Skip to main content

Tetova News

“Ezopi i Dibrës”, promovohet monografia për rapsodin e shquar dibran Haziz Ndreu

Nga Nga Eriona Gorica


Veç artistit të shquar me origjinë dibrane Bujar Kapexhiu në promovim folën dhe Skënder Selimi, Gafurr Muka, akademik Vaso S. Tole, Adem Bunguri, Besim Zekthi, Luftar Paja, Xhelal Luca, përshëndetja e kryetarit të komunës së Dibrës së Madhe në pamundësi për të ardhur etj. Në fund të promovimit u këndua enkas një këngë për Hazis Ndreun nga këngëtari Kujtim Çerpja, i shoqëruar nga një grup kërcimtaresh nga “Ansambli i Drinit”
Të shtunën në mesditë, në sallën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit, si asnjëherë tjetër e tejmbushur,  u organizua promovimi i librit, “Ezopi i Dibrës”, kushtuar artistit të mirënjohur popullor Hazis Ndreu, “Mjeshtër i Madh”, e shkruar nga studiuesi Xhezair Abazi. Në këtë aktivitet merrnin pjesë familjarë, artistë, personalitete të artit e kulturës, arsimit e shkencës, përfaqësues nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj. Të pranishëm ishte dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese z.Bashkim Dedja, kryetari i bashkisë së Kamzës z.Xhelal Mziu, deputeti Sherefedin Shehu.
Artisti i shquar Bujar Kapexhiu, një mik i dibranëve, drejtoi këtë promovim. “Padyshim ne të gjithë e kuptojmë që sot është një ditë e veçantë sepse ne promovojë një vepër  letrare, një vepër biografike, një vepër shumë të bukur e cila i është kushtuar një nga njerëzve më të shquar të artit, kulturës dhe të shkencës shqiptare, dibranit 24 karat Haziz Ndreu, – tha z. Kapexhiu, në fillim të ceremonisë. Në qoftë se thonë se Dibra, ashtu siç është e vërteta, ka 9 male, Haziz Ndreu ka punuar në nëntë fusha. Nuk po i përmendim të gjitha me radhë, por veçoj këngën e krijimtaritë e tij. Gjithë jetën e kaloi me laps dhe çifteli dhe nga llogaritjet që janë bërë, më shumë ka jetuar në skenë se sa në shtëpi”. Për jetën dhe krijimtarinë e artistit të shquar popullor Hazis Ndreu, i pari foli koreografi Skënder Selimi, “Mjeshtër i Madh”. Ai e quajti atë supertalent, rapsod, valltar e artist popullor, fitues i shumë çmimeve kombëtare dhe laureat i Festivalit të Moskës.
Ndër të tjera, në fjalën e tij z. Selimi tha: “Të them të drejtën më bëhet zemra mal kur shikoj këtë pjesëmarrjes aq të madhe dhe do të bëj  një vërejtje që në fillim se ana shtetërore, për mendimin tim, e ka harruar komplet vendin. Ne kemi të bëjmë me një figurë të madhe. Mund të them se e kam njohur për herë të parë, jo në Tiranë, por në vendin e vet, kur shkoja për të mbledhur materiale për studimet e mia.  Ne nganjëherë kemi disa koncepte të gabuara si qytet, se na thotë mendja se jemi më të mençur por aty, sa rashë në kontakt me atë, më doli një figurë e jashtëzakonshme. Mënyra se si fliste, me çfarë pasioni e çfarë shpirti kërcente. Ai u paraqit për herë të parë me kërcimet dibrane dhe motivi kryesor ishte vallja e Zerqanit, motive bazë për të cilin ai ka një meritë jashtëzakonisht të madhe sepse ai zerqan që kërcehej prej tij u bë, si të thuash, figurë kryesore në Ansamblin shtetëror të Këngëve dhe Valleve. Vallja e Zerqanit u bë motiv i përhershëm i qyteteve kudo ku kërcehej. Në vitin 1957 organizohej një festival botëror në Moskë. Qëllimi kryesor ishte që të çonim atje jo artistë profesionistë që kërcejnë vallen popullore, por direkt artistë popullorë, njerëz të vendit,  kërcimtarë popullorë. Një prej tyre ishte Hazis Ndreu.  Tek ai pashë shpirtin e tij, që më ka mahnitur, me thënë të drejtën. Unë kam studiuar jashtë shtetit, kam parë balerina, kërcimtarë, por si ai  ishte diçka e rrallë. Në rast se ne themi se ka talent, ai ishte një supertalent. Jam mahnitur  kur e kam parë dhe i bëja pyetjen vetes, ne na duhet të bëjmë 8 vjet shkollë që të arrijmë deri diku, kurse ai i përlante të gjitha lëvizjet teknike. Ishte vërtet një artist i kompletuar:  a doje ti binte daulles po, a doje ti bijë çiftelisë, për mrekulli, a doje të krijonte vjersha ,edhe ato i bënte. Këta janë njerëz të mëdhenj.  Vinte shpesh më vonë edhe në ansambël  dhe ne e gërryenim duke i marrë material nga ia person se ai kishte material shumë të kërcimit. Këta njerëz janë të pavdekshëm, dhe këta nuk duhet ne t’i kujtojmë por duhet edhe institucionet përkatëse që merren me këtë punë. Është për t’u lavdëruar shumë autori i këtij libri sepse ai me këtë libër, në rast se ne kemi institute folklori duhet ata të parët ta rrjepnin këtë libër, se është një libër që përfaqëson jo vetëm një figurë por një figurë që një gjithë krahinën përkatëse por jo vetëm gjithë krahinën, por më gjerë.” 
Rreth ndihmesës së Hazis Ndreut në studimin e trashëgimisë popullore, sidomos të Dibrës, u ndal dr.Gafurr Muka. “Në fakt unë  e kam njohur Hazizin, kemi jetuar bashkë një periudhë tre vjeçare në Bulqizë. Qysh në fillim unë do ta quaja këtë libër dhe konaku i veprave të Haziz Ndreut dhe kur ndërtohen konaqe juridiku që është zakon për të pritur të afërm, shokë dhe dashamirës. Këto të gjitha mysafirët e parë që marrin pjesë në zijafetin e të zotit të shtëpisë dhe i zoti i shtëpisë përveç “bujrum e mirësevini” u thoshte “mu shtofshi e ju paça me jetë”. Haziz Ndreu ka patur shumë miq e shokë shumë dashamirës, shumë lexues, shumë shikues dhe shume dëgjues dhe i ka mirëpritur me melodi të bukura të  këngëve me zërin e bilbilit të bjeshkëve me flladin e këndshëm të valleve, me vargjet kumbues të vjershave, me inteligjencën e hollë të alegorisë, me të vërtetat e palëkundura të historisë. Xhezair Abazi për të krijuar “Ezopin e Dibrës”  i është dashur, më së pari, të ecë nëpër rrugët ku kishte ecur Haziz Ndreu, një ndërmarrje e vështirë që donte mund edhe takat. Dhe tani që kemi në duar veprën e tij nuk mund të mos themi  të lumshin duart, na i ke sjellë Hazizin ashtu si e kemi njohur dhe ashtu siç donim ne!”
Ndërsa Akademik Vaso S. Tole e vlerësoi atë një figurat mbarëkombëtare, që trashëgoi e transmetoi traditat më të mira të artit popullor shqiptar. “Është vërtet një kënaqësi e madhe që të marrësh pjesë sot në promovimin e kësaj vepre shumë të rëndësishme të studimeve tona të etnokulturës një vepre shkruar me shumë dashuri, profesionalizëm dhe mbi të gjitha  me rëndësi për të ardhmen. Në libër shkruhet gjatë e gjerë për zotin Ndreu.  Unë kam hedhur këndshikim tim për figurën e tij, këndshikim të cilën e ka ezauruar, le ta quajmë, te të gjitha dimensionet autori i librit. Pse është i rëndësishëm Haziz Ndreu përveç se të qenit një baba i mirë, një familjar i mirë, një dibran i mirë dhe një shqiptar i mirë? Sepse ndryshe nga shumë mbartës të tjerë të folklorit tek ai gjen të koncentruar trashëgimin shpirtërore të Dibrës. Dhe kur them këtë gjë kemi parasysh që kthehemi në gjendjen kur lind krijimtaria gojore e njerëzimit, pra kthehemi në kohët homerike sepse në kohët e Homerit autorët ishin edhe muzikantë edhe valltarë, edhe ezopistë të humorit, ishin edhe poetë, ishin shpesh herë dhe aktorë. Duke koncentruar në një person të vetëm të gjitha këto cilësi përveç vlerave të tjera qytetare, është e mundur që përmes analizave të rëndësishme, si ato që janë bërë në librin e zotit Abazi, të kuptojmë jo vetëm vlerën e Hazizit, si person, por rëndësinë që ka trashëgimia shpirtërore. Dhe këtu vimë në një moment tjetër të rëndësishëm se këto libra nuk kanë në qendër në vetvete që të kënaqin familjarët, ose një grupim të caktuar siç janë grupi i dibranëve, këto shkojnë përtej këtij caku, shkon tek edukimi përmes vlerave të trashëgimisë sonë shpirtërore dhe kulturore që sillen aq bukur në këtë libër përmes figurës së Haziz Ndreut. Sepse të gjithë e dinë sot që shkenca teknike nxjerr teknicient por arti dhe kultura prodhon qytetarë dhe ne kemi nevojë për qytetarë të Shqipërisë, dhe Haziz Ndreu ishte njëri prej tyre. ”Për ndihmesën e Haziz Ndreut në historiografinë kombëtare shqiptare foli prof.Adem Bunguri. “Dibra i dha forca mendore, shpirtërore e fizike këtij artisti popullor, që të mbetet përherë në kujtesën e brazave, si të sotëm dhe atyre që do të vijnë”, u shpreh Lumturi Çela. Në këtë veprimtari ishin të ftuar e folën rreth këtij libri të ri dhe figurës së nderuar të Hazis Ndreut edhe shkrimtarë e studiues, nga krahina të tjera të vendit, pra jo vetëm nga Dibra. U ndoq me interes të veçantë dhe kumtimi i shkrimtarit të njohur, me origjinë nga Vlora, Viron Kona. Ai e vlerësoi lart punën e palodhur e profesionale të hartuesit të librit dhe evidentoi vlerat, që ai përmban për të njohur trashëgiminë e këtij artisti të veçantë popullor dhe terë krahinës së Dibrës, në përgjithësi.
Gjatë promovimit u lexua përshëndetja e dërguar, në pamundësi pjesëmarrjeje, nga kryetari i komunës së Dibrës së Madhe, Ruzhdi Lata: “Kam kënaqësinë të përshëndes të pranishmit, autorin në veçanti familjarët dhe organizatorët, u takofshim në aktivitete të tjera promovuese të vlerave poetike, publiçistike dhe artistike të të madhit  Haziz Ndreu”.
Të pranishmit i përshëndeti edhe autori i librit, studiuesi i mirënjohur Xhezair Abazi: “Së pari ju falenderoj shumë. Kam vuajtur tre vjet për të nxjerrë një gjë që e dija që e kam brenda vetes, por ishte shumë e vështirë dhe më në fund ia arrita. Ato që kam shkruar në libër, sigurisht që edhe dibran të mos isha, s’do të isha aq budall sa të përsërisja ato që  kam shkruar. Unë e kam shkruar atë libër. Unë kam fol për Hazizin 320 faqe. Por për të qenë i sinqertë edhe me ju që keni ardhur këtu kam disa gjëra që nuk i kam shkruar dot në libër, ka disa gjëra që do t’i mbaja brenda vetes sepse mund të dukeshin të pabesueshme dhe në jetën e Haziz Ndreut ta dini ju ka gjëra kaq të pabesueshme sa çuditeni. Nuk lashë arkiv, nuk lashë vrimë pa u futur e ku kishte dokumente dhe shkrime për Hazizin, nuk lash mik dhe armik të Hazizit pa u ulur me ta gjunjë më gjunjë për t’u thënë ma thuaj ka ndodhur, kështu apo jo. Dhe në fund kam thënë në libër që Haziz Ndreu është një gjë krejt e veçantë, një gjë e pangjashme. Por në jetën e Haziz Ndreut duhet të dini ju, një pjesë e kam vëne po janë vetëm maja e ajzbergut, përveç popullit dhe njerëzve të thjeshtë dhe shumicës së miqve të tij. Dhe po ju them, e kam shkruar një pjesë në libër, por të gjithë mediokrit, provincialët që u ka bërë hije Haziz Ndreu, vazhdon t’ju bëjë hije edhe sot. Dhe kjo mua më jep shumë trishtim. Tha dikush këtu pse s’kanë ardhur pushtetarët, sepse në jetën e atij burri, atij artisti të madh pushtetarët i kanë shkaktuar shumë plagë. Pushtetarët gjithmonë janë munduar të përfitojnë nga artistët ose kur e kanë parë që nuk duhet të ngriheshin shumë lart i tërhiqnin, i ulnin poshtë. Me Haziz Ndreun ka ndodhur kjo. Unë ju jam shumë mirënjohës në qoftë se do ta merrni ta lexoni atë  libër, qoftë edhe diagonalisht se do të mësoni shumë për atë njeri që e keni dashur aq shumë. ”Në emër të familjes, të pranishmit i përshëndeti Avni Ndreu, djali i Hazisit, një valltari  talentuar që vallen e ka trashëgim nga babai: “Në radhë të parë ju falenderoj të gjithëve që keni ardhur këtu për të promovuar librin e Xhezair Abazit, “Ezopi i Dibrës”. Në radhë të dytë, do të përmend të gjithë bashkëpunëtorët e pakursyer të profesor Xhezair Abazit, që me përkushtim dhe dinjitet profesional, e ndihmuan në mënyrën më të palodhshme. Nuk mund të përmend gjithë emrat sepse janë shumën por do veçoj një zotin Gafurr Muka,  i cili ka bërë dhe hamallin, edhe intelektualin, edhe poetin, edhe shërbëtorin, edhe njeriun e mençur edhe dibranin e  urtë, pra e përgëzoj nga zemra veçanërisht. Për të arritur pastaj tek ai i cili i bëri babait tim, njerëzve tanë, ju Dibrës një bust monumental babait tonë Haziz Ndreut. Unë e përgëzoj në emër të të gjithë familjes për të gjithë atë euridicion të prof. Xhezair Abazit që e ka shprehur me talent në këtë libër. Në këtë promovim folën dhe Besim Zekthi, Luftar Paja etj. Në fund të promovimit u këndua enkas për takimin nga këngëtari Kujtim Çerpja, i shoqëruar nga një grup kërcimtaresh nga “Ansambli i Drinit”.

Vepra dinjitoze e “Mjeshtrit të Madh”
Hazis Ndreu është pjesëmarrës në të gjitha festivalet folklorike zonale e kombëtare në Shqipëri, ku pothuajse në asnjë rast nuk ka mbetur pa u nderuar me çmim. Është kjo arsyeja që mban të gjitha urdhrat e Medaljes “Naim Frashëri”. Është krijues dhe interpretues i dhjetëra këngëve e valleve folklorike të përpunuara. Këngët e krijuara e interpretuara prej tij si “Elez Isufi arusha e malit”, “Bini or trima bini”, “Gurët e sokakut”, “Këngë për Hajredin Pashën, “Vijnë pamporet për rrethe detit”, “Këngë për Suf Murrën”, “Këngë për Lam Dacin”, “Këngë për Gjok Docin” e shumë të tjera edhe sot e kësaj dite mirëpriten kudo që këndohen. Përpunimi i disa motiveve folklorike dhe ngritja a e tyre ne art është një fushe tjetër e lëvruar prej tij, ku me dinjitoze mbetet përpunimi i këngës gjer ne krijim “Fusha Korabit”, interpretuar me mjeshtëri nga “Artistja e merituar” Liri Rasha. Krijimet dhe punimet koreografike janë një moment tjetër në punën e tij krijuese, të cilat janë botuar në periodikun “Koreografia”. “Mjeshtri i Madh” Hazis Ndreu ka zbuluar, evidentuar e nxjerrë në pah mbi 20 variante të kostumeve popullore dibrane. Si bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit të Gjuhësisë është hulumtues dhe mbledhës i mbi 2000 fjalëve të urta popullore e shprehjeve leksikologjike të krahinës së Dibrës.
Mes këngës dhe penës
Përveç aktivitet të larmishëm e të suksesshëm në muzikë, Hazis Ndreu është shquar edhe si botues është autor i 5 vëllimeve me poema e poezi. Ka botuar “Tregime Alegorike dibrane” (1983) dhe “Alegori Dibrane (1999). “Kastriotët dhe Skënderbeu në trojet arbnore”, botuar më 1997 pas një pune hulumtuese 30-vjeçare është një ndër librat më dinjitozë të tij me fakte, dokumente dhe toponime historike me vlera të mëdha shkencore”. Hazis Ndreu është autor i dhjetëra radiodramatizimeve. Pas vdekjes u botua libri i tij “Dibra në udhën e historisë”, ndërkohë janë në dorëshkrim për t’u botuar librat “Nëntë Malet e Dibrës”, romani historik “Lufta e Dohoshishtiot”, “Dibra në rrjedhën e shekujve” dhe drama “Dasëm pa nuse”. “Mjeshtri i Madh” Hazis Ndreu, ka marrë pjesë në dhjetëra konferenca kombëtare e ndërkombëtare për folklorin, historiografinë e kulturën popullore si në Tiranë, Shkodër, Dibër të Madhe, Tetovë, Nju Jork etj., ku ka referuar e mbajtur kumtesa e trajtesa të veçanta.
Mes valles, këngës dhe etnografisë
Krijimet dhe punimet e tij koreografike janë një moment tjetër ne punën krijuese te tije. Përmendim vallet “Valle e Korabit”, “Vallja e thikave”, “Valle Festive Dibrane”, “Valle me motive te Koxhaxhikut”, përpunimi i valles se Zall- Dardhës, “Valles se thuprës”, “Valles se Kuvendit” si dhe studimet e tij për koreografinë “Tiparet dhe veçoritë e interpretuese te valles se shpejte dibrane”, “Disa tipare karakteristike dhe mënyra e interpretimit te valles se rende Dibër”, etj ..te cilat janë botuar ne periodikun “KOREOGRAFIA “. Ka zbuluar evidentuar e nxjerre ne pah mbi 20 variante te kostumeve popullore Dibrane, ku për t’u përmendur mbetet kostumi i Grykës se Vogël i cili u paraqit ne skene për here te pare ne festivalin folklorik te Gjirokastrës ne vitin 1978. Si bashkëpunëtor i jashtëm i Institucionit te Gjuhësisë është hulumtues dhe mbledhës i mbi 2 mije fjalëve te urta popullore e shprehjeve leksikologjike te krahinës se Dibrës.
Fitues i shumë çmimeve
Siç e theksuam më sipër, Hazis Ndreu, për kontributin e tij të shquar ndër vite, është nderuar me tituj, çmime, urdhra e diploma në shumë festivale kombëtare e ndërkombëtare.
Prej vitit 1963 ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Në harkun kohor të dhjetë viteve (1975-1986) ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, dega Dibër. Ishte “Anëtar nderi” i lobit shqiptaro-amerikan me qendër në Nju Jork. Ai ishte gjithashtu kryetar Nderi i Shoqatës patriotike-kulturore “Elez Isufi”. Në festivalin ndërkombëtar të rinisë botërore, zhvilluar me 20 gusht 1957 ne Moske ku ne mes te 100 grupeve pjesëmarrëse u nderua si individ me çmimin e trete te këtij festivali. Po ashtu në festivalin folklorik ndërkombëtar te Bukureshtit ne gusht 1962 nderohet me diplomën e festivalit se bashku me partnerin e tij “Mjeshtrin e madh”, Besim Zekthi, në “Valle dyshe dibrane”. Është pjesëmarrës ne te gjitha festivalet folklorike zonale e kombëtare te zhvilluara ne Shqipëri ku pothuajse ne asnjë rast nuk ka mbetur pa u nderuar me çmim. Është kjo arsyeja qe mban te gjitha urdhrat e medaljes “Naim Frashëri”. Ne takimin e pare Kombëtar te recituesve ne vitin 1962 nderohet me diplomën e këtij festivali. Është fitues i çmimit te pare ne festivalin e dyte kombëtar te fjalës artistike zhvilluar ne qershor 1964. Është laureat i festivalit kombëtar te estradave profesioniste zhvilluar ne nëntor 1968 ne Tirane. Në konkurset kombëtare te organizuara nga Revista”Hosteni” është fituesi çmimit te dyte dy here radhazi për poezitë e tije satirike e humoristike si “Makadale, or kapidan” ne vitin 1969 dhe “Tre Takimet” Dhjetor 1981. Kuvendi Popullor i Shqipërisë, me dekretin Nr.5883 datë 04.05.1979 i ka akorduar Hazis Ndreut titullin “ARTIST I MERITUAR”, me motivacionin: “Për punë të shquar në zhvillimin e mëtejshëm të folklorit, duke forcuar përmbajtjen e duke rritur gjithnjë e më shumë nivelin artistik në kuadrin e festivaleve folklorike kombëtare”. Presidenti i Republikës, me Dekretin Nr.3074, datë 30.07. 2001. (pas vdekjes) i ka akorduar Hazis Ndreut Urdhrin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin “Për kontribut të veçantë si mbledhës dhe studiues në fushën e historisë, së folklorit e të etnografisë, interpretues virtuoz i këngës popullore”. Po ashtu këshilli komunal Zall Dardhë më 25 gusht 2002 i jep titullin “Nderi i Dardhës” (pas vdekjes), ndërsa Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike, në maj 2006 i jep Hazis Ndreut Titullin e Mirënjohjes si “interpretues i shquar i valëzimit popullor shqiptar” dhe në 2007 në takimin e Rapsodëve të Lezhës u nderua me medaljen “Rapsod i shquar”. Pak ditë më parë në 2008, Unioni Artistik i Kombit Shqiptar e nderoi atë me titullin “Krenari e Unionit”. Për të gjitha këto ai mbete një thesar i çmuar në analet e historisë tonë kombëtare.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…