Skip to main content

Tetova News

Vepra artistike dhe struktura e saj

Nga Ndini R. Bardhi*

Një vepër artistike e krijuar nga shpirti i artistit të vërtetë, ka në themel konstruktin, ndërtimin dhe strukturën e saj, që i japin specifikë dhe veçori të artit. Në këtë sens strukturor dhe krijues artistik si vepra artistike dhe fjala art, konvergojnë në një emërues të përbashkët, që artistikisht marrin nocione të njëjta dhe koncepte themelore të aktit krijues.
Çdo vepër e krijuar artistike mbart ato cilësi universale, që i manifeston edhe koncepti i artit në tërësinë e vet. Kur themi vepër artistike nënkuptojmë, një produkt konkret të realizuar artistikisht, me një strukturë solide dhe të konceptuar me mjeshtëri nga artisti. Vepra artistike ka në vetvete vlera të veçanta, sepse përbën realisht aktin krijues të punës kërkimore të artistit dhe një realitet të vërtetë i kurorëzuar në qarkullimin artistik shoqëror. Ajo ka rrezatim të gjithanshëm dhe konceptim strukturor të pavarur, që do të thotë, ka vlera gjithëpërfshirëse në realitet dhe që përjetohet nga publiku artdashës, për të cilin krijohen. Pra, ka ekzistencë, strukturë dhe specifikë reale artistike.
Është në tërësinë e saj e ndërtuar dhe e konceptuar nga realiteti objektiv, real, material, jetësor, me atributet e veprës së mirëfilltë artistike. E themi këtë, sepse vepra është shtresim i lëndëve materiale fizike që nga boja e deri te kanavaca.
Këto lëndë përbëjnë skeletin, që i japin çdo vepre artistike ekzistencë, strukturë, rrezatim, vlerë objektive, reale dhe si vetvete në pavarësi të plotë nga ndërgjegjja e autorit krijues dhe njerëzve të tjerë artdashës.
Në raport me veçoritë dhe aftësitë fizike të lëndëve të ndryshme materiale, edhe struktura e çdo vepre artistike shfaqet në mënyra të ndryshme, që do të thotë, merr vlerat e një ekzistence produktive të strukturuar artistikisht.
Vepra artistike, duke pasur ekzistencë materiale të shtresuar dhe e konceptuar nga artisti krijues, merr veçori të tjera specifike, ndryshe nga veprat e tjera. Ajo (vepra) në këtë mënyrë është e veçantë dhe shfaqet si një realitet i vërtetë. Që të strukturohet një vepër artistike, është e rëndësishme të zgjidhen lëndët fizike të natyrës dhe kimisë, pikërisht ato që kanë veti bukurie dhe ylberi qiellor. Vetitë fizike e kromatike të ngjyrave për artistin janë brumë i shkëlqyer për cilësinë e veprës artistike. Në strukturën e veprës së konceptuar apo ideuar nga krijuesi është një përpunim i shumanshëm dhe specifik nga artisti, i cili, me mjeshtëri dhe ndjesi shpirtërore kultivon ngjyrat në funksion të temës së zgjedhur prej tij. Sipas veçorive të gjinisë apo zhanrit artistik, artisti ka preferenca të potencës koloristike, pastozitetit dhe rezistencës ndaj lagështirës dhe ndryshimeve të temperaturës.
Një rëndësi tjetër, për artistin krijues vlerash artistike, ka edhe teknika e përpunimit të sendeve materiale, që sjellin efektet ekspresive të veprave artistike dhe cilësitë e përpunimit të vetive të tyre të bukura dhe emocionale. Të gjitha këto esenca piktorike përgatiten nga artisti krijues dhe aktiv, sipas principeve të së bukurës reale, natyrale, konceptuale, interpretative, artistike, etj. Në ngjyrat e pikturës oksidi i xingut apo i titanit janë lëndët bazë dhe primare për vepra pikturore, të cilat duke i bashkuar me lëndë të tjera lidhëse, japin një masë pastoze dhe konsistence e përshtatshme për pikturë ekspresive dinamike.
Pikërisht, për këto veti funksionale dhe profesionale në recetën e formuluar kimikisht, pësojnë një transformim të ri të materies gjatë përpunimit, cilësi  e vlera të reja në veprën artistike. Artisti me eksperiencë krijuese të gjatë i dallon shumë mirë kualitetet pikturore të këtyre materialeve për ngjyrë. Prej mjeshtërisë dhe aftësive të tij profesionale varet sa dhe si arrin t’i përdorë piktori cilësitë natyrore të lëndëve materiale.
Tjetër. Ai me kompetencë profesionale arrin të përpunojë dhe të shtresojë ngjyrën në sipërfaqen e kuadrit me mënyrën e shtresimit dhe frakturës pikturore, që të arrijë synimet e veta krijuese artistike. Përpunimi i lëndëve materiale në procesin e krijimtarisë presupozon një rindërtim të tyre strukturor, që me të, të krijohet një konstrukt i ri dhe shtresim artistik i materialit ngjyrë. Si vijimësi, lënda natyrore fizike e përftuar shndërrohet në materie të konstruktuar dhe në trajtë të re, që do të thotë, bëhet një pastozë e gatshme për shtresim pikture. Pikturë, me fjalë të thjeshta, do të thotë, ngjyrë.
Procesi i përpunimit në kulturë të dobishme artistike i lëndëve materiale, qoftë ai oksid xingu, titani, kalçiumi (gëlqere) etj., që përdor arti dhe vetë artisti, merr një cilësi të vërtetë konstruktiv ngjyror, kromatik dhe krijues produktiv.
Ky lloj përpunimi merr vlerat e një krijimi ekspresiv të veprës artistike. Në këtë kontekst, gjithçka e përgatit me mjeshtri teknike, sjell një element të lartë organizimi, cilësie harmonizuese sipas kërkesave të së bukurës dhe krijimit emocional të veprës së vërtetë artistike. Veprat e krijuara që në hershmëri të shekujve e deri më sot, nga mjeshtrit ikonografë Onufër, Shpatarak, etj., janë ndërtime lëndore natyrore të përsosura harmonike, të cilat çmohen e vlerësohen jo vetëm nga mesazhet shpirtërore të njerëzve në breza e në kohë të ekzistencës së tyre, por edhe për kompozimin, subjektin, ritmin, koloritin e ngrohtë, refleksionin komunikues edhe për çdo njeri të sotëm të kohës moderne.
Gjithçka e krijuar mjeshtërisht në të gjitha drejtimet strukturore të veprës (veprave), është perfekte dhe e përpunuar sipas ligjeve të fizikës natyrore dhe teknikave funksionale për një vepër profesionale artistike. Tërësia e tyre është shumë e organizuar dhe solide, e cila merr një trajtë të re dhe ndërtim të ri pikturor. Elementët që përdoren në një vepër arti përbëjnë gjuhën e preferuar të vetë artistit krijues, që me talentin e tij integron artistikisht struktura të reja artistike dhe i vendos të lidhura në mënyrë kompozicionale në të (vepër). Këto elementë, nga artisti i vërtetë, shfaqen në mënyra të ndryshme dhe të kombinuara gjetjesh, idesh, vizionesh e ngjyrash në procesin krijues artistik. Në këtë kontekst vlerash artistike, elementi në vetvete dhe në tërësi i jep subjektit një shtresim të ri dhe përcaktim të organizuar në formë dhe përmbajtje emocionale të tij. Dhe që të arrijë në këtë stad, ai mbështetet në karakterin dhe në natyrën e vetë lëndës, që do të thotë, se ky lloj strukturimi përbën procesin e krijimit të veprës artistike nga artisti. Interpretimi konstruktiv është një proces i rëndësishëm, sepse sjell një shkallë të lartë vlerash krijuese, organizimi, harmonie, e mbi të gjitha, një disiplinë artistike sipas kërkesave dhe kushteve të së bukurës dhe jetës njerëzore. Në këtë kontekst, çmohet shumë konstruksioni i ndërtimit të ideve, gjetjeve, këndvështrimeve e frymëzimeve, që theksohen për harmoni, unitet dhe saktësi logjike krijuese artistike.
Natyrisht, në këtë drejtim, gjithçka është në dorë të mjeshtërisë së artistit si vetvete, sepse ai shpreh lirinë e tij krijuese të strukturuar në botën, psikologjinë dhe vizionin e mbartur në kokën e tij. Dhe, si e tillë, çdo vepër artistike e krijuar dhe e shfaqur para njerëzve, të befason për individualitetin e saj dhe llojin e vet, e sidomos kur ajo është krijuar sipas strukturës së vetë artistit aktiv dhe produktiv në veprim.
Që sipërfaqja e kuadrit, tashmë, si strukturë bazë, të marrë vlerat, e një vepre arti, artistit i duhet të trupëzoj në atë copë kanavacë ndjenjën, mendimin, emocionin ekspresiv dhe idenë njerëzore të tij si krijues emocional dhe shpirtëror si për vete dhe për tjetrin (tjerët). Në këtë mënyrë strukturimi, gjithçka merr përmbajtje shpirtërore dhe atribute të një vepre të vërtetë artistike. Kjo e fundit (vepra artistike) me tërësinë e saj dhe me përmbajtjen shpirtërore është produkt i artistit, i jetës së tij individuale dhe shoqërore, sepse, duke qenë aktiv dhe ekzistencë në realitetin social kthehet në promotor për krijime të reja emocionale e produktive. Gjithçka tek ai funksionon nëpërmjet një sistemi të organizuar elementësh strukturor, idesh, gjetjesh e këndvështrimesh, të sintetizuara në përmbajtje dhe formë shpirtërore të veprës artistike dhe të vetë atij si krijues.
Arti dhe çdo vepër artistike e krijuar, duke qenë produkt i veprimtarisë së njeriut artist, ka ekzistuar si strukturë e veçantë specifike nëpërmjet një sistemi elementësh artistik, të organizuar shpirtërisht dhe përcaktuar brenda këtij sistemi krijues nga vetë artisti. Gjithë elementet e vlerësuar artistikisht, fitojnë një organizim të brendshëm, si mjet interpretimi midis vetë artistit dhe artdashësit. Në këtë kuptim strukturor, artisti, realizon informacionin ideor artistik të veprës së krijuar, e bën të kapshme dhe të kuptueshme për të gjithë. Çdo artist i vërtetë ka përpunuar një sistem krijues figurshmërie, që përdor elementin strukturor kuptimor, informativ, koloristik në procesin krijues, që do të thotë se në art, krijimtaria artistike është e organizuar, e cila i vendos elementët e ndryshëm emocionalë e shpirtërorë në një ndërthurje të ideuar, skicuar e përcaktuar që më herët. Në këtë gërshetim vendoset edhe njeriu i formës artistike, i objektit dhe subjektit, i organizimit dhe sistemit të lartë krijues, duke fituar karakter, përmbajtje ideore dhe vlerë strukturore të veprës së vërtetë artistike. Bota e artit, vepra artistike dhe struktura e saj, natyrshëm lidhet me botën e objekteve të jashtme të realitetit të gjallë, përpunohet harmonikisht në një sistem krijues dhe gjuhë të veçantë në llojin e vet, të lidhet me ndjenjat, me botën e brendshme intelektuale, emocionale, shpirtërore të njeriut, të bëhet pikturë, skulpturë, e mbi të gjitha, art. Subjekti dhe objekti, si material artistik piktorik, kur është vlerë shpirtërore e çmueshme, interpretohet rregullisht në harmoni dhe sistem krijues të strukturuar nga vetë artisti.
Gjatë historisë së zhvillimit të kulturës artistike, nga artistë të shumë në botë e në Shqipëri, në këtë drejtim janë krijuar lidhje të forta midis sistemit të rregullave që përpunon materialin jetësor, ndjenjave e koncepteve të njeriut të çdo kohe. Gjuha e artit tonë popullor shqiptar, e kultivuar historikisht në kohë e sisteme politike e ekonomike, ka krijuar një galeri të tërë veprash artistike, të cilat shprehin gjendje të ndryshme emocionale dhe intelektuale të njeriut të ditës, kohës dhe ekzistencës njerëzore. Natyrshëm, nga të gjitha që thamë më sipër, arrijmë në konkluzionin se struktura e çdo vepre artistike qëndron e fortë vetëm atëherë kur vlera shpirtërore e tyre, shkrihet në një të vetme organike, në një vepër artistike cilësore, që përbën një realitet të ri emocional të krijuar nga njeriu artist. Vepra artistike dhe struktura e saj, duke pasur karakteristikat që ka struktura e artit në përgjithësi, merr vlera universale të gjithëkohshme shpirtërore për njeriun dhe njerëzimin mbarë.

*Piktor,studiues arti

Popular posts from this blog

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…