Skip to main content

Tetova News

Dashuri e zbrazët kjo epshëri

Jacques Chessex – poet, eseist, tregimtar dhe romancier (në 1973 ka marrë çmimin “Goncourt” për romanin “Lugati”). Poezitë që po i paraqesim lexuesit janë shkëputur nga vëllimi “Si koskë”. Ato mbartin një fajësim përpara mëtimit të vazhdueshëm të mishit dhe “enigmës së gabimit”. Poezia është një lutje, kur thadron bukurinë e paniktë të peizazheve natyrale dhe nëm përpara heshtjes së Zotit që ka pasur të drejtë të na japë ëndrrën

Jacques Chessex

Ujk je aty

Vrapojmë në pyjet e kujtimeve
Meqë vdekja nuk është aty
Po të qe vdekja bubu
Do të na mbante si pre
E pra meqë s´është aty
Ne s´do të shkalafitemi

Ujk ku je ti
Ujk ç´bën aty

E çvoksh lëkurën prej njeriu
E fringëllij mishin vdekësor

Ujk ku je ti
Ujk ç´bën aty

E braktis ç´më ka mbetur prej flokëve
Me tabanin e kafkës sime zbavitem
Duke i lënë eshtrat të shpërbëhen
në xëx

Ujk ku je ti
Ujk ç´bën aty

Tani jam me të vërtetë cullak
Më së fundi gëlltit përjetësi
Dashuri e zbrazët kjo epshëri
Në skeletin prej bishe të panjohur më parë.


 Nata e dëborës

Dëborë, diell, mjaltë i zi i grackave
E qeshura e Tjetrit, lypësit të thërrimeve tona
Atij që nuk rresht
Në fund të plasave të padukshme.
Jam një fshat i braktisur mbi kodrinën pa ujë
Një rrugë kërnallë që s´të çon kërkund
Kur erdhi dëbora
Vetëm syliqokat
Me qerthujt e ngjirur
E kanë ngjatjetuar vetminë time
Prita Krishtlindjen
Gjeta të keqen, të vrugtën, dëbora nuk mundëte hiç
Dhe e keqja, e qeshura e atij që nuk flinte
Ka pështyrë lindjen time në buzë të greminave


Pro fano

Kam ngjëruar bukën e mykur të modernëve
Dhe mëshirën e një dromce agsholi kam patur
Buka e Filistinëve ishte nata e allçinjtë
Thërrmija ka ndriçuar një ditë të zjarrtë

S´kam zgjedhur sinore, tha gomari
Kam për t´u hapur
Si një mjekër profeti, tha gjëmbaçi
Prej përkryeshmërisë në modë dhe shemimit të vdekjeve
Mbretërisë diellore i përkisnin si njeri dhe tjetri

S´është e vërtetë, dua të flas, tha profeti
Vuvosuni dhe damllosuni pa bërë fare gëk
Një pikë limoni aguridh do të shtrydh mbi
floririn e rremë të gënjeshtrave tuaja


Hënë e plotë

Edhe një natë tjetër kam fjetur në fqinjëri
me varrezën
E kthjellët qe koha, ëndërrova
Pesha e tuleve dhe arratia e gjarpërit
nën firifiun e erës
Janë tek kjo ëndërr, në zonën gjethedendur
Poshtë kullusmës së urthit të zi
Ku nuk qesh më zogu i profecive


Kam ëndërruar sikur ëndërroja peshën e tuleve
Nën kubenë e kullusmës dhe urtheve të zinj
prej kurthesh të moçëm
Kurrfarë e qeshur ironike zogu nuk më zgjonte
Asnjë paralajmërim në zgrip të plagës
O mazgallë vdekëtare
E hapur poshtë lumit dritësues të hënës
Pesha e urthit pa tule, kullusma fajtore
manaferrash
Dhe ti gjarpër bredharak mbi gurin e zi
këngëzon në gjethet cullake, plor i rërës
Por në përkohshërinë e asnjë oguri puplor
Çfarë qetësie në vështimin fosforeshent


Ja ku është bërë, ëndërroj, kam ëndërruar
Hëna e plotë qesëndis këto mbrapuri
Humbas gjurmën , rrugën e bardhë
Humbas hapësirën dhe dritën

***
O trishtim i mishrave tona, vurrata
Përrenjsh të zemrës, gërmadhat e ditës
zgjohen
Unë humb hapësirën e krahëve të shpalosur
Duke u burgosur në fashëza ngjitëse
Si një mumje që qesh gjithë ditën me
gllënjka trishtimi.



Drejt mbrëmjes

Gjak mëndafshëror që kullohet
Kur vajza kruspulloset në gjelbërim
(dega e mbron, thotë ajo)
Duket e kuqja grafulluese
Të rrjedhë prajshëm prej kofshëve të saj
Në feçkën e motmoçme të pyllit
Pikat avullojnë në plehun e zi
O shtëpi e pendimeve
Që matanë mureve të padukshme
Vera gjithmonë përkëdhel rrëznajën
Ku të bindur për mëkatet e mia
Të gjen drita e trëndafiltë



Këshilla e drurit

- Po ti, o dru,
në rrëzë të natës?

-Dëgjoj recitimin e zogut
Mçehur në hije mbi degën e ulët


-E çfarë thotë zogu përpara natës
Dru i njëmendët
Kur kënga është kaq ngashënjyese
Për t’ u marrokotur prej pyetjes tënde?

-Kundroj gjumin të buthtojë prej tokës
Dhe ty të kapllon, kuvendues
Kur ti fle recitoj gjerdanin e lotëve
të tu
Në degët e mia, në mugullimë.


-Po ti, o dru
Dritë e hapërdarë
Kurth i çastit
Ç’këshillë ke për kalimtarin e vonë
Ç’farë ligjërimi për të dashurin?

-Ajgëtoj ëndrrën e shapllamosur të orëve
Të mbërrijë si gjaku në trup
Prej tokës së damllosur dhe rioshe
Ku pi reja e kohës


-Po ti, o dru
Vith i palëvizshëm
Mbi kodrinën ku rreh rrebeshi
Çfarë thotë era e skajit
Mërzia e lagësht, zgafella e lotëve?


-Unë s’ kam strehë, apo orë
Kundroj punën e ëngjëjve shpëtimtarë
Të ngritur rrudhën e shiut
Dhe koha shkrihet me mua.


Dhe ti, o dru
Djersë e natës
Gënjeshtër e ëndrrës
Do ta shënosh vallë pyetësin?


-Kumbisu, mik, këndelle shpirtin
Prej diskutimeve tona rri larg
(E cili dru i hapur në venat e tua
mund të t’ i gruponte dredhimet sakaq?)
Përktheu: Balil Gjini


Biografi: Jacques Chessex (1934-2009) në mars 2005 fiton çmimin “Bursa e Goncourt”-it për veprën e plotë poetike, çmim prestigjioz ky, të cilin e kanë fituar dhe poetë të tjerë të famshëm si Philippe Jaccottet në 2004 dhe Andrée Chedid në 2003. U lind në Payerne, kanton i Vodit. Është poet, eseist, tregimtar dhe romancier (në 1973 ka marrë çmimin “Goncourt” për romanin “Lugati”). Poezitë që po i paraqesim lexuesit janë shkëputur nga vëllimi “Si koskë”. Ato mbartin një fajësim përpara mëtimit të vazhdueshëm të mishit dhe “enigmës së gabimit”. Poezia është një lutje, kur thadron bukurinë e paniktë të peizazheve natyralë dhe nëm përpara heshtjes së Zotit që ka pasur të drejtë të na japë ëndrrën. Ajo është një meditim i thukët, ku ndjenja metafizike dhe magjepsja tokësore puqen ashpërsisht dhe dritësisht, duke na dhënë një art poetik edhe të zymtë, edhe të dritësuar. Ndërkaq, prej jetës së tij mund të veçohet një episod i zallamahishëm, që bëri vaki vite më parë: Biblioteka Kombëtare e Zvicrës në Bernë i bleu dorëshkrimet Chessex-së me një vlerë që mendohet të ketë qenë rreth 500 000 franga. Njëri nga deputetët socialistë kërkoi nga Parlamenti një interpelancë, të firmosur dhe prej tetëmbëdhjetë deputetëve të tjerë voduazë, e cila ngriti dy probleme: Pse dorëshkrimet ia bleu Berna dhe cili qe çmimi? Vetë Chessex-së i është dashur të bëjë një mbrojtje të shkëlqyer kundër provincializmit dhe pro frymës universale./standard

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…