Skip to main content

Tetova News

Nobelisti italian, Salvatore Quasimodo, një foto me poetin shqiptar, Dino Kalenja

MOIKOM ZEQO

Në vitet ‘80 të shekullit të kaluar përktheva dhe botova në revistën letrare “Nëntori” një cikël kryesor nga krijimtaria poetike e Salvatore Quasimodo-s. Prej vitesh, imagjinata ime ishte e magnetizuar nga mjeshtëria e pazakontë dhe e kërthnesët e Quasimodo-s. Ai ka shkruar me një delikatesë meditative dhe përsiatje të holla si askush në poezinë moderne italiane. Salvatore Quasimodo ka lindur në  20 gusht 1901 në Modica në Sicili. Mësimet fillestare i bëri në Gela- e famshme dhe tronditëse është poezia e tij për Gelan ku thuhet se ka vdekur vetë Eskili- ky imazh e ka ndjekur Quasimodo-n tërë jetën si ato Erenitë e mitologjisë antike. Në 1916 nis studimet në Institutin e Teknikës, Matematikës dhe Fizikës në Palermo, pastaj vazhdon në institutin “A.M.Jaci” ku diplomohet si gjeometër, punë që e bëri për ca kohë. Më pas, me ftesë të Elio Vittorinit shkon në Romë ku njihet edhe me Eugenio Montale-n. Njihet me monsinjor Mariano Rampolla del Tindario prej të cilit mëson greqishten e vjetër dhe latinishten. Vitet 1930-1940 konsiderohen si etapa hermetike e poezisë së tij. Mbas 1940-s etapa e poezisë së angazhuar- cilësim ky – për mendimin tim – tejet konvencional. U quajt kështu për shkak  të antifashizmit të tij të spikatur dhe të paepur. Në 1941 nominohet si profesor i letërsisë pranë Konservatorit muzikor “Giuseppe Verdi” deri në 1968 kur vdiq. Është varrosur në Cimiterio Monumentale në Milano. Në 1959 ju dha çmimi Nobel për letërsi. Fama e tij u bë ndërkaq e përbotshme. Të papërsëritshme janë përkthimet e tij nga poetët antikë greke, por edhe romakë- këto përkthime mua më pëlqejnë edhe më skajshëm dhe më intimisht. Quasimodo institucionalizoi një shkollë të tërë poetike me rrezatim në Itali dhe në Europë. Mund të them se njohja e poezisë së Quasimodo-s në rininë time ka ndikuar – kur u kritikova për hermetizëm  në poezinë time në 1974 e kam menduar më me vetëdije të thukët pse më ka pëlqyer – dhe më pëlqen akoma dhe tani –ky poet i çuditshëm. Çfarë lidhje të padukshme janë ende të pashkëputura? Kur miku im nga Fieri, Zenel Duraj, gjatë një bisede të rastësishme më tha se kishte disa dokumente që lidheshin më Dino Kalenjën, Hero i Popullit, vrarë në mars 1944 në përpjekje më nazistët, mes të cilave ishte dhe një kartolinë që vetë Salvatore Quasimodo ja kish dërguar Dinos u shtanga dhe u dlirësova si nga një  vizion i papritur, por gjithsesi i pabesueshëm. Një lloj kumti si nga Mbretëria e së Panjohurës! I pashë dokumentet. Dhe po i bëj publike për të gjithë për herë të parë.  Kartolina me foton e Salvatore Quasimodo-s ne Dino Kalenjën i paraqet ata si dy miq shumë të afërt, të ngushtë, të njohur prej kohësh, me respekt ndaj njëri-tjetrit në një park, pranë një skulpture. Nga pas kartolina ka të stampuar adresën e studios, firmës fotografike “DE ZARDO-BUÇ.FRESCURA-OTTIKA-FOTO- TREVISO”. Ajo më e rëndësishmja është autografi me shkrim dore i vetë poetit të madh italian  “Salvatore Quasimodo- Dino Bektashit, 29-9-1940-XIX “Është Quasimodo që ia ka dërguar Dinos i cili mbante si mbiemër edhe Bektashi, (atë  të babait.) Kjo do të thotë se midis Quasimodo-s dhe Dinos ka pasur  komunikim dhe letërkëmbim postar edhe më parë- nuk ka sesi të jetë ndryshe dhe e rastësishme. Ata janë njohur bashkë në Itali, ku Dino ka studiuar në akademi ushtarake- janë takuar në qytetin Treviso pranë  Venedikut- ku është realizuar mrekullia e fiksimit të çastit në fotografinë e paharrueshme, gati si një farë monumenti memorial për të dy, por sidomos për Dinon, shqiptarin. Dino është shqiptari i vetëm në botë që ka fotografi me nobelistin Quasimodo- kjo tingëllon si “Radecky marsh” i Shtrausit në finale. Po çfarë e ka lidhur Dinon me Quasimodon? Ka vetëm një përgjigje mbushamëndase: Poezia. Dino ishte një poet shumë i talentuar, kjo duket qartë kur lexon një përmbledhje të tij – shumë të mangët- por gjithsesi përndritëse të poezive të pabotuara. Dino ka një stil të kultivuar, një estetikë figurative të veçantë. Ka mjeshtëri të hollë. Poezitë e tij janë lirike, afrohen me ato të Lasgushit, ja disa vargje “vyshken zemrat, ndryshken lulëkuqet”, “Çahet kraharori si shegë e kuqe” “Malli thonjtë ngul mbi dallgë”, “Sot të pres te guva e Hënës/se të nesërmes s’i dihet” “Pikë e lotit lot me zjarre” “vështrimet ndër sy ciflosen” Si dy zogj në pafajësi ulur rrimë në korije/në xhepin e shpirtit tënd bluhen afshe dashurie” “Eh, në sytë e lagur/ e mësuam notin”. Dino Kalenja si udhëheqës i lartë ushtarak i batalionit partizan të Mallakastrës “Ismail Klosi” bashkë me Mustafa Matohitin – edhe ky Hero i Popullit- u vranë në një ditë është i njohur për heroizmin epik – e pra delikatesa lirike vargjeve kërkon të tregojë diçka më përtej, më shumë, më universalisht. Ai u kthye në Shqipëri mbas pushtimit nga Italia fashiste musoliniane, u lidh që herët më lëvizjen komuniste dhe qe figurë kryesore e saj në rezistencën e armatosur. Nga koha e studimeve ushtarake në Itali kanë mbetur disa fotografi të Dinos me uniforme – ta pabotuara kurrë më parë. Po mbi të gjitha është edhe fotografia e vajzës italiane Lolotta, që ai e deshi pakufishëm, që i kushtoi edhe disa nga poezitë më të frymëzuara. Një fotografi e dytë i tregon edhe bashkë. Njëra ka edhe mbishkrimin në italisht “A Dinucio Roma” dhe “Come pegno d ‘amore- LOLETTA”.  E dashura e thërriste duke e italianizuar emrin e Dinos në Dinucio. Dino u vra në Shqipëri, ku  vdiq Loletta? Kush mund ta rindërtojë sekretin e kësaj dashurie vallë?
***
Fotografitë janë metafora të rënda, sfiksore dhe memece. Heshtja është e pazhbërëshme më në jetë të jetëve. Për Dinon janë bërë monumente dhe skulptura bronzi. Por vargjet janë më të forta dhe kumbuese sesa bronzi. Ai kishte mik një italian antifashist, partizan në batalionin  partizan – quhej Borgomazh. Kur u vra Dinoja i kushtoi një poezi: Të mori plumbi në Qafë të Kicokut.
Tani tek koka, atje majë malit
Nuk ke asnjë emër, por veç një peizazh
Dhe pllakën e Hënës- ku është gdhendur
“Borgomazh”!
Metafora e mësipërme flet për një prirje moderne poetike të Dinos.
Dhe ja një tjetër poezi  e mrekullueshme “Pushka”
Harruam një çast të dashurojmë-
Lulet vyshken ende pa çelur.
Pushka na u bë dorë
Për t’i përdhelur!

***

Një tjetër pyetje torturonjëse më mundon. A ka shkruar poezi në italisht Dinoja? Ka mundësi, përderisa kishte miqësi me kryepoetin Quasimodo. A ka botuar ndonjë nga këto poezi në revistat e kohës. Nuk e dimë. Ndoshta nuk do ta dimë kurrë. Por nuk harrojmë dot çastin e fiksuar (pa kufij në kohë dhe në hapësirë) të Dinos martir me poetin antifashist italian, Salvatore Quasimodo. Poezia e plotpushtetshme, ndritëse, mbijetuese është midis tyre si ajri, vdekja dhe amshimi i pakapërcyeshëm dot. Amen!

Mbishkrimi i Salvatores

DINO DHE LOLOTA

SHKRIMI I LOLOTES


Dino Kalenja




Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…