Skip to main content

Tetova News

Lasgush Poradeci: Pse shkruaj!


Vepra e plotë poetike e Lasgush Poradecit, botuar me besnikëri ndaj dy varianteve të Bukureshtit dhe shënimeve që vetë autori kishte bërë në anë të faqes, promovohet sot në një ceremoni të organizuar në Pogradec. Botimi i përgatitur nga dy vajzat e poetit, Kostandina dhe Marie Gusho, financuar nga Ministria e Kulturës me rastin e 100-vjetorit (viti 2009), shoqërohet me një parathënie të shkruar nga vetë poeti, e pabotuar më parë, të cilën e sjellim të plotë për lexuesit. Janë mendime estetike të Lasgush Poradecit mbi poezinë


Pse shkruaj, pse parapëlqej të shkruaj vargje dhe jo prozë? Kur them vargje, kuptoj që duhet të jenë të përsosur nga arti. Vetëm këto të përsosurit rrojnë (dhe mezi dhe këto). Të papërsosurit vdesin. Sepse gjuha ndryshon pas 500 vjet. Ajo më s’është siç ishte. Është ligji i saj fiziologjik dhe shpirtëror (siç është zhvillimi i njeriut). Bibla e Lutherit për shembull, e shkrojtur para 500 vjetëve, më s’do mundte të përdorej prej gjermanëve pa i-u bërë përpunime gjuhe. Gjithashtu dhe përkthimet e “përsosura” mjaftojnë për një kohë të gjatë, po dhe kjo kohë e gjatë njëher mbaron. Vetëm që kur përkthimi ose një vepër origjinale janë të mira, kanë mundësi të qëndrojnë më gjatë. Pse? Sepse dyke qënë të përsosura, të derdhura si në mermer, pas mbarimit të kohës sa qëndron gjuha e tyre (p.sh 500 vjet), ato mund të ripunohen në themel të formës, të derdhjes së tyre të parë, pa çformuar derdhjen e parë. Poezija ka mundësi të qëndrojë më shumë se sa proza, sepse poezija ka një formë më skulpturale një derdhje më të pandryshuar.

Për sa i përket toskërishtes, kjo siç duket, një herë mund të mënjanohet prej gjuhës së “mesme” (e cila e mesme, s’është veçse një gegërishte e zbutur -, e zbutur nga influencimi armonios i toskërishtes).
Gegërishtja ka energji fizike, toskërishtja ëmbëlsi shpirtërore. Dyke bashkuar gegërishten me toskërishten, gegërishtja gjith dyke mos humbur forcën, energjinë, fiton dhe harmoni, ëmbëlsi (si gjuhë e “mesme” me karakter geg). Lufton pra forca fizike me harmoninë shpirtërore, trupi me shpirtin. Forca si një gjë brutale, do të fitojë (lëndërisht) përmi shpirtin, do të mbetet (mbase) gjuha e “mesme” gege, sepse gjithnjë forca fiton përmi shpirtin. Ky fitim është lëndor. Lëndërisht do kemi si gjuhë gegërishten (e “mesme”). Po një gegërishte të shpirtëzuar me influencën e toskërishtes. Shpirtërisht toskërishtja nuk humb, shpirti do duket në ëmbëlsinë, harmoninë, bukurinë e gegërishtes se “mesme”.
Sa më e fortë, më e fuqishme, më e shumanshme të jetë toskërishtja në harmoninë e saj, aq më shumë do të ndjehet fryma e saj mirëbërëse në gegërishten (e “mesme”).
Edhe unë mundohem, me fuqitë e mija, t’ia nxjerr në shesh toskërishtes potencialitetin e saj shpirtëror, bekimin e harmonive të saj, dyke bërë vargje të përsosur në harmoni.
Harmoni nuk është forma (forma e përsosur s’është kurrë art, mund të jetë zejtari, po jo art). Harmonija ime është manifestimi (me anë të vargut) i vetë jetës dhe i vetë botës shqiptare, së kristalizuar në forma të dukshme shpirtërore, të cilat janë simbole të jetës dhe të botës. Prandaj rima ime identifikohet me fondin, prandaj formë e fond janë një: janë realiteti shpirtëror i shfaqur identikërisht me anën e poezisë. Prandaj rima ime nuk kuptohet kurrë që është rimë, po tretet në simbolin e jetës të cilin ajo e shpreh me atë simbol të përsosur. Ky është arti im, një art shqiptar. Kur them rimë, e bashkuar me fondin, nuk kuptoj vetëm rimën, por dhe ritmin dhe masën me stilin e jetës, të jetës shqiptare. Është jeta shqiptare, morali ethik shqiptar që çfaqet me atë simbol poetik, sepse vetëm gjuha shqipe (e derdhur në poezi) me tingujt frymorë dhe lëndorë të saj ka mundësi të shprehë harmoninë specifike së poezisë s’ime. Sa më e përsosur është një poezi, ajo është (njëkohësisht) dhe aq më e fuqishme, domethënë aq më shumë përmban potencialin e moralit frymor shqiptar. Që dua të dali poezia ime (e cila është “harmonija” ime në kuptimin e rrëfyer më sipër) sa më potenciale, kjo nuk shkaktohet prej volles t’ime individore, po prej vet potencialit të jetës dhe botës, i cili me vitalitetin e tij të plotë e shtyn vetveten që t’a çfaqi, t’a shprehi më plotërisht. Shprehjen ky vitalitet e di (nga vet natyra e tij) e do të jetë njëjt me potencialitetin e vet të tij. Nuk ka potencial më të madh ose më të vogël në poezinë e përsosur, po ka vetëm potencial të plotë, domethënë vetëm gradën supreme të potencialitetit vital të jetës së racës. Jeta (p.sh në manifestimin e saj si “dashuri”) ka vetëm një potencial, domethënë ajo është e përsosur, domethënë e fortë absolutisht. Prandaj dhe poezia duhet të shprehi jetën- me simbolin poetik- në maksimumin e saj, në potencialin absolut të saj. Atëhere poezia është e përsosur, perfekte. Kur s’është e përsosur: kur s’ka fuqinë supreme, poezia nuk s’e ësht’ e metë, po s’i përshtatet s’i përputhet potencialit moral të jetës, pra s’është poezi, nuk përfaqëson vitalitetin integral të jetës dhe të botës, potencialin absolut. Nuk ka pra poezi të madhe ose të vogël, të mirë ose të keqe, po vetëm poezi që i përshtatet plotësisht potencialit jetësor dhe poezi që s’i përshtatet. Poezija që i përshtatet, është POEZIJA, ajo që s’i përshtatet NUK është poezi dhe pra duhet të vdesë, të mos rrojë-sikundër dhe s’rron po humbet. Pse duhet të jetë poezia e fortë, potenciale, e përsosur? Sepse vetëm dyke qënë potenciale, ka fuqinë me vete që të transmetohet më tej, që të transformojë potencialitetin e jetës më tej në të ardhmen njerëzore...
Transmetimi moral i jetës (me anë të simboleve poetike) lot një rol aktiv dhe jo absolut. Vërtet, se gjithë poezia sado e fortë, humbet (edhe përkthimi i bukur i Shakespeare-it prej Schlyel Tieck, ose përkthimi i Biblës prej Lutherit) nuk rron përjetë, sado i përsosur që të jetë. Sepse gjuha ndryshon me kalimin e kohës, dhe gjuha si dhe stili i çdo përkthimi duhet ndrequr, siç ngjet me gjermanishten e Biblës së Lutherit që sot e 500 vjet përpara.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…