Skip to main content

Tetova News

Dialog me të dehurin - Franc Kafka


Me sa duket e kemi lënë pas dore mbrojtjen e atdheut. Deri tani s’jemi marrë me këtë gjë, të zënë nga puna jonë; po ngjarjet e fundit na shtyjnë të jemi të kujdesshëm.
Unë kam një tregtore këpucari në sheshin para pallatit perandorak. Sapo hap tregtizën në mëngjes, vë re se kryet e të gjitha rrugëve që dalin në shesh janë të zënë nga njerëz të armatosur. Nuk janë ushtarët tanë, po nomadë të veriut. Kushedi si kanë mundur të mbërrinë në kryeqytetin tonë, i cili ndodhet shumë larg kufijëve. Sidoqoftë, janë aty dhe numri i tyre më duket se shtohet çdo mëngjes.
Janë rregulluar jashtë sipas natyrës së tyre, sepse nuk i durojnë dot banesat. Mprehin shpata e majat e shigjetave, bëjnë ushtrime më kuaj: sheshin e qetë, të pastruar me kujdes, e kanë kthyer në stallë. Nganjëherë dalim nga tregtoret dhe mundohemi të mbledhim plehrat më të mëdha, po gjithnjë e më rrallë e kryejmë këtë punë, pasi nuk ia vlen barra qiranë dhe mund të na shtypin kuajt e tyre, apo të hamë ndonjë kamxhik.
Me nomadët nuk mund të flitet. Ata s’e dinë gjuhën tonë, po edhe nuk mund të thuash se kanë ndonjë gjuhë të tyre. Merren vesh si sorrat dhe tërë ditën dëgjohet një krrakitje e pandërprerë. Nuk i kuptojnë zakonet dhe institucionet tona, s’kanë asnjë interesim; prandaj as kanë dëshirë që t’u flasësh me shenja. Mund të dërmosh nofullat, mund të copëtosh pulset, ata s’të kuptojnë, kurrë s’do të të kuptojnë. Shpesh bëjnë ngërdheshje; tregojnë të bardhën e syrit, nxjerrin shkumë nga goja, po me këtë nuk duan të shprehin asgjë, as të trembin: bëjnë ashtu se e kanë zakon. Kur kanë nevojë për ndonjë send, e marrin. Nuk mund të thuash se përdorin forcën; ne hiqemi në një anë para se të na hidhen dhe u lemë gjithçka.
Edhe mua më kanë marrë mjaft gjëra të mira. Po nuk mund
të qahem kur mendoj për shembull çfarë i ka ngjarë kasapit përballë. Ky sapo e vari mishin dhe nomadët e shqyen dhe e hëngrën. Edhe kuajt e tyre hanë mish; shpesh shihet një kalorës që rri shtrirë pranë kalit të tij, duke kafshuar po ate copë mishi bashkë me kafshën. Kasapi ka frikë dhe nuk guxon ta mbyllë tregtizën. Ne jemi të arsyeshëm, mbledhim të holla dhe e ndihmojmë. Sikur nomadët mos të kenë mish, çfarë do të bënin? Po kushedi çfarë do të bëjnë edhe nëse hanë mish përditë.
Kohët e fundit kasapi mendoi se do t’i kursente vetes mundimin për ta çarë mishin dhe solli një ka të gjallë. S’do ta beje me një gjë të tillë. Ndenja me shumë se një orë i shtrirë gjatë e gjerë në fund të tregtizës sime pasi u mbulova me tërë teshat që kisha, batanije e nënkrijesa, që mos të dëgjoja ulërimën e kaut, të cilin nomadët e kishin sulmuar nga të gjitha anët: e shqyenin me kafshime dhe merrnin copa nga mishi i vakët. Nuk pata guxim të dilja jashtë, dola vetëm atëherë kur ishte kthyer qetësia: ata ishin shtrirë të sfilitur përreth tepricave të kaut, si të dehurit rreth një voze.
Pikërisht atëherë m’u duk se shquajta perandorin vetë në një dritare të pallatit; zakonisht ai nuk shkel kurrë në dhomat e jashtme, se apartamenti i tij më i parapëlqyer është tek një kopsht i fshehtë; po atë ditë m’u duk se po rrinte në dritare dhe kokëulur vështronte se çfarë po ndodhte para kështjellës.
“Çfarë do të ndodhë? – pyetëm të gjithë. – Deri kur do ta durojmë këtë mendim? Pallati perandorak i ka joshur nomadët, po nuk mund t’i largojë. Dera e madhe është e mbyllur; roja, që më parë hynte e dilte hijerëndë, tani rri pas dritaresh të mbrojtura nga hekurat. Shpëtimi i atdheut ka ngelur në dorë të artizanëve dhe tregtarëve, po ne nuk jemi ne lartësi të një detyre të tillë dhe kurrë s’do të mburremi për këtë. Ky keqkuptim do të na çojë drejt shkatërrimit.

Para Ligjit
Para Ligjit është një derëtar. Atij i drejtohet një fshatar, i cili do të hyjë te Ligji. Po derëtari i thotë se tani për tani nuk mund ta lerë të hyjë. Njeriu mendohet, pastaj e pyet nëse mund të hyjë më vonë. “Ndoshta, i përgjigjet derëtari, po jo tani”. Derëtari tërhiqet anash; me që dera e Ligjit është përherë e hapur, njeriu përulet për të pare brenda. Roja e vë re dhe qesh: “Nëse të tërheq kaq shumë – thotë – përpiqu të hysh, megjithëse është e ndaluar. Po hap sytë: unë jam i fortë. Dhe jam derëtari i fundit. Çdo sallë ka derëtarin e vet, njeri më i fuqishëm se tjetri. As unë nuk i bëj ballë të tretit”. Fshatari nuk e priste këtë lloj vështirësie. Ligji duhet të jetë i lirë që të hyjë brenda cilido, në çdo rast, mendon, po duke e parë mirë derëtarin veshur me gëzof, me hundën e madhe me majë, mjekrën e gjatë, të zezë prej tartari, bindet se është më mirë të prese derisa të marrë lejen për të hyrë. Rojtari i jep një stol dhe i thotë të ulet aty pranë derës. Ai ulet aty për dite e për vite. Bën shumë përçapje që të pranohet brenda, e lodh derëtarin me lutjet e tij. Roja nganjëherë i bën pyetje, e pyet për fshatin e tij dhe për shumë gjëra të tjera, po janë pyetje pa rëndësi, ashtu siç i bëjnë zotërinjtë; në fund i thotë se ende nuk mund ta lejojë që të hyjë. Njeriu, i cili ishte gatitur për atë rrugë duke marrë plot gjëra me vete, bën përpjekje që ta thyejë rojtarin, duke i dhënë gjithçka, pa pyetur a janë gjëra me vlerë, apo jo. Tjetri nuk zmbraps asnjë dhuratë, por thotë: “Po pranoj vetëm që ti të më thuash se, ke lënë pa provuar ndonjë mënyrë”. Për vite e vite njeriu nuk resht duke e vështruar derëtarin. Harron të tjerët dhe i duket se i pari është pengesa e vetme për të hyrë te Ligji. Vitet e para mallkon me zë të lartë, pa marrë parasysh asgjë, fatin e tij të keq, pastaj kur plaket, flet me vete. Bëhet si fëmijë dhe pasi gjatë shumë viteve ka vrojtuar derëtarin dhe ia njeh edhe pleshtat e gëzofit, u lutet pleshtave që ta bindin rojtarin. Më në fund, shikimi i dobësohet dhe ai nuk e di më a mungon drita, apo e gënjejnë sytë. Megjithatë në errësirë e dallon shkëlqimin që shpërthen nga Porta e Ligjit. Nuk i ka mbetur shumë kohë për të jetuar. Para vdekjes të gjitha ngjarjet e kohëve të fundit, të mbledhura në kokën e tij, shndërrohen në një pyetje, të cilën ende nuk ia ka drejtuar rojtarit. I bën një shenjë burrit, pasi nuk mund ta drejtojë me trupin e ngrirë. Derëtari duhet të përkulet, se tani kanë shumë ndryshim trupi, në dëm të fshatarit. “Çfarë kërkon të dish më? e pyet rojtari. Je i pangopur”, “Nëse të gjithë synojnë Ligjin, thotë njeriu – si është puna që gjatë tërë këtyre viteve askush përveç meje, nuk ka kërkuar të hyjë brenda”. Rojtari e sheh se burri është nga fundi i jetës dhe që ai ta kuptojë, i ulurin në veshin, tashmë të mbyllur. “Këtu nuk mund të hynte askush, se kjo derë ishte caktuar për ty. Tani po largohem dhe po e mbyll”.

Avokati i ri
Kemi një avokat të ri, doktor Buçefalusin. Pamja e tij ka pak ngjashmëri me epokën kur ai ishte kali i Aleksandrit të Maqedonisë; po rishtari e di çfarë të mendojë. S’ka shumë që pashë një ftues gjyqi, i cili me një shikim plot admirim, shikim admirues të një ndjekësi të vrapimeve me kuaj, ndiqte avokatin që po ngjiste shkallën e mermertë të gjyqit me hap tingëllues, ngaqë i ngrinte shumë këmbët.
Gjykata në përgjithësi miraton pranimin e Buçefalusit. Duke dhënë provë të një mirëkuptimi të habitshëm, na thonë se Buçefalusi në rregullimin e sotëm shoqëror ndodhet në një pozitë të vështirë dhe qoftë për këtë, qoftë për vlerën e tij në historinë universale, meriton vlerësim të madh. Sot askush nuk mund ta mohojë se ekziston një Aleksandër i Madh. Nuk mungon ai që ka praktikë për vrasje; as mungon gatishmëria që të përshkosh mikun me ushtë tej ndanë nga një cep i tryezës në tjetrën; për shumëkënd, Maqedonia është tepër e vogël; mallkojnë Filipin, të atin… e megjithatë askush, askush nuk i prin drejt Indisë. Edhe atëherë dyert e Indisë ishin të paarritshme, po rruga e tyre ishte përcaktuar nga shtampa mbretërore. Tani ato dyer gjenden në një anë tjetër, më të largët e më të lartë, nuk ka njeri të rrëfejë rrugën; shumëkush e zë shpatën, po vetëm për ta vringëlluar dhe shikimi që kërkon ta ndjekë, ngatërrohet.
Për këtë, mbase gjëja më e mirë është të zhytesh te kodet, siç ka bërë Buçefalusi. I lirë, me ijet pa këllqet e kalorësit, pranë kandilit tc qetë, larg nga zhaurima e betejës aleksandrine, ai lexon dhe kthen faqet e librave të lashtë.


Dialog me të dehurin
Kur dola nga dera e madhe me hapa të vegjël, u sulmova nga qielli me hënë e yje, nga kupa e madhe qiellore e nga sheshi i Bashkisë, nga kisha dhe Shtylla e Virgjëreshës.
Kalova qetësisht nga hija në dritën hënore, zbërtheva pardesynë dhe u ngroha; pastaj pasi ngrita duart, e bëra të hesht zukatjen e natës dhe nisa të përsiat:
Po pse silleni sikur ekzistoni me të vërtetë? Doni të ma mbushni mendjen se unë jam ireal, zotëri qesharak i ndalur mbi kalldrëmin e blertë? Eh, ka kaluar shumë kohë që kur ti ishe real, o qiell; dhe ti, o shesh, kurrë nuk ke qenë real. Natyrisht ju jeni, gjithnjë përmbi mua, po vetëm se unë ju le të qetë.
I faleminderit zotit, ti hënë nuk je më hënë! Kot vijoj të të thërras hënë, mbase sepse hënë të thërrasin të gjithë. Përse nuk bën më naze kur të thërras, o fener i harruar venecian me ngjyra të çuditshme? Përse tërhiqesh prapa kur të them Shtylla e Virgjëreshës? E përse, o Shtylla e Virgjëreshës, nuk e njoh më qëndrimin tënd kërcënues kur të quaj: hënë që lëshon dritë të mugët?
Duket se me të vërtetë nuk ju bën mirë kur ndokush rri e mendon për punën tënde: ju humbni edhe nga ana shpirtërore, edhe nga shëndeti.
O zot sa përfitim do kish mendimtari, po të mësonte nga i dehuri!
Ç’është kjo heshtje? Më duket sikur nuk fryn më erë. Dhe shtëpizat që nganjëherë më duket sikur e përshkojnë sheshin sikur të kishin rrota, janë ngulur fort në tokë… Hesht, hesht: nuk duket më as vija e zezë e hollake që zakonisht i ndan nga dheu.
Nisa të rend. Pa vështirësi bëra tri herë rrotullimin e sheshit të madh dhe pasi nuk takova asnjë të dehur, duke mbajtur po atë shpejtësi, pa ndjerë lodhje, u drejtova nga Karlsgasse. Duke u bërë përherë më e vogël, hija ime rendte përkrah, pranë mureve, në një shteg të hapur në mes të shtëpive dhe rrugës.
Ndërsa kaloja para kazermës së zjarrfikësve, dëgjova zhurma që vinin nga Klajner Ringu; kur mbërrita atje, dallova një të dehur aty te kangjellat e çezmës, me krahë të hapura, duke përplasur këmbët e futura në këpucë prej druri.
Ndalova që të marr frymë, pastaj shkova drejt tij, hoqa cilindrin nga koka dhe u paraqita:
“Mirëmbrëma zotëri i nderuar, unë jam njëzetetre vjeç, po nuk kam fituar ndonjë farë emri. Ju nga ana tjetër, me emrin tuaj madhështor e melodioz, vini nga Parisi i madh. Mbani ende me vete parfumin artificial të oborrit të Francës, ku njeriu mezi mund të rrijë në’ këmbë.
Me sytë e lyer, keni parë me siguri damat e mëdha, që kanë mbërritur mbi tarracën e lartë e të ndritshme, që sillen në belin e tyre të hollë në mënyrë ironike, ndërsa bishti i fustanit të ngjyrosur, i shpërndarë mbi shkallë, ndërsa bishti i fustanit të ngjyrosur, i shpërndarë mbi shkallë, ende u prek rërën e kopshtit… Kurse përreth, ka plot shkarthë me bluza të gjata të përhime dhe pantallona të bardha që kacavaren mbi purteka e hidhen prapa, apo në një anë, ndërsa bëjnë përpjekje për të ngritur nga dheu pëlhura të stërmëdha të përhime dhe për t’i nderë lart, pasi damat e mëdha dëshirojnë një mëngjes të mjegulluar”. Ai gromësiu, kurse unë thashë i inatosur: “Ju, pra, zotëri, po vini pikërisht nga Parisi, nga Parisi ynë, qytet i stuhishëm e i papërmbajtur?”. Ai prapë gromësiu, kurse unë i mërzitur thashë: “Ju po më bëni nder të madh, e di”.
Mbërtheva shpejt pardesynë, pastaj thashë me zjarr e njëherësh i ndrojtur:
“E di se nuk më mbani të denjë për një përgjigje, po sikur sot mos t’ju pyesja, do të pendohesha tërë jetën”.
“A është e vërtetë, zotëri elegant, ajo që më kanë treguar se në Paris ka njerëz që mbajnë vetëm petka të qëndisura dhe shtëpi që kanë vetëm derën e madhe? A është e vërtetë, se në verë qielli ka një kaltërsi të zbehtë, i stolisur me re të bardha në trajtën e zemrës? E se ka një vend tepër të ndjekur, ku ka vetëm pemë me tabelëza plot emra heronjsh, vrasësish, dashnor është shquar?
“Pastaj kam dëgjuar edhe një gjë, e cila më duket e gënjeshtërt: a është e vërtetë se rrugët e Parisit bigëzohen papritmas? Se ka rrëmujë? Jo gjithnjë është në rregull; si do të ishte e mundur një gjë e tillë, në fund të fundit? Ndodh një aksident, mblidhen njerëz duke rendur nga rrugët e afërta me atë hap qytetari që sapo e prek kalldrëmin; të gjithë digjen nga kureshtja, megjithëse i tremben një zhgënjimi, marrin frymë me shpejtësi dhe shtyjnë përpara kokat e tyre. Mjafton që të preken pak dhe përkulen thellë e kërkojnë ndjesë: “Më vjen keq… nuk doja… ka shumë njerëz, më falni, ju lutem… jam treguar i ngathët, e pranoj. Emri im është… emri im është Zherom Parosh, kam një tregtore bakalli në Ry dy Kaboren… më lejoni të ju ftoj nesër të hamë sillën bashkë… edhe ime shoqe do gëzohej shumë”. Flasin kështu në zhurmën shurdhuese të rrugës së mbushur me tymin e oxhaqeve. A është me të vërtetë kështu? A është e mundur që në bulevardin e gjallë të një lagjeje elegante, qëndrojnë dy vetura? Shërbëtorët hapin hijerëndë dyert. Tetë qenër ujq të zgjedhur siberianë, kërcejnë jashtë dhe hidhen duke lehur në rrugë. Thonë se ata janë çunakë spitullaqë të Parisit të veshur ashtu”.
Ai mbante sytë të mbyllur. Kur mbarova fjalën, ai futi duart në gojë dhe uli mjekrën. Petkat ishin të pista, mbase e kishin flakur jashtë nga ndonjë pijetore dhe ende nuk kishte ardhur në vete.
Ishte mbase ai intervali i shkurtër e i qetë në mes të ditës e natës, kur koka bie prapa dhe gjithçka, pa e vënë re, mbetet e palëvizshme se nuk e shikojmë, e pastaj zhduket. Kur ne të përkulur e të vetmuar hedhim sytë përreth dhe nuk shikojmë asgjë, nuk vemë re as ajrin; kur mendojmë se pranë nesh ekzistojnë shtëpi me pullaze dhe për fat edhe tymtarë plot kikla, përmes të cilëve errësira depërton në shtëpi, duke kaluar nga papafingot në apartamente. Është fat i mirë që nesër është një ditë në të cilën, sado e pabesueshme të duket, do vihet re çdo gjë.
Në atë hop, i dehuri ngriti vetullat dhe diçka vezulloi në mes tyre dhe syve. Me ndërprerje tha: “Me një fjalë, ja… Unë kam gjumë dhe dua të shkoj të fle. Kam një kunat në Venzelepslac… dua të shkoj atje, se atje banjo, atje kam shtratin tim… Po shkoj menjëherë… Vetëm se nuk e di si quhet e ku banon… Më duket se e kam harruar… Po nuk ka rëndësi, unë as që e di se kam një kunat… Tani po shkoj me gjithë mend. A thua do ta gjej?
Iu përgjigj vrulltazi: “Me siguri. Po ju vini nga jashtë shtetit dhe për çudi shërbëtorët tuaj sonte s’janë këtu. A më lejoni t’ju shoqëroj?”
Ai nuk u përgjigj. I zgjata krahun që të mbështetej.
1909


Dialog me të përshpirtshmin
Një herë e një kohë shkoja për ditë në kishë, pasi një vajzë, të cilën e dashuroja, rrinte aty e përgjumur gjysmë ore, duke u lutur, kështu që mund ta kundroja i qetë.
Një mbrëmje vajza nuk kishte ardhur dhe unë, i mërzitur, rrija e vështroja besimtarët. Atë hop më tërhoqi vërejtjen një djalosh hollak, i shtrirë për tokë. Herë pas here zinte kokën në mes të duarve dhe, duke psherëtirë, e qëllonte me të rëna të forta e pastaj sërishmi i mbështeste pëllëmbët në dysheme.
Ato pak plaka që ishin në kishë, kthenin shpesh kokat e mbështjella nga besimtari i çuditshëm. Ai dukej sikur gëzohej që u tërhiqte vëmendjen; para se të niste shpërthimet e devotshmërisë, hidhte një vështrim përreth që të sigurohej a kishte publik të mjaftueshëm. Kjo gjë m’u duk e pakëndshme dhe vendosa që, sapo ai të dilte nga kisha, t’i afrohesha dhe ta pyesja përse falej në atë mënyrë. Me një fjalë do ta keni kuptuar se nuk isha fare në qejf ngaqë nuk kishte ardhur vajza.
Ai u ngrit vetëm pas një ore, me kujdes të madh bëri kryq dhe u drejtua nga uji i bekuar. Unë zura vend në mes të derës dhe ujit të bekuar dhe kisha vendosur mos ta lija të kalonte pa i kërkuar shpjegime. Shtrembërova gojën, siç bëj gjithnjë paraprakisht kur dua të flas, çova përpara këmbën e djathtë dhe u mbështeta tek ajo, ndërsa e majta prekte paksa dyshemenë me majë vetëm që të fitoja qëndrueshmërinë; po ai siç duket më kishte parë me bisht të syrit, ndërsa lagte fytyrën me ujin e bekuar, apo mbase më kishte vënë re edhe më parë, pasi papritmas u lëshua drejt derës dhe doli turravrap. Dera me xhama u përplas pasi dola edhe unë; djaloshi ishte zhdukur në njërën prej rrugicave të shumta që nisin aty në mes të një trafiku të dendur.
Ditët që pasuan nuk e pashë dhe vajza ime u kthye. Ajo kishte vendosur një petk të zi me tantela të nëpërdukshme mbi supe, të cilat përmbi jakën e mëndafshtë me prerje të përsosur, bënin të dukej trajta gjysmëhënë e këmishës. Vajza u kthye dhe unë e harrova djalin dhe as që u mora më me të, kur nisi prapë të vij e të falej sipas mënyrës së tij. Përherë më kalonte përpara me nxitim dhe kthente fytyrën. Mbase prej kësaj e mendoja gjithnjë në lëvizje; edhe kur nuk luante nga vendi, më dukej se bridhte tinëz.
Një herë u ktheva vonë në shtëpi. Megjithatë shkova në kishë. Vajza nuk ishte aty. U mata të dal kur e pashë djalin të shtrirë në dysheme. Më erdhi ndërmend ajo historia e vjetër dhe u bëra kureshtar.
Rrëshqita drejt derës në majë të gishtave, i dhashë një monedhë lypësit të verbër dhe qëndrova pranë tij te dera e hapur kat e kat; aty ndenja një orë, kushedi me çfarë shprehjeje prej finoku në fytyrë. E ndjeja veten rehat dhe vendosa të kthehem edhe herë të tjera. Po pas dy orësh m’u duk marrëzi të rrija aty për atë njeriun e përshpirtshëm; megjithatë për inatin tim lashë që edhe një orë tjetër të më ngjiteshin gjatë petkave merimangat, ndërsa njerëzit e fundit, duke nuhatur fort, dilnin nga errësira e kishës.
Më në fund doli edhe ai. Ecte me kujdes dhe para se të bënte një hap, këmbët e tij provonin tokën. U ngrita dhe me hap të vendosur e arrita djalin. “Mirëmbrëma”, thashë dhe e shtyva poshtë shkallëve te sheshi i ndriçuar, duke i mbajtur dorën në qafë.
Kur mbërritëm në fund, ai tha me zë të pasigurtë: “Mirëmbrëma, i dashur zotëri dhe mos u zemëroni me shërbëtorin tuaj të përvuajtur”.
“Po”, thashë, “dua pikërisht të ju pyes diçka zotëri; herën tjetër më ikët, po kësaj here nuk ju lë”.
“Ju jeni njeri zemërbardhë, zotëri dhe do më lejoni të shkoj në shtëpi. Jam njeri për t’i qarë hallin, ja kush jam unë”.
“Jo”, thirra ndërsa u dëgjua zhaurrima e tramit që po kalonte” nuk ju le. Pikërisht këto histori më pëlqejnë. Ti je peshk i mirë për mua. Madje lipset ta përgëzoj veten”.
Atëherë ai tha: “O Zot, ju keni zemër të ndjeshme, po një kokë prej hekuri! Le po më quan edhe peshk i mirë: sa njeri me fat duhet të jeni. Pasi fati im i keq është një fatkeqësi e paqëndrueshme, luhatet mbi një majë të hollë e, sapo e prek, bie mbi atë që më pyet. Natën e mirë, zotëri!”
“Dëgjoni këtu”, thashë duke ia shtrënguar dorën e djathtë, po nuk u përgjigjët do të bërtas këtu në mes të rrugës. Do të mblidhen të gjitha shitëset e reja që dalin prej tregtoreve bashkë me dashnorët e tyre, ngaqë do të kujtojnë se është rrëzuar kali i ndonjë pajtoni, apo diçka e tillë: unë do të të tregoj me gisht”.
Atëherë ai duke qarë nisi të më puthë duart. “Do të ju them gjithçka që doni të dini, po ju lutem ejani të shkojmë tek ajo rrugë”. Pranova dhe u nisëm.
Po nuk u kënaq me errësirën e rrugës së ndriçuar nga fenerë të rrallë e të mugët e më çoi në rruginën e ulët të një shtëpie të vjetër, para një kandili që rridhte, i varur mbi një shkallë prej druri.
Hijerëndë nxorri shaminë nga xhepi, e nderi te një shkallinë dhe tha: “Uluni, zotëri, kështu mund të më pyetni më mirë: Që t’ju përgjigjem saktë, po rri në këmbë. Po mos më torturoni”.
U ula dhe, duke e parë në fytyrë, thashë me mllef: “Ju jeni një i çmendur, i tërbuar, ja çfarë jeni! Ç’është ajo mënyrë sjelljeje në kishë? Sa gjë e shëmtuar dhe e pakëndëshme për t’u parë! Si mund të lutet njeriu me përulësi, kur është i detyruar të ju shoh?”
Ai ishte mbështetur i ngrirë te muri dhe lëvizte vetëm qafën. “Mos u zemëroni, përse duhet të zemëroheni për gjëra që nuk ju takojnë? Unë zemërohem kur sillem vetë keq, po kur sillet keq dikush tjetër, ndjej kënaqësi. Mos u zemëroni po t’ju them se qëllimi i jetës sime është që të më shohin njerëzit”.
“Çfarë thoni kështu?” thirra fort në atë rruginë dhe nuk pata zemër që më pas ta ul zërin. “E kam me gjithë mend, çfarë thoni kështu? Më duket se e kuptova që herën e parë kur ju pashë se në ç’gjendje ndodheni. Jam njeri që kam vozitur shumë dhe pa tallje po them se ju zë deti edhe në tokë. Sëmundja juaj qëndron në atë se keni harruar emrat në tokë dhe tani atyre u vini rastësisht emra të tjerë. Shpejt, shpejt! mendoni. Po ama, sapo largoheni, i keni harruar emrat. Plepi i fushave, të cilin e keni quajtur “Kulla e Babelit”, se nuk e dinit, apo nuk donit ta dini se ishte një plep i thjeshtë, prapë luhatet pa emër dhe duhet ta quani “Noe i dehur”.
Shtanga kur ai u shpreh: “Gëzohem që nuk e kuptova atë që thatë”.
I shqetësuar, ashtu siç isha, thashë menjëherë: “Gëzimi juaj është prova që e keni kuptuar!”
“E pranoj se e dhashë një provë të tillë, zotëri; po edhe ju folët në mënyrë vërtet të çuditshme”.
Mbështeta duart mbi njerën nga shkallinat e epërta dhe në atë pozicion që s’e thyen dot dhe mundësit mbështesin shpëtimin e tyre, thashë: “Paskeni një mënyre të bukur për të shpëtuar, duke i bërë të tjerët të njëjtë me veten”.
Ato fjalë e gjallëruan. Shtërngoi duart për të mbledhur tërë energjitë dhe tha me një mundim të dukshëm: “Jo, nuk e bëj me të gjithë, nuk e bëj përshembull as me ju, sepse nuk ia dal në krye. Po do të isha i lumtur sikur t’ia dilja në krye, pasi kështu nuk do të kisha nevojë për vëmendjen e njerëzve në kishë. A e dini përse e ndjej atë nevojë?”
Pyetja më sëkëlldisi. Jo, jo nuk e dija dhe më duket se as që doja ta dija. As që kisha dashur të hyja aty brenda, po ai njeri më kishte detyruar ta dëgjoja. Mjaftonte të tundja kokën për t’i rrëfyer se nuk e dija, po nuk qeshë në gjendje ta lëvizja as kokën. Njeriu që rrinte përballë meje, vuri buzën në gaz. Pastaj u ul në gjunjë dhe me fytyrën të ngërdheshur, si njeriu që ka gjumë, më tregoi: “Kurrë nuk ka ndodhur që të jem i bindur për njëmendësinë e jetës sime: sendet që kam përreth më ngjajnë aq te rregjura, sa më bëjnë të besoj se jeta e tyre ka kaluar dhe po kridhen brenda hiçit. Parreshtur më mundon dëshira, i dashur zotëri, që të di si janë sendet para se të më shfaqen. Kanë një jetë të lumtur, të qetë: kështu duhet te jetë, shpesh dëgjoj njerëz që flasin për to në këtë mënyrë”.
Heshtja dhe shfaqja shqetësimin me ndonjë shtrembërim si padashje të fytyrës. Ai pyeti: “Ju nuk besoni se njerëzit mund të flasin kështu?”
Desha ta miratoja, po nuk munda.
“Me të vërtetë nuk besoni? Atëherë, dëgjoni. Një herë kur isha fëmijë, pas një gjumi të lehtë, pasdite, dëgjova se nëna në ballkon pyeste dikë poshtë, me zë fare të natyrshëm: “Çfarë po bën e dashur? Sa vapë!” Një grua u përgjegj nga kopshti: “Po ha zamrën në livadh”. Folën pa u menduar gjatë e pa harxhuar shumë fjalë, sikur njera e priste pyetjen dhe tjetra priste përgjigjen.
I bindur se do më bënte një pyetje, çova dorën te xhepi i pasmë i pantallonave, sikur diç kërkoja. Nuk kërkoja asgjë, vetëm doja të ndërroj qëndrimin, për të treguar interesin tim ndaj bisedës. I thashë se ajo histori ishte vërtet e çuditshme dhe unë s’kuptoja asgjë. Shtova se nuk më dukej e vërtetë, po atë ai e kishte sajuar për një arsye të cilën nuk e kuptoja dot. Pastaj mbyllja sytë se më dhimbnin. “Mirë, mirë edhe ju mendokeni si unë: nëse më keni ndalur që të më thoni këtë, keni dhënë një provë të bukur altruizmi. Përse duhet që ju, apo përse duhct që ne të turpërohemi, nëse unë nuk ec i ngrehur, me paraqitje hijerëndë, duke rrahur kalldrëmin me shkop që të çajë në mes të njerëzve? Nga ana tjetër, a nuk do të kisha të drejtë të qahesha, që të ecja si një hije rrëzë mureve, me kokën në mes të supeve, duke u zhdukur herë pas here te kristalet e vitrinave?
“Çfarë janë ditët e mia! Përse gjithçka është ndërtuar aq keq, sa nganjëherë pallatet e lartë rrëzohen pa e marrë vesh arsyen? Unë kacavirrem te rrënojat dhe i pyes të gjithë: “Si mundi të ndodhë? Në një qytet si ynë rrëzohet një shtëpi e re! Mendoni, kjo është e pesta!” Askush nuk di të më përgjigjet.
“Rrugës ndodh shpesh që dikush plandoset përtokë dhe mbetet aty i ngrirë. Tregtarët hapin dyert plot me mallra, afrohen menjëherë, e çojnë të vdekurin në ndonjë cep, pastaj kthehen prapë jashtë dhe me gaz në buzë e në sy, thonë: “Mirëdita… Koha po prishet… Shes shamia koke… Epo, lufta!” Unë duke kërcyer shkoj te shtëpia ku është strehuar i vdekuri dhe pasi e ngre dhe e ul disa herë dorën me gishtin e përkulur, vendos të trokas te dritarja e vogël e derëtarit. “Para pak kohe këtu sollën një të vdekur, – apo jo? pyes me njerëzi – “Ju lutem a mund të ma tregoni?”. Ai tund kokën i pavendosur, kurse unë them: “O njeri i mirë, unë jam agjent i fshehtë. Ma trego menjëherë të vdekurin”. “Të vdekurin?” pyet derëtari gati si i fyer. “Nuk kemi asnjë të vdekur këtu. Kjo është shtëpi për të qenë.” Unë përshëndes dhe largohem.
“Pastaj më mjafton të kaloj sheshin dhe harroj gjithçka. Vështirësia e asaj ndërmarrjeje më trondit dhe mendoj me vete: “Kur për hir të madhështisë ndërtojnë sheshe kaq të gjëra, përse nuk mendojnë edhe për një parmak guri që të lejojë për t’i përshkruar? Sot fryn era nga jug-lindja. Sheshi është plot rryma. Kreshta e kullës se komunës bën rrathë të vegjël. Përse nuk vihet pak rregull në këtë rrëmujë? Tingëllinë qelqet e dritareve, shtyllat e fenerëve luhaten si bambu. Manteli i Virgjëreshës në majë të shtyllës përdridhet e duket sikur rryma do ta shqyej e ta flakë tej. Askush nuk sheh gjë? Burra e gra, në vend që të mbajnë këmbët mbi kalldrëm, lëvizin sikur po fluturojnë. Kur pushon era, ata qëndrojnë, shkëmbejnë ndonjë fjalë, përulen dhe përshëndeten, po sapo nis pranë era, nuk mund të qëndrojnë e këmbët e tyre ngrihen. Megjithëse janë të detyruar të mbajnë kapelat me dorë, kanë shikimin e shkujdesur sikur të ishte ndonjë ditë e vakët. Vetëm unë kam frikë”.
Ashtu në hall siç isha, thashë: “Historia që më rrëfehet pak përpara për nënën tuaj e zonjën në kopsht, nuk më duket e jashtëzakonshme. Jo vetëm kam dëgjuar plot histori të tilla, po edhe i kam jetuar. Nuk gjej asgjë të veçantë te historia juaj. Ju besoni se sikur të kisha qenë në ballkon nuk do të kisha ditur të thosha po ato fjalë dhe të përgjigjesha po në atë mënyrë nga kopshti? Është një fakt i rëndomtë!”
U duk sikur ishte i lumtur. Tha se isha veshur mirë dhe i pëlqente shumë kravata ime. Dhe sa të bukur e kisha lëkurën. Sipas tij, rrëfimet bëhen të qarta vetëm kur përsëriten.

Shartimi
Kam një kafshë të çuditshme: gjysmë mace, gjysmë qingj. E kam trashëguar nga im atë, po ajo është zhvilluar që kur e mora unë: më parë ishte më shumë qingj se sa mace. Tani është gjysmë ashtu e gjysmë kështu. Nga macja ka kokën dhe kthetrat; nga qingji – trupin dhe formën, nga të dy ka sytë, që janë të papërqendruar dhe të egër, qimen të butë e të shkurtër, lëvizjet që janë edhe kërcime edhe zvarritje. Kur ka diell ajo rri në pravaz të dritares, gërrhet dhe mblidhet kutulaç; në livadh rend si e çmendur sa mezi mund ta zësh. Kur ndodhet para maces ia mbath, kur është para një qingji, e sulmon. Kur ndrit hëna, bredh nëpër ullukë se ajo është rruga që i pëlqen më shumë. Nuk di të mjaullijë dhe ndjen neveri për minjtë. Mund të qëndrojë me orë e shtrirë para pularisë, po kurrë s’ka përfituar nga rasti që të mbysë ndonjë shpend.
E ushqej me qumësht e sheqer se ai i bën mirë. Ajo e thith me hurpa të mëdha, duke e kaluar në mes të dhëmbëve si të një shtaze të egër. Kjo gjë i tërheq shumë fëmijët. Të dielën në mëngjes kam vizita. Unë mbaj në mes të gjunjëve kafshën e vogël, kurse përqark zenë vend fëmijët.
Ata bëjnë pyetjet më të çuditshme, të cilave askush nuk mund t’i përgjigjet. Pse ka vetëm një kafshë të tillë? Pse ajo është pikërisht në dorën time? A ka pasur para saj ndonjë kafshë të këtij lloji? A ndjehet ajo e vetmuar? Pse nuk ka këlyshë? Si e ka emrin?
Unë nuk e vras mendjen t’i përgjigjem, po vetëm u tregoj atë që kam. Nganjëherë fëmijët sjellin mace, një herë sollën dy qingja. Ndryshe nga ç’prisnin ata, takimet nuk treguan ndonjë shenjë njohjeje. Kafshët vështruan njëra-tjetrën me qetësinë më të madhe; ato e quajtën ekzistencën e tyre si një dhuratë të Krijuesit.
Kur është në prehërin tim, kafsha e vogël nuk njeh as frikë, nuk është agrcsive. E ndjen veten shumë mirë kur ndodhet pranë meje, e ngjeshur tek unë. Është e lidhur me familjen që e ka rritur. S’është ndonjë besnikëri e jashtëzakonshme, po më shumë instikti i një kafshe që, megjithëse ka shumë farefis, nuk ka asnjë shok në tërë botën dhe e quan të shenjtë mbrojtjen që ka gjetur te ne.
Më zë gazi kur e shikoj që nuhat, më rrëshqet në mes të këmbëve, po nuk mundet ta kryejë atë veprim. Mbase është e pakënaqur që është edhe mace, edhe qingj dhe kërkon të jetë edhe qen! Një ditë kur unë s’po u jepja rrugë halleve të mia tregtare dhe pasojave që vinë prej tyre – dhe pasi desha t’i heq qafe, u mbylla në shtëpi dhe u shtriva në kolltuk, me kafshën e vogël ndër gjunj; – kur ula kokën, vura re se lotët rridhnin mbi mustaqet e saj të mëdha. Ishin lotët e mia, apo të sajat? Ajo mace me shpirt qingji kishte dëshira njerëzore? Unë nuk kam trashëguar shumë, po duhet të them se kjo që kam diçka vlen. E them seriozisht.
Kafsha ka shqetësimet e të dyve, të maces e te qingjit, sado të ndryshme qofshin, prandaj e ndjente veten ngushtë brenda lëkurës ku ndodhej. Nganjëherë kërcen nga një karrike dhe më vë këmbët e përparme mbi sup dhe përplas turirin në veshim tim. Duket sikur më thotë diçka dhe vërtet pastaj largohet dhe më sheh në fytyrë për të parë përshtypjen që më ka bërë ajo që më tha. Qe t’ia bëj qejfin, tund kokën dhe bëj sikur e kam kuptuar. Atëherë ajo hidhet në dysheme dhe vallëzon rreth meje.
Mbase thika e kasapit mund të jetë shpëtimi për të, po pasi e kam trashëgim, nuk jam i atij mendimi. Ajo duhet të presë ditën, kur do t’i mungojë fryma, megjithëse nganjëherë më vështron me sy aq njerëzorë, sikur më fton të kryej një veprim të arsyeshëm. Marrë nga libri me Tregime të zgjedhura
Përktheu nga origjinali: Gjergj Vlashi
Standard

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…