Skip to main content

Tetova News

E qeshura e Milan Kunderës

Një ditë Rubensit i ra në dorë një album i vjetër me fotografi të presidentit Xhon Kenedi: që të gjitha foto me ngjyra, të paktën nja pesëdhjetë, dhe tek të gjitha (tek të gjitha, pa përjashtim!) presidenti qeshte. Nuk buzëqeshte, jo, qeshte! Goja ishte e hapur dhe i zbulonte dhëmbët. Këtu s’ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme, sot të tilla janë fotot, por Rubensi mbeti i habitur tek konstatoi se presidenti qeshte në të gjitha fotot, që goja e tij nuk ishte kurrë e mbyllur. Disa ditë më vonë, udhëtoi në Firence. Në këmbë, përparaDavidit të Mikelanxhelos, e përfytyroi këtë fytyrë mermeri po aq të gëzuar sa dhe atë të Kenedit. Davidi, ky model i bukurisë mashkullore, mori papritur pamjen e një budallai. Qysh atëherë e bëri zakon të vinte me fantazi një gojë të qeshur mbi fytyrat e tablove të famshme; ishte një eksperiment interesant: grimasa e së qeshurës ishte e aftë të shkatërronte të gjitha tablotë! Imagjinoni, në vend të buzëqeshjes së mezishquajtshme të Xhokondës, një të qeshur që i zbulon dhëmbët dhe mishrat e tyre!
Ndonëse i mësuar me pinakotekat, të cilave u kushtonte shumicën e kohës, Rubensit iu desh të priste fotot e Kenedit për të kuptuar këtë fakt të thjeshtë: qysh nga Antikiteti e gjer tek Rafaeli, ndoshta gjer tek Ingresi, piktorët dhe skulptorët e mëdhenj e kanë shmangur vizatimin e së qeshurës, madje edhe të buzëqeshjes. Është e vërtetë se fytyrat e statujave etruske janë të gjitha të buzëqeshura, por kjo buzëqeshje s’është një mimikë, një reaksion i sakaqtë ndaj një situate, por është gjendja e vazhdueshme e fytyrës që rrezaton bekimin e përjetshëm. Për skulptorët antikë, njëlloj si për piktorët e periudhave të mëvonshme, bukuria e fytyrës nuk mund të mendohej ndryshe veçse në palëvizshmëri.
Fytyrat nuk e humbisnin palëvizshmërinë, gojët e tyre nuk hapeshin veçse kur piktori mëtonte të kapte të keqen. Qoftë kjo dhe e keqja prej dhembjes : femrat e përkulura mbi kufomën e Jezusit; goja e hapur e një nëne tek Masakra e të pafajshmëve e Pusinit. Qoftë e keqja si ves: Adami dhe Eva e Holbejnit. Eva e ka fytyrën të fryrë dhe përmes gojës gjysmë të hapur i duken dhëmbët që porsa kanë kafshuar mollën. Adami, në anë të saj, është akoma njeriu para mëkatit : fytyrën e ka të qetë, gojën të mbyllur. Tek Alegoria e veseve, të Korrezhit, që të gjithë qeshin! Për të shprehur vesin, piktorit i është dashur të trondisë qetësinë e pafajshme të fytyrave, të zgjatë buzët, të deformojë tiparet përmes së qeshurës. Një personazh i vetëm qesh në këtë tablo : një fëmijë! Por e qeshura e tij nuk është prej lumturisë, të tillë siç e kanë vogëlushët mbi fotot e reklamave për një markë çokollate apo për pelenat. Ky fëmijë qesh sepse është i shthurur!
E qeshura nuk bëhet e pafajshme veçse tek holandezët: tek Bufoni i Halsit, apo tek Bohemja, po e tij. Sepse piktorët holandezë të këtij zhanri janë fotografët e parë; fytyrat që vizatojnë janë përtej bukurisë dhe shëmtisë. Duke ndenjur më gjatë në sallën e holandezëve, Rubensi mendonte për utisten dhe thoshte me vete: utistja s’është model për Frans Halsin; utistja është model i piktorëve të mëdhenj të dikurshëm, që e kërkonin bukurinë në sipërfaqen e palëvizshme të fytyrës. Pastaj disa vizitorë e shtynë: të gjitha pinakotekat e botës ishin plot me turma njerëzish, siç ishin dikur kopshtet zoologjike; turistët e etur për gjëra tërheqëse i vështronin tablotë si të ishin bisha në kafaz. Piktura, mendoi Rubensi, nuk i përket këtij shekulli, sikurse edhe utistja; utistja i përket botës së kaluar, ku bukuria nuk qeshte.
Po si shpjegohet që piktorët e mëdhenj e përjashtuan të qeshurën nga mbretëria e bukurisë? Rubensi tha me vete : fytyra është e bukur kur pasqyron praninë e një mendimi, kurse çasti i të qeshurës është një çast kur nuk mendohet. Të jetë e vërtetë kjo? A s’është e qeshura ai ndriçim i mendimit, teksa kap komiken? Jo, tha me vete Rubensi : në çastin kur kap komiken, njeriu nuk qesh; e qeshura vjen menjëherë më pas, si një reagim fizik, si një konvulsion, ku s’ka asnjë lloj mendimi. E qeshura është një konvulsion i fytyrës dhe në konvulsion njeriu nuk e zotëron veten, sepse është i zotëruar vetë prej diçkaje, që nuk është as e vullnetshme, as e arsyeshme. Ja përse skulptori antik nuk e paraqiste të qeshurën. Njeriu që nuk zotëron veten (njeriu përtej arsyes, përtej vullnetit) nuk mund të mbahet për i bukur.
Nëse epoka jonë, në kundërshtim me frymën e piktorëve të mëdhenj, e ka bërë të qeshurën shprehje të preferuar të fytyrës, kjo do të thotë se mungesa e vullnetit dhe e arsyes është bërë gjendja ideale e njeriut. Mund të kundërshtohet dhe të thuhet që në portretet fotografike konvulsioni është i shtirë, pra i vetëdijshëm dhe i kërkuar: Kenedi, duke qeshur para objektivit të një fotografi, nuk reagon aspak ndaj një situate komike, por, shumë i ndërgjegjshëm, hap gojën dhe zbulon dhëmbët. Kjo thjesht provon se konvulsioni i të qeshurës (përtej arsyes dhe vullnetit) është ngritur nga njerëzit e sotëm në imazhin ideal, mbrapa të cilit kanë vendosur të fshihen.
Rubensi mendon : e qeshura, nga të gjitha shprehjet e fytyrës, është më demokratikja : palëvizshmëria e fytyrës e bën qashtërsisht të dallueshëm secilin nga tiparet që na dallojnë nga njëri-tjetri; por, në konvulsion jemi që të gjithë të njëjtë.
Një bust i Jul Qezarit që gajaset së qeshuri as që mund të mendohet. Por presidentët amerikanë nisen për në përjetësi të fshehur mbrapa konvulsionit demokratik të së qeshurës.
*Eseja është shkëputur nga romani “Pavdekësia”
E përktheu: Balil Gjini

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…