Skip to main content

Tetova News

Romani i tmerreve të luftës

Nga Kosovare Krasniqi

(Elvira Dones, “Luftë e vogël e përkorë”)

Elvira Dones është një emër jashtëzakonisht i rëndësishëm i letrave të sotme shqipe.
E lindur Shqipëri, në vitin 1960, në qytetin bregdetar të Durrësit, si gjashtëmbëdhjetëvjeçare punësohet në Televizionin Shqiptar, mirëpo, ajo kishte arritur të largohej nga Shqipëria, se ishte e ndjekur nga sistemi komunist, sistem ky i cili e dënoi me burg në mungesë dhe me ndalimin për të parë djalin e saj, ndërsa vetëm pas rënies së komunizmit, mundi të vinte në Shqipëri.
Shkrimet e saj në pjesën më të madhe janë të shkruara në gjuhën italiane dhe në shqip, ndërsa një element që i veçon këto shkrime është se në to nuk ka elemente autobiografike. Është shkrimtare që ka bërë emër jashtë kufijve të vendit ku ka lindur, pra jashtë kufijve shqiptarë. Por nuk është e vetmja shkrimtare shqiptare, e cila e krijon artin e saj në një gjuhë të huaj – në gjuhë të huaj krijojnë edhe Anila Ibrahimi, Ornela Vorpsi, e të tjera, të cilat me artin e tyre janë bërë tashmë edhe ambasadore të kulturës shqiptare në botë.
Ndërkaq, sa i përket llojit letrar, është proza, pikërisht romani, fusha ku kjo krijuese e shfaq bindshëm talentin e saj në krijimtarinë letrare.
Romansierja shqiptare një kohë ka jetuar në Zvicër, ndërsa që nga viti 2004, jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Elvira Dones është autore e nëntë veprave, nga të cilat mund të cekim disa si: “Dashuri e huaj”, “Lule të gabuara”, “Yjet nuk vishen kështu”, e disa të tjera.
Struktura e romanit
Romani “Luftë e vogël e përkorë” është i përbërë nga 18 tërësi të ngjarjeve që e kanë një pavarësi të plotë nga njëra tjetra, por që edhe të bashkuara, qëndrojnë mirë dhe janë në funksion të tërësisë.
Subjekti i këtij romani, i cili fillon me ditëlindjen e Reas dhe me fillimin e bombardimeve të Aleancës veriatlantike, nga jashtë, i ngjan një mozaiku letrar; ngjarjet e tij nuk janë të lidhura në mes vete, po atë e përshkon një linjë që qëndron prapa ngjarjeve, të cilat në sy të parë janë të shkëputura – që është lufta e Kosovës. Me këtë autorja thyen konvencat e romanit tradicional.
Ngjarja e romanit përfshin një periudhë tremujore, romani është i rrëfyer në vetën e tretë, një rrëfim ku bëhet përzierja në mes të jetës dhe vdekjes. Secili personazh në roman bart një histori më vete, të cilën narratori ka vendosur të na rrëfejë, ndërsa dëshira për jetë e këtyre personazheve kalon nëpër një udhëkryq, nga i cili disa shkojnë më tej e disa të tjerë mbeten.
Ngjarjet e romanit janë të vendosura në qytetin e Prishtinës; fillojnë më 24 mars 1999, kur Aleanca veriatlantike, pas dështimeve të njëpasnjëshme diplomatike për të bindur Sllobodan Millosheviqin që të tërhiqte forcat e tij kriminale nga Kosova, nuk arrin në një marrëveshje për Kosovën, dhe NATO-ja fillon me bombardimet ajrore, ndërsa përfundojnë me hyrjen e këmbësorisë së saj në Kosovë.
Autorja, në këtë roman ngjarjet i ka marrë nga realiteti i tmerrshëm shqiptar – lufta e Kosovës 1998-1999, ku, siç shprehet në parathënien e tij Roberto Saviano, “është përqasja e luftës nëpërmjet syrit të viktimës që nuk gjykon, nuk dënon, por u komunikon të gjithëve vizionin e vet” . Këtu jepet një periudhë tremujore e luftës, në të cilën ndodhin tragjeditë dhe vuajtjet e popullit shqiptar të Kosovës. Pikëshikimi i narratorit është ky: “për t’i rrëfyer botës nga këndvështrimi i njeriut që luftën e dhunën as i deshi, as i kërkoi, e as që mori pjesë të gatiste shfarosje, por në të kundërtën padrejtësinë e pësoi”. Pra një pikëshikim i njeriut human, i cili nuk e do dhunën, por mbi të cilin ushtrohet dhuna.
Narratori në roman ndjek vijën kronologjike të ngjarjeve, në situatën e krijuar në Kosovë nga sulmet barbare serbe, gjatë atij tremujori.
Femra – viktimë e luftës
Në roman paraqitet një atmosferë e zymtë e krijuar gjatë tremujorit të bombardimeve të NATO-s, një atmosferë makabër e luftës së fundit në Kosovë, në të cilën qenia shqiptare iu ekspozua veprimeve më çnjerëzore që i kryen paramilitarët serbë.
Në roman jepet fati i tri grave të Prishtinës, gjatë kohës së bombardimeve: Reas, Nitës dhe Hanës, të cilat ishin të ngujuara dhe krejtësisht në mëshirë të fatit dhe, përveç frikës së luftës, kishin edhe një luftë tjetër, atë “për të siguruar bukën e gojës”. Ato, përmes një telefoni të regjistruar në emrin e një serbi, në një shtëpi të shoqes së tyre, duke e rrezikuar edhe jetën, lëshojnë një zë nga brendia e Prishtinës, një zë të shurdhur, të heshtur, duke i treguar botës për atë se çfarë po ndodh aty brenda dhe, po ashtu, marrin lajme nga jashtë se çfarë po ndodh në botë dhe në Kosovën e tyre.
Hanës së sëmurë nga zemra, burrin ia vrasin, ndërsa vajzën trembëdhjetëvjeçare ia dhunojnë, përderisa vëllai i saj Fatmiri vritet në mbrojtje të së motrës nga paramilitarët serbë. Pas gjithë kësaj tragjedie, ajo vdes në ditën e hyrjes së trupave tokësore të NATO-s.
Rea, studiuesja e letërsisë, na jep një pasqyrë të qartë të Prishtinës së bllokuar. Përmes saj dhe shoqes së saj Nitës lexuesi njihet me situatat dhe ngjarjet më kulmore politike, të cilat ndodhnin në Prishtinë, si ardhja e zotit Holbroke si i deleguar për bisedime, edhe në këso raste nuk mungon ironia nga ana e saj. Ajo, gjatë shikimit të ngjarjeve në TV, thotë: ”Nuk ishte shaka të kryeje rolin e zjarrfikësit kur kishe përballë pikërisht zjarrvënësin” (këtu e kishte fjalën për autorin e gjithë kësaj tragjedie, Sllobodan Millosheviq). Pastaj një ngjarje tjetër e rëndësishme politike, të cilën autorja na jep në roman, është takimi Rugova-Millosheviq etj.
Rea është një vajzë inteligjente, me ide të qarta për luftën, ajo sikur nuk beson në një luftë “blic“ siç e quan Arti, i dashuri i saj, gazetar në gazetën “Koha ditore”, ashtu siç premtonin pushtetarët e botës. ”Do të jetë një ndërhyrje kirurgjikale, thonë: bombat do të viviseksionojnë trupin masiv të ushtrisë serbe për të minuar vullnetin e shefit të madh e ky i fundit, me ato bula veshësh mishtorë si personazh filmash vizatimore, do t’i thotë Perëndimit: ‘E mora vesh’”, dhe çdo gjë do të përfundojë si është më së miri, luftë pa vrasje, pa gjakderdhje, sikur të ishte një ëndërr e keqe nga e cila zgjohesh, dhe përsëri të fillojë një realitet i hirtë siç ishte më parë.
Në shtjellimin e ngjarjeve, autorja është mjaftë origjinale, sepse e sheh luftën me sytë e femrës, duke e paraqitur atë ”pikërisht nga këndvështrimi i tyre”, ndërsa femra e këtij romani, në rrafshin konkret, personifikon femrën shqiptare të Kosovës dhe vuajtjet e saj gjatë luftës, por në rrafshin metaforik, ajo metaforizon edhe vetë Kosovën e dhunuar gjatë kësaj lufte.
Në këtë roman Elvira Dones, ka trajtuar një temë të prekshme të përjetuar nga populli i Kosovës, me një fjalë, ka shkruar tamam për ngjarjet reale të cilat kanë ndodhur në Kosovë gjatë periudhës së luftës – për masakrat, dhunimet dhe keqtrajtimet e popullit shqiptar, gjatë kësaj kohe, pa dallim moshe dhe gjinie.
Arsyeja pse autorja ka zgjedhur pikërisht këtë temë, qëndron në faktin se femra ishte pjesë më e ndjeshme e popullit shqiptar, e cila iu ekspozua keqtrajtimeve më të egra të forcave serbe në këtë kohë. U dhunua nëna, nusja, vajza e re, pra femra, në përgjithësi, përjetoi forma të papara të keqpërdorimit, të cilat prekën ndjenjat jo vetëm të shqiptarëve, që i panë me sytë e tyre këto, por edhe të opinionit ndërkombëtar.
Autorja me sukses ka arritur të na japë atmosferën që mbretëronte në qytetin e Prishtinës gjatë asaj periudhe të vitit 1999, që nga 24 marsi, fillimi i sulmeve, e deri më 12 qershor, kur hyn këmbësoria e Aleancës Veriatlantike.
Këtu shfaqet ana e errë, ana imorale e ushtarëve dhe paramilitarëve serbë, ku fyerjet, keqtrajtimet, abuzimet, pavarësisht moshës, janë gjëra të zakonshme, ndërsa vrasjet, masakrat, gjakderdhjet, për ta ishin thjesht lojëra argëtimi.
Skenat e dhunimit që i has lexuesi në këtë roman, janë tronditëse; ka raste ku pasi është kryer dhunimi, për të humbur gjurmët, viktima vritet dhe varroset diku. Viktimat apo gratë e dhunuara janë të moshave nga më të ndryshmet, ndërsa kulmi arrihet me poshtërimin e shqiptarëve në moral, dhe këtu shfaqet çnjerëzorja e palës kundërshtare, në këtë rast të asaj serbe, e cila arrin pikën përtej të së cilës më nuk ka ku të shkohet.
Në këtë roman gratë janë objekt dhune e terrori serb, por autorja këtu nuk është ndalur vetëm me rastin e dhunimeve, por ajo prek edhe shumë tema të tjera, si masakrën në fshatin Krushë të Vogël, ku 108 njerëz u masakruan, pa u kursyer gra, fëmijë, por edhe të moshuar, ndërsa pas pushkatimit, për t’iu humbur gjurmët, u kishin vënë zjarrin. Pastaj këtu përmenden edhe ngjarjet të tjera të cilat kanë ndodhur gjatë asaj kohe, si dëbimi me forcë i shqiptarëve nga shtëpitë e tyre, ku autorja na jep shifra të përafërta të të shpërngulurve nëpër shtetet fqinje, si Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, e në vende të tjera. Këtu kishte të drejtë një recensues italian kur shkroi: “Elvira Dones shkruan rreth së keqes pikërisht ashtu siç është”; ajo me shkrimet e saj godet pa mëshirë kriminelin Sllobodan Millosheviq, për të keqën që i solli, jo vetëm një populli,por edhe disa popujve të Ballkanit.
Autorja, në roman, përpiqet të mos jetë e njëanshme, por sa më objektive.
Në roman, në disa raste shfaqet ana e mirë e serbeve, kur shprehet një dozë humanizmi edhe nga ana e tyre, nga ata serbë të cilët jetuan në Kosovë. Këtu është edhe një dashuri në mes të një serbi (Tomasit) dhe të një kosovareje, profesoreshë në Beograd, Nitës, mirëpo pikërisht ishte historia e cila “qe ulur këmbëkryq në mes tyre” , që bën që dashuria e tyre të mos kurorëzohet, sepse në mes tyre kishte hyrë lufta dhe ”koha e çatisë së përbashkët për të dy popujt kish ikur”. Tani asgjë nuk mund të vazhdojë si më parë, pas gjithë atyre gjërave të tmerrshme të bëra po nga populli i këtij njeriu të cilin dashuron Nita. Edhe pse Tomasi ishte njëri nga ata atë pafajshmit dhe ai, në një rast, gjatë një zënke me Niten, prezanton veten si njeri që përfaqësonte vetëm “veten e tij e askënd tjetër”, por Nitën nuk e lejon ndërgjegjja të krijonte familje me të, sepse ai ishte pjesëtar i popullit, forcat e të cilit vrisnin dhe bënin barbaritë më të egra ndaj të tjerëve, në këtë rast ndaj shqiptarëve. Ndaj, ashtu siç kishte qenë e veçantë miqësia e tyre, e veçantë ishte edhe ndarja e tyre.
Përfundim
Romani “Luftë e vogël e përkorë” i Elvira Donesit trajton temën e luftës së Kosovës gjatë periudhës së bombardimeve, ku dhunimet dhe masakrat serbe ndaj popullatës shqiptare ndodhin edhe në prani të ndërkombëtarëve.
Gjatë leximit të romanit, lexuesi mbetet i shokuar nga ngjarjet që autorja përshkruan këtu; romani të lë një dhembje të pafund për ato gra, nëna dhe vajza të cilat kishin përjetuar tmerr dhe tragjedi në mënyrën më barbare gjatë kësaj periudhe.
Tragjedia e Kosovës e viteve 1998- ‘99 ka bërë që autorja të vijë dhe të vizitojë Kosovën, nga ku ka marrë informacione të bollshme për të krijuar romanin e saj për këtë periudhë tragjike të popullit shqiptar dhe ia ka arritur të na japë një roman modern, roman në të cilin hasen situatat më absurde, por reale, të ndodhura gjatë këtij tremujori.
Vërtet ky roman i jep një mesazh të qartë lexuesit: t’i jepet fund dhunës shtetërore që mund t’i bëhet një populli.
Dhe, si përfundim, mund të themi lirisht se Elvira Dones me romanet e saj, po hyn në radhën e prozatorëve të mëdhenj, të cilët po e kultivojnë me sukses prozën e sotme shqipe duke e dërguar atë drejt shtigjeve të reja.

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…