Skip to main content

Tetova News

Çfarë ka thënë V. Hygoi për J. De Radën?



Nga Dashnor Kokonozi

As që mund te mendohet  një vend tjetër me i papërshtatshëm se një arkipelag ishujsh të humbur të Atlantikut në Ngushticën e Manshes, ku mund ti jepet fund enigmës së opinioneve të V. Hygoit për Jeronim de Radën. Po kështu është. Përgjigjen përfundimtare e gjetëm aty.
Kësaj çështjeje, që është trajtuar nga shumë kërkues për gati njëqind e gjashtëdhjetë vjet, kisha patur rastin t’i kushtoja disa artikuj radhazi në shtypin e Tiranës të viteve ’80-të, ku me gjendjen e atëhershme të dokumenteve, m’u krijua përshtypja se nuk kishin mbetur më shumë gjëra për të thënë. Por e vërteta ishte se ende nuk ishte prekur fundi i problemit, meqenëse kërkimet në arkiva kishin sjellë kryesisht prova të tërthorta: pra, dihej pak a shumë se çfarë kishte thënën V. Hygoi, por mbetej pa zgjidhje përfundimtare mënyra me të cilën ai kishte marrë dijeni për veprën poetike të arbëreshit të madh. Dhe deri sa nuk kishte prova për një gjë të tillë, gjithçka mund të shihej edhe si një lloj spekulimi që bëhej me emrin një autori të tillë gjigand.
Ishujt Anglo-Normandë ndodhen midis Anglisë dhe Francës, madje shumë më pranë Francës, edhe pse ato i përkasin Mbretërisë së Bashkuar dhe përbëjnë skajin e saj më jugor. Në vështrim praktik, për qytetarët e kontinentit kjo do të thotë se kur u duhet të marrin avionin apo tragetin për të shkuar aty, me vete ata duhet të kenë edhe letrat e njoftimit, se hyjnë në territore angleze.
Eshtë e njohur, se pas një qëndrimi në Belgjikë, menjëherë pas ardhjes në fuqi të Napolonit III-të, legjitimitetin e të cilit nuk e pranoi për asnjë çast, V. Hygoi, më 1856 do të zhvendoset në Arkipelagun Anglo-Normand, ku do të kalojë edhe 15 vjet të ekzilit të tij politik. Në Saint-Pierre-Port të ishullit Guernesey ai, me fitimet që i kishte sjellë suksesi i bujshëm i “Vegimeve”, do të blejë një shtëpi me tre kate, që edhe sot mbetet më e famshmja e ishullit e që njihet me emrin, Hauteville-House. Vizitor i rregullt e pasionant i dyqaneve të antikuarëve, Hygoi do të bëjë punime të mëdha në të e do ta pajisë me mobilje e sende të rralla të një bukurie të tillë që do ta shtyjnë më pas nipin e poetit, Sharl Hygonë, të thotë se ajo shtëpi është një autograf në tre kate dhe një poemë me shumë dhoma. Shtëpia prej kohësh është blerë dhe ndodhet nën kujdesin e bashkisë së Parisit. Dhe arsyet janë të shumta. Në të Hygoi do të shkruajë disa nga kryeveprat e letërsisë botërore si romanet Të Mjerët, Njeriu që qesh dhe vepra të tjera të njohura si romanin Punëtorët e detit, vëllimin me poema Ndëshkimet (te ky i fundit zbrazte inatin ndaj Napolonit të Tretë) etj.
Në katin e parë të shtëpisë ndodhen dy sallone, më lart gjendet një dhomë e përgatitur për mikun e tij Xh. Garibaldi (në të vërtetë ai nuk mundi të bujë asnjë natë aty) dhe në të tretin, (në të dytin sipas renditjes franceze) ndodhet kabineti e dhoma e Hygoit si edhe biblioteka e tij. Pikërisht, për të kuptuar thelbit e zbulimit të një libri të De Radës në këtë bibliotekë, është e nevojshme të rendisim disa të dhënë rreth kërkimeve të deritanishme të marrëdhënieve midis De Radës dhe V. Hygoit.
Janë të njohura dhe të cituara shpesh herë gjykimet pozitive ndaj veprës së De Radës që kanë shprehur Lamartini, Mistrali (çmim Nobel 1904), Bukholci, K. Haserti e plot të tjerë, por që më 1840 në artikuj studimorë dhe monografi kushtuar De Radës, është folur edhe për vlerësime tepër të larta që ka shprehur për të edhe V. Hygoi. Ndokush, si biografi i njohur i De Radës, Mikel Markianoi në librin e tij “Vepra e J. de Radës” shkruan se Hygoi është shprehur rreth karakterit romantik që përshkon “Këngët e Milosaos”, por ai nuk jep asnjë burim për të mbështetur këto thënie.
Kërkime të gjata dhe me synime të qarta për të hedhur dritë në këtë çështje ndërmerr edhe një biograf tjetër i De Radës, Viktor Gualtieri. I vetëdijshëm për çka bënte, ai në librin që i kushton jetës dhe veprës së De Radës shkruan: “Ka rëndësi të jashtëzakonshme për ne, po të ketë me të vërtetë ndonjë gjykim të Hygoit për De Radën”. Ai në të vërtetë, u afrohet disa gjurmëve, por nuk i beson ato dhe përfundimisht e përjashton mundësinë që Hygoi të ketë folur për de Radën.
Sidoqoftë, Gualtieri sqaron se i pari që është marrë me këtë çështje ka qenë prof. Francesko Mango, i cili kur ishte mjaft i ri shkruan në një fletore të Kozencës se Hygoi e ka cilësuar “Milosaon”, përmbushje të poezisë romantike moderne dhe ka thënë se: poezitë tuaja janë monumentet e atdheut tuaj. Në të vërtetë më pas do të shpjegohet se Hygoit i njihet edhe shprehja: «Kush dëshiron të shohë plotësimin e poezisë romantike moderne, të lexojë “Këngët e Milosaos” të zotëri Jeronim de Radës».
E çuditshme është se F. Mango, që artikullin në fjalë e kishte shkruar kur ishte nja gjashtëmbëdhjetë vjeç, nuk ngurron ta fusë në një përmbledhje të studimeve me të mira që botoi kur ishte një profesor me emër. Por megjithë këtë, Gualtieri mbetet shume dyshues ndaj tij. Ai madje thotë se po të kishte qenë e vërtetë një gjë e tille, De Rada do ta kishte përmendur në Autobiologjinë e tij këtë fakt që ai e cilëson, shumë të rëndësishëm. Për ne ky fakt nuk flet edhe aq shumë, sepse edhe për letrën e A. Lamartinit (që gjendet edhe sot në Arkivin e Shtetit në Tiranë), De Rada pothuaj nuk flet fare në jetëshkrimin e tij.
Megjithatë, për Gualtierin, kjo qe e mjaftueshme për të hequr dorë nga kërkimi i mëtejshëm në këtë fushë. Mbase gjithçka ai e kishte marrë si një lloj abuzimi i gazetave provinciale të jugut të Italisë.
Kjo ishte gjendja e kërkimeve, kur diku aty nga mesi i viteve ’80 , duke kërkuar në Arkivin e Shtetit, ramë në një letër të Vincens Dorsës që mban numrin 307 e që gjendet në dosjen 54/1. Letra i është dërguar vetë De Radës më 1 gusht 1844 dhe në të Dorsa i drejtohet atij duke thënë se “është një poet origjinal dhe madhështor, që dikur e ka nderuar edhe V. Hugoi”. Nëpërmjet jush, vazhdon Dorsa, Hygoi ka nderuar atdheun tonë. Më pas ai shton se kjo e ka entuziazmuar së tepërmi dhe se tani edhe ai ka vendosur t’i kushtohet çështjes së Shqipërisë dhe së pari do të botojë një fjalor ekleziastik të gjuhës shqipe. Për ne ka rëndësi të dihet se një fakt të tillë Dorsa e ka mësuar gjatë një qëndrimi të shkurtër në Napoli, kur po kthehej nga Roma. Dhe ndryshe nga sa është shprehur ndokush, këtu nuk ka asnjë mundësi që ai të ngatërrojë shprehjet e Hygosë me ato të Lamartinit, sepse ky i fundit do të vijë në Napoli gati një muaj më vonë pasi është shkruar kjo letër, pra në shtator 1844, kur gjatë pushimeve në ishullin e Iskias do të shkruajë letrën e famshme për De Radën ku, midis të tjerash, i thotë se poezia ka lindur në brigjet tuaja dhe aty duhet të kthehet...
Këtu duket të qartësojmë se po të mos qe ruajtur dorëshkrimi origjinal i letrës së Lamartinit, ne sot as që do të dinim se çfarë ka thënë ai ose në rastin më të mirë do të njihnim vetëm jehonën që ajo do të ketë bërë në qarqet intelektuale e artistike të kohës. Kështu ka ndodhur që në mungesë të origjinalit të letrës së Hygoit, ne sot në ka mbetur fiksimi i saj në punimet e publicistëve të kohës, siç qe rasti i prof. F. Mangos.
Po si ka ndodhur që librat e De Radës kanë rënë në duart e V. Hygoit? Ndonëse midis bibliotekave që në atë kohë kishin nisur të bëheshin shkëmbime të ndryshme, kjo nuk qëndron si mundësi për rastin tonë. Mbetet pothuaj e sigurtë se De Rada ia ka dërguar vetë librat e tij Hygoit. Në mbështetje të kësaj ideja na vijnë dosjet e pasura të De Radës në Arkivin e Shtetit, ku kemi ndeshur në një letër të Mikel de Radës, babait të poetit, që i përket janarit 1840. Në të, nga Makja e tij famullitari plak i shkruan të birit që gjendej në Napoli: Mbasi të botosh Odet shqiptare (Këngët e Serafina Topisë), mos e kurse ndonjë karlinë ( monedhe e kohës e Mbretërisë së Dy Siçelive), dhe dërgoi një kopje Viktor Hygosë”.
A kanë mbërritur librat në duart e V. Hygoit? Për këtë ka dy prova të tjera, njëra më e saktë se tjetra. Së pari na e mbështet një letër që publicisti G. C. Camet i dërgon De Radës në maj 1848, në të cilën ai thotë se nuk po bënte gjë tjetër veçse po përsëriste fjalët e tre burrave të shquar e me autoritet të padyshimtë si V. Hygo, A. de Lamartin e A. Dymas, të cilët ju kanë njohur që më 1840 dhe m’i kanë lavdëruar më se një herë poemat tuaja shqiptare (Tërthorazi kuptohet se De Rada nuk ka harxhuar vetëm një karlinë).
Prova tjetër, e cila u bë shkas ti kthehemi edhe një herë këtij problemi, ndodhet brenda vetë bibliotekës së V. Hygoit, në Hauteville-House të qytetit Saint-Pierre-Port të ishullit Guernesey të Arkipelagut Anglo-Normand. Pikërisht aty, me numër reference It/ICCU/LO1/036065 gjendet prej një shekulli e gjysmë libri Rapsodie d’un poema albanese racolte nelle colonie del napoletano tradote da Girolam De Rada.
Për më tepër, në skedën e tij ka një shënim që të lë të kuptosh se Hygoi i është përgjigjur autorit arbëresh.
Prania e këtij libri në bibliotekën personale të V. Hygoit vjen si një provë e rëndësishme materiale (e vetmja deri tani) se poeti gjenial i Legjendës së Shekujve ka qenë në dijeni e ka vlerësuar sinqerisht krijimtarinë e poetit të parë modern shqiptar, e atij që diti që në ëndrrat dhe vargjet e tij të ndërtojë virtualisht një atdhe madhështor, ashtu sikundër ai nuk ekzistonte në realitet. 

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…