Skip to main content

Tetova News

“Djella” – një ftesë për ta (ri)lexuar

Aristea Kola

Romani “Djella” i Martin Camajt, botuar në 1958, është romani i parë i këtij autori. Për letërsinë shqipe trajta romanore e kësaj vepre përbën një prurje specifike. Poetika e këtij romani, po ashtu, mbase është një ndër shembujt e rrallë të letërsisë shqipe. Vetë E. Koliqi, në parathënien e librit, shpreh dilemën për përcaktimin gjinor të kësaj proze, duke thënë: “Romanx apo dituer poetik?”. Pra, Camaj, duke i lënë pas konvencionet, përqendrohet në krijimin e një vepre sa origjinale aq edhe me natyrë kompozicionale të veçantë


Romani “Djella” i Martin Camajt, botuar në 1958, është romani i parë i këtij autori. Për letërsinë shqipe trajta romanore e kësaj vepre përbën një prurje specifike. Poetika e këtij romani, po ashtu, mbase është një ndër shembujt e rrallë të letërsisë shqipe. Vetë E. Koliqi, në parathënien e librit, shpreh dilemën për përcaktimin gjinor të kësaj proze, duke thënë: “Romanx apo dituer poetik?”. Pra, Camaj, duke i lënë pas konvencionet, përqendrohet në krijimin e një vepre sa origjinale aq edhe me natyrë kompozicionale të veçantë. Kështu, ky roman, ndryshe nga tradita, shoqërohet në çdo mbyllje kapitulli me një poezi. Por, edhe lënda prozaike në përgjithësi është shumë poetike. Kjo zgjidhje autoriale, na rezulton si një eksperiment letrar; megjithatë edhe kontributi i vijueshëm i Camajt në poezi është një e dhënë bazike. Kemi, në këtë kuptim, poetin që për herë të parë provon gjininë e prozës, por duke mos u ndjerë shumë në “këmishën” e tij, sjell përftime të reja me njësi ndërtuese poezinë.
Në romanin “Djella”, trajtohen një sërë raportesh mes personazheve: raporte me theksa socialë, me individin, me mjedisin, me kulturën a formimin, me autoreferencialitetin e autorit etj.
Protagonisti i këtij romani, Bardhi, na kujton vetë Camajn, pasi hetojmë disa ngjashmëri në marrëdhënien e tyre autor-protagonist. Kjo dëshmohet në faktin se, pas shkollimit, Camaj (sikundër Bardhi) ishte mësues në zona të thella të Shkodrës. Kurse protagonisti i veprës, është mësues në Ndërsanë. Po këtu, mes emërtimit të fshatit Ndërsanë (Ndër-sanë) dhe Temalit (Tej-mal) që është vendlindja e Camajt ka një lidhje, që mbase rezulton kuptimplotë. Vetë emrat e dy fshatrave lidhen mes dy gjymtyrëve kuptimplotë (një parafjalë ndër ose ndajfolje tej së bashku me një emër sanëmal). Vetë Bardhi, është poet po ashtu si Camaj. Por në rrugën e poezisë Bardhi, mbërrin në mënyrë të rastësishme. Dhe rastësia lidhet me figurën e një femre, e cila mban titullin e romanit. Refuzimi që i bën Djella, e shtyn atë të shkruajë vargje. Përveç krijimtarisë poetike, për nga aspekti teknik i rrëfimit dhe trajtës së veprës, siç pohonte Koliqi, protagonisti shkruan ditarin e tij. Me një fjalë, ngjan se poezitë e Bardhit janë të shkruara në ditar.
Gjatë romanit, vihen re tendenca instinktuale të Bardhit për disa portrete të femrave, fillimisht me Djellën. Ethja e Bardhit për Djellën, hetohet përmes një simboli mjaft domethënës. Situata është e vendosur afër një pusi, ku gjenden Bardhi dhe Djella. Këtu pusi, mund të shihet si akumulim i energjive të thella dhe të errëta, ngaqë vetë pusi cilësohet për thellësi dhe errësirë. Por në një tjetër krah, uji i pusit simbolizon shuarjen e etjes (=shfryrjen e energjisë seksuale). Pusi në këtë pikë personifikon Djellën. Edhe pse Bardhi pi ujë nga ky pus, ai nuk arrin ta shuajë etjen (nuk arrin qëllimin final – Djellën). Pra Djella e refuzon dhe atëherë kjo energji e mbledhur del jashtë kontrollit, saqë Bardhi e shtyn dhe e rrëzon përtokë atë. Etja Bardhit do t’i shuhej vetëm nëse Djella do ta pranonte. Ndonëse i refuzuar, Bardhi, tenton sërish për realizimin e qëllimit të tij, sepse vrullet e instinktit i zgjohen rishtazi. Përfundimisht Djella për Bardhin, është mollë e paarritshme. Dëshirat e shtypura në qenien e Bardhit, kuptohet janë të shumta. Po pyetjes nëse qasja e Bardhit ndaj Djellës, është dashuri apo dëshirë, të cilën e shtron edhe Koliqi në parathënie “e don ase e lakmon Djellen?” – mund t’i përgjigjemi, se ajo është më tepër dëshirë seksuale, nga sa na ofrojnë kontekstet e veprës. Po kështu ndodh me Sosen. Ndryshe nga Djella, Sosja ia plotëson dëshirat e tij seksuale, duke e kthyer Bardhin në një qenie primitive – në atë çka Marcuse e quan njeriu-kafshë. Ky kontakt me Sosen, realisht, e bën të vetëdijshëm për stadin e tij të qytetërimit. E gjithë kjo trysni impulsesh, tundimesh, mosrealizimesh e gjen prehjen vetëm në poezi, për Bardhin.
Personazhi tjetër i Camajt, siç e përmendem më lart, është Djella; një vajzë katundi, ende pa e marrë formën e plotë të femrës së pjekur na shfaqet me disa hire femërore që tërheqin vëmendjen e Bardhit, Currit e mandej Cubit. Përpos kësaj, Djella nuk ka atë brishtësinë e delikatesën e moshës së saj siç shprehet Bardhi për fizionominë e trupit të saj (vashë me këmbë plot danga e shputa të mëdha të këmbëve). Ajo çka e bën të veçantë figurën e Djellës, është pikërisht shpërfillja e saj ndaj hireve apo defekteve të saj; gjë që vërehet dukshëm prej Bardhit, dhe e bën këtë të fundit të lidhur fort pas saj. Ndërsa si karakter, Djella paraqitet shumë e luhatshme. Përjeton ndjesitë e veta si femër, megjithëse është natyrë përzgjedhëse sa i përket meshkujve. Orientimi më i ekuilibruar i saj në marrëdhënie, jepet me Currin, paçka se kemi raste si ai i Cubit, ku Djella paraqet një çekuilibrim instinktesh, si rezultat i moshës së saj të re e dëshirës për të provuar ndjesi të ndryshme. Vetë Currin, dëshirat e tij epshore për Djellën e çojnë drejt një fataliteti, për shkak të luhatjeve të Djellës. Ky fatalitet sjell si pasojë vdekjen. Nëse për Bardhin, Djella simbolizonte “pusin”, për Currin ajo simbolizon “kënetën” – burim vdekjeprurës (malaria), në të cilën vdes Curri. Personazhi i Currit paraqitet më i palatuar sesa ai i Bardhit. Kemi në këtë rast, një përballje mes të paarsimuarit dhe të arsimuarit. Në sfondin e romanit të Camajt, prania e një figure si ajo e Currit e përmbush më së miri mjedisin rural të veprës. Qasja e Currit ndaj Djellës, nuk paraqitet si ajo e Bardhit (në kuadrin e një aventure), sepse në personazhin e Currit kemi një portret tipik tradicional, edhe pse vrulli mashkullor ngre krye nganjëherë.
Raporti i Bardhit me Currin, na çon edhe në disa tregues të tjerë duke iu referuar gjithmonë marrëdhënies tekst-autor. Tek raporti i këtyre të dyve, fshihet raporti i Camajt me të vëllain, e shprehur disa herë në poezinë e tij. Kjo ide na lind atëherë, kur Camaj (pas figurës së Bardhit) shprehet për vdekjen e Currit: “në Currin befas më doli vëllau që më thoshin se kish vdekë dy vjeç… fshamja e Currit «eh, more vëllá», m’a përforconte përshtypjen që jemi vëllazën… pata në parzëm një hov gjakmarrjeje (për vdekjen e Currit) etj”. Përmes këtyre fjalive ne kuptojmë se në nënvetëdijen e autorit, fshihen gjurmë asociuese për të vëllain. Kuptohet se autori, në disa të dhëna, ka përdorur “maskimin frojdian” duke sajuar raporte jashtëbiografike në momente të caktuara.
Thamë më sipër se raporti i arsimuar dhe i paarsimuar, del mes Bardhit dhe Currit. Bardhi, si person me një formim ndryshe nuk është aq i kujdesshëm për ruajtjen e traditës. Kjo vërehet me elementin e kutisë së duhanit, të cilën e ka kujtim nga i ati por ia dhuron Currit. Përpos kësaj, ai as nuk e pi duhanin dhe nuk di si funksionon kodi i kutisë së duhanit (ky argument lidhet me largimin e Camajn, formimin tjetër, shkollimin etj.). Kurse Curri thoshte: “kjo âsht kuti burrash… kjo mundet me u shkue dorë në dorë pesëdhetë vetëve tu bâ duhan edhe mos me u shterrë, kaq shumë xen… Tue u qitë miqve duhan me këtë kuti nderon tand atë”. Nisur nga ky konstatim, edhe në poezinë e Camajt raporti autor-vëlla është i paraqitur disa herë. Në një rast që, vëllai i madh zinte vendin e të atit si tek poezia “Dy brezni. Ndërsa në roman, raporti i drejtpërdrejtë me të atin dhe Bardhin (Camajn) shikohet në këto pasazhe: “i njoh të gjitha germat po s’mundem me i lidhë si gurt apo tullat në mûr… ke këndue plot libra e storina, por unë kam pá e ndie mâ tepër se ti…”. Këto fjali ilustrojnë një lloj “xhelozie” apo nënvlerësimi për arsimimin e të birit, që simbas të atit e ka çorientuar në lidhje me mbajtjen e traditës dhe i ka zbehur respektimin e kodit të familjes. Fryma perëndimore që Bardhi sjell me vete është në kundërshti me kontekstin social. Pikërisht ky konceptim i ri i tij i çon në keqkuptime hera-herës atë e birë. Por identiteti real i Camajt, që brendësohet në tekst, paraqitet si trashëgues i traditës dhe me dëshirë që të përcjellë traditën ndër breza. Autori e njeh rëndësinë e traditës, nuk e mohon atë, por kërkon që përmes mënyrës së tij t’i përçojë në një rrafsh tjetër vlerat e saj dhe fjalët e prindërve, kryesisht. Kjo i jep një marrëdhënie shpirtërore raportit mes autorit dhe trashëgimisë më shumë sesa formale.
Një detaj tjetër, që del i pranishëm në këtë roman, është aspekti i kujtesës, Bardhi në kohën që kthehet në fshatin e lindjes takon mes të tjerëve Zymberin, një imago që i kujton moshën e fëmijërisë dhe dëshirat e fshehura fëminore. Ky kontakt me retrospektiven e çon në perceptime të reja Bardhin. Dikur Zymberi kishte qenë figurë e rëndësishme në fëmijërinë e tij, e tashmë e shihte në një këndvështrim komik.
Si përfundim mund të themi se Camaj në këtë roman, po ashtu dhe në poezi vazhdimisht, luan shumë me simbolet.
Në kuadrin e simbolikave mund të rendisim disa më domethënëset:
- kroni (“kroni që buron për ne” Bardhi-Shpresës), simbolizon raportin ndërmjet çiftit, dëshirën seksuale, shfrimin e impulseve etj.
- molla, një figurë e përgjithshme me karakter referues femrën; simbolika e mëkatit etj.
- pëllumbi (“pllumb në rrezet e diellit i lamë” Bardhi-Djellës), simbolizon pastërti, bukuri.
- këneta, me një dendësi të lartë në roman si fjalë, simbolizon sëmundje, vdekje, amulli, e kundërta e jetës (uji i rrjedhshëm) etj.
- trandofillet, një figurë-simbol e përgjithshme me karakter referues femrën.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…