Skip to main content

Tetova News

Përjetësimi i dashurisë në vargje

(Rreth librit “I përndjekuri i dashurisë” të Dritëro Agollit)
Nga Kosovare Krasniqi
Ky burgim sa do zgjasë s’e di 
I përjetshëm do kisha dëshirë 
Veç ti eja më shpesh në qeli,
Të përndjekurit tënd do i vijë mirë

Poezinë e dashurisë, në poezinë botërore, e hasim në të gjitha kohërat, që nga lashtësia, si tek Anakreonti e Safo, dy “nga penat më të njohura të vargut botëror të kohërave dhe hapësirave të ndryshme”, pastaj te Dante Aligieri, Françesko Petrarka, Gëte; ndërsa në letërsinë shqipe, kur flasim për poezinë e dashurisë, mendja na shkon te Jeronim de Rada, pas tij Zef Serembe, Naim Frashëri, i cili dashurinë e krahason me perëndinë, më vonë, në kohën më të re, Lasgushi i cili, për dallim nga Agolli, tek i cili dashuria është tokësore, dashurinë e ndërlidh me elementet kozmike, sepse sipas tij, edhe yjet në qiell i lëviz dashuria, pastaj Kadareja, Arapi, Spahiu etj., të cilët po ashtu i kënduan dashurisë.
Ndërkaq, Dritëro Agolli është njëri nga shkrimtarët shqiptarë më të dashur për lexuesin, si me prozën e po ashtu edhe me poezinë e tij. Krijimtaria e tij është shumë e pasur, opusi i tij krijues përfshin gjini dhe lloje të ndryshme letrare si poezi, tregime, novela, drama, romane, skenarë filmash etj.
Tash së fundi, në moshë të shtyrë, Agolli nuk i harroi lexuesit e tij, të cilëve ua dhuroi një vëllim me lirikat intime më të bukura, të titulluar “I përndjekuri i dashurisë, vëllim, që edhe unë pata fatin ta marrë si dhuratë, që e lexova me shumë ëndje dhe i cili më nxiti të shkruaj për të.
Edhe unë, si lexuese, kam qenë gjithnjë e pasionuar pas poezive të këtij poeti, pa e lënë anash edhe prozën e tij. Ky është poeti që më bëri ta dua poezinë, ndërsa të rralla janë poezitë e tij që nuk më kanë pëlqyer. Dhe këtë shkrim e filloj ta shkruaj duke besuar se edhe ata të cilët do ta lexojnë, do të ndiejnë të njëjtin pasion për vargjet e tij, ashtu siç i shkruan edhe vetë poeti vargjet e tij me plot pasion e ëmbëlsi.
“I përndjekuri…”
Vëllimi poetik, me një titull mjaft të veçantë “I përndjekuri i dashurisë”, përfshin 82 poezi. Numri tetëdhjetedy përkon me ditëlindjen e poetit, dhe vëllimi vjen edhe si një dhuratë që i bëjnë poetit bashkëshortja dhe fëmijët e tij.
Vëllimi është i botuar në vitin 2013, ndërsa poezitë e tij nuk janë të strukturuara në cikle.
Në të janë përmbledhur lirikat intime më të bukura të këtij poeti, të shkruar përgjatë jetës së tij krijuese, poezi që u ngjajnë perlave të mbledhura nga hapësira të ndryshme të detit, por edhe në kohë të ndryshme.
Nga vetë titulli, kuptohet që tematika mbizotëruese e poezive të këtij vëllimi është kryesisht dashuria, ndërsa subjekti lirik nuk është vetëm në kërkim të dashurisë, por është edhe i përndjekur i saj.
Këtu dashuria është paraqitur në momente të ndryshme: herë të qeta, e herë-herë të trazuara.
Forca e fshehtë dhe magjia e dashurisë
Në poezitë e këtij vëllimi, subjekti lirik jepet në momente të ndryshme: në çaste gëzimi, hidhërimi, malli, “me situatat dhe dramat që luhen në shpirtin e njeriut, dridhjet dhe regëtimat e shpirtit, shpërthimet dhe shfrenimet e tij, dehjet dhe mahnitjet”, ku si strumbullar i tërë vëllimit është tema e dashurisë.
Libri zë fill me poezinë “Kur të vij në mëngjes”, që lë të kuptohet se poeti që nga mëngjesi i fillon meditimet për dashurinë, të cilat nuk përfundojnë asnjëherë.
Mjafton të lexohen vetëm dy-tri vargje për të hyrë në botën e këtij të përndjekuri nga dashuria:
Do të jetë mëngjes dhe unë do vij patjetër 
Mbi xhaketën time do të kenë rënë petale 
Nga lulet e kumbullës së vjetër,
Nga lulet e këngës së thartë.
Megjithatë dashuria për të nuk është diç e lehtë; poeti atë e krahason me një teoremë të vështirë, e cila nuk mund të zgjidhet lehtë nga një shpirt i brishtë, një teoreme të cilën edhe po të ishte Pitagorë, nuk do të arrinte ta zgjidhë: “Je për mua ëndërr çast e orë/, Teoremë e turbullt dhe dilemë” (f. 6 )
Ndërsa në një nga poezitë e tij kujton kohën e kaluar, kujton letrat të cilat dërgoheshin në mes të të dashuruarve, në kohën kur ato ishin edhe mjeti kryesor i ndërlidhjes së tyre, ku shprehej dashuria e cila ishte gjithnjë në udhëtim, dhe ashtu mbahej gjallë :
Po ndofta dashuria mbahej gjallë,
Se zjarrin e mbanin letrat në udhëtim
Me biçikletë a mushkë apo me kalë 
Në vapë e shi, dëborë e thellim.
(Letrat)
Subjekti lirik është i lumtur që në atë kohë nuk kishte faks, telefona dhe internete, sepse fjala e nisur shpejt do ta prishte magjinë e dashurisë.
Në një poezi tjetër, subjekti lirik kërkon të fryjë një erë, e cila do t’i shtyjë nga njëri-tjetri dhe t’i bashkojë ata të dy që janë aq të larg (Poezia era). Ndërsa ndër poezitë më të bukura të dashurisë, të cilat zënë vend në këtë vëllim poetik, janë ato në të cilat i këndon me dashuri dhe me një mënyrë më të veçantë gruas, përderisa shprehet në vargjet e tij se është gruaja ajo, të cilën e falënderon që i dha jetën, në saje të së cilës merr frymë, po e falënderon edhe mërzinë që ia sjell ajo, si dhe e falënderon edhe për atë se ishte pikërisht gruaja ajo e cila nuk e lë në dëshpërim, në mërzinë e kësaj bote, por i fal qetësinë shpirtërore. Gruaja te Agolli del si një shtyllë e fortë për familjen, por atë poeti e vë edhe në piedestalin e krijueses së botës njerëzore.
Në poezinë “Mundja e Leke Dukagjinit”, subjekti lirik lufton për lirinë e gruas, lufton për të drejtat e saj dhe, me gjithë vështirësitë që has në luftë me Lekë Dukagjinin, që në fakt personifikon Kanunin, në fund del fitues. Po ashtu, në këtë poezi shfaqet edhe një lloj gëzimi i gruas kur mundet ai (Leke Dukagjini ): “Ti, grua më pyete dhe sytë të ndrinin, më pyete ngadalë dhe mënjanë, ‘Vërtetë e munde Lekë Dukagjinin?”/ Dhe unë të thashë ‘E munda, po sytë ç’më panë. Ndërsa në poezinë “E bukura”, i këndon figurës së gruas shqiptare, bukurisë së saj, thjeshtësisë, brishtësisë shpirtërore, dhe ketë e paraqet në strofën në vijim ”E bukur, tokësore, e thjeshtë, lozonjare, e tillë për mua je ti”. I këndon në një mënyrë jo vetëm erotike, por më shumë humane.
Në një poezi shumë të bukur të këtij vëllimi, “Dy fjalë poeteve që vijnë”, subjekti lirik përcjell ëndrrën e tij te brezi vijues, brezi i ri i poeteve, pasardhës të tij. Përmes vargjeve u drejtohet poeteve të rinj, që vijnë në kohë të reja:
Ne s’kemi pasur aq kohë të shkruanim për dashurinë 
Megjithëse kemi qenë dashnorë të marrë 
Vendi kërkonte këngë për lirinë
Subjektit lirik sikur do të shfajësohet që nuk ka shkruar më shumë për dashurinë; i mbetet peng se nuk kishte arritur të shkruajë aq sa ka dashur për dashurinë, sepse ishte një kohë kur vendi i tij kishte nevojë për gjëra më të mëdha, dhe shtypshkronjat ishin për gjëra më të larta, ndërsa dashuria mbetej në rend të fundit.
Në poezinë e Agollit, me një natyrshmëri të rrallë gërshetohet fryma tradicionale e këngëtimit të dashurisë me këngëtimin modern. Ndaj, fryma naimjane jo rrallë ndihet në vargjet e tij.
Ndërsa Naimi do të bëhet baltë e pluhur “që ta shkeli këmb’ e saj”, Agolli pajtohet me të qenët i burgosuri i asaj që do:
Unë jam i burgosuri yt,
rroj me prangat që ti më ke vënë,
po çudi, as qelia s’më mbyt as dritarja e zënë
Pastaj, në strofën e katërt, subjekti lirik i kësaj poezie shpreh dëshirën e tij që të rrijë përjetë i burgosur i asaj që do:
Ky burgim sa do zgjasë s’e di 
I përjetshëm do kisha dëshirë 
Veç ti eja më shpesh në qeli,
Të përndjekurit tënd do i vijë mirë
Pra, një akt i lartë flijimi nga dy poetet, të cilët pranojnë çdo gjë për qenien më të dashur të tyre: njëri të bëhet baltë, tjetri të rrijë në qeli përgjithmonë.
Përfundimi
Duke përmbledhur poezitë më të bukura të tij, të shkruara gjatë dekadave të tij krijuese, poezi të cilat do të mbesin më të dashurat për lexuesin e të gjitha kohërave, Dritëro Agolli me vargje i ngriti një monument dashurisë. Është ky një botim i autorit ku, në tërësi, pra në të gjitha faqet e tij, zë vend dashuria, pa lënë vend për motive tjera, një vëllim ku çdonjëri nga ne gjen veten në rreshtat e tij.
Në kohën kur bota e modernitetit po e vë në radhë të parë interesin, ku paraja dhe pushteti po dominojnë në shoqëri, ndërsa mëritë dhe zënkat po shtohen dita-ditës, Dritëro Agolli vjen me një vëllim poetik në të cilin i këndon aq bukur dashurisë e i cili, në të njëjtën kohë, është edhe një mesazh që ua dërgon njerëzve sot, mesazh për më shumë dashuri, për të ngadhënjyer mbi të keqen dhe shterpëzimin e shpirtit, mesazh i cili na shpie në gëzimet e ëndrrat e një të ardhmeje në të cilën nuk mungon shpresa. Edhe pse në moshë të shtyre Agolli shkruan plot pasion e ëmbëlsi dhe, përkundër Anakreontit, i cili në disa vargje të poezisë së tij ankohet që: “Erosi, qyshkur kuptoi se e mjekrës ngjyrë më ndërroi, se u zbardh, u thinjë në bojë,…më kthen kurrizin e s’më dëgjon, më shmanget, bën sikur s’më shikon, pra sipas tij zemra s plaket, kërkon”; poetin tonë, bardin e poezisë shqipe, nuk mund ta ndalë pleqëria, ndoshta vetëm vdekja do ta kishte këtë mundësi. Poezitë e tij shijohen, ndjehen dhe vlerësohen nga lexuesi i çdo moshe dhe i çdo kohe.
Në këtë vëllimin mbizotëron një atmosferë plot me dashuri, ku poeti i këndon subjektit të dashur, janë pra këto ndër lirikat me të bukura të dashurisë, në një pjesë të madhe të të cilave ndihet një frymë romantike, një karakteristike tjetër e tij, kthimi në skemën e letërsisë romantike, shfrytëzimi i kësaj ndjeshmërie, për të krijuar poezi me vlera të reja e moderne.
Në çdo faqe të këtij vëllimi zbulohet diçka e re, çdo fjalë e çdo vargu i thotë diç të veçantë lexuesin të saj, pra çdo varg i poezisë së tij është mbushur me kuptim dhe, si rrjedhojë, qartësia e bën më të lehtë komunikimin me lexuesin.

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…