Skip to main content

Tetova News

Një punim model magjistrature me vlerë edhe sot, afër katër dekada më vonë

 Nga Prof. As. Dr. Astrit Bishqemi

Ymer Elshani në botimin e tij “Aspekte të poezisë sonë për fëmijë (1945-1976)”- ANDENA, Prishtinë, 2013 -
1.
Në kapërcyell të viteve më erdhi me postë nga Prishtina një vepër e porsabotuar studimore e fushës së letërsisë për fëmijë e të rinj. Titullohej “Aspekte të poezisë sonë për fëmijë (1945-1976)”. Autori: Ymer Elshani. Ishte tema dhe puna me të cilën autori kishte magjistruar në verën e vitit 1978, pra afër katër dekada më parë.
Dihet fati tragjik i Ymer Elshanit (14 qershor 1948 – 17 prill 1999) nga Korrotica e Ulët e Drenasit, Kosovë, këtij krijuesi të talentuar për fëmijë. Është unik në gjithë rruzullin tokësor. Të hulumtosh gjithë kronikat e popujve të çdo kontinenti nuk mund të gjesh histori më të dhimbshme e më çnjerëzore, më kriminale e më makabre. Është historia-simbol e nënë Kosovës, e masakrës serbe mbi të. Kur ndodhi eksodi i madh i popullit kosovar, kur ai u shkul me bajonetë nga vendi i stërgjyshërve, patrioti Ymer Elshani i bishtnoi kësaj reprezaleje. Padyshim, që t’i shërbente atdheut të tij që hiqte e lëngonte. Shembullin për këtë qëndresë e kishte dhënë edhe më parë. Qe drejtor në gjimnazin e Drenasit, por më 1981 e pushojnë si irridentist, pjesëmarrës në demonstratë. Pasi mbeti pa punë pesë vjet, më 1985 hyri përkthyes në Ndërmarrjen e hekur-nikelit në Gllogovc. Pas shtatë vjetësh edhe aty e larguan nga puna… E pra, ai qe përndjekur nga regjimi serb. Megjithatë nuk u tërhoq nga e tija. Dhe në atë vitin e mbrapshtë të luftës në Kosovë deshi t’i shërbente e t’i gjindej mbi krye Atdheut që lëngonte rëndë. Po e pësoi. Dhe fatin e tij tragjik na e përshkruan më tej studiuesi i jetës e i veprës së tij, Dr. Xhevat Syla, në librin “Universi i mirësisë”(Prishtinë, 2008), në faqen 20: “…më 15 prill 1999, Ymeri bashkë më familjen u dëbua nga fshati. U vendos në fshatin Polek i Vjetër. Më 17 prill 1999, herët në mëngjes, ai bashkë me gruan, fëmijët, nënën, babanë e bashkëfshatarë të tjerë tentojnë të hyjnë në Drenas, por policia gjysmën e asaj turme e kthen prapa, me premtimin se nuk do t’i prekte. Ymeri me të vetët, por edhe me bashkëfshatarë të tjerë strehohen në shtëpinë e Sinan Muçollit për t’i terur rrobat e bëra qull nga shiu që binte rrëke, me vetëtima e bubullima të pandalura. Po atë ditë, në orën 17,00 policët serbë kishin hyrë në shtëpinë e Sinan Muçollit dhe nga turma e strehuar aty, ku kishte edhe mjaft fëmijë, gra, vajza, kishin nxjerrë Ylmer Elshanin dhe Sinan Muçollin. Sapo i kishin nxjerrë jashtë, ishin dëgjuar krismat e automatikëve, të cilët ua kishin shuar jetën mizorisht. Pas kësaj policia kishte hedhur bombë në dhomën ku po qëndronin të strehuarit e tjerë, pesëdhjetë e shtatë vetë. Ndërkohë, nëpër tymin që mbështillte krimin e paparë në atë dhomë, një polic zbraz breshëri plumbash nga automatiku. Mbetën të vdekur pesëdhjetë e tre vetë. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshortja e Ymer Elshanit, Nafija (45 vjeçe) me të katër bijtë: Ardianin (25), Miranin (20), Kujtimin (15) dhe Nderimin (10), si dhe kunata, Shukrija. Të nesërmen, në një shtëpi afër, vritet edhe nëna e Ymer Elshanit…”
Kështu u ndërpre pa precedent jeta e një krijuesi të talentuar për fëmijë.
Ymeri qe një pendë e ëmbël dhe e fuqishme e letërsisë shqipe për fëmijë. Deri ditën e fundit të jetës pati botuar një mori librash artistikë: Anija e miqësisë (vjersha, 1967), Ç’ka ëndërrojnë lulet (vjersha, 1971), Ndodhitë e Hundëkarrotës (roman, 1971, 1979), Loti udhëtar (tregime, 1972), Ishulli i lumturisë (tregime, 1973), Aventurat mbi trotinetin e vjetër (roman, 1975), Guri i çmueshëm (tregime, 1977, 1999), Unaza magjike (vjersha, 1980), Plaku me violinë (tregime, 1984), Kalorësi i bardhë (poemë, 1987), Përjetimet e Bardhoshit (tregime, 1989).
Qe njohur edhe në “dheun amë”, me romanin Ndodhitë e Hundëkarrotës të ribotuar në Tiranë më 1987.
Pas vdekjes, nën përkujdesjen shembullore të të vëllait, Zymber Elshani, dhe të bijës së Ymerit, Teutës, në Prishtinë iu botuan edhe librat e tjerë që krijuesi pati lënë në dorëshkrim: Ylli ëndërrimtar (vjersha, 2000), Vajza e diellit (tregime, 2000), Njohja e trimave [tregime e përralla, 2000], Përralla për ylberin (poemë, 2000), Gjeli i kuq (tregime të zgjedhura, Shkup 2000), Zogu i lirisë (vjersha, 2001), Le të vijë në Sharr pranvera (poema, 2002), Gjelastreni mendjelehtë (vjersha, 2003), Flokargjendta (tregime të zgjedhura, 2004), Udhëtimet e Xhuxhimaxhuxhit (roman, 2008).
Botimi më i ri, “Aspekte të poezisë sonë për fëmijë (1945-1976)”, është një dëshmi tjetër e fuqisë intelektuale të këtij martiri të lirisë së popullit shqiptar kosovar. Ai e paraqet në një prerje tjetërYmer Elshanin, si studiues i zot i artit letrar për fëmijë. Dhe ne çuditemi sesi deri më sot ky studim nuk qe botuar në libër më vete, ndonëse pjesë të tij qenë publikuar edhe më parë në shtypin e Prishtinës e të Shkupit.
2.
Rëndësia e këtij studimi qëndron në faktin e pozitës së tij nismëtare. Ai është hartuar në një kohë kur mungonin studimet monografike për letërsinë shqipe për fëmijë, kur përmbledhjet e tilla me poezi e me prozë përcillëshin vetëm nëpërmjet recensioneve të botuara në shtypin periodik. Padyshim, studiuesi Ymer Elshani i vlerëson të gjitha këto shkrime të bëra nga krijues e studiues të tillë, si: Anton Pashku, Mark Krasniqi, Hasan Mekuli, Ali Aliu, Mahmut Hysa, Jusuf Buxhovi, Agim Deva, Vehbi Kikaj, Qamil Batalli etj. Ato i kanë shërbyer shumë si “analiza paraprake”, siç i quan ai.
Studimi është një analizë e shkëlqyer e arritjeve dhe e mangësive të letërsisë të poezisë shqiptare për fëmijë në Kosovë përgjatë tri dekadave të para, pas Luftës së Dytë Botërore. Analizohet rruga e zhvillimit të këtij zhanri të letërsisë, tradicionalizmi dhe moderniteti, dobësi të tilla si: didaktizmi, moralizimet që transmetonte; tematikat e ndryshme që lëvronte, ndikimin e letërsisë gojore (folklorit), veçoritë stilistike, strukturën e vargut dhe të strofës; pasurimin e saj me humorin e lojën, me personifikimin e gjësendeve, të florës e të faunës. Në kapituj të veçantë merren në analizë edhe gjëegjëzat, krijimet fabuleske, si dhe poemat për fëmijë.
Studiuesi vlerëson e vendos një heriarki vlerash midis autorëve. Madje, dallon dy gjenerata krijuesish të poezisë për fëmijë në territorin e Kosovës, por duke përfshirë edhe më gjerë, të gjithë krijuesit shqiptarë në Jugosllavi.
Ymer Elshani qe vetë një poet i talentuar për fëmijë. Ndaj edhe studimi i tij është i përimtësuar. Studiuesi e pati njohur me rrënjë traditën dhe i pati lexuar e analizuar një për një të 105 librat poetikë për fëmijë që qenë botuar deri në atë vit në Kosovë, vepra këto që bëhen objekt e kësaj analize shkencore.
Punimi i Elshanit sjell informacion për zhvillimin historiko-letrar të letërsisë për fëmijë në Kosovë, por nga ana tjetër, siç është i vetëdijshëm autori, ai është një kontribut “drejt konstituimit të bazës teoriko-letrare të letërsisë për fëmijë, e cila mungon e plotë jo vetëm te ne, por edhe gjetkë” (f.11).
“Aspekte…” qe një bazë e shëndoshë për studime të tjera edhe më të gjera për këtë lloj letrar. Ai patjetër që qe njohur nga studiuesi Agim Deva dhe qe bërë nxitës e trampolinë për veprën e tij fundamentale prej më tepër se gjashtëqind e ca faqe “Poezia shqipe për fëmijë, 1872-1980” (Prishtinë, 1982).
3.
Elshani dallon që poezia shqipe për fëmijë e Pasluftës së Dytë Botërore kalon nëpër tri faza, që kanë secila karakteristikat e veçanta ideostilistike dhe tematike të veçanta:
Faza e parë, nga vitet 1945-46 deri në 1960, fillon me vjershat që u botuan te ”Gazeta e pionierëve”, ato të botuara në dy vëllimet “Vjersha për shkolla fillore e paragjimnaze” (Prishtinë, 1947) dhe “Vjersha të zgjedhura për pionierë” (1951); me tri vëllimet e veçanta të botuara më 1953: “Gjethet e reja” të Rexhep Hoxhës, “Përrallat e gjyshit” të Mark Krasniqit dhe “Vjersha” të Mehmedali Hoxhës. Tematika është ajo e luftës, e ndryshimeve të mëdha shoqërore, e rindërtimit të vendit. Kemi një art tradicional, folklorik. Letërsia gojore ushtron ndikim të madh, si në aspektin tematik e motivor, ashtu edhe në atë strukturor e stilistik-gjuhësor.
Faza e dytë (1960-70) sipas Elshanit lidhet me vëllimin e Maksut Shehut “Kunora e kuqe” (1960), e më tej, me botimet e poetëve Vehbi Kikaj, Rifat Kukaj, Ali Huruglica, Fejzi Bojku, Agim Deva, Adem Gajtani. Frymëzimi këtu kap jetën e fëmijëve, ëndrrat e dëshirat e tyre, të kundruara nga këndi i shikimit të vetë fëmijës. Ndikimi i letërsisë gojore nuk është aq i drejtpërdrejtë.
Faza e tretë përfshin vitet ’70. Tematika e njohur e fazës së dytë këtu realizohet me një art më të ngritur stilistik, kemi një transformim kualitativ. Ndikimi i letërsisë gojore është i modifikuar, larg imitimit.
Është interesant krahasimi i këtij periodizimi me atë të studiuesit Agim Deva. Duhet thënë se Deva, së pari, ka ingranuar në studimin e vet edhe poezinë për fëmijë të prodhuar jashtë kufirit jugosllav; së dyti: ai përfshin në të edhe krijimet poetike të një pesëvjeçari të mëvonshëm. Kësisoj ai bën këtë periodizim:
1. Poezia didaktike-moralizuese (deri më 1925)
2. Romantizmi, realizmi (1925-1939)
3. Poezia ekzoterike e Luftës NCL (1939-1945)
4. Poezia sociale e pasluftës (1945-1950)
5. Poezia realiste folklorike (1950-1960)
6. Poezia e imagjinatës së lirë (1960-1980)
Siç shihet, të dy studiuesit ngulin një piketë të përbashkët në vitin 1945. Deva e ka përimtësuar fazën e parë të Elshanit në dy të tjera: a) Poezia sociale e pasluftës (1945-1950); b) Poezia realiste folklorike (1950-1960). Të dy studiuesit, gjithashtu, në fillim të viteve ’60 ngulin piketën e dytë të përbashkët dhe konsiderojnë se në këtë vit fillon një fazë e re, më e ngritur, më me vlera ideotematike e stilistike, ajo e poezisë së imagjinatës së lirë, siç e quan Deva. Ndërsa Elshani e përimtëson këtë fazë në dy ndarje.
Ndoshta mendime që nuk përputhen krejtësisht, midis Elshanit dhe Devës, do të konstatonim te përdorimi i figurës stilistike të metaforës. Në f. 176 të punimit të vet Elshani shprehet: “Numri i metaforave në poezinë tonë është i madh dhe ato janë të llojllojshme. Poetët tanë nganjëherë edhe tërë strofën e shtjellojnë përmes metaforës”. Ndërsa Deva te “Poezia…”, kur analizon metaforën, ka mendimin: “Kjo figurë shfaqet rrallë në poezinë tonë për fëmijë, ngaqë: 1) Misioni konkretizues i metaforës është më i dobët sesa te krahasimi…”
4.
Në studimin “Aspekte…” Elshani u vë rëndësi sidomos veçantive të poezisë për fëmijë në dallim nga ajo për të rritur. Për shembull:
- Ai kritikon artikulimin poetik në të cilin “Fëmija dhe bota e tij shpirtërore projektohet kryesisht ashtu si e sheh i rrituri” (f. 23);
- Dënon “të ndejturit në distancë nga të vegjlit, dhënia e këshillave nga ‘lart’, mbizotërimi i narracionit shpjegues etj.” (f.31)
- Për nuancimin psikologjik në poezinë për fëmijë ndihmë jep “narracioni metaforik, gjuha figurative, të dhënit ‘shpirt’ e të vënit në lëvizje edhe të gjërave që për të rriturit janë statike, të palëvizshme” (f. 51)
- Në poezinë tonë për fëmijë shpesh përshkrimet janë dhënë ashtu “si i sheh i rrituri. Peisazhet janë statike dhe të veçuara ose mbarojnë me poenta didaktike, duke u shndërruar kështu në peizazhe utilitariste” (f.55).
- “…poezia patriotike ashtu si e kuptojnë të rriturit nuk mund t’i servohet dhe ofrohet fëmijës, por në një formë më të lehtë, më të kuptueshme për të, për aftësitë e tij psikike” (f.101)
- Një gabim tjetër është fakti se në krijimet për Luftën Antifashiste e pjesëmarrjen e fëmijëve në të, ata “jo rrallë rezonojnë me logjikën e të rriturve. Veprojnë me fuqinë e të rriturve, duke tejkaluar edhe mundësitë e tyre maksimale” (f. 148).
- Kur bën fjalë për leksikun, studiuesi vlerëson nuancat e neologjizmave (vendi Bënçtëduash, dimnakeqi etj.), sinonimet (curril-rrëke), diminuitivet (nënëz, meci), sufikset ( plakaruqe, kequqe) etj. “Inkuadrimi i tyre në strukturën e vargjeve përveç rëndësisë gjuhësore ka rëndësi stilistike që e dallon atë nga stilistika e poezisë për të rritur dhe e bën të afërt me botën e fëmijërisë.”(167)
- “…përdorimi i shpeshtë i personifikimit në letërsinë për fëmijë bëhet si karakteristikë e saj qendrore, çka e dallon dukshëm nga letërsia për të rritur, megjithëse nuk mungon edhe në të” (170).
- Të vegjlit më lehtë “përvetësojnë vargjet e rimuara, me një ritëm të shpejtë, që i përgjigjet edhe vetë natyrës së tyre dinamike, sesa ato me sistem të ngadalshëm e efekt të vogël muzikor.” (179)
Etj. etj.
Këto parime teorike apo dobësi të poezisë sonë për fëmijë, studiuesi i ilustron edhe me shembuj:
- “Edhe kur shkruhet për ato gjëra që janë të lidhura me jetën e fëmijës, ato konceptohen ashtu si i sheh dhe ndjen i rrituri: Pra ta doni dhe t’mësoni/ përse dija n’rrugë ju qet…/ Pionierë, mos pritoni/ Këtë populli prej jush pret” (Sad Nokshiqi, f.117)
- Studiuesi konstaton psh se Adem Gajtani kultivon “një varg të lirë, por ritmik, të dendur me personifikime, apostrofa, simbole e metafora, por jo edhe gjithmonë të zbritur në rrafshin e fuqisë absorbuese të të vegjëlve” (f.32)
- “Kukaj e përdor metaforën ngjajshëm me atë se si ajo paraqitet në poezinë për të rritur: “Sot me shpatën e buzëqeshjes sate/ Do ta pushtoj, nanë, një kështjellë drite” (f. 176)
- Edhe kur sjell një shembull nga Ymer Shkreli: “… e merr fëmija një lule/ dhe e ndërton pranverën/ e merr pranvera një buzëqeshje/ dhe e vesh fëmijën” studiuesi shton: “figuracion ky që e fshin kufirin në mes poezisë për fëmijë dhe anon më shumë nga ajo për të rritur”.
Por nga ana tjetër studiuesi edhe ngre lart, vlerëson pozitiven:
- “Era në poezinë e Devës ‘luan me letra’, ‘kërkon punë’, ‘reja shet akullore’, rruga bëhet një ditë gati/ t’i shkojë bjeshkës për vizitë’. Ky poetizim i realitetit koincidon, përputhet me vetë realitetin e të voglit, që është i prirur ta shembë kufirin në mes të reales dhe ireales, të rëndomtës dhe fantastikes dhe ashtu të përjetojë e kuptojë botën” (f. 171)
- Te Posta e porositur e Mark Krasniqit, shtazët “nuk janë të përshkruara sipas shablloneve të vjetra, arkaike, por ato dalin të personifikuara, flasin, veprojnë dhe, njëkohësisht, shkruajnë edhe telegrame dhe ultimatume…” (f. 72). Dhe më tej: Krasniqi “fut elemente të ambientit urban: ujku shkon në qytet “te dhëmbëtari” t’i heqë dhëmbët që “kurrë më qengji as delja nga unë s’do të ketë tutë”, iriqi zbret në qytet për të rruar therrat…” (f. 78);
- Rexhep Hoxha në vjershën “Lepuroshi”, për një temë të vjetër “shkruan në një formë e brendi të re, për lepuroshin që deshi ‘të vishet me tesha sikur njeri’, me pantallona, këpucë e jelekë, e që në Zvicër porositi një orë me qystek. Mirëpo, të ngratit/ i shkoi puna huq/ sepse veshët e gjatë/ s’ndenjën n’kapuç. Përfundimi sjell diçka të këndshme për fëmijë, diçka të papandehur. Buron një humor i freskët…” (f. 73-74);
- Te Picimuli i Rexhep Hoxhës “melodiociteti dhe leksiku i pasur do të jenë tiparet e saj dalluese.” (f. 118);
- Vehbi Kikaj te vjersha Mollëkuqe “ka asimiluar mu atë butësinë, emocionalitetin e krijimeve të ngjashme gojore.” (f. 162)
5.
Elshani vendos hierarki vlerash për dukuri të ndryshme të poezisë shqipe për fëmijë, si në kërkimet tematike, në përdorimin e figurave stilistike etj. Nuk mungon të kritikojë edhe krijuesit e shquar për çështje të caktuara:
“…në poezinë e Kikajt mungon pjesërisht personifikimi naiv, fantastik, jo i rëndomtë, çka është karakteristik për vetë të vegjlit” (f. 172);
“Huruglica e tepron me përshkrimin e tyre të shpeshtë (është fjala për epitetet – A.B.) e të njëtrajtshëm saqë herë-herë edhe i banalizon” (f. 174); Huruglica “përsërit në masë të madhe epitete të njëjta, që, si të këtilla, bëhen të mërzitshme, ashtu sikurse edhe vetë peizazhet kurdoherë idilike e të ngarkuara me përshkrime romantike…” (f.65); “nga poetët që nuk mund t’i ikin idealizimit të fëmijës janë Ali Huruglica dhe Zejnulla Halili. Për Huruglicën nuk ka fëmijë të këqinj.” (f. 125);
Abdylazis Islami kur përshkruan trimëritë e kryepersonazhit, “nuk i shpëton idealizmit romantik: Artan Arta trim me fletë/ Që jep e merr/ Me fashistët q’i kish vrarë/ Gati një turmë” (f. 175);
Mark Krasnqi bie shpesh në didaktizëm: “Mbaje mend pra/ gjithë, o f’mij/ gishtin n’gojë kurr/ mos e shti” (f.41). Ose: Rexhep Hoxha ka shpesh dialog moralizues: “Ç’mendoni ju, o shokët e mij?/ O ju fëmijë!/ Mue m’duket tepër/ Tepër turpni/ Me fitu’ bukën ashtu n’hajni” (f.41);
Te poema e Muhamed Kërveshit Telegramet e dallëndysheve “veprimi përsëritet prej faqes në faqe dhe ajo bëhet e mërzitshme” (f. 149); “më se 136 vargje dalin të rimuara në fund me folje me forma të aoristit dhe imperfektit…” (f.150);
Poema e Maksut Shehut Papagalli “është fragmentare, pa mendim koheziv…” (f. 149);
“Fejzi Bojku me vjershërimin e kallëzimit popullor Një fshatar dhe qerrja me bar i shtohet vargut të poetëve tanë, që nuk shkojnë më larg se në shndërrimin e kallëzimeve gojore në vjersha” (f. 157);
Poezia e Devës “është e ngarkuar dhe vuan nga narracioni,…” (f. 171) etj.
Në frymëzimin e Kukajt derdhen frymëzime impozante apo “idealizimi i jetës baritore, i gërshetuar me nostalgjinë e poetit për këtë ambient në të cilin e kishte kaluar fëmijërinë” (f. 65);
Por shpesh studiuesi, krahas negatives, vendos edhe pozitiven tek i njejti person. Psh.:
“Ndër poetët që e përdorin me sukses hiperbolën është Rifat Kukaj, të cilit ajo i ndihmon të krijojë atmosferë argëtuese e humoristike…” (f. 175).
Ose:
Në vjershat e Zymber Elshanit heton që fabulizimi i botës shtazore karakterizohet nga gërshetimi i elementeve klasike me ato bashkëkohore. Dhe studiuesi merr si shembull krijimin Televizori i miut të këtij autori,”ku nëpërmes humorit, shpotisë me nuanca alegorike, autori arrin në përfundimin e dëshiruar që miu ta shesë televizorin, shi për arsye se në të del maçorri” (f.77).
6.
Në ndonjë rast Elshani u kundërvihet edhe studiuesve të huaj. Kështu, ai përmend parashikimin e studiuesit nga Zagrebi Milan Crnkoviq për fabulën: “… duket se ky lloj letrar ka mbaruar” (f.133). Ndërsa Elshani me arsyetim arrin në përfundim të kundërt: Fabula “jo vetëm që nuk ka mbaruar, por ajo ka vazhduar të jetë e pranishme edhe sot në letërsi, sidomos në letërsinë për fëmijë, ku ka gjetur mediumin e saj të përshtatshëm shi për arsye se në të elementi personifikues vjen në shprehje të plotë. Përmbajtja e saj klasike gradualisht ka ardhur duke u zëvendësuar me përmbajtjen e jetës së sotme”.
Në përgjithësi studiuesve të huaj autori u drejtohet me konsideratë. Madje, gjuan ndikimet e autorëve jugosllavë te ata shqiptarë të Kosovës, duke i përmendur me tituj veprat që ndikojnë te njëra-tjetra.
Duhet thënë se studiuesi e ka urryer sundimin shovinist serb, por ka qenë internacional, përparimtar në mendime, dashamirës me popullin e thjeshtë fqinj. “Nuk është e rastit që qysh në librin e parë, madje që në titull, Ymer Elshani e ka fjalën miqësi”(1). Ai e ka njohur mirë gjuhën serbe, shkencën dhe letërsinë, kulturën e atij populli. Këtë e dëshmon edhe fakti se ka përkthyer e shqipëruar nga letërsia e tij për fëmijë libra të tillë si: Një mijë e një net (zgjedhje, nga serbokroatishtja,1983); dhe nga shkrimtari serb Aca Rakoçeviq: Fëmijët e shtetit (tregime,1985) e ndonjë tjetër.
Edhe në studimin që shqyrtojmë ai i është drejtuar shpesh me referenca studiuesve serbë, kroatë, sllovenë, maqedonas, si: M. Zhitkoviqi, H. Tahmishiqi, Zh. Markoviqi, V. Karjanoviqi, V. Millariqi, D. Cvitani etj., veç autorëve të tjerë botërorë, si: Gorki, Bjelinski, K. Avelini, Pol Azari, V. Shkllovski etj. Kapitulli mbi burimet dhe literaturën kryesore të shfrytëzuar, f. 209-216, me 156 zëra, e dëshmon më nirë këtë fakt.
7.
Kemi mendimin se studimi “Aspekte…” ka edhe vlerë të veçantë teorike e praktike për krijuesit e rinj, të cilët i hyjnë udhës së poezisë për fëmijë. Në f. 46-48 Ymer Elshani merr si shembull një stinë, pranverën, dhe krahason sesi i këndonin asaj në dy kohë: poetët e gjeneratës së vjetër ose edhe ata fillestarë, si dhe në një kohë të mëvonshme poetët e brezit të ri.
Ai konstaton se vargjet e krijuesve të bashkësisëë së parë janë të zhveshura nga figuracioni poetik. Ja, Mehmetali Hoxha: Gjelbëroi vidhi/ çeli thana,/ krojet gurgullojnë; Rexhep Hoxha: “N’valle, o shokë, me plot gzim/ Pranverae bukur erdhi prap”; Vehbi Kikaj në vëllimin e tij të parë: “Stolis me lule/ fusha bleron,/ n’pyje gjelbroshe/ bylbyli këndon”. Mark Krasniqi: “Bari i gjelbër/ Fushën ka mb’luar/ Lulet e para/ N’mal kanë lul’zuar”.
Ndërsa poetët e mëvonshëm apo edhe ndonjëri prej këtyre që cituam, por në një kohë të mëvonshme, motivit të shfrytëzuar të pranverës i qasen me kënde të reja shikimi, duke e personifikuar këtë stinë, në mënyrë që lexuesi fëmijë ta përjetojë emocionalisht krijimin poetik: Agim Deva do ta personifikojë si një “voglushe ne dimi të blerta” që i “ngjyrosi vjollcat, njimijë lulebore/ n’kopsht posa lulja çeli burbuqe,/ çupëza me brushë i dha ngjyrë t’kuqe”, pasi “kjo voglushe qenka piktore?!…”; Huruglica për pranverën shkruan se “Zilet e pranverës/ Ëmbël kur xingërojnë/ Ariun, edhe barin… edhe fëmijët/ Prej gjumit i zgjojnë”; Rifat Kukaj: “Cilën dritare të qiellit/ E hapi pranvera/ E i derdhi bilbilar n’ograjë”. Vehbi Kikaj përdor një lojë figurative: “Sa të dua, pranverë,/ sa të dua!/ Lidhe një ylber të bukur/ Prej krojit në krua!// Lidhe një ylber-buzëqeshje/ Me blerime,/…”. Mark Krasniqi në vëllimin “Dy letra të porositura” pranverën e personifikon si një vashëz që fëmijëve u kthen përgjigje dhe u tregon përse ishte vonuar: “Unë jam vonuar/ për njiket shkak/ këpuc’t e reja / Ky marsi plak/ tepër të ngushta m’i pat mbarue…” (f. 48) etj.
Siç shikohet edhe nga këta shembuj, studiuesi edhe kur do të kritikojë, e bën këtë gjë shumë me tak, për të mos e lënduar krijuesin. Dhe krahas negatives, tek i njejti person mundohet të gjejë pozitiven.
8.
Redaktori i veprës, Shefqet Rexhepi, ka bërë një punë të lavdërueshme, si me redaktimin e materialit, ashtu edhe me pasthënien që e shoqëron botimin. Redaktimi i tij, studimin e bërë tri dekada e ca më parë, e afron shumë me lexuesin e kohës sonë.
Megjthatë, mendojmë se ai, pas një jave pune të lodhshme, nuk duhej të pushonte ditën e tetë. Shprehemi kështu, sipas një aforizme të njohur, sepse atij i ka shpëtuar ndonjë përkujdesje tjetër.
Kështu, psh, në f. 196 thuhet: “Vargjet më të shpeshta në poezinë tonë janë: tetëvargëshi, gjashtëvargëshi dhe pesëvargëshi. Vargjet me më pak e me më shumë silaba poashtu janë të pranishme”. Mendojmë se fjala këtu është jo për strofat, por për masën në rrokje (silaba) të vargjeve. Dhe atëherë duhej redaktuar: “Vargjet më të shpeshta në poezinë tonë janë: tetërrokëshi, gjashtërrokëshi dhe pesërrokëshi…”.
Dorë duhej të ishte vënë qysh në citatin e Pol Azarit që hap librin, në mënyrë që të tingëllonte më shqip.
Po kështu, teksti mund të tëharrej edhe më tej nga disa fjalë të leksikut të huaj. P.sh. te titulli i kreut 4, Metamorfozat dhe inovimet motivore, së paku mund të evitohej fjala inovimet (= risitë, përtëritjet). Apo mund të shqipërohej edhe ndonjë fjalë tjetër, si: stil emfatik (= i fryrë); inspirim (= frymëzim), subtil (= i hollë, elegant), konstituiv (= ndërtues, rregullues); imanencë (= qenësor, thelbësor); f.191: fjali pyetëse, temporale (= kohore), kondicionale(= kushtore); f. 150: folje me forma të aoristit (= e kryer e thjeshtë) e të imperfektit (= e pakryer) etj.
Nga shembujt e cituar mund të ishte evituar ndonjë poezi për fëmijë që tani, pas gati katër dekadash, mesazhi i saj është i tejkaluar, si psh ajo e f. 43, që na qenka krijuar “për të treguar bukurinë e Leninit, madhështinë e tij, dhe për të ngjallë dashurinë e fëmijëve” ndaj asaj figure (!). Mund të ishin evituar edhe fraza të tilla si ato të f. 144, ku dënohet ideologjia borgjeze që u mundokërka “për ta tërhequr vëmendjen e njerëzimit nga lufta klasore në paanësinë e kozmosit, artin hermetik që krijojnë pinjuejtë e saj, por që është shtuar rreziku dhe vërehet depërtimi në poezinë tonë, në muzikë, në veshje, sjellje dhe në art në përgjithësi”.
Tema është pajisur me një aparat pedagogjik siç e kërkon puna shkencore: me Bibliografinë e 105 titujve të veprave artistike të cilat merren në analizë, me Burimet dhe literaturën kryesore të shfrytëzuar, si dhe me Treguesin e emrave të përdorur. Vërejtja jonë ka të bëjë që ky tregues emrash të plotësohej me faqet ku ndodhen secili prej tyre, gjë për të cilën nuk i vihet faji Ymer Elshanit, sepse numri i faqeve të daktilografuara nga ai ndryshon nga ai i faqosjes së librit në kompjuter.
Nuk do të ishte i tepërt edhe një përkujdesje më e madhe ndaj referencave që jepen në fund të faqeve të librit, se ngatërrimi i tyre (si në f. 93, 94, 95; 169, 170) bën që vargjet e cituara nga krijime të poetëve shqiptarë të na dalin të autorëve të huaj.
9.
Punimi që u munduam të shqyrtojmë, siç vlerëson edhe Dr. Xhevat Syla, “është një nga qasjet më serioze që deri atëherë i ishin bërë studimit të poezisë sonë për fëmijë”(2). Ai ka rëndësi të veçantë edhe për teorinë e për historinë e letërsisë shqiptare për fëmijë.
Merita për këtë vepër studimore i takojnë edhe udhëheqësit shkencor të këtij punimi, Prof. Dr. Rexhep Qosja, ndaj e quajmë mungesë që emri i tij nuk është pasqyruar në këtë botim. Përgëzime i shkojnë gjithashtu vëllait të të ndjerit, krijuesit e përkthyesit Zymber Elshani, që e përgatiti për botim.
Përfundojmë duke vlerësuar se Ymer Elshani është me të vërtetë jo vetëm një krijues i shquar për fëmijë, por ky botim e përshfaq atë edhe “si një bletë e pashoqe studiuese” (siç e krahason bukur redaktori Shefqet Rexhepi) në këtë fushë. Vepra e tij “Aspekte të poezisë sonë për fëmijë (1945-1976)” denjësisht zë vend të merituar midis librave të tjerë studimorë që pasurojnë studimet e kritikën e letërsisë shqiptare për fëmijë me autorë, të tillë si: Bedri Dedja, Agim Deva, Rexhep Qosja (me studimin e krijimtarisë për fëmijë të N. Frashërit), Odhise Grillo, Nehas Sopaj, Fejzi Bojku, Faik Shkodra, Tasim Gjokutaj, Ramazan Çadri, Klara Kodra, Viktor Canosinaj, Anton N. Berisha, Prend Buzhala, Bardhosh Gaçe, Xhevat Syla, Ramadan Musliu, Dije (Qibrije) Demiri- Frangu, Hysen Këqiku, Hasan Hasani, Fatmir Terziu, Hajro Ulqinaku, Milaim Nelaj, Skënder Hoxha, Mahmud Hysa, Shyqri Galica, Veli Veliu, Neshyt Sadiku, Arif Selmani, Shefqet Zekolli, Merita Shehu-Gjokutaj, Shukrije Rama, etj.
————————-
1) Dr. Xhevat Syla “Universi i mirësisë – jeta dhe vepra letrare e Ymer Elshanit”, Prishtinë 2008, f. 360
2) Po aty, f. 319

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…