Skip to main content

Tetova News

NDERMJET FIKSIONIT DHE FAKTOGRAFISE




Nga Agim Vinca

“Se janë dy gjëra që s’harrohen gjer në vdekje: / Është fytyra e nënës dhe fytyra e qytetit tënd”. (Nazim Hikmet, Një udhëtim i çuditshëm, Peizazhe njerëzore, f. 317)


Rexhep Ferri, piktor dhe poet i njohur, bën betejë në dy fronte: në frontin e artit figurativ, të pikturës e grafikës, që është vokacion kryesor i tij dhe në atë të artit letrar, që e kultivon po ashtu me përkushtim, krahas të parit. Si piktor Ferri tashmë i takon pa mëdyshje elitës së piktorëve shqiptarë, por edhe si shkrimtar, më saktësisht si poet dhe prozator, nuk është pa gjurmë në letrat shqipe.
Romani Portreti në monedhë (2013), është fryti i tij më i ri nga fusha e letërsisë, në këtë rast e prozës, jo e poezisë. Fjala është për një prozë të llojit të gjatë, që për nga koncepti dhe përmbajtja mund të quhet roman autobiografik. Autori i kësaj vepre, në moshë të shtyrë, në dekadën e shtatë të jetës, kur njerëzit bëjnë zakonisht bilancin e vet jetësor, ka marrë përsipër tua rrëfejë lexuesve, me gjuhën e artit letrar, jetën e tij nga lindja e deri në moshën e pjekurisë.
Letërsia autobiografike është ndër llojet më të përhapura dhe më të lexuara të letërsisë në botë, porse tek ne ky lloj letrar ka nisur të kultivohet relativisht vonë, për të mos thënë në kohë të fundit. Në këto 10-15 vitet e fundit, sidomos në Tiranë, janë botuar disa vepra të shquara në formë kujtimesh, ditari a autobiografie, çfarë janë, fjala vjen, Intervistë me vetveten e Petro Markos, Endur në tisin e kohës e Vedat Kokonës, Rrno vetëm për me tregue e At Zef Pllumit e ndonjë tjetër. Vlen të përmendet edhe libri E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme i Bekim Fehmiut, i shkruar në gjuhën serbokroate dhe i botuar fillimisht në Beograd, kurse në Prishtinë mund të thuhet se kjo e Ferrit është ndër veprat e para të këtij lloji.
Portreti në monedhë është një libër prej gjithsej 135 faqesh, pa ndarje në kapituj dhe pa ndonjë strukturim të veçantë, që hapet me vargjet e famshme të Gjergj Elez Alisë: “Mke lypë berret para se çobanin/ Mke lyp motrën para se mejdanin/ E jam dredhë nlog me tkallxue/ Se ne tpart ni kanun na e kan lanë/ Armt me i dhanë përpara e mandej gjan “, vargje këto, që vijnë si jehonë e shpirtit të të parëve, stërgjyshërve tanë, të cilët e kanë pasur shëmbëlltyrë morale figurën arketipe të Gjergj Elez Alisë.
Kryepersonazh i prozës në fjalë kuptohet është vetë autori, Rexhep Ferri, i cili rrëfen jetën e vet (dhe të familjes së tij), prej fëmijërisë e deri në moshën e pjekurisë. Fjala është për një jetë pak a shumë atipike, sidomos falë një rrethane jetësore. Pas mbylljes së kufirit ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë, de facto kufirit shqiptaro-shqiptar, në vitin 1948, nëna dhe fëmijët mbeten këndej kufirit, kurse babai andej, për të mbetur kështu, të ndarë, përjetësisht, si të ishin banorë të dy planeteve të largëta. Dhe e gjithë kjo ndodh për shkak të rrethanave historike - ndarjes së padrejtë të shqiptarëve si komb, por edhe për shkak të regjimeve që sundojnë në të dy vendet, që kanë të njëjtin sistem politik, komunist, por me ideologji pak a shumë të ndryshme. Në këto rrethana zë fill jeta e kryepersonazhit, i cili lind dhe e kalon fëmijërinë e hershme në një qytet siç është Kukësi dhe detyrohet ta braktisë atë, e tok me të edhe babain, për të rrugëtuar në jetë, përmes situatash të vështira e rastësish jo rrallë të çuditshme, në një mjedis tjetër, të armiqësuar për vdekje me të parin. Fillimi i romanit është fantastik: “Në një skaj të botës, vendlindja ime, Kukësi i Vjetër, ka qenë një ishull i rrethuar me male, me lumenj, me ëndrra, me mjegulla e me legjenda. Qyteti si qytet ka vite e vite që ka vdekur. (… ) jam vonuar për ta parë e për ta fotografuar”. Që në start autori jep imazhin e qytetit të tij të lindjes, Kukësit kufitar, të Vjetrit, që mbeti nën valët e liqenit dhe jo të riut, që u ngrit me parametrat e sistemit totalitar të pas Luftës së Dytë Botërore. Paragrafi i cituar më sipër vizaton jo vetëm imazhin e qytetit të lindjes, që e ndjek pas çdo njeri në jetë, por edhe zhdukjen, zhbërjen e tij, tok me atë të një familjeje të madhe, me prejardhje nga Ferrajt e Plavës, më i njohuri ndër të cilët është luftëtari i madh, i përjetësuar në këngë, Jakup Ferri, katragjyshi i poetit. Llagapi Ferri sikur shenjon Golgotën e familjes, pinjoll i së cilës është personazhi-narrator i prozës Portreti në monedhë, titulli i së cilës vjen nga ato lirat e trashëguara familjare, me anë të të cilave nëna i rrit fëmijët e saj të mbetur jetimë me babën gjallë, vetëm disa kilometra larg në vijë ajrore, por me atë vijën e pakalueshme të absurdit që quhet kufi shtetëror!
Mbyllja e kufirit, që është lajtmotiv i kësaj vepre, e ndan, si thamë, familjen në dysh: nëna me fëmijët këndej, babai andej. Dramë tipike shqiptare, që për shumëçka ua kalon edhe tragjedive antike. Kjo ndarje fatkeqe, ky fat tragjik, e përshkon si pe i kuq fillim e mbarim rrëfimin e këtij libri.
Mjediset për të cilat flet autori ndryshojnë varësisht nga rrugëtimi i tij në jetë: Kukësi lindor, fshati Babaj i Bokës i Gjakovës, pastaj Peja e djalërisë, Prishtina, që do të bëhet vendbanim i përhershëm i autorit, por edhe Beogradi, ku piktori i ardhshëm kreu studimet, sikurse edhe Parisi famëmadh, ku Rexhepi ka pasur fatin të shkonte dhe qëndronte më se një herë, për ta zgjeruar përvojën e tij jetësore dhe posaçërisht vizionin për artin. Krahas panoramave të qyteteve dhe vendeve të ndryshme, në roman defilojnë edhe njerëz të ndryshëm, nga familjarët e të afërmit, te shokët e shkollës e të studimeve, profesorët, që janë të përkatësive të ndryshme etnike dhe kulturore e deri tek personalitet e kulturës evropiane, çfarë është, fjala vjen, poeti dhe eseisti i njohur francez, Ale Boske, mik i shqiptarëve.
Personazhi i nënës në këtë vepër është ndër më të realizuarit, kurse portreti i saj ndër më mbresëlënësit. Ajo është shtylla e familjes. Grua e fortë, krenare, e ndershme. Një Penelopë e llojit të vet, por që ndryshe nga Penepola e Homerit nuk arrin ta takojë burrit e vet për të gjallë të saj, ndërsa të gjitha energjitë ua kushton fëmijëve, rritjes dhe mëkëmbjes së tyre. Siç është e natyrshme, figurën e nënës autori e jep me dashuri, aq sa mund të thuhet se ajo bëhet figurë qendrore e veprës, por nuk ngelin shumë prapa as figura e babait në mungesë, e gjyshit Hasan dhe e anëtarëve të tjerë të familjes.
Sa më shumë që rritet autori, aq më shumë zgjerohet optika e shikimit të jetës dhe rrethi i njerëzve që përfshihen në vepër.
Ferri shkruan pa paragjykime për njerëzit, mjediset, karakteret, gjë që e nderon atë si krijues. Është mbresëlënës portreti i mësimdhënësit të tij në Akademinë e Arteve në Beograd, profesorit Pavle Vasiq, i cili, duke qenë njeri i çliruar nga shpirtngushtësia nacionale dhe nga urrejtja e paragjykimet për shqiptarët, kur e sheh nxënësin e tij të druajtur në prag të derës së zyrës, i thotë me zë të lartë: “Eja Ferri! Pse po hyn aq turpshëm? Ti më je më i moçëm se grekët në Ballkan” (f. 82).
Nuk mungojnë as personazhet negative në roman: spiunë, provokatorë, udbashë, matrapazë, shovinistë, gënjeshtarë, maskarenj. I tillë është, fjala vjen, diversanti me epoleta të gjeneralit, i quajtur me përbuzje “gjeneral-muti”, që ia vjedh fshatarit të varfër shqiptar vargun me duhan; mësuesja-partizane malaziase në Plavë, ku mbyllet shkolla shqipe, e shumë të tjerë. Por do thënë se autori edhe personazhet negative nuk i jep në mënyrë skematike.
Personazhet në këtë roman, me përjashtim të atij të nënës, të gjyshit Hasan e ndonjë tjetri, vetëm sa skicohen, me pak penelata, por në mënyrë impresive. Ndonjë personazh me karakter labil, si “daja Peshk”, karakterizohet nëpërmjet emrit.
Nuk mungojnë në këtë vepër as çastet intime (episodi me Verën etj.), që jepen me elemente të kursyera sensuale (f. 63), kurse sfondi i jetës politike të kohës, sidomos i lëvizjes së rezistencës, është disi i mangët. Përjashtim bën figura e atdhetarit gjakovar Kadri Kusari, që shfaqet e rishfaqet disa herë në vepër, por asnjëherë nuk del e plotë, sado që autori thotë, me të drejtë, se nga miqësia me të ka mësuar ta dashurojë jetën dhe të mos i frikësohet vdekjes (“mësova ta dua jetën dhe të mos i frikësohem vdekjes”, f. 73).
Jeta shumë herë tallet me njerëzit, luan cicmic me ta; i vë përpara sprovash e sfidash të vështira, siç ndodh me emigrantin nga Shqipëria, mikun e familjes, Bajram Rexhepin, i cili detyrohet të shkojë diversant në atdheun e tij, në Shqipëri (f. 93).
Duke folur për të kaluarën e afërt autori shpesh bën inkursione në histori, arrin, madje, deri te Teuta e Genti, për të treguar fatalitetin historik që i ka ndjekur shqiptarët gjatë shekujve.
Ithtar i artit modern në pikturë, i formave të figurshme e abstrakte, Rexhep Ferri nuk i thotë të gjitha as në letërsi. Shumë gjëra i lë të sinkopuara, të nënkuptuara, fragmentare. Torzo. Kroki. Kjo është veti e stilit të tij, vlerë a mbase dobësi. Varësisht nga çkënd shikohet.
Jeta, sipas autorit të Portretit…, Rexhep Ferrit, i ka të papriturat e saj, kurse arti nuk njeh kufij, madje as në një vepër si kjo, që, konform zhanrit, më shumë se fiksionit i falet faktografisë.
Eksperti francez i letërsisë autobiografike, Filip Lëzhën (Philippe Lejeune), pohon se kjo është formë letrare themelore në botën perëndimore, ndërkaq Noli ynë e përforcon dhe konkretizon akoma më shumë këtë ide. Në një takim me shkrimtarët e rinj amerikanë, të mbajtur në Boston në fillim të viteve ‘60, Noli, ndër të tjera, thoshte:
“Për ata që duan të bëhen shkrimtarë, unë po u jap disa këshilla si të bëhen shkrimtarë të mirë. Këshilla më e mirë që mund tju jap është kjo. Përpiquni të shkruani për ato që i keni provuar vetë në jetë. (...) librat më të mirë që janë shkruar deri më sot janë pak a shumë librat autobiografikë. (...) Pra kjo është këshilla ime për ata që kanë ambicie letrare. Shkruani autobiografinë tuaj, por pa fshehur gjë. Pranoni të gjitha mëkatet tuaja, ashtu siç bënte Zhan Zhak Rusoi...”. (Këtë ligjëratë, kuptohet, Noli e ka mbajtur në anglisht, por unë po e citoj të përkthyer shqip, ashtu siç haset te vëllimi i pestë i veprave të tij të plota, të botuara nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, në vitin 1990. Shih: Fan S. Noli, Këshilla për shkrimtarët e rinj, Vepra 5, Tiranë 1990, f. 288, 293).
Pra, shkruani autobiografinë tuaj, mundësisht pa fshehur asgjë, ashtu siç kanë bërë pothuajse të gjithë shkrimtarët e mëdhenj të botës, porosiste shqipëruesi i Rubairave, i Hamletit, i Korbit, i Don Kishotit, i Armikut të popullit dhe i sa e sa kryeveprave të tjera, gjeniu Fan S. Noli.
Është hipotetike pyetja se sa ka arritur autori i këtij libri të na e japë jetën e vet “pa fshehur asgjë”, madje as mëkatet eventuale. Por një gjë është evidente. Në këtë vepër, Rexhep Ferri, ndoshta pa ditur për këshillën e Nolit, i është përmbajtur kërkesës së saj thelbësore. Ka shkruar për ngjarjet që i ka përjetuar vetë, për njerëzit që i ka njohur e i ka dashur në jetë dhe për gjërat që i kanë rënduar në shpirt gjatë tërë jetës. Mu për këtë, nga veprat në prozë që ka botuar deri më sot, kjo për të cilën e kemi fjalën ka dalë më e mira, më autentikja, më e lexueshmja. Dhe, rrjedhimisht, edhe më e suksesshmja.

Prishtinë, 25. III. 2014 

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…