Skip to main content

Tetova News

Penelopa në luftë - Oriana Fallaci


Kishte qenë një bisedë qesharake.
-Diçka moderne dhe mallëngjyese, Xho. E kotë t’jua them, një histori dashurie, por me diçka më shumë se dashuria. Përndryshe, publiku mërzitet. Dhe ki parasysh që protagonistja duhet të jetë italiane, kurse protagonisti amerikan: ju i dini problemet e bashkëprodhimit. A ju mjaftojnë dy muaj, Xho?
-Sigurisht, komendator.
Producenti fliste e fliste, por ajo, në vend që ta ndiqte, ia kishte ngulur sytë orës me lavjerrës mbi  murin përballë: edhe në korridorin ku e kishin vënë për të fjetur, kur Riçardi i pati zënë shtratin, kishte një orë me lavjerrës, që binte çdo pesëmbëdhjetë minuta sipas ritmit të kambanës së Uestminsterit.
-PO ju besoj një detyrë të pazakontë; në të vërtetë, po ju dhuroj një pushim të gjatë. A e kuptoni, Xho?
-Sigurisht, komendator.
Një këmbanë që nuk ngjasonte me asnjë kambanë tjetër. Ditën e bënte të mendonte për martesën e një mbreti: me mantelet e hermelinit, karrocat e praruara, gradën mbretërore mbi kuaj: mbreti kishte fytyrën e Riçardit. Por natën, kur errësira dhe heshtja e mbështillnin si një qefin, ajo rrahje i shkaktonte ankthin e një mallkimi.
-Ju e meritoni, sigurisht, keni punuar shumë këto kohët e fundit dhe keni nevojë për argëtim, për gjëra të reja. Por, nëse do të më duhej t’u dhuroja një udhëtim në Nju Jork të gjithë rrogëtarëve të mi, do të përfundoja në rrugë: ju më kuptoni.
-Sigurisht, komendator.
Angështues derisa shënonte çerekun, akrepi bëhej ogurzi kur ora tregonte dy të katërtat, madje ngjethës kur ndalej te tre të katërtat, pastaj te katër të katërtat dhe, po atë çast, një procesion fantazmash përparonte drejt saj për t’u ndalur nën fenerin e korridorit brenda të cilit çdonjëra fluturonte dhe dobësohej derisa davaritej në njolla.
Një përjashtim vetëm për ju. Çfarë nuk do të bëja për ju, Xho!
-Faleminderit, komendator.
E  ngrirë nën çarçarfë, mpihej duke fiksuar fenerin ku njollat vizatonin trajta dragonjsh, gojë grash që qanin, figura asnjëherë të njëjta, që shkëmbenin konturet me njëra tjetrën për ta lënë të përhumbur. Mandej, me një rrëqethje të beftë, fantazia e saj vraponte në dhomën e Riçardit: me kolltukun e kadifenjtë ngjyrë kafe, me mbulesën e bardhë prej dantelle, raftet me librat e shkollës, fotografitë me korniza të argjendta të të ndjerëve, të cilët, që lart  një sergjeni, vështronin ngultas të gjallët me qortim disi keqndjellës.
_ Edhe diçka akoma. Gomezi, ortaku im i Nju Jorkut, do t’ju bezdisë paksa: gjithmonë për t’ju pyetur nëse po punoni, çfarë po bëni, a e keni gjetur subjektin. Ju mos ia vini veshin. Jam unë ai që komandoj dhe paguaj. Kur të ktheheni, do të hidhni në letër nja njëzet faqe dhe do t’i diskutojmë bashkë. Ndërkaq zbavituni, pushoni.
-Faleminderit, komendator.
Fantazmat dilnin nga ato korniza: një burrë, një burrë tjetër, edhe një burrë tjetër, një grua, një grua tjetër, një fëmijë që, me jakën e tij prej dantelle, i ngjasonte një xhuxhi të keq, dhe më këmbëngulësi ndër ta mbante mustaqe. Ishte këmbëngulës sepse, para se të fluturonte mbi fener, ndalej ta shikonte vajzën dhe tundte kokën ngadalë. Ajo duhej të mbyllte sytë për të mos e prekur dhe ndjekur.
-          Jam i sigurt se do të ktheheni me një histori shumë të bukur, Xho, dhe do të bëjmë një film shumë të këndshëm.
-          Faleminderit, komendator.
I hapte kur fantazma me mustaqe ishte zhdukur. Dhe atëhere kishte një ndjenjë lehtësimi dhe zbrazëtie që duhej ta mbushte mënjëherë: mendja i shkonte te Riçardi. Bashkë me Riçardin ngjitej mbi rrokaqiejt ku trumbetat e engjëve lajmëronin Gjykimin e Fundit për të mallkuarit e mbledhur në luginën e Josafatit. Pastaj rrokaqiejt thërrmoheshin si kështjella rëre dhe rrahja pasuese e orës e gjente në këtë tmerr, që mbytej aty për aty në gjumë.
-Mirupafshin, Xho.
-Mirupafshim, komendator.

***
Qesharake, e megjithatë turbulluese. Zakonisht nuk lëshohej pas fantazive kur diskutonte për punë me plakun. Atëhere pra, pse kishte ndodhur? Mirë, ndodhi, mendoi duke mbledhur sipet. Pastaj mbylli valixhen, vendosi makinën e shkrimit në kuti, u kreh, bëri tualet dhe, megjithëse ishte me vonesë dhe Franceskoja e nxiste me psherëtima të mërzitura që të nxitonte, ndaloi të shihej në pasqyrë, disi e zhgënjyer. Sa herë që kalonte përpara pasqyrës, nuk arrinte të përballonte tundimin për të parë atë që i interesonte më shumë në botë: veten e saj. Dhe çdoherë mbetej pakëz e zhgënjyer: thuajse vajza përballë ishte tjetër njeri. Për shembull, ndihej një trup i fortë; përkundrazi, trupi brenda pasqyrës ishte i brishtë si i një adoleshenteje. Ndiente se kish një fytyrë të jashtëzakonshme: buzë të forta, hundë të madhe, shikim të prerë; përkundrazi, fytyra brenda pasqyrës ishte një fytyrë çfarëdo: buzë të buta, hundë të vogël, shikim ndonjëherë të frikësuar. Dhe nuk i pëlqente vetja. Nga vajza brenda pasqyrës i pëlqenin vetëm flokët, sepse ishin të verdhë dhe falë tyre harronte se i përkiste një toke ku gratë kishin flokë të zinj, si e ëma; ku nuk përfilleshin fare, si e ëma; dhe qanin, si e ëma. Njëherë, kur ishte fëmijë, e kishte parë të ëmën të qante.
Hekuroste këmishët dhe qante; lotët rrokulliseshin mbi hekur dhe avullonin duke kërcitur në nxhetësi: në hekur mbeteshin njolla disi të zbehta, sikur të kishin qenë pika uji dhe jo lot.
Mandej, edhe njollëzat fashiteshin sikur dhimbja e tyre të mos kish ekzistuar dhe, që prej asaj kohe, ajo ishte betuar me veten se nuk do të hekuroste kurrë këmishët dhe nuk do të qante kurrë. –Kurrë, Xho!- përsëriti me zë të lartë.
-Çfarë the, Xhovana?- pyeti Franceskoja.
-thashë kurrë.
-Kurrë çfarë, Xhovana?
-Quhem Xho, jo Xhovana.
-Po, Xhovana.
-Kurrë s’do të arrish të më thërrasësh Xho?
-Jo, Xhovana.
-Hajde, merri këto valixhe.
Françeskoja u ngrit me durim dashamirës. Ngriti me dyshim njërën vetull.
-Ndonjëherë kam përshtypjen që ti më ke inat.
-Nuk të kam inat. Acarohem vetëm sepse ti më thërret Xhovana.
-Që ti më urrën.
-Nuk të urrej. Bezdisem vetëm se ti më sheh për atë që nuk jam.
- Që nuk të bëhet vonë fare për mua. Po nisesh dhe, në vend që të jesh e trishtuar, po fluturon nga gëzimi.
-Francesko!
Ajo i mbërtheu kyçet e gjera dhe lështore. E pa drejt e në bebëza të cilat, që pas xhamave të syzeve, ngjanin të qeta, të trishtuara. Buzëqeshi duke menduar se ai ishte për t’u pasur zili, i hekurt si një pemë me rrënjë të thella, i fortë si një burrë të cilit i ka rënë privilegji i veçantë i të lindurit mashkull. E përqafoi.
-Të kam të shtrenjtë, Françesko: ti e di. Më pëlqen, Francesko: edhe këtë e di. Dhe herët a vonë, nëse do të kem dëshirë, do të martohem me ty. Por tani po nisem. Dhe po nisem me dëshirë. Përpiqu ta kuptosh, Francesko.
Fragment nga “Penelopa në luftë”, botimet “Pegi”
Shqipëroi: Beti Njuma
Standard

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…