Skip to main content

Tetova News

Të jetosh me televizionin

Nga Kliton Nesturi
(Dhimitër Gjoka, “Ekran Tv”, Refleksione estetike për imazhin)

Sot, në kohët moderne, televizioni është bërë bashkëshoqëruesi më i ngushtë në jetën e njerëzve. Së bashku me internetin dhe celularin, ai hyn në tre gjërat më kryesore dhe te domosdoshme që na shoqëron në përditshmërinë. Është dritarja e cila na përcjell komunikimin me pjesën tjetër të shoqërisë, zhvillimet politike, sociale, kulturore, sportive e teknologjike, që ndodhin në botë dhe përreth nesh.
Këtë e dëshmon fakti se programet lajmet dhe programet e ndryshme që përcillen nëpërmjet tij, bëhen pjesë e pandashme e debateve dhe refleksioneve që përcjellin shoqërinë në ekzistencën e saj. E duke qenë pjesë e debateve të ndryshme, shumëkujt i lind e drejta të shpreh opinionet e veta në lidhje me të, si në ambientet ku kalon jetën, e po ashtu edhe publikisht, nëpër faqet e shtypit, programet televizive apo rrjetet e ndryshme sociale. Në bazë të këtyre debateve marrin hov edhe sondazhet e shumta, të cilat në një mënyrë apo në një tjetër ndikojnë në skemën programore të kanaleve dhe rrjeteve të ndryshme televizive.
Si kudo në botë, edhe në hapësirën shqiptare, programe të ndryshme televizive janë bërë pjesë e opinioneve dhe debateve të ndryshme. Janë jo të pakët artikujt dhe refleksionet të shkruara si nga profesionistë të fushave të ndryshme, po ashtu edhe prej njerëzve të thjeshtë. Por, ajo çka vihet re më së tepërmi është fakti, se rrallë e tek ka patur botime për ekranin e vogël nga profesionistë që jetojnë apo kanë jetuar me televizionin, të atyre të cilëve ky institucion iu është shndërruar në një familje të dytë dhe njerëzit që punojnë pranë tyre, në një familje tjetër më të madhe se ajo e vogla dhe zakonshmja. Ndryshe nga mjaft vende të tjera, botime të tilla në Shqipëri mund të përmblidhen me gishtat e dorës. Si për të mbushur këtë boshllëk, por njëkohësisht duke shpalosur përvojën e tij të gjatë, regjisori Dhimitër Gjoka, i njohur së tepërmi edhe si një ndër spikerët më të rrallë dhe të rëndësishëm të televizioneve shqiptare, ka botuar librin e tij me refleksione për imazhin “Ekran Tv”.
Me një gjuhë të thjeshtë, por shumë profesionale, Dhimitër Gjoka shpërfaq nëpër faqet e librit mendimet dhe vizionin e tij për punën mbi të cilën një televizion profesionist duhet të mbështetet. Veçanërisht ai ndalet në dy shtyllat bazë që përbëjnë jetën e ekranit, programacionin dhe edicionet e lajmeve. Janë pikërisht këto dy shtylla, të cilat falë edhe përvojës së tij, i njeh shumë mirë. Refleksionet e tij, nisin që me ndërtimin e një skeme të mirëfilltë programore, duke pasur parasysh grupmoshat, audiencën, shtresat sociale dhe dinamikën e përditshmërisë që karakterizon jetën tonë, duke i dhënë dinamikën e vet çdo ore dhe programi shoqërues. Kështu, çdo gjë nis me programin e parë të mëngjesit, programin e dytë, rolin e muzikës, hapësirat fëmijërore, për të vazhduar më pas me orën informative të mëngjesit, programet e mesditës dhe të pasdites, edicionet e lajmeve dhe ndërtimi i të gjithë skemës progamore që shoqëron që na shoqëron gjatë gjithë ditës. Një vëmendje të veçantë, Gjoka u kushton hartuesve të programeve, e sidomos të atyre për fëmijë, duke e shtrirë mendimin e tij edhe në një plan socialo-psikologjik: “Çdo brez të rriturish kanë rritjen e tyre të mirë, por edhe dëshira të pa plotësuara. Çdo mangësi dëshirash fëmijërore, e konstatuar tek rritja e të mëdhenjve në moshë, duhet të plotësohet tek brezi që vjen, fëmijët e tyre. Me një fjalë, krijuesit e programit duhet të kenë parasysh edhe veten në kohën fëmijërore.” Po kështu Dhimitër Gjoka vlerëson si aspekt të rëndësishëm jo vetëm hartimin por edhe përcjelljen e programeve televizive prej moderatorëve dhe gazetarëve të ndryshëm, raportet që ata duhet të kenë me teleshikuesit, jo vetëm si imazh, por edhe në formimin profesional. Gjoka i mëshon faktit se: “Në televizion, gazetari duhet të ketë domosdoshmërish një specifikë të veçantë që ndryshon ndjeshëm nga gazetarët në media të shkruar dhe atë radiofonike. Ajo që është më kryesorja është aftësia për të komunikuar fizikisht, në mënyrë organike të lindur, por edhe e nxënë me studimin e vazhdueshëm në formimin gjatë viteve të shkollës dhe më pas në rrjedhën praktike të punës në jetë.” Ai nuk merret me studimin e mangësive të vërejtura thuajse në të gjitha televizionet tona, por e vendos vizionin e tij mbi principe profesionale.
Si një prej personaliteteve që kanë jetuar e punuar për një kohë shumë të gjatë në edicionet e lajmeve, Dhimitër Gjoka shprehet edhe për punën mbi të cilën duhet të ngrihet një redaksi lajmesh në punën e saj të përditshme. Veçanërisht ai ndalet në punën dhe misionin që ka regjia në edicionin e lajmeve. “Të ndërtosh një edicion informativ nuk është një punë rutinë e zakonshme. Për nga ndërtimi, ai duhet të jetë një spektakël që, me seriozitetin e të karakterizuarit, është në konkurrencë të vazhdueshme me çdo lloj spektakli tjetër televiziv.” “Pa u kuptuar drejt roli i regjisë në ndërtimin dhe transmetimin e lajmeve, si dhe me pjesëmarrjen aktive në to, në bashkëpunim me gazetarët, një kanal televiziv do të mbetet thjesht një pasqyrues i pavlerë.” Ai çmon si të rëndësishëm çdo komponent që lidhte me një edicion lajmesh, pa nënvlerësuar askënd, duke nisur që nga montazhi, miksazhi, raportimi i drejtpërdrejtë, format e ndryshme të kronikave, autokontollin, grimin, veshjet, estetikën, bashkëpunimin gazetar-regji, kameramanët, etj. Veçanërisht të rëndësishëm, Dhimitër Gjoka vlerëson spikerin e lajmeve: “Të jesh spiker i lajmeve është një profesion tejet i veçantë. Të jesh i tillë, duhet të kesh, së pari, në zotërim arin e të folurit bukur. Bukurinë e pamjes, që nënkuptojmë një portret normal njerëzor. Bukurinë e komportimit me kamerën. Bukurinë e të qenit i lexuar, që do të thotë mbartës i një kulture gjithëpërfshirëse dhe reflektues i saj në çdo marrëdhënie që ka të bëjë meteleshikuesin, bashkëpunëtorë të fushave të ndryshme apo me kolegë gazetarë. Dhe jo vetëm kaq. Në të përditshmen e zhvillimit jetësor duhet të ndjekë çdo ndodhi që jepet nga burime të ndryshme informacioni. Të njohë me përpikmëri zhvillimin ekonomik, kulturor dhe politik të vendit.” Pa fyer askënd në zhvillimin dhe kaosin shqiptar të televizioneve, kjo është një kornizë mbi të cilën duhet të portretizohet spikeri i lajmeve, i cili në një farë mënyre identifikohet dhe është imazhi i kanalit televiziv ku punon.
Ndonëse në pamje të parë, ky libër mund të duket si një manual me përdorim të ngushtë, vetëm për njerëzit që punojnë dhe jetojnë me televizionin, “Ekran Tv” është një përvojë që ndahet me të gjithë dhe iu shërben të gjithëve, jo vetëm sot. Kjo është jeta e një profesionisti që jeton me televizionin.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…