Skip to main content

Tetova News

Ditëlindja e Andersenit të përrallave

Sot është Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë, e simbolizuar me ditën e lindjes së Andersenit. Dje, botuesja e “Toenës”, Irena Toçi, ka ngritur zërin, duke thënë se letërsia për fëmijë është e pushtuar nga përkthimet, ndërsa mungojnë autorët shqiptarë



Përrallat e tij janë krijimet më të bukura e më të lexuara të letërsisë botërore për fëmijë në shekullin XIX. Ato janë përkthyer e botuar në më shumë se 100 gjuhë. Në njërën nga këto përralla gjejmë një sintezë të shkëlqyer alegorike të jetës së tij: Na ishte njëherë një rosak i vogël, i shëmtuar e i ndryshëm nga të tjerët. Të gjithë e shanin dhe e përbuznin, prandaj dhe ai e ndiente veten aq fatkeq. Dhe kështu vazhdoi gjersa një ditë prej ditësh, befas e kuptoi se qe bërë mjellmë e bukur. Anderseni lindi në një qytet të vogël të Danimarkës, në Odensë, që ndodhet në ishullin Fyn, në familjen e një këpucari të varfër. E ëma, rrobalarëse. Shkollën thuajse nuk e ndoqi fare. Qe djalë i çuditshëm, aspak i pashëm, i cili ëndërronte e lexonte shumë. I vdes i ati duke e lënë familjen në gjendje të varfër ekonomikisht. Djali lë shkollën e zë punë në një fabrikë stofrash. Në moshën 14-vjeçare largohet e shkon në Kopenhagen. Provoi në qytetin e madh të futej si aktor në balet, në kor, por kudo provincialin e nxorën të paaftë. Mësoi vjersha përmendësh dhe i recitonte nëpër kafene, në rrugë. Në moshën 16-vjeçare paraqiti një tragjedi; nuk ia pranuan. Atëherë hyn në punë si zdrukthëtar. Por në Kopenhagen ai u njoh me Jonas Collins, drejtor i Teatrit Mbretëror, miqësinë e të cilit e ruajti gjatë gjithë jetës. Me ndihmën e tij fiton bursë studimi e hyn në klasën e dytë gjimnaz. Nxënësit 12-vjeçarë të klasës talleshin me djaloshin 18-vjeçar. Mbaroi gjimnazin “shkëlqyeshëm” dhe përsëri me ndihmën e Collinist hyri në universitet. Mori titullin shkencor “Kandidat filozofie”. Gjatë kohës së studimeve shkruante vodëvile, vjersha humoristike etj., që të jetonte .Më së fundi arriti të shfaqte dramën e tij të parë dhe iu duk se kishte prekur qiellin me dorë. Gjithë jetën ashtu mbeti: një fëmijë i madh që entuziazmohej lehtë, por që prekej ende më lehtë; madje edhe kur ishte në kulmin e famës, mjaftonin vërejtjet e ndonjë kritiku pa vlerë që Anderseni të vuante aq shumë. Shkroi një sërë veprash. Romani “Improvizator”(1835), i pari dhe më i suksesshmi nga gjashtë romanet autobiografike, e bëri të njohur edhe jashtë Danimarkës. Ishte historia e fatit të një poeti italian të dalë nga populli, tragjedia e artistit në shoqërinë ku marrëdhëniet njerëzore janë nën pushtetin e interesit dhe të paragjykimeve. Sapo fitoi honorarin e parë, Anderseni që tani s’ishte më “rosaku i shëmtuar”, po “mjellmë e bukur”, nisi të udhëtonte nëpër Evropë. Gjersa vdiq, ai s’pati një vend të përhershëm banimi, një shtëpi në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale. Asnjëherë s’u martua, por që vazhdimisht në lëvizje nga njëri vend në tjetrin. U njoh e pati miqësi me Balzakun, Dikensin, Dymanë, Hajnen, Vagnerin, Shumanin, Mendelsonin, Rosinin, Listin dhe, siç i pëlqente të shprehej, shkëlqimi i mendjes dhe i shpirtit të këtyre njerëzve të shquar e mbushte edhe atë plot forcë e freski. Shkroi shumë drama, romane, shënime udhëtimi, poezi. Por, siç thotë një kritik, nëse romani “Improvizatori” e bëri Andersenin të famshëm, ishin përrallat ato që e bënë të pavdekshëm. U deshën të kalonin 10 vjet që ai vetë ta kuptonte këtë. Përrallën si formë artistike ai e zbuloi thuajse rastësisht. I ndodhte shpesh të sajonte, të improvizonte histori të çuditshme e fantastike për t’ua treguar fëmijëve. Më pas, në kohën e lirë, i hidhte në letër si për t’u zbavitur, por ato e bënë të madh. Përrallat e tij (1835) – Botimi i tyre nisi më 1835. Tri vëllime: “Përralla për fëmijë” (1835 – 1837), “Përralla të reja” (1845 – 48) dhe “Histori” (1852- 53). Nga viti 1835 – 72 botoi gjithsej 168 përralla. Këto mund të ndahen me disa grupe: I. Përrallat e para, si “Çakamaku”, “Klau i madh dhe Klausi i vogël” etj., e kishin zanafillën te përrallat popullore, të dëgjuara qysh në fëmijëri. Por të tilla shkroi edhe më vonë (“Mjellmat e egra”, “Sirena e vogël” etj). Këto janë përralla romantike. II. Përrallat që janë krijime të mirëfillta, shpesh transkriptime ndodhish reale të jetës daneze (“Hdger Danezi” etj.) Nganjëherë, – thotë autori, – më duket sikur çdo lule e vogël më thotë; Vështromë vëtem për një çast dhe historia ime do të hyje te ti… ” Dhe me tutje: “Në fillim më vjen një ide për të rriturit dhe pastaj nis të rrëfej një histori për fëmijë, por pa harruar asnjëherë se edhe babai me nënën janë duke dëgjuar dhe se edhe atyre u duhet dhënë diçka për të menduar. Pra, përrallat më të mira të Andersenit, ku gjejmë moral, po kurrë moralizim, janë njëlloj interesante si për fëmijët, ashtu edhe për të rriturit. Fëmijët i tërheq subjekti, kurse të rriturit domethënia, mendimi që fshihet thellë në to. III. Përralla të jetuara në jetën e autorit ( “Rosaku i vogël i shëmtuar”, “Bredhi” etj.). IV. Ekziston një nëngrup tjetër i vogël përrallash me motive të huajtura nga burimet letrare, si p.sh. “Rrobat e reja të mbretit”, për të cilën ka shfrytëzuar një burim të tillë Spanja. Por edhe ato mund të konsiderohen si krijime origjinale të mjeshtrit danez. Ç’gjë i bën përrallat e Andersenit të zënë një vend nderi në mes të krijimeve me të mira botërore? Anderseni nuk ishte një mbledhës i përrallave, si vëllezërit Grimm, as një përrallëtar i tipit romantik, që e krijonte përrallën si shmangie nga realiteti. Ai i ngrinte përrallat e tij mbi realitetin ekzistues. Në të jepen sinteza të anëve më thelbësore të kohës së vet. Siç thotë një studiues i tij, ai i kishte këmbët të mbështetura fort në truallin e Danimarkës, edhe atëherë kur koka i dilte sipër, mbi re. Veçori artistike të përrallave të tij: 1. Uniteti i ngushtë i dy planeve të narracionit: atij fantastik (alegorik) dhe atij real. Në vitet ’50 te Anderseni u thellua karakteri realist i artit. Përralla, sipas tij, duhet të sjellë edhe kënaqësi, edhe dobi. Thelbi i saj përmblidhet jo në fjalët, por në domethënien e brendshme të fshehur. 2. Natyra është mjet i personifikimit, i tipareve të shoqërisë së kohës së tij. Gjithë ata që e patën njohur Andersenin, vënë në dukje se ai gjer në fund të jetës mbeti një fëmijë i madh, ruajti atë shikimin e freskët fëminor të botës, të natyrës. Natyra zë vend të rëndësishëm pothuajse në të gjitha përrallat e tij. Ajo është gjithnjë në sfond, shoqëron heronjtë, ndikon mbi ta, amplifikon botën e tyre të brendshme, bëmat e tyre. 3. Nën maskën e sendeve apo të kafshëve arrihet një efekt i madh satirik e ironizues. Dhe satira e tij është mjaft e guximshme. Çdo send, – thoshte ai, – duhet ta quajmë me emrin e vërtetë; dhe në qoftë se kjo është e rrezikshme në jetë, atëherë ajo duhet bëre së paku në përrallë. Tek Anderseni kemi artistin demokrat në evoluim të vazhdueshëm. Në fillim kritikoi prapambetjen feudale, por besonte te monarku i mirë. Lëvizjet e medha shoqërore në Danimarkë dhe fitorja e kapitalizmit e bënë atë që të evoluonte. Në periudhën e parë, pra, kritikonte feudalizmin aristokratik (“Rrobat e reja të mbretit”, “Princesha mbi bizele”), kurse më pas kritika e tij përfshin edhe borgjezinë (“Hija”). Anderseni ishte poet i të varfërve, paçka se edhe mbretërit e quanin për nder të shtrëngonin dorën e tij të thatë, siç thotë një nga shkrimtarët e shumtë të dashuruar pas tij.
Eriselda Dyrmishi
Standard

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…