Skip to main content

Tetova News

“KONOMEA” E VATH KORESHIT

Nga Petrit Palushi
Kur i avitemi veprës së një shkrimtari, më së pari shohim krejt tekstin dhe më pas mundohemi të hetojmë aty ku shkëlqimi është më i dukshëm. Në këtë kontekst, edhe veprës së shkrimtarit të njohur Vath Koreshi, pikërisht në veprat: “Ulku dhe Uilli”,“Konomea”, “Haxhiu i Frakullës”,  “Dasma e Sakos”, etj.
Novela “Konomea” është botuar fillimisht në revistën kulturore “Mehr Licht”(nr.8) si dhe në përmbledhjen me novela me të njëjtin emër (botim i Onufrit, 1999). Kemi të bëjmë me një tekst me një renditje të shpërbërë të mjeteve stilistikore, por në raport të harmonishëm dhe me idenë e përgjithshme të veprës. Kur themi: renditje e shpërbërë e mjeteve stilistikore, është fjala për mjetet e shpërndara në krejt novelën, dhe jo në një a disa faqe të veçuara, pra për organizim të plotë strukturor dhe për përsosje stilistike të krejt tekstit. Rrjedhimisht, teksti është solid në të gjithë shtrirjen e tij, ose, është një tekst pa mungesa.  Kjo do të thotë se novela “Konomea” e Koreshit, është shembulli i një vepre ku mishërohet vetëdija e plotë krijuese e shkrimtarit, i cili këtu shfaqet krejt natyrshëm dhe bindshëm me artin e tij të njohur të sugjestionit, me sofistifikimin e rrëfimit dhe me një gjuhë të shkëlqimtë, të praktikuar edhe më parë se të botonte këtë vepër, veçanërisht tek romani që tashmë ka bërë jehonë, “Ulku dhe Uilli”.
Uniteti i shtresave të rrëfimit
Koreshi ka arritur të sofistifikojë rrëfimin e tij, të krijojë situata të tilla me pamje dhe veprim absurdi, me një grumbullim të fakteve vepruese dhe me shkoqitjen e tyre të njëmbasnjëshme, por njëkohësisht edhe me kapërcimin e këtyre situatave para syve të lexuesit në formën më të përkryer, ku natyrshëm dhe bindshëm  pikaderdhet kontinuiteti i idesë së shkrimtarit.
Novela është e konceptuar në 28 pjesë, ku në pjesët 1 dhe 28, protagonistja e novelës, Konomea, rrëfen vetë për vdekjen e saj, dmth., rrëfimi vjen nga një zonë e përtejme.  Shkrimtari nuk është ndalur në përcjelljen e kumtit të saj, por gjithçka që ka të bëjë me të dhe personazhet e tjerë, renditet në pjesët 2 – 27, çka të krijon përshtypjen se rrëfehet për një zonë të hirtë, të mjegullt, për një zonë teatrore që funksionon nën këtë lloj ngjyre dhe ku aktorët më veprues të saj janë në lëvizje të pandërprerë dhe çdo lëvizje e tyre rrotullohet para syve të lexuesit për t’u kundruar lehtësisht nga të gjitha anët. Pavarësisht se shkrimtari në krye të herës ka paralajmëruar se në tekst do të flitet për një bukuri trazuese si ajo e Konomesë, ka shpërndarë linjat e subjektit gjithandej duke na dhënë versione jete të personazheve, ku secili sillet dhe krijon mëvetësinë në vatrën e tij. Kësisoj, gjallërohet metafora e veprës, çka i ka dhënë asaj një shumëkuptimshmëri gati-gati të pabesueshme për një vëllim aq të paktë faqesh, që s’i kalon të 50-at.  Kjo do të thotë se shkrimtari ka arritur ta sofistifikojë rrëfimin tek “Konomea”, dhe më tepër luan me nëntekstin, madje lehtësisht, çka e shndërron në një figurë të fuqishme artistike. Mund të përmendim vetëm një fakt: është e vështirë të dallohet Konomea e gjallë me Konomenë e vdekur, për të dëshmuar edhe një herë se sa fuqi kreative përmban teksti. Edhe zbërthimi i metaforës kryhet ngadalë, madje autori, mbasi ka mbaruar çdo gjë, vendos në tekst një pjesë të tillë si për të mbështjellë për të fundit herë frymën e personazhit të tij:
“…Ajo që kishte ngrehur për shtatëdhjetë vjet, do ta mbante tani aty si hutina zogun që pret t’i sulet skifteri. Jo, gjëkundi s’kishte se ku të shkonte. Ndoshta prandaj  edhe i kishte kërkuar shpirti tri ditë. Tri ditë të lirohej, nga shtypja e shtypjes së vet”.
Tashmë kuptimi metaforik është vendosur i plotë në tavolinë dhe është i afërt dhe i perceptueshëm për lexuesin.
Në prozat e tjera të shkrimtarit, rrëfimi rrjedh më i shtruar, çka do të thotë se teksti është më i perceptueshëm, ndërsa tek “Konomea”, rrëfimi është më i sofistifikuar dhe duket sikur gjithçka sillet rreth një qarku të mbyllur. Pse mund të themi kështu? Për shkak se shkrimtari paraqet një kohë prezantuese për veprimin dhe krijohet përshtypja se veprimi kryhet në një kohë të tashme të veçantë.  Një kohë e tillë është krejt e sipërfaqshme, sepse brenda saj lëviz lirshëm një kohë e shkuar. Natyrisht, kjo formë e funksionalizimit të rrëfimit, kur realizohet në parametrat e kërkesës së saj, është mjaft rezultative. Një formë e tillë (rrëfimi retrospektiv), tek “Konomea”,  shfaqet natyrshëm, sa mund të thuhet se kanë mjaftuar vetëm pak ditë të mbrame të njërit prej personazheve të novelës (pashai), të shpaloset e gjithë historia e ndërlikuar e tij: shuarja e pashait, një hiç mbretëri apo një mbretëri e hiçit. Prandaj ekspozimi i rrëfimit shtresa-shtresa, ka mundësuar krijimin e një proze cilësore, ku sapo hiqet një shtresë rrëfimi, si pa u ndjerë mbërrin shtresa tjetër, e mbushur me dendësi më të madhe kuptimësie. Në rast se në novelën në fjalë ideja rrjedh si llavë e nëndheshme, shtresat rrëfimore s’janë gjë tjetër, veçse variante ndihmëse të idesë ose copëza peizazhesh, që në rastin më të parë të një montimi, do të jepnin një peizazh të plotë. Gjithsesi, novela mund të kuptohet vetëm nga uniteti i shtresave apo pjesëve të rrëfimit: çdo shtresë përmban në vetvete të veçantën, e cila mund të kuptohet e plotë vetëm në kuadrin e përgjithshëm të pjesëve të tjera. Kjo do të thotë gjithashtu se pjesët rrëfimore shpalosen rend njëra pas tjetrës, por gjithnjë në kuadrin e harmonisë së tekstit. Prandaj, pa frikë mund të thuhet se asgjë nuk del jashtë kësaj harmonie, veti e dallueshme kjo vetëm për veprat mirëfilli letrare. Shkurt: të cilësishme estetikisht.
Ndriçimi i hollësive
Novela “Konomea”, përveç kronologjisë së përgjithshme të ngjarjeve (pavarësisht nga renditja e tyre sipas ekzistencës në kohë), merret shumë me ndriçimin e disa hollësive që i japin frymë veprës dhe mbasi përfundon së lexuari atë mund të mbërrish në përfundimin se ato janë esencialisht të ndjeshme, pa të cilat vepra do të ishte vështirësisht e kryer. Mund të themi se një kohë e caktuar historike i ka shërbyer si shtysë shkrimtarit për të shkruar veprën, por koha historike nuk e ka penguar atë të prishë kornizat, të depërtojë në shpirtin dhe psikologjinë e personazheve, të bëjë radiografinë e tyre dhe t’i japë lexuesit jo skelete të një kohe, por imazhin e plotë të saj me gjithë baticat dhe zbaticat  e veta. Ndoshta mjeshtëria e Koreshit është se, nga një kohë e caktuar, si ajo e pashait me emër, ka marrë një sinjal se aty mund të hetohen shumë gjëra, dhe ia ka arritur të rikrijojë artistikisht atmosferën e asaj kohe. Në anën tjetër, rëndësia e veprës konsiston  edhe në  paralelizmat që mund të hiqen me çdo kohë ku njeriut i privohet liria, por edhe ku njeriu që ka privuar të tjerët, s’është dhe s’mund të jetë kurrsesi i lirë për veten e vet. Prandaj lexuesi, duke pasur parasysh kohën e pashait me emër, mund të sjellë nëpër mend kohë të ndryshme ku gjymtohet liria e njeriut.
Më sipër prekëm ndriçimin e hollësive në vepër. Dhe jo rastësisht.
Në rast se vdekja i rri pashai mbi krye, shkrimtari gjen mënyrën si ta largojë përkohësisht atë, si të largonte një mjegull të dendur tymi. Diku shkruan:
“Zëri i muezinit dridhej si një larash nëpër qiell… Aty s’kishte më jetë, pritej vetëm vdekja që në një mënyrë ose në një tjetër do të vinte. Ah, pa një luadh me bar ku një mëz i sulet gjithçkaje që i zë syri, pa kulprat e larushkut të egër në një vjeshtë me erë shiu që vjen nga larg. Do të donte tani t’u thërriste të gjithëve që t’u hipnin kuajve…
Ndërsa diku tjetër, edhe pse e prezanton fillimisht ardhjen e shpejtë të vdekjes, e zbërthen atë pjesë-pjesë: “Ja, ai të nxehtë që kishte përbrenda, do të niste t’i ftohej e t’i akullohej dhe pastaj do të vinte ajo si një gjarpër që afrohet nëpër bar, si të gjithë gjërat që të hanë tinëz, si të gjitha pabesitë…”.
Në atë zymti të atyre ditëve, shkrimtari ka veçuar edhe tri dëshira të personazheve, Jesatit, Buzit dhe Janullit, të cilët kishin rrojtur si të vdekur:
“Jesati donte një dasmë, Buzi Bulla një djalë, kursi Janulli i Prevezës…donte të kulloste dhentë në Mesolongj!”.
Duke numëruar hollësitë, lexuesi mund të vërejë lehtësisht se shkrimtari ka renditur në tekst më të domosdoshmet, të cilat shërbejnë si nyje lidhëse për ngjarjet kryesore dhe periferike. Ndoshta këtu do t’ish me vend të citonim një mendim të F.S.Fitsgerald-it se “Kur sjell diçka nëpër mend, sa herë që të kujtohet diçka, mbaje shënim në bllokun përkatës, por shënoje në po atë sekondë që e mendon. Askush nuk të siguron që herën e dytë do të hasësh në të njëjtin intensitet”. Për sa u parashtrua më sipër, shkrimtari tek “Konomea”, ka vendosur ato hollësi të intensitetit më të lartë, pa e ndjerë lexuesi se si me një të rënë të lapsit i ka suprimuar më pak të rëndësishmet.
Shpalime të një rrëfimi lirik
Novela “Konomea” është një prozë lirike, një rrëfim poetik në prozë për kohën e ndërmjetme jetë-vdekje, ose për jetën dhe vdekjen, me gjysmat e tyre në trupat e njëra-tjetrës. Një formë e një rrëfimi lirik në prozë, por të një rrëfimi për situata dramatike.
Të krijohet përshtypja se i gjithë teksti është mbështjellë me një avull emocional, ku veçanërisht personazhet paraqiten   si qenie të prekshme dhe që frymojnë realisht brenda strukturës së këtij avulli. Kjo do të thotë se personazhet natyralizohen, veçanërisht personazhi i mjegullnajshëm i Konomesë, dhe lëvizja artistike në gjithë tekstin, është natyrale, pa shtesa a episode artificiale, por gjithnjë duke notuar në shtratin e lirizmit.  Nga ana tjetër, kësaj proze lirike, mund të thuhet se nuk i mungon asgjë dhe çdo gjë është në vendin e vet: loja e personazheve (pavarësisht, nëse janë në rolin e narratorit apo jo), ndërrimi i episodeve, ose rikthimi shpesh tek një episod i mëhershëm, por tani me një dritë të re, me një dritë më vezulluese, ndërrimi i gjendjeve (ëndërr-realitet apo realitet-ëndërr, por më së shumti një realitet që noton brenda ëndrrës). Proza ka ritëm, ndërsa ngjarjet rrjedhin shpejt dhe të gjitha parakalojnë para syve të lexuesit sipas një kohe dhe rregullsie të çuditshme.
Kur mbaron së lexuari tekstin, mund të duket se para syve të tu ka kaluar një ëndërr e shkurtë, që të kujtohet me shumë vështirësi në çast, por më pas ngjarjet të vijnë nëpër mend pjesë-pjesë gjersa montohen njëra me tjetrën, ndërsa teknika e lartë e të shkruarit ka krijuar mundësinë për lexuesin që teksti të përjetohet estetikisht, fat të cilin e kanë vetëm ato vepra të parametrave të lartë cilësorë./TO

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…