Skip to main content

Tetova News

Nata e fantazmave - Gani MEHMETAJ



Natë e ftohtë, akull. Nga alpet sllovene frynte veriu që të priste fytyrën dhe të fshikullonte trupin nga koka e mbuluar me helmetë deri të këpucët alpine në këmbët e mpira. Ishim në një pllajë mali. Nuk e përcaktoje dot vendin. S’kishte asnjë vendbanim në afërsi, nuk dëgjohej asnjë blegërimë delesh a pëllitje lopësh, as britma katundarësh. Ndjenja e braktisjes ndjehej gjithandej.
Ruanim objektin ushtarak, rrethuar me tela gjemborë. Rrëmujë e pasiguri gjithandej në vendin ku nuk na kishin ftuar. Flitej se shpërthimi i një lufte pritej së shpejti. Largësia mes rojave nuk qe më shumë se katërqind metra. Por nuk e shihnim njëri-tjetrin. Në të majtë bënte roje Stipe, djaloshi nga Posavina e Kroacisë, në të djathtë ruante bashkëmoshatari i tij Zorani nga Shumadia e Serbisë. Tutje tyre ishte Senadi nga Bosnja dhe Lajoshi nga Panonia në kufi me Hungarinë. Unë mes tyre rrija i mpirë në këmbë më pushkë supeve. Ndiqja më vëmendje lëvizjet në pyll, i mbështetur për një pemë të trashë që më mbulonte pjesën më të madhe të trupit nga era, po edhe nga gjuajtjet e mundshme armike. Hendekun në rast sulmi e kisha afër, mund të hidhesha më të vërejtur lëvizje në pyll. Rojet e tjerë nuk i shihja, por e dija ku janë dhe gati e dija gjendjen e tyre shpirtërore. Me frikë e filluan ndërrimin e tyre që nga fillimi. Nuk guxonin të kundërshtonin, por nuk donin as të rrezikonin.
Pa e hetuar mu afrua hija nga e majta. E mora me mend kush mund të ishte, megjithëse një herë nga paraqitja e bëftë u rrëqetha dhe mu duk që flokët e mia të ngritura si tela telefoni e preken çelikun e ftohtë te helmetës. Ende pa e pyetur pse e braktisi vend rojën filloi të më pëshpëriste: – Kam frikë. Mos më dëbo. I vetëm nuk rri më.
Kur u afrua edhe më, i çatalluar nga frika mu betua se në terrenin e tij endeshin hije njerëzish a lugetërish nuk e dinte me saktësi. Dridhej. Nuk thash asgjë. E dija me siguri se hije as fantazma s’kishte në afërsi, por s’kisha si ta bindja se kjo është vetëm paranoja e tij. Fundja nuk më bëhej vonë: do ta qortonin, arrestonin apo do ta dënonin nesër për braktisje të vendrojës. Nuk brengosesha as për të nesërmen time. Sonte ta kaloja thellimin dhe pasigurinë pa të nesërmen le të bëhej çka të donte.
Si të ishin marr vesh në mes veti, nga krahu i djathtë ia bëhu ushtari tjetër-shumadinasi. Edhe ai gati me gojë të marrtë mu drejtua: – Frikësohem nga lugetërit. Ka lëvizje nëpër gjithë pyllin, më shihte më vëmendje athua e besoja.
-Me një karikator do t’i vrasë gjithë lugetërit e kësaj bote, -u përpoqa ta shndërroja në shaka këtë frikë irracionale të dy ushtarëve të armatosur deri në dhëmbë me pushkë automatike, bajonetë që shkëlqente në natën e pistë, dhe 100 plumba në çantën e vogël ushtarake.
Ai shakasë sime iu përgjigj i shqetësuar: – Lugetërit nuk i zë plumbi. Kot që i gjuan. Ndërkaq, komandot nuk i heton, pos kur ta çajnë gabzherrin.
S’kisha përgjigje. Më vinte siklet dhe mërdhija. Rrinim të shushatur duke lëvizur këmbët e mpira nga të ftohtit. Pastaj më i riu nga Posavina pasi mori vetën nga prania jonë, filloi të tregonte ndodhi interesante nga katundi i tij:
- Një shtrigë ngrihej natën nga varri më daljen e hënës së plotë dhe e tmerronte gjithë katundin. I bënte rrëmujë shtëpitë, i priste në fyt gjënë e trash dhe i lemeriste katundarët. Me perëndimin e hënës çdo gjë qetësohej. Por një natë u bë shumë agresive, i lemerisi të gjallë e të vdekur: kërkonte ta kthenin në jetë, sepse gabimisht e futën të gjallë në varrë, – rrëfente ai më zë të ulët në pëshpërimë, ndërsa ne e dëgjonim të strukur si të prisnim se mos shtriga që u ngritë nga varri do të na drejtohej me hakërrimë.
- Tre katundarë që patën punë me shtrigën u çmenden, ndërsa dy të tjerë nuk u panë më. Shtriga i kishte fërfëlluar në humnera të frikshme në shenj hakmarrje, – na shihte shoku i armëve drejtë në sy, megjithëse të gjithë e dinim se ai s’mund të kapte asnjë lëvizje të fytyrës as sytë e gapërruar, por sa herë përpiqej të na zhbironte në errësirë, kthenim kokën anash sikur ndiqnim ndonjë lëvizje tej shkurreve e lisave.
- Për ta, – tha ai, ndërsa përpiqej të zhbirilonte në sytë tanë që vështirë të na i shihte nga emocionet e të rrëfyerit, – fliste i gjithë katundi.
Shoku ia pohonte më kokë me sy të çakërritur nga frika. Nuk ia prishja, megjithëse as në këtë natë të errët burg nuk u druaja lugetërve. U druaja njerëzve nga mishi e gjaku që mund të na zinin pusi. U druanim vendësve që ishin organizuar të na kundërviheshin, nëse dilnim nga rrethojat tona- telat me gjemba e kazermat e izoluara. Ishim ushtarë të huaj në vendin që s’na donte, as na kishte ftuar. Rrëfime për rojat e prera në fyt kisha dëgjuar plotë ditëve të fundit para se të na sillnin këtu.
Dhe s’doja të më vriste dikush si qen në këtë humbëtirë të huaj.
Sikur ta kishte pritur shokun t’i hapte rrugë, ushtari tjetër e vazhdoi rrëfimin rrëqethës se si njërit në katundin e tij i doli shtriga natën, ndërsa ai duke menduar se është e dashura e afroi për trupi. Ajo befas i hipi në qafë. Kur ndjeu kthetrat, me britma e ulërima fatkeqi, duke u përpjekur ta shqiste shtrigën, iu afrua shtëpive të para, por ajo e shndërruar në Zorken e tij sa për ta mashtruar e çau në fyt. U lemerisën katundarët. E dashura, më të pa kufomën e djaloshit mori malin, fliste ai si të qe në fund të hendekut.
Bashkëmoshatari i tij dridhej derisa dëgjonte
– Po rrëqethëm për shpirt të nënës, ma prek zemrën se si me rreh -na drejtohej më zërin gati të panatyrshëm.
Ndërkaq, rrëfimtari betohej në Zot, tokë e në qiell se e gjithë kjo qe e vërtet.
– Njerëzit që e kanë përjetuar këtë tmerr janë gjallë, – na thoshte i bindur në atë që fliste.
Nuk e kundërshtoja, s’kishte asnjë efekt edhe po t’u thosha se këto gjëra janë rrëfime plakash. Të dytë i besonin këto rrëfime.
Rrinim të shushatur në këmbë, prapa pemës së trash. Pastaj pa ndonjë marrëveshje u shtrimë në hendek, ndërsa sipas urdhrit duhej të silleshim më hap ushtarak nga një pikë kontrolli në tjetrën, “sa për t’ia bërë me dije armikut ku jemi”, tallej shoku ynë, i cili bënte kokrrën e gjumit në kazermën malore, sepse ishte në ndërrimin e mëvonshëm.
Ftoma dhe errësira e shtrinin pushtetin e pakundërshtueshëm mbi gjithë hapësirën. Sa herë lëvizte diçka në pyll, ne i bënim veshët pipëz, e ndërprisnim frymëmarrjen dhe prisnin nga do të vinte armiku. Ata i druanin lugetërve. Një varrezë e vjetër e braktisur austro- hungareze ishte në afërsi. Prania e këtyre varreve i lemeriste “bashkëluftëtarët” e mi…
Komandot e armikut ishin tmerri tjetër i rojave të natës. Disa ditë rresht para se të vinim në këtë humbëtirë, oficeri i sigurimit na thoshte se magazinat e municionit shpesh bëheshin cak i sulmeve të armikut. – Ndërkaq, – tregonte ai, – armiqtë i kemi të shumtë. Më të egër janë komandot që s’të falnin, – e theksonte ai shpesh herë këtë gjë.
- Po ju zuri gjumi në vendroje, – nuk do të zgjoheni kurrë më, komandot do t’ua çajnë gabzherrin, – na i hapte sytë me tmerr.
Si për dreq të gjithëve sonte na kujtoheshin fjalët e tij. Pastaj ata filluan të kujtojnë më pëshpërima rrëfime ushtarësh se si u vra filani në pikën tetë të rojës. Tjetrit në pikën pesë, thoshin, ia gjetën kokën disa hapa larg trupit. Fatkeqi pushkën ende e mbante më të dyja duart, flitej gjithandej në kazermë. Askush nuk e kundërshtonte, megjithëse askush nuk e pa kufomën.
Kur shteronin shembujt e këtyre tregimeve rrëqethëse, ushtari nga Shumadia, i prirë për drama të forta emocionale, tregonte detaje makabre të shpërthimit të gjakut, të gabzherrit që i gurgullonte fatkeqit nga ajri e gjaku kur dilnin me vrushkuj. Përshkruante edhe tmerrin e atyre që shikonin grahmat e fundit të të therurit, por që s’mund ta ndihmonin. Ai qe i sigurt që sonte komandosët ishin diku afër.
Kur shtangeshin nga frika, të cilën e ushqenin gjithë kohën, shihnin si të luajtur fiqirit përreth. Pastaj e vërtetonim edhe një herë instinktivisht e kanë pushkën e mbushur apo jo.
Nga ajo atmosferë e nderë herë na dukej se lëvizte një lis, herë na bëhej se fëshfërinin gjethet e shkelura të pyllnajës nga këmbët e dikujt. Por pastaj kur e ndjenim fortësinë e armës së ftohtë na bëhej se pushonte çdo lëvizje.
Pasi ngopeshin së rrëfyeri për komandosët që vrisnin, hidhnin në erë depo municioni, zhduknin njësi e çeta, fillonim serinë tjetër të rrëfimeve për lugetërit, dhe shtrigat në katundet e rrafshultës së Posavinës apo lugajave të Shumadisë.
Ata herë përtypnin rrëfimet e dëgjuara netëve të dimrit në vatrat e tyre, herë përsërisnin serinë e shkrimeve nëpër revistat e ilustruara që vinin në kazermë. Kësaj ua shtonin besimin e patundur në ato që u thoshin eprorët për komando armik që të prisnin në fyt sa hap e mbyll sytë.
Vazhdonin të rrinim të shushatur në errësirë. Më bëhej se nga frika irracionale të dy ushtarët ishin bërë si bombë e kurdisur me sahat, që vetëm momentin e shpërthimit kërkonin. Fillova t’ua kem frikën. Duhej të ruhesha nga çarturia e tyre. Prisja më makth zbardhimin e ditës apo ardhjen e ndërrimit tjetër të rojave. Koha nuk ecte. Ata dikur filluan ta shohin më frikë njëri-tjetrin.
Dhe derisa unë luftoja me nervat e mia jo nga hija e lugetërve, as nga komandosët sa nga reagimet e papritura të dy ushtarëve pranë meje, nata e pafund me të ftohtit më paralizonte. Nga mënyra se si shihnin rrotull u përpoqa prapë t’i shpërqendroja, t’i shkarkoja nga paniku.
- S ’ka lugetër! Janë përralla plakash gjithë ato që kishin dëgjuar, le të me dalin para të gjithë lugetërit e botës dhe do t’i çaj me bajonetë pa e shkrepur asnjë fishek, ndërsa ata heshtnin.
- S’ka as komandos, – përpiqesha të jem bindës . Por ata s’ më besonin. Duket më as s’ më dëgjonin.
Çuni nga Posavina ashtu si ishte i shushatur me kokën që e lëvizte si drugëza sa majtas djathtas, papritmas u ngritë në këmbë dhe doli nga hendeku. U përpoqa ta ulja duke e kapur për këmbëzën e pantallonave, por më rrëshqiti, duke më rënë shqelm në gjoks. Në qetësinë e frikshme të natës u dëgjua britma e thekshme: Ndal! Pastaj krisi rafali i kallashit.
U shtangëm. Nuk e dinim kujt i urdhëronte dhe në kë gjuante: në ndërrimin që ende kishte kohë të vinte? Në komando që mund t’i ketë pikasur? Apo u hakërrohej hijeve të natës që ua pati frikën më shumë se të gjithë armiqve së bashku. Ai shihte fantazma që dilnin nga varret, sepse filloi të kërcënonte e të shante lugetërit.
Bashkëmoshatari i tij nuk vonoi dhe hapi zjarr të përqendruar, duke e zbrazur gjithë karikatorin. Pastaj e futi karikatorin tjetër. Unë u ngjesha edhe më pas dheut të hendekut, në përpjekje për t’i shpëtuar breshërisë së plumbave kuturi të shumadinasit që filloi të qëllonte nga të gjitha anët dhe të klithte me zë jonjerëzor. Vazhdonin klithmat tjera në thellësi të malit. Zërat e tyre largoheshin njëri pas tjetrit. Pas një kohe ngrita kokën dhe hapa sytë sa si shqeva në terrin e natës, por nuk e shihja as posavinasin që u zhduk në thellësi, as shumadinasin që komandonte: “zjarr” disa qindra metra larg meje dhe shkrehte herë pas herë kallashin.
Dikur u bë heshtje e frikshme. Ata nuk u kthyen.
Më të zbardhur dita hodha pushkën në hendek, u shkarkova nga pajimet ushtarake dhe u drejtova nga kufiri perëndimor. Askush nuk erdhi të na zëvendësonte as të gjurmonte për fatin e dy ushtarëve, për të cilët kurrë më nuk dëgjova.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…