Skip to main content

Tetova News

Një rast unikal në letrat shqipe: Sa u botua prej Blloshmit doli nga arkivat e policisë


Përvjetori/ Homazh poetit të pushkatuar në ‘77-ën, Vilson Blloshmi, shenjë e një disidenti

Sadik Bejko
Sot, më18 mars 2014, poeti Vilson Blloshmi do të ishte 66 vjeç. Më 17 korrik 1977, u pushkatua nga shteti diktatorial me një akuzë politike: si kreu i një grupi sabotatorësh në ekonomi. Prej tij kanë ardhur poezi, përkthime dhe letra në një botim me rreth 400 faqe. Përkushtimi i vëllait të poetit, i Bedri Blloshmit, është në themel të gjithë punës kërkimore për gjetjen e botimin e krijimtarisë së Vilson Blloshmit.
Botimi i kësaj vepre krejtësisht postume ishte ngjarje për kulturën dhe letërsinë shqiptare. Edhe Serembja, edhe Migjeni, dy poetë që u bënë të famshëm pas vdekjes, në gjallje të tyre kishin arritur të botonin diçka, kishin marrë dhe vlerësime të bashkëkohësve. Vilson Blloshmi në gjallje të tij nuk pa asnjë rresht të botuar nga vepra e vet. Ai krijoi i izoluar dhe larg rretheve letrare. Punoi si kafshar në fshat, si druvar në sharra, si minator në Përrenjas dhe gjithësa shkroi e përktheu i ruante në fshehtësi të plotë. Regjimi atë e kishte përjashtuar nga e drejta për t’u marrë me punë mendore, për të punuar si mësues, për t’u marrë me letërsi për shkaqe politike: familja e tij që më 1945 ishte shpallur zyrtarisht armike e shtetit shqiptar.
Edhe për diçka tjetër në historinë e letërsisë shqipe Vilson Blloshmi është një rast unikal: gjithë sa u botua prej tij, u nxor nga arkivat e policisë dhe të Sigurimit të Shtetit diktatorial. Kjo mund të jetë e pashoqe edhe në historinë e gjithë Lindjes komuniste. Katër muaj para se poeti të arrestohej, poezia dhe përkthimet u sekuestruan nga sëndukët e shtëpisë së tij në fshatin Bërzeshtë, u përpunuan në zyrat e Sigurimit, u përdorën si akuzë në gjyqin kundra tij dhe, pas pushkatimit të autorit e deri më 2000, u kyçën të varrosura në arkiva.
Botimi i veprës na dha një autor të talentuar. Kështu letërsia ia ktheu, ia vuri në vend, nderin një autori të nëpërkëmbur nga politika. Dhe jo vetëm atij. Blloshmi na dha e vazhdon të na japë nder edhe ne të tjerëve. Duke qenë një i përjashtuar nga jeta shoqërore e kohës deri dhe i martirizuar prej saj, ai ka pasur përkushtimin, pasionin e lindur dhe elegancën e një talenti origjinal për të shkruar poezi, për të përkthyer disa nga poetët e mëdhenj të letërsisë botërore. Duke u vetëshprehur në heshtjen e eremitit të shpellave, ai i është kundërvënë ndalimit, përjashtimit. Poezia e tij estetikisht është katërçipërisht e kundërt me parimet estetike të kohës. Është një poezi meditative, që jep kënaqësi estetike për vërtetësinë dhe thellësinë imagjinatave të saj, një dëshmi letrare e një njeriu të nëpërkëmbur padrejtësisht nga një e keqe që nuk ishte vetëm e tij.
Me zbulimet e poezive të përkthyera nga Bodleri, Verleni, Malarmeja, nga poemat e Viktor Hygoit, e një novele të Volterit, me fragmentet nga esetë e E. A. Poe, ese nga Viktor Hygo, nga Pol Klodel etj. ai ridimensionohet në regjistra të tjerë. Veç që ka qenë i mahnitur nga kultura frënge, me leximet e shumë filozofëve e të poetëve botërorë, me shënimet prej krijimtarisë së këtyre mendimtarëve dhe poetëve në ditarët e tij na dëshmon se pa lexim dhe pa meditim, nuk do të kishte formuar atë karakter aq të pashoq. Ai diti ta sfidojë dhe estetikisht, dhe me ide kohën e tij, nuk e shiti artin, as veten, edhe kur u ndodh nën torturat e policisë së kohës. Ai na dëshmon se ka diçka që është e shtrenjtë dhe që duhet mbrojtur e pohuar dhe përtej jetës dhe përtej vdekjes sonë. Ai është unik në këtë shkrirje të jetës dhe të artit: nuk dihet ku fillon dhe mbaron therorizimi i tij si artist dhe ai i njeriut që nuk u dorëzua përballë së keqes, përballë torturave në qelitë e burgjeve komuniste.

Popular posts from this blog

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…