Skip to main content

Tetova News

Korbi dhe shqiponja



Nga Anna Kove

Ah ky zog, që spo e pushon këngën e tij! Apo është vaji i tij? Në majë të pemës, përballë dritares, më ndjell monologun më të shëmtuar me veten, në një ditë që duhet të isha e lumtur. Si më tha ashtu se, po të ikja prej tij, do të vdiste? Mos më përmend vdekjen, o zemër!
Vetëm nga dashuria e madhe përmendet vdekja, kur je shumë i lumtur. Se kupton?... E si ta kuptoj?! Si u treguaka dashuria e madhe, përmes gjëmës së madhe! Ah ky korb, që spo më lë rehat të shijoj në mendime llastimet e duarve të tij, të fjalëve të tij! Po pse dreqin më qenka fiksuar vetëm kjo fjalë e shëmtuar, me gjithë përkëdheljet, që edhe fjalori i përrallave me princesha do ta kishte zili?! Kjo natë qenka e tmerrshme edhe e terrshme! Nga ato net pa hënë dhe pa asnjë yll në qiell. As nuk mund ta shquaj fare, ku mund të ndodhet shpendi që mi bën shoqëri vetmisë. Kaq terr dhe kaq vetmi është çdoherë, kur ai largohet prej meje. A nuk duhet të linte mjaftueshëm dritë brenda shpirtit, sa e zeza e pendëve të korbit dhe krakëllimat e zymta të ma shpërfillnin mendimin, se ai është një zog ogurzi? Ah, ky zog ogurzi! Duhet ta vras më mirë, që të kthjellohem. Po më hallakaten mendimet andej nga sduhet. Duket sikur sjam në gjendje të mendoj bukur, po nuk e hoqa qafe këtë zë të shëmtuar, që më çukandis në majë të kokës. Edhe ky telefon po kuis njësoj si korbi.
- Alo…
- Në shtëpi je?
- Po. Eja shpejt dhe merre me vete çiften!
- Çështë ky ngut? Pse bashkë me armën?
- Është një zog përballë dritares që duhet vrarë.
- Për çzog më flet?
- Sështë zog baladash. As nuk janë baladat, që thërrasin vëllanë të shpëtojë motrën, nëntë male kaptuar.
- Po e vrava zogun, më dënojnë me 10 milionë lekë, si shkatërrues faune. Tani dënohen njësoj si sa ata që gërryejnë lumenj, edhe ata që vrasin harabela.
- Nuk është harabel. Është korb i zi.
- Si e sheh në këtë natë terr se është korb, edhe i zi?
- Letërsia dhe baladat të thonë se korbi është i zi? Dhe ogurzi.
- Po të paralajmëron për diçka! Nuk është e thënë të jetë paralajmërim ogurzi. Korbi është lajmëtar i perëndive. Zog diellor, i kuq.
- Kurrë smund ta parafytyroj një korb të kuq!
- Përfytyroje ashtu, edhe fli! Natën e mirë!
Rrugës për në punë, po mendoja sa mund të ketë qenë ora kur më ka zënë gjumi. Mbase sot në mbrëmje do të ketë qetësi përballë dritares sime. Ai zog profetik ardhtë i bardhë, nëse marr ndonjë lajm të mirë! Kështu do ti tregoj gjithë botës se korbi është zog i kuq, diellor edhe mbrojtës. Pak pa u afruar në zyrë, shoh se e gjithë fasada e godinës me katër kate dhe 50 dritare është mbuluar nga një flamur gjigant, i kuq, dhe me një shqiponjë të zezë në mes. Çide të çmendura kanë njerëzit në këtë vend çudirash! Ide, që, më e pakta, kushtojnë shumë para. Po si do të rihet tetë orë aty brenda, nën dritaret e puthitura me plastmas të kuq? Po kur të jetë 30-40 gradë Celsius? Për ato ndërtesat e profesionit më të lashtë në botë, ky dekor i kuq brenda dritareve të punës nuk do të ishte ide e keqe. Po sikur të gjendesha pas shqiponjës së zezë? Të gjendesha tetë orë në terr. Terr edhe ditën, edhe natën! Thonë se kjo ishte një nga gjetjet më të mëdha të festës që po vinte. Kjo ishte gjetja më e rrallë për syrin, se për gojën ishte shpikur diç tjetër. Se festat këtë mision kishin marrë së fundmi: të na kënaqnin ca shqisa më shumë se në ditë të zakonshme. Po derisa të vinte ajo ditë, kishte ende shumë kohë. Bashkë me ditën e festës, ai më kishte premtuar se do të vinte enkas me një dhuratë për mua. Një dhuratë, që do të më pëlqente shumë. Kështu më pat thënë.
Dita e festës po afrohej. Nuk di, në duhet të isha më shumë e gëzuar që ai do të vinte, apo e trishtuar, që sytë e mi nuk po shihnin më si më parë. Ajo copë plastmase e trashë, me gjithë të kuqen eksituese për mendjen që e shpiku, më kishte mpakur shikimin. Edhe këtë natë jam sërish me të njëjtin zë zogu. Apo tashmë edhe dëgjimi më është çoroditur, aq sa krijon mirazhe tingujsh. Tinguj, që nuk i shquaj dot, në janë ndjellakeqë apo ndjellamirë. “Do të vij nesër pa dalë drita. Një ndjesi verbimi nuk më le të qetë. Kam frikë se mos nuk do të të shoh dot më kurrë!” E mbylla telefonin mes lotësh. Ai paska ndjesinë e verbimit, ndërsa mua brenda atyre mureve gati më kanë verbuar! Dal në dritare dhe i them me zë koke zogut që ka riardhur: O korb i kësaj nate, bëhu i shenjtë si në Bibël dhe më dhuro shikimin e pastër!
Zbardhi edhe dita. E njoha vërtet mes mijëra vetëve. Përmes nuhatjes. Kur u afrua, i pashë në dorë një zog të vërtetë, me bebëzat e syve të mëdha e tërë dritë. Me kokën dhe bishtin e bardhë. “Është shqiponjë deti. E ka forcën te shikimi. Për çdo gjë që dëshiron, përdor vetëm sytë. Ashtu si ti...” Kur një shqiponjë qenka kështu, më shumë e bardhë se e zezë, e pse një korb smund të jetë i kuq?! “Vetëm kopjet e këtij lloji, këndojnë duet”- më tha, duke më puthur në sy. Se kish mësuar ende të vërtetën e tyre...

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…