Skip to main content

Tetova News

“Ferhat Cakaj, një jetë e jetuar, me pasionin për artin dhe letërsinë”

Intervistë me Aurora Ndreu Cakaj, vajza e shkrimtarit dhe publicistit të mirënjohur salariot

Paradokohësh u nda nga jeta Shkrimtari dhe Publicisti Ferhat Cakaj, i cili ishte dhe do të mbetet, si një nga figurat më të spikatura të letërsisë shqipe mes dy epokave;- të shekullit 20-të dhe të 21-ë. Fitues i disa çmimeve në letërsi si Mjeshtër i rrëfimit në gjininë e romanit dhe i dekoruar me “Urdhrin Naim Frashëri”, erudicioni, urtësia dhe mençuria e Ferhat Cakaj, do të mbeten në historinë e letrave shqipe, për stilin e veçantë në përshkrimin e realitetit të dhimbshëm, sidomos i ngjarjeve të mëdha historike dhe sociale në regjimin komunist. Sot gjithsecili nga ne, pavarësisht gjeneratës që i përkasim, kemi obligimin qytetar e intelektual, në publikimin e këtyre vlerave me prirje të forta qytetarie, intelektuale e krijuese të shoqërisë shqiptare. Në këtë intervistë me vajzën e Shkrimtarit dhe Publicistit Ferhat Cakaj, ajo na rrëfen udhën e vështirë, të bukur e të dhimbshme, mbresëlënëse e historike, të Atit të Saj të shtrenjtë, se si nga një i lindur në jug të Shqipërisë në Salari të Tepelenës, dhe i rritur në shtëpinë e fëmijës, u bë mësonjës, përçues i dijes dhe arsimit në Kukësin verior –të cilit, realiteti jetësor dhe historik i kësaj treve, dashuria dhe mençuria e kuksianëve, e frymëzuan për të shkruar dhjetëra romane, esse dhe publicistikë, ashtu sikundër patën frymëzuar Migjenin e Madh, të shkruante në Vrakë e Pukë kryeveprat e tij. Ikja e Ferhat Cakaj ishte e heshtur dhe plot shpresë, se në shpirtin e çdo njeriu gjithmonë ka pranverë, sikundër pati gjithmonë pranverë në shpirtin e mjeshtrit të romanit, shkrimtarin e publicistin Ferhat Cakaj. “….ka një pranverë në shpirtin e njeriut. Ajo lulëzon atje, në thellësi të tij, në sytë a tij, ndjehet tek buzëqeshja e fëmijëve, tek njerzit e dashur. A beson se do të vijë ndonjëherë kjo stinë? Unë besoj. Do të vijë një kohë, kur në të gjithë Shqipërinë, njeriu për njeriun do të jetë si një yll. Bota do ti kthej sytë tek ne, ndoshta edhe në atë qytezën ku jetoj unë sot dhe do të shikoj e çuditur shpirtin e madh shqiptar. Kjo pranverë do të vijë më duket se e shikoj….”(F.Cakaj te “Pranvera do të vijë”-roman.) Për më shumë ndiqni intervistën.

Bisedoi: Raimonda Moisiu
Zonja Aurora, vitin që kaloi u nda nga jeta ati tuaj i shtrenjtë shkrimtari dhe publicisti Ferit Cakaj, një personalitet i shquar intelektual dhe vlerë kombëtare e letrave shqipe. Pranoni ngushëllimet e mija, si ishin momentet e fundit të tij?
Në fillim duke ju falenderuar për intervistën,do doja të tregoja shkurtimisht kush ishte Ferhat Cakaj. I lindur në Salari të Tepelenës më 2 Prill 1935, në Shkodër kryen shkollën e mesme pedagogjike, kurse studimet e larta në fillim për Gjuhë -Letërsi dhe më pas Fakultetin Histori Filologji, degën gjuhë letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës .Në fillim e emëruan mësues të letërsisë në gjimnazin e Kukësit, ku u pensionua në vitin 1991. Me letërsi filloi të merrej, që kur ishte në shkollën e mesme. Ka shkruar novelat ”Mësuesi i çmendur”,1967, ”Kështu është” 1969, përmbledhjet me tregime “Lugina e nuseve “,1969, “Në korie mes lisash”, 1972, romanet “Njerëzit e qytezës në mal,1976, “Nesër do të jetë vonë”,1976, “Jam bir i popullit tim”,1978, “Zemërimi”1980, “Përmendorja”,1985, dramën “Kosovarët,1987, “Bardhyli kërkon Gjergj Elez Alinë”, refleksion eseistik “E vërteta mbi eposin Serb”, “Të gjallë e të vdekur”, duke përshkruar në një farë mënyre krijimtarinë e 50 vjet punë, lodhje, pagjumësi, nga njëra anë, por dhe gëzim i papërshkrueshëm kur i botoheshin romanet dhe merrte përgëzime nga të gjithë njerëzit, lexuesit e tij, nxënësit, ku jepte mësim,një jetë e jetuar kjo me pasion të veçantë për artin e bukur të të shkruarit, deri në momentet e fundit të jetës së tij. Isha mësuar të shkoja çdo ditë pranë tij, t’i jepja ilaçet. Atë ditë kthehesha nga puna si zakonisht dhe do merrja rrugën për në Qytetin Studenti, ku jetonin prindërit e mi. Kishte më shumë se dhjetë ditë që babai doli nga spitali,ku qëndroi rreth dy muaj e gjysëm. Kam qëndruar pranë tij, gjithë kohën, duke i shërbyer deri në fund. Bie telefoni dhe për disa minuta u gjendëm në urgjencë, ishte shumë rëndë dhe mezi mbushej me frymë. Momentet e fundit ne i kaluam tek spitali QSUT “Nënë Tereza, ku pas një ataku të dytë kardiak, megjithë përpjekjet e ekipit shëndetësor të mjekëve, fatkeqësisht nuk u arrit të mbahej në jetë. Nuk më hiqet nga sytë ajo pamje, kur më mbante dorën shtrënguar, duke luftuar me vdekjen dhe u shua ngadalë para syve të mi dhe të familjarëve. Ajo mbrëmje do mbetet në memorien dhe kujtesën time sa të kem jetën.
Çfarë mendoni se janë elementët thelbësorë që e bëjnë atin tuaj të çmuar e të vlerësuar për kontributin e tij nga bota shqiptare? Si do ta përshkruani erudicionin krijues në fushën e shkrimtarisë, poezisë, publicistikës, dramave dhe botimeve të tij?
Jetoi për një kohë të gjatë në Kukës, larg kryeqytetit, por do thoja a ndikoi kjo në krijimtarinë e tij. Do t’ju kujtoj vetëm një gjë; Migjeni i shkroi kryeveprat e tij në Shkodër, Vrakë dhe Pukë, Nekrasovi poemat e tij të mrekullueshme i shkroi në internim, Ukrainasi Shefcenko, gjithashtu është relative varësia e veprës nga jetesa ose jo në Tiranë. Në Kukës vërtet mungonte biblioteka kombëtare, kontaktet me inteligjencën, por këto u plotësuan nga biblioteka e tij në rusisht, në takimet e shpeshta në Degën e Lidhjes në Tiranë duke mundësuar lidhjet me shkrimtarët më të mirë, nga lidhjet e vazhdueshme me njerëzit në të gjitha trevat verilindore, dashurinë e nxënësve të tij dhe gjithë popullit të cilit i thërrisnin të gjithë “profesor Ferhati”. Mënyra se si fliste dhe afronte çdo njeri të çdo profesioni, duke i rrahur shpatullat të impononte respekt të veçantë, dhe të gjithë rendnin pas tij duke e adhuruar si mësuesin më të mirë të Letërsisë, shumë nga nxënësit i sillnin fletoret në shtëpi me vjersha dhe mbaj mend që i priste me buzë në gaz,si një njeri me zemër të madhe, i inkurajonte dhe shumë prej tyre sot kanë botuar veprat e tyre. Ai ishte trupshkurtër, me flokë të thinjur, që i shkonin dhe e tregonin shumë fisnik, i mbajtur mirë dhe i veshur me sqimë. Gjithmonë e mbaj mend me këmishë të bardhë me kravatë në çdo moment i rregullt,i qeshur, i mençur dhe me sytë e tij të vegjël që shkëlqenin në çdo kohë. Nuk e hiqte stilografin nga dora, gjithmonë shkruante në studion e tij i rrethuar nga libra të pafund vendosur me rregull në raftet e bibliotekës. E mbaj mend gjithmonë shkruante natën, pasi muzgu mbulonte atë qytet të vogël në veri të Shqipërisë, ku shkroi romanet e tij të para, i rrethuar mes miqsh të shumtë, kaloi pjesën më të madhe të jetës në qytetin e Kukësit. Kukësi ishte vendlindja e tij e dytë, ishte ky qytet i pranishëm në të gjashtë romanet e tij, në novelat dhe në tregimet. Kukësi i dha dashurinë e thellë njerëzore dhe padyshim dhimbje. Ai i fali atij qyteti rininë, burrërinë, aftësitë intelektuale dhe akademike, duke qenë një mësonjës siç e donte Kukësi, duke qenë shpesh këshilltar përherë në mbrojtje të qytetarëve, shkrimtar që nuk e ndante krijimtarinë nga njerëzit e atij rrethi aq të pasur dhe aq të varfër. Njerëzit, folklori popullor kuksian, larmia shumëngjyrëshe shprehëse kuksiane, historia e lavdishme dhe e re e fiseve të Kukësit, gjithçka e atij rrethi ishte e tij, ishte dhe mbeti në librat e tij. Ferhat Cakaj është autor i romaneve që kanë pasur një objekt krejt të veçantë: rolin e fisit në shoqërinë totalitare uzurpimin prej tij të administratës dhe të ndërmarrjeve. D.m.th fisin, një forcë konservatore, regresive. Prandaj romanet e tij ”Njerëzit e qytezës në mal”, ”Nesër do të jetë vonë”, ”Përmendorja”, ”Zemërimi”, ”Të gjallë e të vdekur”, kanë tendenca të veçantë realiste. Ai rrëfen fuqinë e fisit në epokën komuniste pushtetin, tentakulat e të cilit shtriheshin ngado, Megjithëse romanet janë shkruar në një mënyrë pozitive, sipas modelit të realizmit socialist, që ishte metodë zyrtare, këmbëngulja e tij ishte, për të përshkruar me hollësi gëllimin e kudogjendshëm e të pa asgjësueshëm të klaneve në gjirin e shoqërisë shqiptare. P.sh tek romani “Pranvera do të vijë”, tregon mundësitë dhe të papriturat ekzistenciale të individit dhe të familjes shqiptare në regjimin komunist e në kapërcyell të sistemeve politike. Jeta sjell shpesh vuajtje, zhgënjime dhe goditje të forta të fatit, por ajo meriton të jetohet me dashuri dhe shpresë. Dhe ketë ai e shpreh që në titull e deri në fund të librit, me historinë e jashtëzakonshme të Neritanit e të Virgjinës.
Si e keni mësuar se babai juaj ishte pasionant i letërsisë? Si e keni përjetuar këtë nismë e pasion të tij dhe cila është poezia apo tregimi i parë që keni lexuar prej tij?
Ai u rrit në shtëpinë e fëmijës që nga viti 1945 në Gjirokastër pastaj po në shtëpinë fëmijës në Tiranë e në Shkodër. Me letërsi, kish filluar të merrej, që kur ishte nxënës në shkollën e mesme dhe krijimet e para i botoi në faqen letrare të “Zërit të rinisë” etj. Është marrë me prozë për lexuesit e rritur, dramaturgji dhe me ndonjë studim letrar. Pasionin për letërsinë dhe gjuhën shqipe ja transmetoi dhe vajzave, ku dy prej tyre kanë mbaruar studimet e larta për Gjuhë –Letërsi. Në shtëpinë tonë, në studion, ku ai shkruante, kishte libra pafund, shumica e librave ishin botime të hershme që i kish blerë që në rini të tij, që nga vitet 1950-ë dhe shumica e tyre ishin botime në rusisht. Ishte njohës shumë i mirë i gjuhës ruse,mbaj mend kur na lexonte me zë, recitonte pjesë nga poemat më të bukura ruse, duke i lexuar jo një por disa herë shumicën prej tyre. E kam adhuruar gjithmonë babin tim, për mënyrën e rrallë si sillej me librin,kujdesin që ai tregonte për to. Më pas kur u rrita, lexoja Servantesin, Heminguejin, Olldingtonin, Shollohovin, Brehtin apo Faladen, Kuperin, kryeveprat e letërsisë botërore. Libri i parë që kam lexuar prej tij ka qenë “Jam bir i popullit tim”, një roman për fëmijë jashtëzakonisht shumë i bukur i vitit 1978, i përkthyer më vonë dhe në greqisht në vitin 1981, gjithashtu dhe radio dramë nga Teatri Popullor me regji të Andon Qesarit. Ky roman ishte vepra e tij e parë për fëmijë, është shkruar kundër mëshirës,përbuzjes dhe neverisë, në raportin e njeriut jetim me shoqërinë. Sepse shpeshherë shoqëria e hedh tutje këtë fëmijë, si fabul ngjarja zhvillohet në Shtëpinë e fëmijës në Shkodër, Ai roman u vlerësua me çmimin e parë të Republikës, çmim i cili ju dorëzua nga i madhi Dritëro Agolli në Lidhjen e Shkrimtarëve. Ndërsa për pasionin për letërsinë, mund të them që edhe sot tregohet nga nxënësit e tij, “Kur Ferhat Cakaj shpjegonte Migjenin në orën e letërsisë nxënësit nuk pipëtinin,duke dëgjuar mënyrën e bukur dhe të veçantë, atë shpjegimin me pasion që dinte ta bënte vetëm ai.”
A ka lënë dorëshkrime ? Kush do të kujdeset për mbledhjen e botimin e tyre?
Gjithmonë e përfytyroj me stilografin e tij, i përkulur mbi makinën e tij të shkrimit, duke shkruar gjithmonë ditën dhe natën, cigarja që harrohej dhe digjej ngadalë, duke përjetuar çdo moment ngjarjet dhe personazhet, që merrnin jetë nëpërmjet shkrimeve të tij. Janë shumë dorëshkrime në gjininë e tregimit, novelës, romanit, si dhe të publicistikës. Jam kujdesur për to, që kur babi ishte në jetë, dhe mendoj që është një mision jetësor i imi dhe i motrave, që me anë të botimit të shkrimeve të pabotuara, të vazhdojmë dhe të mbajmë gjallë krijimtarinë e babit dhe shkrimtarit Ferhat Cakaj. Do bëjmë të mundur botimin e tyre, si shkrime të papublikuara akoma, pasi janë shkruar para shumë kohësh dhe janë aktuale dhe për ditët e sotme, gjithashtu dhe shkrime të cilat janë shkruar tani vonë. Nëpërmjet shkrimeve të tij, ai do të vazhdojë të mbetet i gjallë për lexuesit e tij të dashur dhe për shumë vitet me radhë.
Një situatë të vështirë të babait tuaj?
Do thosha fëmijëria, një familje me gjashtë fëmijë, dhe me një gjendje ekonomike shumë të dobët. Në vitin 1941 i vdes nëna, ishte vetëm 5 vjeç dhe kishte një motër më të vogël. I kaloi vitet e luftës në varfëri dhe skamje dhe për më tepër pa nënën. Në vitin 1945 bashkë me tre fëmijë të tjerë nga fshati Salari ku u lind, u dërgua në shtëpinë e fëmijës në Gjirokastër, ku vazhdoi dhe shkollën ku u cilësua si një nga nxënësit më të mirë. Një fëmijë i rritur pa prindër ka nevojë për veshje, për ushqim, për punë e mbi të gjitha ka nevojë për dashuri njerëzore. Sepse ajo i mungon. Shumë njerëz nuk kishin kushte për të jetuar dhe u grumbulluan në këto shtëpi fëmijësh, dhe tregohesh kujdes derisa dilnin në jetë.
Një situatë mbresëlënës?
- Kurorëzimi i një pune krijuese, në mësimdhënie, ”Urdhëri Naim Frashëri” i klasit te III-të si mësues dhe edukator, 1976, Urdhëri “Naim Frashëri” klasit II-të si shkrimtar e romancier, viti 1982, Titulli “Mësues i Merituar” viti 1989, mund të shtoj që shpërblimi më i madh i jetës së tij ka qenë respekti dhe dashuria, gjatë 39 viteve, e popullit të Kukësit. Mund të them që ai vetë ishte mbresëlënës për të tjerët. I dashur, gojëëmbël me të gjithë, gëzonte dashurinë dhe respektin e të gjithë atyre që e kanë njohur, dhe kanë patur fatin ta takojnë qoftë dhe njëherë në jetë. Në vitin 2010, me rastin e 75 vjetorit të tij kam organizuar ditëlindjen më të bukur e të veçantë të jetës së tij, duke i ftuar të gjithë shokët, miqtë, familjarë, gazetarë, studiues, shkrimtarë, shumë i gëzuar, me lot ne sy, i rrethuar nga miqtë, përjetoi me emocion të madh përshëndetjet e miqve duke ë uruar suksese në krijimtari dhe në jetë.
Kush është Aurora Ndreu-Cakaj, për lexuesit e kësaj interviste?
Vajza e dytë e Ferhatit, aktualisht ekonomiste pranë një banke private. Mendoj që profesioni, që kam zgjedhur, nuk ka shumë lidhje me librin, por unë trashëgoj nga babai artin e të shkruarit. Kam në dorë një libër me tregime ende të papërfunduar me tematikë sociale. Ky libër ka një pjesë të shpirtit tim human, kjo jam unë. Libri përfshin jetën në metropol, Tiranë,histori të vërteta njerëzore,ku përfshihet jeta e individit të harruar nga shoqëria, të gjymtuar në trup e në shpirt, histori me të cilat ne përballemi çdo ditë. Gjithashtu mendoj që së shpejti të hap një ekspozitë në pikture, punime të cilat janë të parat për mua, ku për të gjitha këto kam mbështetjen e madhe të familjes sime, bashkëshortit dhe dy fëmijëve. Kam qenë gjithmonë e privilegjuar, kam lindur dhe jam rritur në një familje intelektuale mësuesish,e edukuar më së miri nga prindërit e mi të shkëlqyer, të cilët më dhanë shkollimin,edukatën, më mësuan rregullin estetikën dhe çfarë është më e rëndësishme edukatën e punës. Kam punuar që e vogël dhe njëkohësisht kam vazhduar shkollën dhe mendoj, që kjo ka influencuar në edukimin dhe formimin tim. Pas humbjes së babait, mendoj që e rëndësishme dhe parësore për mua e për familjen time është botimi i veprave të lëna përgjysmë nga babai, duke bërë të mos harrohet dhe të mbetet i gjallë për lexuesit e tij dhe për shumë kohë.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…