet, kur më 1941, u themelua, nga shoku Enver Hoxha, Partia jonë e lavdishme Komuniste që ngriti punëtorët dhe fshatarët në këmbë dhe u dha dërmën xhelatëve të popullit. Ëndrra e poetit, patriotit, luftëtarit u bë realitet. Njerëzit si Fan.S. Noli nuk vdesin. Ata i kanë rrënjët në popull.
Marrë nga revista “Nëntori”, botuar më 1965.

Popular posts from this blog

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…