Skip to main content

Tetova News

Beteja e humbur dhe e përçarë e librit!

Violeta Murati


Shoqëria e Librit Shqip prezantoi dje projektin e Festivalit të Librit dhe Artit që do mbahet në 23-27 prill në Muzeun Historik Kombëtar, përzgjedhur nga Ministria e Kulturës për t’u financuar. Ky projekt, paraqitur vite më parë si panairi i pranverës për librin, ide e të ndjerit Ardian Klosi, refuzuar nga qeveria paraardhëse, rivjen i shtuar në ide, edhe për biznesin e librit. Ndërsa pak ditë më parë, Kumbaro refuzoi mbështetjen e panairit tradicional të nëntorit, që na lind dilemën: A janë botuesit përsëri të përçarë nga politika?!

Kronika e djeshme e kulturës ka pasur si “ngjarje të madhe” prezantimin e Festivalit të Librit dhe Artit, që do të mbahet më 23 prill, në Ditën Ndërkombëtare të Librit, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Organizatorët, Shoqëria e Librit Shqip, për t’i dhënë rëndësi të veçantë e quajnë “një aktivitet me përmasa nga më të mëdhatë deri tani”, duke përfshirë dy fusha: botimet dhe artet pamore. Synimi: ta marrin vesh këtë lajm sa më shumë njerëz, që ta vizitojnë “festivalin”… Konkretisht, për librin, as më shumë e as më pak, ky është një panair ku do të marrin pjesë disa botues, nëse nuk i shkojnë mbrapa krenarisë së tyre, siç po bëjnë disa të tjerë. Deri tani janë konfirmuar 45 botues dhe kostoja e stendave është sipas nivelit ekonomik që ka realiteti sot, 30 deri në 40 euro maksimumi. Këto informacione për fushën e saj i dha botuesja Arlinda Dudaj, e cila paraqiti, dje, këtë veprimtari në cilësinë e kryetares së zgjedhur së SHLSH-së. Dudaj është kthyer në retrospektivë, duke thënë se bëhet fjalë për të njëjtën ide, madje janë ato që po vihen në jetë, që pati përkthyesi dhe publicisti Ardian Klosi. Krijuar dy vite më parë, historia e kësaj shoqërie dihet në përpjekjen për të krijuar panairin e librit në pranverë, por që nuk u mbështet nga qeveria paraardhëse. U hap debat në media për këtë “përpjekje”. Pasoja ishte përçarja mes botuesve derisa u mbyll si histori, duke u pajtuar me të vetmin panair të librit, atë tradicional, organizuar çdo fillim nëntori nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Në fakt, përçarja ishte më shumë false, ndoshta dhe anë politike, pasi të njëjtët botues do të ishin gati, madje dhe “të lumtur”, të merrnin pjesë në çfarëdo panairi për të bërë biznes me librat. Megjithatë, Dudaj ka pranuar të thotë se ishte kohë e vështirë, pasi mungonte totalisht mbështetja politike. Ndaj, në kujtim të të ndjerit Ardian Klosi, të ideve që ai la për këtë aktivitet, botuesja e pa të arsyeshme ta “rilindte” projektin.
Atij, që refuzoi qeveria e djathtë, i jep të drejtën qeveria e majtë – me ndryshimin kardinal. Pak ditë më parë, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, nuk i dha asnjë mbështetje financiare SHBSH-së (Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, me kryetar Petrit Ymerin), duke e kaluar këtë “ndihmë” në mbështetje për SHLSH-në (Shoqëria e Librit Shqip, me kryetare Arlinda Dudajn).
Pak të ngatërruara këto “sh”-të e librave, por Dudaj ka thënë se ndryshimi i konceptit nga panair në festival libri ia diktuan koncepti, ndryshimi i ideve dhe përmasa e aktivitetit. Me këtë arsye, sipas kryetares së SHLSH-së, erdhi edhe mbështetja për herë të parë nga Ministria e Kulturës.
Megjithatë, ne këmbëngulëm në pyetjen tonë se kjo po tingëllon si çështje politike, duke parë refuzimin në të kaluarën dhe miratimin e tanishëm të këtij projekti?!
Dudaj u përgjigj: “Nuk do doja ta lidhja me politikën, po të flasim për festivalin, por është e vërtetë që kemi dashur të bëjmë një gjë tjetër alternative. Sigurisht, duke qenë ideja e Klosit, jona, ishte e vështirë… Pse jo, nuk është ndonjë gjë që duhet mbajtur, ne patëm një ndryshim që na lejoi të shprehemi. Nuk është e vërteta për politikën, por që është fakt mbështetja pasi jemi bërë më shumë së bashku, më shumë aktivitete. Ashtu siç e shpjegova, është diçka krejt ndryshe nga çdo gjë që është bërë deri tani, nuk ka pasur ndonjëherë të ngjashëm me këtë veprimtari. Është një gjë e re që lindi tani, për fat u pranua, u pëlqye”. Nuk pranon Dudaj, siç pritej, as t’i konsideronte përçarje mes botuesve sjelljet që ato kanë pasur mes vetes, botuesve, duke iu referuar përgjigjes së ftesës për këtë panair (festival), ku plot enigmë ka veçuar: “Janë vetëm dy shtëpi botuese prej të cilave nuk kemi marrë përgjigje. Pavarësisht se unë vetë jam deklaruar se do jem e pranishme në çdo panair, kam dashur gjithmonë të jem e pranishme në çdo ngjarje të librit”.
Kështu ka treguar se janë ftuar të gjithë botuesit shqiptarë, të Kosovës, të Maqedonisë pa asnjë përjashtim dhe: “Jam shumë e lumtur t’ju them se botuesit e mirëpritën ftesën tonë dhe pranuan të marrin pjesë”, – tha Dudaj. Meqë ishte para mediave, kryetarja e SHLSH-së tha se ka pasur takim personal me secilin botues, e megjithatë i ftoi përsëri duke u çuar sinjal edhe atyre që s’i janë përgjigjur ende thirrjes së saj!
Se si do të bëhet ky panair, është si pjesa tjetër e aktiviteteve: forume letërsie, takime autorësh… duke tërhequr vëmendjen se promovimet do të jenë falas në mjediset e Muzeut! Në këtë frymë, Dudaj ka përmendur se edhe koston e stendave, se janë nga më të ulëtat në këto ditë jo aq të lehta për botuesin shqiptar (si botuese duke ja kuptuar krizën!).
“Kjo do të thotë se synojmë ta bëjmë këtë aktivitetin tonë gjithëpërfshirës dhe transparent…”, – thotë Arlinda.
Po nuk e pati këtë lloj transparencë Dudaj, kur e pyetëm për financimin e projektit të Festivalit nga Ministria e Kulturës. Ajo tha: “Nuk mund të jap përgjigje konkrete, pasi akoma nuk kemi firmosur kontratën, dimë se është shpallur projekt fitues, por nuk e di…”
Por, nga pjesëmarrësit në aplikime projektesh pranë Ministrisë kemi mësuar se ditën e premte ata kanë marrë një përgjigje, bashkë me kontratat, sa janë financuar dhe nuk besojmë se bënte përjashtim projekti i SHLSH-së, siç pohon Dudaj. Megjithatë, po shkruajmë përgjigjen e saj për këtë: “Nuk e kemi ende shumën, pasi do ta dimë në çastin që do nënshkruajmë kontratën”.
Meqë jemi te festivali i librit, kryetarja e SHLSH-së tha se për autorin e vitit do të jepet një çmim me emrin “Ardian Klosi”, për të cilin do të ngrihet një juri. Megjithëse në letrën për mediat shkruhej arsyeja që thamë më lart për çmimin “Ardian Klosi”, Dudaj dha një përgjigje tjetër për pyetjen tonë se me çfarë motivi do të jepej vlerësimi.
“Mendoj se do të jetë për publicistikën. Është autor viti për publicistikën, të paktën për këtë vit, vitin tjetër mund të mendohet ndryshe”. Diku në radhët e fundit të sallës së bibliotekës në Galeri të Arteve, në heshtje po ndiqte Atalanta Pasko, e bija e Mitrush Kutelit. Dihen përpjekjet e saj për të mbajtur në këmbë botimet me emrin e Kutelit, sa e injoruar ka qenë prej financimeve dhe shtetit. Ndërsa është një nga brilantët e letërsisë shqipe, gojëmbushur mund të thuhet edhe për publicistikën. Në këtë paralele Shoqëria e Librit Shqip mund ta nderonte përkthyesin dhe publicistin, po t’i linin emrin në krye të organizimit të tyre (meqë ishte ide, e vunë në praktikë idetë e Klosit), por në një realitet letrar do ta refuzonte edhe vetë i ndjeri para kolosëve të trashëguar.
Ne jemi dakord deri te publicistika me këtë emër, – reagojmë. Dudaj përgjigjet: “Gjithsecili ka mendimin e vet!”
Ndërsa zgjatimi tjetër i festivalit është edhe i artit pamor. Për këtë anë, është përgjigjur Vladimir Myrtezai, ndër të vetmit të angazhuar në prezantimin e artistëve në një nga mediat e përditshme, nëse do ta konsideronim njëfarë kritike të arteve pamore (ndonëse nuk ngjan e tillë).
Myrtezai ka paraqitur strukturën e organizimit duke iu referuar “panairit” të galerive të artit, që rrotullohen në skenën kulturore të arteve pamore në Shqipëri dhe Kosovë. Në kontekstin e tyre është edhe gjenerimi tjetër i çmimit në artet pamore, me emrin “Danish Jukniu”, në simbolikën e keqkuptimit me kohën, me historinë e misionit të artit: e kursyer, e heshtur, e vetëkryer. Slogani është “paMUR”. Myrtezai ka shpjeguar se kjo ide nisi nga një bisedë tavoline për të krijuar një art pa mur, prej së cilës ka ngritur neologjizmin e fjalës, si lexim të parë: pa mure, pa kufij a konvencione krijojnë ndasi të panevojshme.
“Strategjia e këtij takimi multimedial në tërësi, mes librit, arteve pamore dhe disa ndërhyrjeve të muzikuara nga performues të ftuar krijojnë ngrehinën e përbashkët të një ngjarjeje kulturore në favor të kulturës”, – shkruan Myrtezai në letrën e gatshme për mediat.
Skema është: një galeri arti, një autor. Një listë galerish nga kryeqyteti, “korente artistike që janë rrotull do të kenë mundësinë të shfaqen në qendër të Tiranës, në një mjedis të përbashkët që do të jetë një situatë alternative”, – thotë Myrtezai. E në këtë kontekst shkon më tej: në galeri prezantohet një strukturë apo një njollë.
“Kam shkruar disa rreshta mbi këtë keqkuptim të arteve pamore, do të ndërtojmë strukturë që të kenë mundësi të shfaqen; disa shkrime që këto shtresa të vijnë të konkurrojnë dhe të bëhen elementë tregu. Kjo është tendenca”. Myrtezai thotë se nga galeritë që iu bë ftesa, ka marrë përgjigje pozitive duke besuar “se do të bëjmë një njollë interesante”!
Kompleksiteti se u duhet të përdorin (meqë janë të zanatit) gjuhën e artit pamor, e lejon Myrtezain t’i quajë këto prezantime si një “trend bashkëkohor”.
Secila galeri një orë për të prezantuar autorin e tij. Kaq ishte situata. Por, si duket ka shfaqur më hapur se Dudaj “skemën” financiare të festivalit, duke thënë se janë në pritje të realizimit të kësaj “situate” (artistike), nëse do të kenë mbështetjen e partnerëve të tjerë, d.m.th. përveç Ministrisë. Pyetur nëse i janë drejtuar me këtë projekt programit për kulturën të dhënë me aq bujë nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, përgjigjja ka qenë: Nuk na mjaftoi koha të aplikojmë për festivalin, pasi përgatitja u bë në kohë rekord. Do shohim vitin tjetër! Kështu realizohet qoftë ëndrra e publicistit Ardian Klosi për një panair libri të pranverës, ashtu edhe leximi i qartë i politikës, se nga anon ajo kur ndërrohen pushtetet!/standard

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…