Skip to main content

Tetova News

PROZA E ANTON PASHKUT



Nga Petrit Palushi

Anton Pashku mbeti një lloj fenomeni letrar me prirje të vazhdueshme drejt përsosmërisë artistike; vepra e tij shfaqet me shumësi mendimi, shumësi figurative të fjalës dhe njëkohësisht me vetëdije të lartë estetike të ngritur deri në model. Shkrimtari pati shënuar se “Gjuha e veprave artistike nuk është dhe nuk mund të jetë një “gjuhë normale”. Ajo nuk është e tillë as atëherë kur, fjala vjen, artisti i fjalës merr e shkruan për “gjërat më normale” nga jeta e njeriut. Shenjat e gjuhës së tij janë shenja të gjuhës poetike. Kur janë të ngjeshura mirë e mirë pranë njëra-tjetrës, këto shenja krijojnë aso relacionesh të reja që mund të kyçin ndër to eksplozionet e panumërta jetësore që kanë intensitete shumë të larta”.
Pashku, “Xhojsi i letërsisë shqipe” (I. Rugova), la pas një vepër solide letrare, me shfaqjen e saj më të dukshme të modernitetit dhe si çdo krijimtari natyrale që dallohej menjëherë prej letërsisë vegjetuese, të përkohshme, të letërsisë për letërsi, u fut dalëngadalë në rrethin e vlerave estetike më të qëndrueshme të letrave shqipe, në zonën vepruese, të pacënueshme nga zhurma e viteve e nga vepruesit jashtëletrarë, më saktë, nga zhurmuesit e tillë, të cilët kanë vepruar sistematikisht, pavarësisht se pa rezultat, mbi disa nga përfaqësuesit më të cilësishëm të letrave shqipe.
1. Në lartësinë e tekstit artistik

Qyshprej shkrimit të parë në “Jeta e re” më 1955 e në vijim vepra e tij letrare u formësua si një vepër e identitetit të lartë artistik, kryesisht në prozë dhe në gjininë e dramës: “Tregime”, 1961, “Nji pjesë e lindjes”, 1965, “Kulla”, 1968, “Sinkopa”(dramë), 1969, “Oh”, 1971(botimi i katërt më 1990), “Kjasina”(tregime të zgjedhura), 1973, “Gof”(dramë), 1976, “Lutjet e mbrëmjes”(tregime të zgjedhura), 1976, “Tragjedi moderne”(drama), 1982, ndërsa kompletin e veprave të tij e botoi “Rilindja” më 1986, sipas renditjes: 1. Tregime fantastike; 2. Romani “Oh”; 3.Tragjedi moderne, dhe njëkohësisht duke mos përmendur në këtë paraqitje ribotimet e tjera të librave të tij.
Vepra letrare e A. Pashkut, është ngritur në lartësinë e tekstit artistik dhe si i tillë, ky tekst do vëzhguar në të gjitha shtresimet dhe nënshtresimet për t’u vërejtë sa më mirë dhe sa më plotë mesazhi, vlera e tij kumtuese.
2. Në përsosjen e vetë zhanrit (tregimi)

Vepra letrare e Anton Pashkut (në tri njësitë: në tregime, në romanin “Oh”, në dramat “Sinkopa” dhe “Gof”), prezenton në mënyrën më të përkryer dramatikën e jetës, pavarësisht nga zhvendosja e saj nëpër kohë të ndryshme dhe duket sikur është një kohë e palëvizshme dhe si e ngrirë, dhe në këtë kontekst, ajo prezanton fatin e njeriut në përgjithësi, si individ apo si kolektivitet njerëzor. Më saktë, aty kundrohet rrethi ekzistencial i njeriut dhe formësohet një tekst i tillë letrar ku mund të nxirren segmente të shumtë kuptimorë. Edhe pse një vepër letrare vështirësisht e kuptueshme, kjo për shkak të intelektualizmit të lartë në procedeun krijues, ajo ka zënë vendin e vet në zonën më estetike të letërsisë sonë, në atë zonë ku letërsia mund të përcillet vetëm si letërsi dhe vetëm në funksionin e saj.
Pashku mbetet shkrimtari ekskluziv i modernitetit të letrave shqipe, për kah fryma letrare, për kah ndriçimi i fjalëve, i frazës, i figurave, i kuptimshmërisë, shkurt, shkrimtari që krijoi harmoni kuptimore-artistike në krejt veprën e tij, por kjo harmoni artistike, kjo frymë letrare mund të thuhet se ka një spikatje sidomos në prozën e shkurtë (tregimet). Në prozën e shkurtë ka simbolikë dhe përmes saj kundrohet fati i mjedisit e i personazheve; në rast se hiqet mbulesa e simbolikës, mund të kundrohet më me lehtësi kthjelltësia e mjedisit dhe e personazheve veprues (Te tregimi “Kulla”, psh., simbolika është krejt e shfrenuar, si me thënë, një simbolikë harlisëse).
Në veprën e tij, mitet sikur preken, kthjelltohen. Në veprën e tij hetohet atmosfera artistike, një atmosferë krejt sugjestive, me një harmoni a kombinim ngjyrash, që mund të shërbenin si dekor në lëvizjen e jetës dhe vdekjes, dhe natyrisht, këto shumë pranë njëra-tjetrës. Natyrisht, teksti është i përsosur, por jo i kryer, çka do të thotë një përpjekje maksimale e autorit që rrëfimi të jetë ashtu si parasheh përsosja e vetë zhanrit. Në raportin përsosje – kryerje e veprës, kemi të bëjmë me dallimin që ekziston në kqyrjen e tekstit nga përbrenda-jashtë. Teksti përbrenda, që parakupton përsosjen maksimalisht të tij, ka të bëjë me realizimin në tanësi që bën autori, ndërsa teksti jashtë, ka të bëjë me mënyrën si e sheh lexuesi i kualifikuar tekstin (kupto: proza e Pashkut parasheh gjithmonë një lexues të kualifikuar), dmth., detyra e shkrimtarit ka mbaruar deri në përsosjen së brendshme të tekstit, por është vetëm lexuesi ai që mund ta kryejë atë, ta përthithë, t’i japë frymën e paraqitjes, ta përshtatë në mendësinë e psikologjinë e vet, gjithmonë në varësi të kulturës së përvetësimit të tekstit letrar.
Në dallim nga një pjesë e madhe e prozës bashkëkohore shqipe, e cila mori jetë të përkohshme kryesisht si letërsi qëllimore, proza e Pashkut u zhvillua krejt jashtë kësaj linje dëmtuese për letërsinë dhe funksionoi vetëm si letërsi e frymës estetike. Do parë këtu jo vetëm tematika, e cila sikur lëshohet brenda një sfere, shtrati i një letërsie fantastike, ai detajizim i shkëlqyer në rrafshin e përgjithshëm rrëfimor, mjete të çuditshme stilistikore (të ndërrueshëm dhe të lakmueshëm edhe brenda një tregimi, por edhe prej tregimit në tregim), por mbi të gjitha fryma e rrëfimit, sa mund të cilësohet lehtas si fryma në rrëfimin e Pashkut, e cila ka një kod të veçantë në formësimin e saj. Kjo motivohet se Pashku i mëshoi më tepër një imagjinate praktike, ngase e vëzhgoi jetën jo vetëm së jashtmi, si një figurë apo imazh në lëvizje, por edhe e përjetoi pra me një përqendrim dyfish. Tregimet e tij krijojnë mundësi shembullore që studiuesit të merren me to. Aty është teksti letrar si parakusht frymëzues me të gjitha ornamentet që parasheh një tekst i tillë model: dendësi kuptimore, mjete stilistikore të çuditshme, tone të dukshme poetike, një variacion i lakmueshëm kuptimësi – stilistikë (A s’është, bie fjala, tregimi “Floçka”, një tregim që rrjedh vetëm përmes frymës?); veprimi kryhet së brendshmi, pa pasë nevojë për pjesën shpjeguese të autorit, pa patetizma apo ngërçe të tjera shtesë të kësillojta.
Në këtë rrjedhë shpjeguese, edhe kur vjen fjala te mitet, esencialisht të plotkuptimta dhe të plotfuqishme në këtë lloj proze, ato sikur shprovincializohen. Në prozën e Pashkut miti është i një forme, pavarësisht nga kuptimësia, pavarësisht se kah vjen (me burim provincial apo prej një kryqendre moderne), apo dhe njëkohësisht prej një kohë pezull dhe absurdi gjithashtu. Kjo ndoshta rrjedh se autori i ka rikuptimësuar mitet, i ka modernizuar dhe në një farë forme i ka universializuar, veti kjo e shkrimtarëve të fuqishëm, sa të duket se lexuesi i ka parasysh mite të tilla figura, familjarizohet me imazhin e tyre, me gjithë vrantësinë dhe mjegullnajën që i mbështjell në pamje të parë, por që gradualisht kthjellohen dhe marrin dritë. Kësisoj, mund të thuhet se mitet përbëjnë palcën rrëfimore, prej të cilëve përthithen segmentë të fuqishëm kuptimorë, merr krahë një stilistikë e tillë, stilistikë si e Pashkut mund të thuhet; mitet janë të rrafshuar në kohë dhe duket si frymojnë brenda një kohe, një hapësire, një shtrati rrëfimor dhe rikuptimësohen vazhdimisht.
Në pamje të parë kemi të bëjmë me një tematikë që sillet e mbështillet brenda një rrethi të caktuar, por sidoqoftë personazhet u turren hapësirave, ose kërkojnë të gjallojnë edhe brenda rrathëve kufizues; shmangia e skemës bardhezi, aq të lakmueshme prej socrealizmit, prozës së Pashkut i ka dhënë lirinë e eksperimentimit dhe realizimit të një harmonie rrëfimore, ku fati i njeriut jepet në shpërfaqje nuancash. Asnjëherë lexuesi s’e merr vesh s’e kemi të bëjmë me ndarje sipas koncepteve të idhta socrealiste në personazhe i mirë/i keq, apo i pranueshëm/i papranueshëm, për mjedisin, shoqërinë, por personazhet e tregimeve të Pashkut janë personazhe në kompleksitet, me dritëhijet e tyre, si shprehje e një shoqërie me dramën, jetën, përjetimet dhe po me dritëhijet e motivueshme të saj. Tregimet e Pashkut më tepër tejthonë, sesa thonë, më tepër meditohen sesa lexohen, më tepër marrin kuptimshmëri në rilexime sesa në leximin e parë. Dhe, po t’u referohemi psh., disa prej tregimeve (“Kulla”, “Floçka”, “Anija e dejun”, “Vdekja solemne”, “Nën qarr po rrinte vasha”, “Lutjet e mbramjes”, “Si e përshkroi andrrën e vet njeriu me kapelë”, “Kënaqësitë e Megalopolisit”, etj.).
Është konstatur më tepër ndikimi që pati folklori, më saktë struktura folklorike te Pashku, por është e nevojshme të thuhet se Pashku folklorin nuk e mori si kumtim të parë, që më pas ta shtresonte në krejt veprën e tij. Ndoshta ai u mundua të gjejë ato shtresa të padukshme të folklorit që shkojnë paralel me vetë njësitë folklorike, një lloj moderniteti që nuk mund të vëzhgohet kurrsesi me pamje të parë.
3. Stilizimi i tekstit

Mund të shihet, psh, puna krijuese te tregimi “Floçka” (1963).
Tregimi në fjalë duke pasur të dukshme ngjyrat sugjestive, një tipar i dallueshëm ky në prozën e A. Pashkut, e ruan harmoninë e përbërësve stilistikorë. Kjo ka bërë që fati i personazhit të kundrohet deri në imtësi dhe planimetria e lëvizjes së personazhit t’u nënshtrohet ligjeve të brendshme artistike. Në anën tjetër, realizimi artistik duke qenë i një shkalle të lartë, e rendit tregimin “Floçka” si ndër më antologjikët e letrave shqipe.
Tregimi mbisundohet nga metafora dhe zbërthimi i kësaj metafore, mund të kryhet vetëm nëse hetohen me kujdes shtresimet dhe nënshtresimet e shumta kuptimore. Shkrimtari mbërrin të komunikojë me lexuesin përmes metaforës: ndjesia e njeriut drejt njerëzores, pavarësisht se kjo rendje është drejt së panjohurës, të papriturës ose si rendje drejt ëndërrimit. Dinamizmi i personazhit, do thënë se shkëlqen përmes dinamizmit të prozës në tërësi. E në këtë mjedis të tillë rrëfimi është modeluar një rrëfim i shkëlqimtë, edhe pse frymon një lumturi e mbështjellë me ngrijë, me terr (ose më saktë: një rendje drejt lumturisë nën një qiell të trishtë), ajo e ndërtuar kësisoj, merr formën e një lumturie – refleks, që shfaqet dhe mbetet në të njëjtin stad. Edhe personazhi protagonist, sa merr frymë në këtë lumturi – refleks. Në anën tjetër, lexuesi arrin të përjetojë rrëfimin e shkrimtarit, sado i vështirë në prezentimin e parë.
Në sytë e lexuesit shfaqet personazhi-ide, por vetëm përmes nëntekstit. Pra, teksti përbën vetëm anën e jashtme të kompozimit të rrëfimit, ndërsa nënteksti përbën rrëfimin kompleks. Aq më tepër që rrëfimi i Pashkut i përket rrëfimit të frymës psikologjike dhe dendësisë maksimale, ku analogjia me mitet dhe legjendat ngrihet deri në shkollë krijuese, si rrallë kund në letërsinë shqipe.
Të duket se gjithë ky peizazh është i mbuluar me një pëlhurë të errët dhe me vështirësi mund të vërehet se ç’fshihet aty brenda. Kjo do të thotë se lexuesi duhet ta kundrojë disa herë tablonë rrëfimore, që të zbulojë se çfarë shkëlqen në atë harmoni ngjyrash. E në këtë mes, lexuesi pasi i kthehet tekstit disa herë, mund ta ketë bërë të veten ndjesinë e të shijuarit të një vepre artistike, ku intensiteti i shprehjes është segmenti më i dukshëm i saj. Intensiteti i shprehjes realizohet përmes një gjuhe thellësisht poetike, gjuhë e cila, e ka dendësuar hulumtimin psikologjik të personazhit.
4. Figurshmëria si shpalim më në reliev

Opusi tregimtar shpalohet përmes figurshmërisë, përmes një strukture të plotë të figurshme, që nga mjetet shprehëse, loja në tanësi me tekstin, nëntekstin, gjuha jo vetëm si fjalë, si shprehje, si sintaksë, por shprehje mendimi, dhe kjo linjë figurshmërie të çon në mendimin se opusi tregimtar është një plotni figurshmërie. Mendimi i thellë ia imponoi autorit lëvizjen e figurshmërisë prej kreut të rrëfimit deri në fund, sa të shtyn të besosh se simbolika në tregimet e Pashkut gjeti shtratin e një rehatie si figurë, si shprehimësi më e plotë, si një ekspozim se çfarë përmban në vetvete vetë figura.
Po të shohësh me vëmendje tregimet e Pashkut, mund të hetosh lehtas se zhanri këtu gjen vetveten, gjen ato elementë që e bëjnë atë të funksionojë normalisht si i tillë. Po të shprehemi paksa figurativisht, tregimet e tij kanë kryefjalë, kallzues, kundrinë, kanë harmoninë e plotë të përbërësve stilistikore dhe pikëzimin maksimal të fijeve të mendimit, aq të domosdoshme në një tekst letrar që të funksionojë si i tillë. Në tregimet e Pashkut nuk vegjetojnë skemat parafabrikate, por mendimi rrjedh si frymë, duke marrë rrugës ato mjete të domosdoshme shprehimësie që rrëfimi të jetë krejtekrejt pa ndalesa. Rikthimet e kohëmbaskohshme kanë të bëjnë me përqendrimin maksimal të autorit që të ritregohet pjesa më e domosdoshme, duke shmangur edhe natyralizmin, përshkrimet e panevojshme. Kësisoj, lexuesi e merr atë çfarë rrëfehet si imazh, si figurë, si pikë orientimi se ku është thelbi i pikave më të domosdoshme të rrëfimit; rrëfimi është i natyralizuar dhe me dritën e plotë të krejt elementëve që parasheh vetë zhanri.


5. Për një qasje më kohezive

Vlerësimet për veprën e Anton Pashkut janë të shumta dhe kritika letrare (kryesisht në Kosovë) e ka ndjekur admirueshëm krijimtarinë e tij prej fillimeve. Por, do thënë se një vepër letrare si e Anton Pashkut, kërkon venerime pas venerimesh. Me gjithë vlerësimet, pra një shumësi konstatimesh për veprën e tij letrare, në dydekadshin e fundit mund të thuhet se, me përjashtime të pakta, ka më tepër një rimarrje të tezave të mëparshme për veprën letrare të Pashkut, sesa një plotësim apo një rishfaqje venerimi. Vepra letrare e Pashkut nuk kërkon të komentohet a të shpjegohet siç bëhet në tekstet shkollore, as shkrimtaria studimore s’mund të qëndrojë si ndërmjetëse shpjeguese ndërmjet tekstit të Pashkut dhe lexuesit. Do parë ai mekanizëm, ajo e veçantë e kodit të komunikimit të Pashkut, me të cilin letërsia e tij ka zënë vend në sferën më t’epërme të letrave shqipe, çka do të shërbente si grishje e vazhdueshme për lexim. Venerimet te Pashku duhen kryer si venerime për një letërsi cilësore, mu aty ku shkëlqimi i tij është më i madh.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…