Skip to main content

Tetova News

Vallja e dervishit - Tregim nga Dritëro Agolli


Anthulla, pasi dëgjoi një përmbledhje të shkurtër të përshkrimit të udhëtimit nëpër Greqi dhe pjesërisht në Turqi, filloi të lexojë me vete. 
-Jo, lexo me zë! - urdhëroi Sherif Abeceja dhe u ul larg saj, në një karrige në rrëzë të verandës. ”Hyrja e Cute Babules në vallen e dervishëve mevlevinj, o Hyskë, bëri një jehonë aq të madhe në mes të shkencëtarëve, sa me fjalën që na ka dhënë natyra e gjuhës nuk mund të tregohet. Por kjo jehonë vetëm fillimin e kishte në gjirin e shkencëtarëve. Të nesërmen u bë ortek, që vërshoi me uturimë në mbarë Konian. Po të pasnesërmen? Të pasnesërmen u bë uragan, që u soll dhe u mbështoll, u vërvit dhe u rrotullua anembanë Turqisë. Si i thonë në këngë? 
Këtu duhet thënë: “Hajde Cute Kapedani”! Ti e di mirë, o Hyskë, se dikur, në kohët e shkuara namin ta hapte kënga! Po të hyje në këngë, edhe sikur të mos ishe shumë trim, apo shumë i zgjuar, fama rritej, pasi emri që kalonte gojë më gojë dhe çdo këngëtar shtonte nga një fjalë e nga një epitet. Kurse sot famën ta hapin mjete të tjera: gazetat, revistat, librat, radioja, televizioni, filmi, telefoni, telegrami, kompjuteri... Edhe fama e Cute Babules vërtet e zuri fillin në gjirin e shkencëtarëve, por pastaj ç’ndodhi se!... Të pasnesërmen gazeta më e shquar e Konias “Bytyn dynja” botoi një artikull të shoqëruar me tri fotografi: njëra që paraqiste Cute Babulen duke u nisur drejt valles, tjetra në valle dhe e treta në përqafim me dervishët në mbyllje të manifestimit. Në artikullin e “Bytyn dynjasë” gazetarë që mund të krahasohet me “Le Monde” të Francës, se “dynja”, ashtu si “monde”, do të thotë “botë”, shkruhej: “E mahnitshme! E paimagjinueshme!” Në vallen e dervishëve në Sema më e njohur nga gjithë bota, që u dha nga mevlevinjtë për nder të shkencëtarëve, hyri papritur dijetari marksist shqiptar, studiuesi i kulturave popullore, Maksut Babulja, që zakonisht i thërrasin Cute, dhe me mjeshtëri, ndoshta më të përsosur se të dervishëve dhe me njohuri fetaro-filozofike mbase më të mëdha se semazeni, udhëheqësi i Sema-së, kërceu e luajti deri në mbyllje të ceremonisë, dhe në fund i përqafoi me radhë të gjithë valltarët e shenjtë nën breshërinë e duartrokitjeve të njerëzve të shkencës. Një fenomen i tillë, që të hynte në vallen e dervishëve një i jashtëm, qoftë turk e qoftë kaur, ka 722 vjet që nuk është përsëritur, që kur ishte gjallë hazreti Mevlana Muhamed Xhelaledin Rumiu. Kur jetonte hazreti, në një ceremoni dervishësh, u fut papritur mes valles një sarhosh dhe filloi të kërcejë. Në kërcim e sipër i shtynte me bërryl dervishët, duke ua penguar rrotullimin! Atëherë semazeni e shau sarhoshin dhe iu ankua hazretit Mevlana: “Ky është i pirë dhe duhet ta përzemë nga vallja!” Dhe hazreti Mevlana Muhamed Xhelaledin Rumiu iu përgjigj: “Ai ka pirë hyjninë, ju po silleni me të si me një pijanec”. Kjo frazë që ka mbetur si ese, në frëngjisht shprehet: “Lui, il a bu divin, vous agissez en ivrogne!”. Edhe për Cute Babulen kur hyri në vallen e dervishëve, disa thanë se gjoja ishte i pirë dhe kërkuan të zbohej nga andej. Dhe këta që e thanë, fatkeqësisht, ishin turq dhe francezë. Po të jetonte Mevlania, do t’u përgjigjej: “ju silleni me të si me të pirë!” ose “Vous vous agissez ivrogne!” 
”Habia jonë, vazhdonte artikulli, për hyrjen e marksist-leninistit Cute Babulja në vallen e dervishëve, është gjetiu... Një shkencëtar shqiptar, që jeton në kështjellën më të fortifikuar të marksizmit, del nga andej dhe rrëzon muret dhe vallëzon, duke u sjellur rrotull vetes dhe rreth dervishëve. Dhe jo vetëm kaq! Ai në fund të valles puthet me dervishët! Është me të vërtetë paradossale, kur dihet se në Vendin e Shqiponjave, që janë në fakt shqiponja me krahë të lidhura, ndalohet feja dhe institucionet e saj, ndalohen dhe dënohen ata që takohen me hoxhallarë, dervishë, baballarë, shehlerë, priftërinj, murgjër e murgesha. Kurse shqiptari marksist-leninist-stalinist, Maksut Babulja, i mbiquajturi Cute, që ndodhet këto ditë midis nesh në Turqi dhe që po na sjell një gëzim të mahnitshëm, me veprimin e tij human, shprehu haptazi nostalgjinë dhe dashurinë për mevlevinjtë në veçanti dhe, në përgjithësi, për islamizmin, të cilit i takon e ardhmja. Mos vallë kjo është një shenjë që në Shqipërinë tonë mike, po ndryshojnë gjërat? Apo Cute Babulja këtë gjest fisnik e bëri për hir të forcimit të miqësisë tradizionale shqiptaro-turke pa pyetur autoritetet shqiptare? Nuk e besojmë që kjo të jetë një shaka, megjithëse, sa dimë, Cute Babulja është një shakaxhi, që i kalon kufinjtë e Vendit të Shqiponjave. Dhe madje temën e kumtesës, që do të mbajë sot në Konferencën, në ora 10.00, e ka: “Folklori shqiptar dhe Nastradini”. Dihet se qendra e Nastradinit, pas zbimit të tij nga Buharaja, u bë qyteti ynë i lashtë Konia. Mund të bëhet edhe një supozim tjetër, Cute Babulja, si materialist, duke hyrë në valle, shpreh lëvizjen universale, lëvizjen e molekulave, atomeve, protoneve dhe neutroneve. Një dervish që rrotullohet rreth vetes dhe rreth të tjerëve, simbolizon lëvizjen e atomit. Marksistë-leninistët lëvizjen e quajnë si një nga format më të rëndësishme të materies. Mos vallë Cute Babulja nga gjithë vallja ka marrë vetëm thelbin, lëvlzjen, që atij i intereson? Edhe ky mund të jetë një arsyetim... E mahnitshme dhe fantastike! “Me këtë thirrje mbyllej artikulli”.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…