Skip to main content

Tetova News

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë


Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes
“Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë disa sugjerime që prof. Mehmet Çeliku i jep në studimin e tij të gjatë “Çështje të shqipes standarde”, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, një studim i cili nis që nga shtrati në të cilën u ndërtua standardi i shqipes dhe deri në debatet për rishikimin e saj sot. Duke u ndalur te Drejtshkrimi i vitit 1973, prof. Çeliku shprehet se përmirësimi i tij është një çështje e rëndësishme. “Përmirësimi i mëtejshëm i shqipes standarde në etapën e sotme kërkon një politikë gjithëkombëtare në fushë të gjuhës, kërkon shtrirjen e standardit në të gjitha trevat shqiptare, zotërimin më të mirë e më të shpejtë të tij, kërkon një konceptim të ri e më rezultativ, në mësimdhënie, sidomos në shkollat e mesme”, thotë prof. Çeliku.
Duke u ndalur në ndryshimet në standard ai thotë se “përvoja e huaj tregon se ndërhyrjet në gjuhët standarde janë jashtëzakonisht të rralla”. “Në rastin e shqipes standarde nga viti 1973 e deri më sot nuk ka pasur ndërhyrje. Mendoj se aktualisht Drejtshkrimi i 1973-shit duhet ribotuar, por jo siç është në botimin e tij të parë, por kërkohet përmirësim e përsosja e tij. Ndërhyrja do të bëhet vetëm për ta përsosur, për ta aktualizuar, duhen ndryshuar vetëm pak gjëra. Unë u përmbahem pikëpamjeve të mia për gjërat që duhen ndryshuar. Duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm e të matur në ndryshime; parimet tashmë dihen: ruajtja e sistemit, reflektimi i dukurive drejtshkrimore të dala gjatë praktikës 40-vjeçare, thjeshtimi e redaktimi i Drejtshkrimit 1973. Baza e Drejtshkrimit 1973 duhet ruajtur. Ky drejtshkrim është zbatuar e po zbatohet me sukses kudo në Shqipëri e në trevat shqiptare që aktualisht ndodhen jashtë kufirit politik të saj, por edhe nga shqiptarët në diasporë”, shkruan Çeliku. Për sa u  përket diskutimeve për zanoren ë, Çeliku mendon se duhet të ruhen rregullat e Drejtshkrimit të 1973-shit. “Sot nuk mund të thellohemi në heqjen e zanores ë, si mbështetëse dhe si element i temës. Duhen bërë studime të mëtejshme, duhen pasqyra të plota të gjendjes aktuale, të shihet shqiptimi aktual i tyre në gjuhën e sotme, të shihen bashkëtingëlloret rrethuese të e-së etj. Ruajtja e ë-së është e nevojshme, sepse ajo siguron një shqiptim të qartë, të ngadalshëm, ruan përbërësit e fjalës, ndërsa reduktimi i saj, do të sillte vështirësi në shqiptim e paqartësi për ndërtimin e fjalës etj. Prania e ë-së siguron qartësinë e strukturës fjalëformuese të fjalës…”, shkruan Çeliku duke e quajtur konservator qëndrimin që nuk duhet prekur Drejtshkrimi tashmë pas 40 vitesh, ai mendon se ka ardhur koha për disa ndryshime. “Pranoj vetëm pak ndryshime për ta përsosur më tej Drejtshkrimin e 1973-shit, të ndryshojmë vetëm pak rregulla, tashmë të njohura, më se i nevojshëm është gjithashtu redaktimi gjuhësor i tij. Në asnjë mënyrë nuk pranoj ndryshime të rëndësishme në standard siç janë për shembull kërkesat për reduktimin e thellë të ë-së, për përfshirjen e paskajores gegë të tipit me punue, me ba, me përfshirjen në standard të pjesoreve të shkurtra etj. Ndryshime të tilla cenojnë standardin dhe sjellin pasoja të dëmshme dhe vështirësi në përdorimin e përditshëm të gjuhës letrare, ndryshime cipësore të tilla cilësohen si përmbysëse të standardit ekzistues e që me dashje e pa dashje e zëvendësojnë këtë me një standard të ri, jo të natyrshëm e të përzier”, thotë Çeliku. Studimi i tij është një vështrim për mendimin shqip mbi politikën gjuhësore në Shqipërinë e pasluftës, i realizuar njëherë në 1992, dhe i plotësuar sërish. Një vështrim jo thjesht studiues, por edhe informues. Arshi Pipa, sipas Çelikut, ka qenë një ndër të parët që mbrojtën tezën kundër shqipes standarde. Për gati 10 vite ai shkroi në shtyp artikuj, të cilët kanë ndezur debatet mbi gjuhën. “Pipa është një figurë letrare, por nuk është gjuetar. Këtë ai e ka pranuar vetë në një nga vizitat e tij në Shqipëri pas 1992-it. Në njërën nga këto vizita ai ishte mik i ftuar në universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Unë si rektor i këtij universiteti në atë kohë, i urova mirëseardhjen dhe ndër të tjera vura në dukje se shqipja standarde është një arritje e rëndësishme kombëtare, se ajo është një madhësi mbidialektore, vërtet me bazë toskërishte letrare, por ku janë integruar e do të integrohen edhe në të ardhmen disa dukuri të gegërishtes, se ajo po funksionon normalisht gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit në Shqipëri dhe jashtë saj, madje se Ju, profesor, iu drejtova unë profesorit të nderuar megjithëse jeni kundërshtar i deklaruar i saj, madje deri në mohim të plotë, më vjen mirë se po e përdorni atë edhe vetë para këtij auditori. Duke u përgjigjur, Pipa pranoi publikisht se ai nuk ishte gjuhëtar dhe se nuk ishte për ndryshimet radikale në gjuhë, d.m.th për përmbysje të gjuhës letrare të njësuar”, kujton prof. Çeliku. Studimi i tij ka brenda histori dhe personazhe, të cilat janë endur me një qëllim të përbashkët, gjuhën shqipe. Studim që vjen pas një karriere të gjatë të tij në fushën e gjuhësisë, të cilin prof. Çeliku ia dedikon djalit të tij të ndjerë, Florentit. Disa studime në këtë vepër janë ideuar prej tij.

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…