Skip to main content

Tetova News

Të udhëtosh me pasagjerin e vdekur, si në baladë!

Nga një histori e vërtetë shkrimtari merr zanafillën e romanit të tij më të fundit, të sapobotuar, “Stina e hijeve”, duke risjellë paralelen me baladën e Konstandinit me Doruntinën. Një fabul epike që pasqyron shqetësimet komplekse të shoqërisë shqiptare që shoqëron gjithashtu edhe shkrimtarin, një nga zërat përfaqësues të brezit të ri të romancierëve shqiptarë



Është një histori e vërtetë: një prind shqiptar, vajza e të cilit luftonte t’i mbijetonte kancerit, ishte mjekuar në Greqi duke shfrytëzuar dokumentet e sigurimit shëndetësor të kushërirës së saj, por nuk mbijeton. Vajzën e vdekur e sjellin në fshehtësi në Shqipëri, duke i shpëtuar zbulimit nga policia. Si?! Atë e vendosin në pozicionin e rregullt të një pasagjeri.
Deri këtu rrëfimi është realitet dhe shkrimtari Virion Graçi e ka marrë si lëndë nga nis, merr si zanafillë, romani i tij më i fundit, “Stina e hijeve”, botimet “Pika pa sipërfaqe”.
Rrëfimi ka dramën, që shkon në një paralele me baladën e vjetër shqiptare, mbetur prej kohës së matriarkatit: vajza martohet nëntë mbretëri, nëntë male e nëntë fusha larg familjes prindërore.
Mirazhi i legjendës: Nëna i thotë Konstandinit, djalit të saj: Pse ma martove kaq larg vajzën time? Konstandini i jep fjalën nënës (besa e shqiptarit) se sa herë të marrë malli për vajzën, unë do të ta sjell. Por Konstandini vdes. Njëherë, nëna i shkon te varri dhe i kujton “të vdekurit” premtimin e dhënë: Më ka marrë malli për vajzën, a nuk më premtove se do ma sillje? Një natë Konstandini ngrihet nga varri, merr motrën dhe e çon me kalë deri afër shtëpisë. Nëna e pyet vajzën: Me kë erdhe deri këtu? Me Konstandinin, përgjigjet ajo. Nëna bërtet: Konstandini ka nëntë vjet i vdekur… dhe të dyja, nënë e bijë bien pa jetë në pragun e shtëpisë.
Është ky rrugëtim i faktit tragjik nga realiteti shqiptar, me të cilën Graçi rikthen imazhin e baladës së Konstandinit. Një linjë narracioni paralel, me dëshminë e dramës më tronditëse nga jeta e shqiptarëve sot. Vepra mban katër kapituj. Koha na njeh me Elonën, vajzën e sëmurë në Athinë, kur në pushimet midis seancave të trajtimit takohet me Artanin, një shqiptar endacak, bastexhi kronik. Autori ndërton ëndrrën midis tyre, pa e ditur vetë ata ndërsa shoqërohen bashkë; nga njëra anë me bindjen dëshpëruese se janë lindur për njëri-tjetrin e në anën tjetër ata s’kanë kohë për asgjë, pasi fundi i Elonës është i afërt, tragjik.
Kapitujt të përfshijnë në rrëfimin zbulues, sa ç’vepron psikika aq dhe zbulimi i fateve si impakte mbi realitetet. Derisa “Stina…” e Graçit mbërthen katër këndshikime, plotësuese të njëra-tjetrës tablo të gjalla e të pasura të një areali mesdhetar, kompleks, mbushur me dritëhije, aventura e sfida mbi destinin njerëzor.
Ky raport nuk ndodh rastësisht, pasi shkrimtarit i ka takuar të jetojë e të shkruajë në këto dy dekada të intensitetit shqiptar në të gjitha kuptimet, duke qenë një zë, përfaqësues i brezit më të ri të romancierëve shqiptarë.
Shfaqur në skenën letrare në fillimvitet ‘90, Graçi konsiderohet tashmë një nga autorët më të rëndësishëm. Në fillimet e tij, në ‘87-ën, iu refuzua një libër për heretizëm estetik nga shtëpia botuese shtetërore e kohës, duke vazhduar me një cikël poetic sensacional në të parën gazetë letrare antikonformiste me traditën e realizmit socialist (Gazeta E përshtatshme, viti 1991), më pas me vëllimin poetik “San Valentino”, 1993, e në vitin 1995, me romanin “Të çmendur në parajsë”, roman i cili, ra në dorën e botuesve francezë, të cilët pa hezitim e botojnë.
Ardhja në romanin e fundit, për Graçin ka shumë kuptime, që lidhen me gjendjen e tij po aq dhe procesin krijues. “Veprën kam vendosur ta shkruaj pasi psikologjikisht nuk mund ta mbaja më në mendje, pa e ndarë me të tjerë bukurinë tragjike të atij realiteti pranë të cilit jetojmë, por duket sikur kemi vendosur ti mbyllim sytë dhe veshët. Por, me vetëdijen estetike të një autori që e njeh letërsinë edhe profesionalisht, vendosa ta shkruaja, pasi fabula bazë, historia e vërtetë e asaj vajzës… ishte e mjaftueshme për të sendërtuar, realizuar një vepër ku, në mënyrë të gjallë e shprehëse, të mishëroheshin në personazhe e episode të ndryshëm, gati tërë kategoritë e mundshme estetike”, – thotë Graçi.
Në këtë reflektim shkrimtari ndjek arkitekturën e krijimtarisë së tij duke përafruar realitetet e përballura me kontekste epike. “Më vonë, nëse do të zhvilloj disa fabula epike që kam në mendje, do të më duhet të studioj nga afër vendngjarje të ndryshme, dokumente, tekste historie a dëshmi nga persona më të mirinformuar”. Kjo është arsyeja pse kërkimet e Graçit janë orientuar drejt një lloj etniciteti kulturor, duke u shprehur se “mund të rizgjojë magjinë dhe misterin e baladës ballkanike shqiptare të udhëtimit bashkë me një kalë të të vdekurit me të gjallin”. Pse mbërrin në këto paralele të arealit të shoqërisë shqiptare, shkrimtarit i mjafton të trokasë në dy kohë: në legjendën dhe tashmen. Shqetësimet e kohës e bëjnë shkrimtar të tillë, duke kërkuar e hedhur dritë mbi periferitë problematikë të një qyteti me emigrant, si Athina, dhe të sjellë po ashtu jetën bashkëkohore shqiptare si një tablo komplekse sociale, si kulturë e jetë familjare. Nuk është hera e parë që ndeshim në stilin e rrëfimit të këtij shkrimtari dramën dhe njerëzit që në dukje të rëndomtë, me jetë të vështirë, gati të dorëzuar, pa shpresë dhe injorim masiv… të nxisë historinë, tregimin drejt lexuesit.
V. Murati
Standard

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…