Skip to main content

Tetova News

Katedralja gotike e Martin Camajt

Botohet në Itali studimi mbi romanin “Karpa” të Camajt. Ky botim u mundësua nga bashkëpunimi për herë të parë midis 
Fondacionit “Francesco Solano” dhe Shoqatës “Martin Camaj”


Këto ditë në Cosenza të Italisë u botua studimi nga Albana Alia “Katedralja gotike. Interpretim i romanit Karpa  Martin Camajt”. Ky botim u mundësua nga bashkëpunimi për herë të parë midis Fondacionit “Francesco Solano” pranë Universitetit të Kalabrisë, kryesuar nga Prof. Francesco Altimari dhe Shoqatës “Martin Camaj” në Gjermani, e themeluar nga Erika Camaj, Hans Joachim Lanksch dhe anëtarë të tjerë.
Në parathënien e librit të titulluar “Lexim dhe interpretim i rëndësishëm i romanit Karpa”, prof. Anton Nikë Berisha, mes të tjerash shkruan: “Studimi i romanit ‘Karpa’ të Martin Camajt nga Albana Alia përligj dy gjëra të rëndësishme: leximin e thellë dhe interpretimin e ngritur të një teksti letrar poetik për shumëçka të veçantë dhe kompleks. Në të vërtetë, në këtë studim të saj qartësohet ajo që kisha shkruar qysh më 1991: Vepra letrare e Martin Camajt hyn në rrethin më të ngushtë të vlerave tona kulmore artistike; ajo cilësohet me një botë burimore e të pasur tematike dhe poetike, ka një strukturë të veçantë dhe të mëvetësishme gjuhësore shprehëse dhe një sistem origjinal dhe të ndërliqshëm kuptimor. Në letërsinë tonë moderne janë të paktë shembujt që një vepër letrare e një shkrimtari, përkatësisht qasja dhe interpretimi i saj, të të vënë para sprovave të rënda si ajo e Martin Camajt. Për këtë arsye, leximi dhe receptimi i saj kërkon shumë më tepër përkushtim e dije nga fusha e artit të fjalës, letërsisë, sesa një vepër e zakonshme letrare.
E vetëdijshme për këto tipare e veçanti të veprës letrare të Camajt, Albana zgjodhi si objekt studimi jo vetëm njërin ndër romanet më të rëndësishëm të shkruar në gjuhën tonë, po dhe njërin nga më të vështirët për analizim dhe interpretim. Studimi dëshmon se autorja e njeh letërsinë dhe se pikërisht kjo njohje i bëri të mundshme qasjen, kërkimin dhe analizimin e formave të mëvetësishme shtjelluese të romanit ‘Karpa’ si strukturë tekstore dhe të shtresave të shumta kuptimore, sidomos të veçantive të sistemit shprehës dhe të gjuhës poetike. Studimi, po ashtu, dëshmon për një tipar të rëndësishëm: autorja nuk gjurmon saktësimin e kuptimit që del nga struktura e tekstit, po variantet e shumta e të mundshme, duke lënë gjithnjë hapësirën për kërkimin dhe zbulimin e vlerave dhe të përbërësve të tjerë që ndërlidhen me dukuritë e ndryshme të veprimit konkret të njeriut dhe të botës së tij mendore dhe shpirtërore. Nëpërmjet interpretimit të vëmendshëm të romanit ‘Karpa’ si vepër arti, Albana ka përligjur atë që ka theksuar Northrop Frye: ‘Vepra e imagjinatës na paraqet një vizion, jo të madhështisë personale të poetit, por të një gjëje jo personale dhe shumë më madhështore: vizionin e një akti të vendosur të lirisë shpirtërore, vizionin e rikrijimit të njeriut’, apo siç shprehej Lasgush Poradeci ynë: ‘…poeti duhet të jetë kursimtar i madh në fjalë, të thotë maksimumin e ndjenjave me minimumin e fjalëve’.
Studimi nga Albana Alia i romanit ‘Karpa’ të Martin Camajt mund të shërbejë si shembull për t’iu qasur veprave të letërsisë sonë, që cilësohen me struktura të tilla të ndërliqshme tekstore poetike, si janë, fjala vjen, veprat e Anton Pashkut e të Azem Shkrelit.”- shkruan Berisha.

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…