Skip to main content

Tetova News

Kujtimi yt, Orija - Le Clézio


 
Le Clézio
Natën sjell në mend emrin tënd, Orija, që je gruaja ime dhe emrat tuaj, Sandra, Xhamila dhe Ali, fëmijët e mi që ju dua. E fillova me emrin tënd dhe me emrin tënd dua ta mbyll, Orija, gruaja ime, sepse ti je ajo që dua më shumë në jetë. Kur u nisa nga Tata, para tre vjetësh, duke lënë prapa gjithçka që kam dashur dhe kam njohur që prej fëmijërisë, shtëpinë e tim eti dhe të mëmës, s‘kisha asgjë për të marrë me vete. Ne ishim aq të varfër sa më duhej të ikja. Mora me vete atë që kisha më të çmuar, emrin tënd. Vetëm emrin tënd, Orija. Ai është shumë i ëmbël. Unë e përsëris atë çdo ditë, çdo natë. Emri yt më jep forcë për të punuar. Ai është bekimi im.
Orija, emri yt më turbullon e më mbush me lumturi kur e shqiptoj. Ai ka hyrë aq thellë në shpirtin tim sa më duket sikur kam lindur me të. Çdo mbrëmje, kur, i lodhur nga kantieri i Giglionit, hyj në dhomë, që gjendet te Rruga e Italisë, bashkë me tunizianin Malik dhe shtrihem. Nuk e dëgjoj më zhurmën e televizorit, s‘e shoh dritën e kaltër që fërgëllon në dhomë, as ato figurat e çmendura, të cilave ti Orija, nuk do t’u përkasësh kurrë. Maliku e ndjek televizorin derisa e merr gjumi. Ai nuk flet, shikon gjithçka: Çmimin e madh për automobila, garën e anijeve me vela, uraganin mbi Kenë, gruan e mrekullueshme, horoskopin, zjarret e dashurisë, Botërorin ‘90, Supermenin etj. I ndjek këto imazhe me aq vëmendje, sa ndonjëherë kam përshtypjen se do të luajë mendsh.
Unë mbyll sytë ashtu shtrirë pranë dritares dhe më shfaqesh ti, Orija. Maliku nuk të sheh. Vetëm unë të shoh në këtë dhomë të ngushtë, sepse unë e kam emrin tënd të shkruar thellë në zemër dhe pres ditën kur do të kthehem. Emri yt është i shkruar në një frazë tepër të gjatë që s‘mbaron kurrë, një frazë që vjen butësisht drejt teje, drejt anës tjetër të botës ku më pret ti. Jam aq larg teje në këtë qytet, në këtë dhomë! Gjatë dimrit, poshtë tarracës është ftohtë dhe verës të zihet fryma. Shtrojat tona janë thuajse në tokë. Maliku fle pranë derës, unë pranë dritares. Në mes janë shtrojat e Shimanit, vëllait të Malikut. Ka një javë që Shimanin e zuri një mur përforcues në kantierin e Giglionit. Humbi dorën e djathtë. Ai nuk mund të punojë më. Kur të dalë nga spitali do të kthehet në Tunizi, pranë gruas dhe fëmijëve. Ma tha Maliku këtë, pastaj ai vazhdoi të shihte televizor i mbushur me zemërim. Pa dashur, unë mendova se si do të dukej ty, Orija, nëse do të më ndodhte mua ajo gjë? Nëse do të përfundoja në shtëpi i gjymtuar ç‘do të thoshin fëmijët tanë?
Mua më pëlqen që fle pranë dritares. Mëngjeseve në pranverë mund ta shquaj ç‘kohë do të bëjë ditën. Dëgjoj zogjtë që këndojnë. Më duket sikur shoh pakëz dritë nga Tata, dritën që sheh ti, Orija, me sytë e tu.
Edhe emrin Tata kam dëshirë ta shqiptoj. Këtu, ky emër i bën njerëzit të qeshin. Ata nuk e kuptojnë. Unë e them me zë të ulët për t‘u justifikuar, sepse ky emër u duket i çuditshëm, e bëj që t‘i paralajmëroj, se s’mund ta ndryshoj. Sidoqoftë, është emër shumë i ëmbël, emër si i yti, Orija, që më jep forcë e jetë. Unë përmend, gjithashtu, emrat që njoh, fshatrat, qendrat tregtare. Ata janë si emrat e familjes sime: Suk, Ileto, Tazar, El Khemia, Aixhe, Imitek. Unë i përsëris me sy mbyllur dhe e ndiej veten pranë teje, Orija, edhe pse trupi im gjendet larg trupit tënd, edhe pse duart e mia nuk mund të të prekin, edhe pse nuk ha nga buka që gatuan ti, edhe pse nuk pi nga uji që sjell ti.
E shoh buzëqeshjen tënde. Në veshët e mi vjen murmurima e zërit tënd duke i kënduar ninullë vajzës sonë që ende s‘e njoh. Vështroj shkëndijëzën e syve të tu robërues, qepallat e tua të lyera me khol, i marr erë parfumit të flokëve të tu kur i kreh nën diellin e mëngjesit në oborrin e shtëpisë. Të sodis, si atëherë kur zgjatja kokën përmes perdeve të dritares në dhomën e burrave.
Stinët kaluan larg teje, Orija, larg jush fëmijët e mi. Në dimër bën aq ftohtë kantiereve, sa vetëm kujtimi juaj, kujtimi i zërit dhe i vështrimit tënd Orija, më mbajnë gjallë. Pë ty ngre gurë, derdh beton mbi skeletet prej hekuri të ndryshkur, shtrëngoj vidat në rrjetat e tavaneve, patinoj mure. Emri im është Abdelah, emri i tim eti është Rebo, nëna ime quhej Khadija. Padroni Giglion as emrin tim nuk e mban mend ose nuk do. Ai më thërret Ahmed. Të gjithë patinuesit quhen Ahmed. Por, ç‘rëndësi ka kjo? Për ty unë ngre lopatën, për ty hedh çimento, për ty gdhend fasada. Ditë pas dite, muaj pas muaji ngre mure, patinoj allçi. Kam ndërtuar aq shumë shtëpi sa do të mjaftonin për tërë familjet e Tatës; kam ndërtuar qytete të tëra. Kur të kem grumbulluar aq para, do të kthehem Orija dhe kurrë më s’do të ndahemi.
Dielli më djeg trupin, të ftohtët më plasarit lëkurën, pesha e lopatave m‘i këput gjymtyrët. Por tani u mësova. Kur erdha në këtë qytet para tre vjetësh, isha ende i dobët dhe i druajtur si fëmijë. Mbrëmjeve isha aq i lodhur dhe ndihesha aq i vetmuar sa shtrihesha përtokë e më dilnin lot nga sytë. Banoja në një fjetore me zezakë dhe tunizianë, sipër një bari. Drita e neoneve krijonte një njollë gjaku mbi dritare. Në rrugë kishte zhurmë makinash. Vinin gjer aty ulërimat e njerëzve të dehur, që grindeshin, të grave që thërrisnin. S‘kishte as fëmijë dhe as ëmbëlsi. Atëherë fillova të kujtoj emrin tënd, Orija, dhe emrin e secilit prej fëmijëve, dhe emrin e Tatës.
Ato çaste sillja në mend kujtimin e asaj dite që të takova ty, Orija, gruaja ime, në pemishten e madhe të lumit, ditën e festës kur ti erdhe me kortezhin e vajzave të reja për t‘u hedhur polen luleve të hurmave.
Ajri ishte i lehtë, e mbaj mend mirë. Pluhuri i artë pluskonte në ajri. Lugina jehonte nga këngët. Kur kortezhi kaloi para meje, unë të pashë, Orija, shkëndija e vështrimit tënd hyri në mua dhe nuk doli më. E kuptova, ti ishe gruaja ime.
Në dimrin e hirtë e të bardhë të kantiereve, në këtë qytet aq larg nga ti, kujtimi i asaj dite është përherë i pranishëm. Ai më jep forcë, më mban lopatën, ai ngre thasët me çimento dhe allçi. Edhe në të dielat e zbrazëta, në bulevardet e pluhurosura, në tarracat e frikshme, kur jam fillikat, pa fëmijët pranë, i rrethuar me ligësinë e njerëzve që kërkojnë një viktimë, kujtimi i asaj dite në luginën e hurmave nuk më lë vetëm. Të shoh ty, Orija, veshur me fustanin plot hir, me fytyrë dhe duar të mbuluara nga ngjyra e artë e polenit dhe shkëndija e vështrimit tënd rihyn përjetësisht në vështrimin tim.
Përktheu: Feride Papleka

Popular posts from this blog

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…