Skip to main content

Tetova News

Jashtë komunizmit/ Dritëro Agolli: Si kam dashuruar





Një libër i publikuar pak kohë më parë me vargje të Dritëro Agollit. “I përndjekuri i dashurisë” shoqërohet dhe me një CD, të recituar nga vetë shkrimtari. Vetë Agolli e ka dashur këtë libër në një kohë të vështirë. Ashtu siç edhe është pohuar se e hedh në botim në një rast kur njerëzit janë bërë më të ftohtë me njëri-tjetrin, më me inate, më me mëri

Për një poet që mendon se i ka ikur koha, që ndoshta vazhdon të shkruajë, po nuk guxon t’i botojë, një kokë nga e kaluara do t’i jepte me ngazëllim. Kur bëhet fjalë për ca të fshehta që kurrë nuk janë thënë, kjo gjendje sigurisht që do t’i shkaktonte ankthet mbi lexuesin.
Por, Dritëro Agolli, pra ky poet për të cilin bëjmë fjalë, së fundi e ka shmangur gjithë historinë jashtë konteksteve të komunizmit. Ka një habi edhe për lexuesit, pasi Agolli gjithë jetën në një post pothuaj politik në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, asnjëherë nuk është parë si “zë” i tillë. Lexuesi e ka marrë për poet. Madje, poetin më popullor, shpesh konsideruar edhe “fshatar”, për shkak të poezive me duhma rakie e shije fshati, ku derdhen sentimentet e burrave të ndjeshëm.
“I përndjekuri i dashurisë” është libri, janë poezi të konsideruara nga më të bukurat e Agollit, të shkruara nga vitet ‘60. Madje, pretendimet janë të atilla sa ky libër është dëshmi se Agolli ka shkruar më shumë se kushdo poezi dashurie se bashkëkohësit e tij.
Me këto poezi zbulohet Agolli, si ka dashuruar në komunizëm, si ka mundur të ndiejë, me sentimentin e të pafatit, me dramën dhe dhimbjen. Sigurisht, sipas Agollit, ka edhe gjendje shpirtërore, ashtu si përplasje emocionesh të kundërta. Adhurimi i Agollit si në ëndërr për femrën. I riu poet është midis naives dhe rrëfimit. Këtë e quajmë poezi të tij. Janë përmbledhur 50 vite poezi e në këtë rast thuhet se tregojnë në mënyrën e tij: dhimbjen, gëzimin, emocionin e shkrimtarit Dritëro Agolli. Poezitë vijnë edhe me zë, pra e shoqëron një CD, të recituara nga vetë poeti.
Vetë Agolli e ka dashur këtë libër në një kohë të vështirë. Ashtu siç edhe është pohuar se e hedh në botim në një rast kur njerëzit janë bërë më të ftohtë me njëri-tjetrin, më me inate, më me mëri.
Agolli ka shprehur se janë poezi të hershme, por nga leximi i shpejtë i tyre kush merret me histori të letërsisë, kupton e vëren se janë poezi rrëfimi, narracioni jo aq sentimental sesa një strukturë fillestare e socrealizmit që ndoshta me kode të fshehta u ngritën në të njëjtin nivel si ato të Kadaresë.
Dashuri e vështirë për Agollin, shprehet mbi sendet, si dritaret që mbyllen, kur gjumi s’të zë, kur libri të bie nga dora, gjendje të zakonshme emocionale.
Për Agollin, se si vështrimi i tij ka lëvizur në kohë, duke i sjellë këto poezi sot është guxim. Për t’u përballur me lëndën e pastër të një realizmi, me të gjitha gjasat e kohës, por ka një kuptim areal në mënyrën se si “vajza” e Agollit hyn në jetën e tij.
Si shumë poezi të kësaj natyre të shkruar gjatë komunizmit, edhe kjo ka një përpjekje për t’i ikur skemës, por që u largohet modeleve poetike, ku sigurisht disa studiues kanë vlerësuar rimën.
Kjo poezi e Agollit duket e shkruar në qytet, jo ta zëmë si ato poezitë e përmallura që lexuesit kanë në mendje poetin e fshatit. Megjithëse kanë kërcitje për të marrë kuptimet apo mendimet, figuracioni është i vakët: “ëndrra në kulm të trëndafilta/ si një verë a trëndafil në gotë…” * te poezia “Veçse një ëndërr”.
Në këtë formë si na përcillen poezitë e Agollit në librin e tij “I përndjekuri i dashurisë”, ka vetëm një gjë të vërtetë, mundimi real i mungesës së përfytyrimit në dashuri të lirë, të gjallë, me pasione… që megjithatë nuk e lë shfaqur dhe jashtë kornizës së komunizmit. Ndoshta kaq kishte “mundësi” Agolli, të mos lëndonte imagjinatën dhe as ta mundonte, kur klishetë socrealiste mbysnin çdo frymëzim. Në poezinë “E parëndësishmja”, kjo është e qartë, ku poeti ngre krye, qartë janë përpjekjet për të pasur një natyrë tjetër jashtë këtij kufiri, por që nuk mundet. Jo ndoshta për kushtet politike, por për shkak të tyre në ironi mbeti vetëm një shenjë: thjesht thurje vargjesh, kur pas ideologjisë rima sigurisht përbënte mundimin e madh të poetëve. Agolli ashtu si Kadare vazhdojnë të jenë, ashtu si dikur, në rivalitetin mediatik. Kadare në kontekste politike, duke kërkuar ligjëratën e intelektualit dhe shkrimtarit, ndërsa Agolli burrë plak i urtë i kombit. Daljet e Agollit asnjëherë nuk janë aq poetike sesa artikulime për tërheqje vëmendje të politikës, ndoshta e nxitur kjo edhe nga një treg mediatik. Megjithatë, tashmë në moshën 82-vjeçare, Agollit i thirret poet i popullit si ndër të paktat raste të trashëguara nga sistemi i kaluar, në privilegj dhe kompleks për lexuesin. Për këtë të fundit, është “përndjekja” më e madhe që e ka shtyrë Agollin t’i botojë vargjet e dashurisë së tij, të panjohura, të hershme.
Re. Ku.


DASHURI E VËSHTIRË

Ti në kanape tani dremit
Ndofta gjumi ende s’të ka zënë,
Abazhuri mbi qerpikët ndrit
Libri nga gishtërinjtë të ka rënë
Para teje ndal mendimi im:
Jemi dashuruar edhe sharë
Jemi ndarë hidhur në udhëtim,
Por drejt njëri-tjetrit kemi ngarë.
Dhoma hesht e rruga larg gjëmon,
Ti sheh ëndrra kaltëroshe shumë,
Unë, ndonëse pi dhe mogadon,
Mezi fle, se jam njeri pa gjumë.
Je për mua ëndërr çast e orë,
Teoremë e turbullt dhe dilemë…
Po të jem vërtet një Pitagorë,
Ti je më e vështira teoremë…

VEÇSE NJË ËNDËRR

Ja kështu, ti erdhe, ndenje, ike
Dhe sikur këtu nuk ishe kurrë
S’erdhe si e dashur, po si mike
Thjesht si vizitore tek një burrë.
Për takimin, tjetër ëndrra kisha,
Tjetër doli, siç u ndodh në botë
Ëndrrave në kulm të trëndafilta
Si një verë a trëndafil në gotë.
Dhe megjithatë them faleminderit,
Ti më dhe një fluturim mbi ëndërr
Nëpër portën hapur prej ylberit
Dhe s’ka gjë se ëndrra ishte zhgjëndërr.

E PARËNDËSISHMJA
Vërtet çka s’është e rëndësishme
Në ty e dua pa kufi,
Sikur një gjë madhore të ishte,
Sikur të kishte rëndësi:

Për shembull, palën e fustanit
Dhe kopsën varur në një pe,
Apo tri qimet e nishanit,
Që për të tria bëj një be…
Ti qesh me mua shumë e hijshme,
Kur them: ta dua si fidan
Atë çka s’është e rëndësishme,
Se vetë i rëndësishëm jam…

Popular posts from this blog

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…