Skip to main content

Tetova News

Më vjen turp të qaj i heshtur!


Dy përkthyes përballë me krijimtarinë e tyre, pasi u kanë kushtuar jetën gjuhëve ruse dhe gjermane. Përkatësisht Jorgo Bllaci dhe Robert Shvarc mbeten koine të përkthimeve në shqip, njëri ndër të tjera për Eseninin e famshëm dhe tjetri për librat e Remarkut, zëdhënësin e atmosferës së dëshpëruar. Më poshtë botojmë disa nga poezitë e krijuara në vite, nga përkthyesit, ku ndihet fryma romantike dhe gjuha e rrahur nga lirizmi; si Bllaci dhe Shvarci para se të ndahen nga jeta, kanë lënë në sirtarë poezi, të botuara pas vdekjes


Jorgo Bllaci

Dy hapa larg

Dy hapa larg e vite për t’arritur
Atje ku bujarisht fal jetën djell i ndritur
Atje ku po na qajnë për së gjalli

Dy hapa larg, dy hapa larg metanë
Pas mureve të lagësht e të errët,
po na vajton liria, që prej saj na ndanë
sepse më fort e deshëm nga të tjerët!

Dëshirë

Më vjen turp të qaj i heshtur,
si një shelg përbri moçalit!
Dua të gjëmoj pareshtur
Porsi lisi majë malit.

Rreth kurorës, shpesëria
Le të mos me cicërojnë
Që prej zgavrave të mia
shkabat të të vigjëlojnë.

Degët e fuqishme dua
të më tunden nëpër ere
Papushuar përmbi mua
borë e virgjër le të bjerë.

Sipër akujve të ftohtë
do të ngjitem der te retë
S’do më vijë keq në ndodhte
të zhuritem nga rrufetë!

Se n’u dashtë të zhuritëm
do zhuritem majë malit
Po s’do qaj e s’do nemitëm
i përulur, bri moçalit.


Të varri i tim vëllai

E di që më ke pritur, vëlla
E mbase dhe ke thënë me vete:
“Po ky njeri pse s’bëhet i gjallë? Ç’ka,
që thuajse në jetë,
nuk vjen këtu, së paku, për t’u çmallur?

***
S’i mbaj mëri për vitet e rinisë,
Që një nga një po m’ikin pa gëzim
As jetës plot andrralla, as dashurisë,
Që u tall ashtu siç desh me fatin tim.

Askënd nuk e kujtoj për keq në botë, -
Në zemrën time shteg të mbyllur s’ka
Mjafton një fjalë e çiltër, fjalë e ngrohtë,
Që të më bësh prapë mik e prapë vëlla.
1967

***
Sa pisk e kam, sa dhembje ndiej, sa dua
Të më përpijë brenda dheu i zi!
Oh, zgjate dorën sonte edhe mbi mua,
Të ngrohtën dorë, o mëma Shqipëri!

Jam i sëmurë, buza po më dridhet,
Këtu në gjoks diçka më shpon, si gjemb,
Një lëmsh, nj’i fortë xhung në fyt më mblidhet,
S’marr frymë dot, çdo pjes në trup më dhemb.

Një çast më merr në gjirin tënd të shenjtë
Të mbështes kryet e të qaj, të qaj,
Ashtu siç mund të qajnë, o mëmë e shtrenjtë,
Veç foshnjat dhe fajtorët e pafaj!
1964

***
Ti këdo mbi dhe do ta çuditje,
Mike moj, që s’vure mend një herë
Kur më sheh me vajza në shëtitje,
Pse sërishmi bëhesh pikë e vrerë?

Foshnjë ishe, foshnjë, mike mbete,
Ndonëse për dikë tani je grua
Ç’dreqin ke, ç’tu shkrep pas kaqë vjetësh,
Qe xheloze behesh prap per mua ?

Unë kurrë ty s’ta kam rrëfyer
Brengën, që në shpirt mezi përmbaj
Dashuria, dashuri e fyer,
Gur më bën e nuk më lë të qaj

Ja kështu, moj mike, qenka jeta
Ndodh që nganjëherë, për çudi,
Lodhet prej mësimeve të veta
Edhe bëhet foshnjë porsi ti.

Ne s’e qeshim tekanjozen jetë,
Po kur ne gabojmë, ajo harron
Ndonse marrëzira bën dhe vetë,
Rëndë ne na tall e na ndëshkon.

Mike, që më bërë të trishtuar
Të të qesh, as që më shkon ndërmend
Eshtë i gjerë shpirti i përvëluar
Ka një vend dhe për gabimin tënd!
***
Ne fshehtazi shkëmbejmë shpesh vështrime
Po sot një hon i thellë po na ndan;
Në fund të tij, si foshnjëzë jetime
Me dhembje dashuria jonë qan

Pa ditur se përse, pa lot, pa fjalë
Pa puthje, në u ndame nëpër terr
Pasionet u ronitën me ngadalë
Dhe humbën në një mjegull plot mister

Dhe sot, që me pendim, me mall a vojtje
Të shkuarën sikush në shpirt përmban
Ne heshtim kryeulur e me drojtje
Si vjollca, anës honit që na ndan
1961

***
Brengën e madhe mbyta në një gotë;
Si qenkam dehur sonte s’e kuptoj!
Për gjërat më të bukura në botë
Sa më pëlqen të rri e t’ëndërroj

Sa më pëlqen gazmor t’i bie lirës
Po ku të lë mendimi të dëfresh?
Demon, demon i madh i hapësirës
Akoma ti kërkon të më gënjesh?

Ti po ma nxin me brenga djalërinë
Ti po m’i shqyen brinjët, po më ç’mend,-
Ose më kthe sërishmi qetësinë
Ose më sill këtu tërbimin tënd!

Se do t’i qepem qiellit kësaj nate
Për flokësh ta kap hënën e më të
Të sillem hapësirës së pamatë
E të mos zbres mbi tokë kurrë më!
1957


Plaku i urës

Qëmoti, thonë, te një urë e gurtë
Tre vetë deshën t’iknin nga kjo botë
Por ua kuptoka mendjen një i urtë:
“Ç’e keqe ju ka gjetur?” – vjen u thotë

Ia kthen m’i riu: “Miken që më deshi,
Një tjetri sot ia shpien me dasmorë…”
“Ja ti shpëtove, – foli plaku e qeshi, -
por kur të marrë vesh ajo e gjorë
Ç’ia gjeti mikun, pika mund t’i bjerë
Nuk t’ardhka pakëz keq?” Ky mbeti shtangur
Dhe në mendime ra një copëz herë,
Pastaj u ngrit e shkoi nga kish ardhur

I vjen të dytit radha: “Mos më pyet!
Lirinë humba e kot që rroj në botë!” –
Rënkon së thelli, ky pa ngritur kryet.
“Po nuk ke humbur jetën! – plaku i thotë –
Dhe kur ke jetën, ke një lumë gjaku,
Paguaje me çmim të tij lirinë!”
U bind dhe ky nga fjalët që tha plaku
La urën pas e humbi në luginë

I treti fillikat mbi urë mbeti
Nga pamja e vrarë, dukej më i mjeri
“Po ty, – i flet i urti, – ç’hall të gjeti?”
Ai mezi përgjigjet: “Humba nderin…”
Dhe seç kërkon të shtojë nëpër dhëmbë
Po nuk e lënë drithmat edhe lotët
Ahere plaku merr një gur të rëndë
Ia var në qafë e “Mos e zgjat!” – i thotë
“Mos është i ftohtë uji…” – mërmëriti
tek dridhej tjetri, por nga buza shkau!
Dhe s’tha njeri për të: “I ndrittë shpirti!”
As lumi që e mori nuk e qau
1989

Natës

Kushtuar P. J.

Kaq e shtrenjtë kurrë s’më je dukur,
Ti vërtet nuk paske shembëllim!
Ah, moj Neta, sytë e tu të bukur
Çmendurisht i deshte miku im!

Nëse këtë çast i ngrysur me ta
Duke të vështruar ty kështu
Ti mos m’u çudit aspak, moj Neta
Më kujtuan mikun sytë e tu

Sa dëshirë do të kisha sonte
T’ju vështroja bashkë që të dy:
Vetëm ta dëgjojë të këndonte
Vargjet që me zjarr t’i thuri ty!

Ndoshta sot, që vite pas la jeta,
Miku prap në shpirt të mban diku…
Ish e bukur dhembja e tij, moj Neta,
Aq sa ç’jane edhe dy sytë e tu



-Poezi nga Robert Shvarci


Epitaf

gjithnjë i desha lotët,
por vetëm të miat:
të tjerëve ua kam tharë…

Dhe kështu rrodhën motet


Kanga e harrueme

T’kundrova n’mbramje, n’rrugën e errsueme,
ndër andrra tretun, tue ecë fill i vetun,
e s’di sepse pak çaste shtang i mbetun
përgjova jonet e nji kang’s s’harrueme…

Shum’ dit s’të pashë, shum’ net dojshe me shue
fytyrën tande n’zemrën krejt drobitë,
por ah! Kah t’shof, e dashtun, prap tue shndritë
kuptoj me dhimbë sa fort isha gabue!

Je prap ajo që ishe, oh! Ndër motet,
e ambël porsi gazi i fminisë,
je prap ajo që kangën e dashnisë

pa mshirë ma mbyte n’brenga edhe lotë –
e s’di sepse, i mjeri, tue t’kundure
për kangën e harrueme prap due me kndue…


Bjen shi
(Sonet)

Bjen shi përjashta …ngadalë e ngadalë
si pikat gjak në fund të zemrës sime.
Trokasin shurdhërisht e pa tingllime
mbi xham të ftohët pikla, orë me radhë.

Kërkoj në qiell, yjet që nuk ndrijnë,
shpresën kërkoj, shkëlqim’n e saj të zbetë:
ëndron qetsi një shpirt që s’është i qetë –
bjen shi, bjen shi… e piklat k’te s’e dijnë…

Sytë e tu si qielli janë të kaltërt,
të kaltërt unë i dua e plot shkëlqim:
ti nuk e di e dashur, sa trishtim

ndiej unë kur ai vështrimi yt i pastërt
nis njomet, porsi qielli i kësaj nate
nga breng’e fshehtë e zemërës sate…
18 gusht 1957


S’e di…
Nga larg më vjen, nga larg, ky zëri yt i valë,
dhe më ndez në gji një afsh edhe një mall,
e s’di se ku më dhemb, e s’di se çfarë kam,
madje as nuk e di në jam apo nuk jam!

Ti flet e flet e flet dhe çfarë flet e di,
por unë vetëm flas, sepse përtej je Ti.
Dhe sot po të më thonë: Pa shkundu, mor i mjerë! –
u them, që mund të flas kështu një jet’ të tërë!

Nga larg dëgjoj, nga larg, ah! Zërin tënd të butë,
më vjen sikur dhe sytë më ndizen në të tutë.
Dhe s’di se ku më dhemb dhe s’di se çfarë kam,
madje as nuk e di në jam apo nuk jam!
11.3.1960


E ç’mund të kem…?

E ç’mund të kem në këtë orë të vonë,
kur troket nata me gishtërinj të gjatë
mbi xham të ftohtë të qivurit-dhomë –
e ç’mund të kem përveç mallit të pamatë!

E ç’mund të kem, kur s’mbushem dot më frymë,
dhe dua ajër, qiell e hapësirë
aromë lulesh në një livadh me brymë
edhe Vegimin tënd të ëmbël e të dlirë!


E puthuna e jetës

I.
Po flejshe i drobitun kso jete, o miqt e mij
n’nji vorr të thellë ku nata e pafund e nji trishtimi
kish ra mbi shpirtin tem, tue m’humbë çdo dashtuni
e tue m’mblue, ah! çdo shkëndi me tis mallkimi.

Po flejshe i brengosun, i mjeri, tue andrrue,
kur agu do të shkrepte mbi majat e kaltrueme,
kur dielli i nji jete që tash m’kishte perëndue
do m’dhelte prap, tue m’falun çaste t’lume.

…Por andrrat mbetshin andrra e n’vorrin tem të thellë
ushtima e britmës seme më digjte në krahnuer,
çdo gja që kam dashnue, çdo gja që n’mend kam sjellë
plagë m’asht përgjithmonë, dërrmue nga grusht mizuer…

II.
E njerzit që m’shikojshin në vorr ku kisha ra
Kryet tundshin dhe shkojshin tue thanë:
Ky s’çohet ma!
i ri ndër vjet’t e ti

III.
Por erdhët ju, të shtrejtët shokë të mij,
me zemra t’pastra e hove dashunie,
mbetje rebele e asaj rinie
që u ngrit e u flijue për miqësi!

E prap më msuet ju kangën e gëzimit,
më msuet andrrimet me i jetue
edhe çdo gja të bukur me dashnue
o miq të mi, ju lule t’ktij trishtimit!

IV.
Në heshtje t’natës buzët më digjen
e lot i valë ndër sytë e mi
tregon nji mall të pafajni …
e dashtun ti pse nuk po vjen?! …
21 janar 1956


Jo!
Çudi! – Kah t’shoh kështu me sytë e lodhun
që s’dijnë me qeshë gjithmonë e me shkrepti,
kuptoj se tash nuk jemi ma të rij
e që diçka e trishtë paska ndodhun …

Çudi! Pse kah mundohem mos me e besue
E kah po due me rrejtë si ty dhe vedin,
më thotë nji za: “Ah, kqyre k’te të shkretin
që s’din ende s’e s’kthen çka asht varrue …”

Por jo! Ndër sytë e tu unë s’due me pa
Trishtim e mllef. E s’due t’ngërdheshet jeta!
Për ne ç’ka ngjau nji herë – prap ka me ngja,

e prap shkreptima sytë kanë me na lëshue
e prap pranverat kanë me ardhë të qeta,
sa t’kena shpirt që din me dashunue! …
Kavajë 6.12.1959


Ah, më falni, ëndërrime!

Nuk e dua gjithnjë jetën,
nuk e dua as rehatin,
por të them, ç’ësht’ e vërteta,
nuk e dua as mëkatin!

Shum’ e dua dashurinë,
por s’më dashka dashuria!
Qënka zor, që të jetosh
me thërrime dhe shkëndija!

Pra, ç’të bëj? – Mos do të rri
duke dashur gjithnjë kot? –
Ah, më falni, ëndërrime,
kështu më s’po ia dal dot!
12.3.1960


Puthmë
Puthmë vashë e mrekullishme,
puthmë fort me afsh të ri;
ata sytë e perëndishme
po me djegin thellë në gji …

Oh, shtrëngoi buz’t e tua
mbi të miat ethetretur,
në më do aq sa të dua
puthmë e puthmë sa pa vdekur.

Të vdes nga buztrandafili
ç’lumturi e lumtëruar ! …
Të mbaroj si vdes bilbili
rrëzë lules përvëluar.


Autoportret

Jetoj me fajde
dhe bëj bamirësira.
Në gji mbaj një gjarpër,
që vazhdimisht më kafshon –
dhe unë qesh…

Qesh vetëm me dhëmbë,
kurrë me sy;
Në sytë e mi
mbretëron errësira.


Epitaf mbi varrin tim

Nga dashuritë e tij të mëdha,
nga dashuritë e tij të zjarrta
vetëm njërën s’e harxhoi kot:
atë për gjuhën shqipe.
1990


Popular posts from this blog

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…