Skip to main content

Tetova News

Shevqet Musaraj, këngëtar i lirisë dhe i emancipimit shoqëror


Nasho Jorgaqi

Pas një heshtjeje politike të pamerituar prej afro dy dekadash, po përkujtojmë e nderojmë këto ditë 100 vjetorin e lindjes së shkrimtarit e publicistit tonë të shquar Shevqet Musaraj. I thirrur në rrethin e tij të ngushtë me diminutivin përkëdhelës Çeço dhe i njohur me pseudonimin Buburecka në shtypin ilegal të luftës antifashiste, ai hyri e mbeti përjetësisht në historinë e letërsisë shqipe të shekullit XX me emrin tanimë aq të nderuar e të dashur Shevqet Musaraj. Krijues i lindur, poet e prozator, tregimtar e novelist, romancier dhe eseist, publicist dhe gazetar, ai la pas një opus të gjerë veprash me vlera, që i kanë qëndruar me dinjitet kohës dhe sfidave të saj.
I lindur në fshatin Smokthinë, në mes maleve dhe ujërave të Jonit, i ushqyer dhe mbrujtur me gjuhën dhe këngët krenare labe, me psikologjinë dhe mentalitetin plot nerv të mjedisit, djaloshin e imtë, por inteligjent e i shkathët, i etur për dituri dhe ëndërrimtar, nuk do ta mbante dot fshati. Pasi kreu aty mësimet e para, do të zbriste nga malet e Labërisë dhe do të ecte me besim e kurajë në rrugët e panjohura të jetës shqiptare të viteve ‘30. Në fillim në Vlorë, ku do të mbaronte dhe shkollën tregtare, ndërsa këndonte këngët e para, tok me shokët e brezit të tij, si Petro Marko, Andrea Varfi, Nexhat Hakiu, Aleks Çaçi, ai do të vendosej në Tiranë si nëpunës banke, duke u bërë qytetar i saj i nderuar për më se pesë dekada e jo vetëm kaq, por një nga personalitetet e spikatura të kulturës shqiptare.
Emri i Shevqet Musarjat do t’i bashkohet, në vitet 30, brezit të ri letrar, që punonte e krijonte për një letërsi shqipe të angazhuar, i frymëzuar nga ideale revolucionare. Poeti i ri lab do të prezantohej dhe afirmohej në shtypin e kohës dhe veçanërisht në revistën prestigjioze “Përpjekja shqiptare” si një këngëtar lirik i talentuar që, siç shkruan Rexhep Qosja, “ishte i pasur në ndjenja, i mprehtë në mendime e ide dhe i shkathët në shprehje”. Të paharruara kanë mbetur lirikat “Malli i motrës”, “Vajto vëlla”, “Ndaj shkretëtirës” etj., ku ndjehet shpirti spontan lirik dhe shpërthen pakënaqësia ndaj realitetit të padrejtë dhe të ashpër të kohës.
Poeti i ri do të bëjë një hap të rëndësishëm përpara me botimin e poemthit “Bujku i Hanko-Hallës”, një vepër me temë të mprehtë sociale e me tone polemizuese, duke i çuar më tej nga pozita më të avancuara idetë emancipuese të poemës aq popullore “Hanko Halla” të Ali Asllanit. Kjo vepër ishte një sprovë e suksesshme në hapat që hidhte Musaraj i ri në udhën e vështirë të letërsisë, krahas me prozat poetike që botonte në shtyp.
Me pushtimin fashist të Shqipërisë hapet një etapë e re në jetën dhe krijimtarinë e poetit. Ai radhitet në mes antifashistëve të parë, që e vë talentin dhe energjitë e tij në shërbim të rezistencës popullore kundër pushtuesve. Musaraj ka meritë historike që të jetë një nga pionierët e hershëm të shtypit ilegal antifashist, redaktor i gazetës “Zëri i popullit” dhe nga themeluesit e revistës së rinisë komuniste “Kushtrimi i lirisë”, ku do të shpaloset krijimtaria e tij publicistike dhe letrare me ide të guximshme revolucionare dhe patos patriotik. S’ka dyshim që shtypi ilegal do të bëhet dhe djepi i letërsisë së re, ku spikat dhe kontributi i Shevqetit, veçanërisht në poemën satirike “Epopeja e Ballit Kombëtar”, që konsiderohet vepra më e shquar e letërsisë sonë të luftës, dhe eseja publicistike “Shteg më shteg me partizanët e divizionit të parë sulmues”.
Në vitet e pas luftës, Shevqet Musaraj do të vihet përsëri në radhët e para të intelektualëve për mëkëmbjen e Shqipërisë së prapambetur e të dërmuar nga lufta e mbi të gjitha në përpjekjet për ngritjen e një kulture të re, demokratike e popullore. Kështu, ai do të bëhet një nga themeluesit dhe drejtuesit kryesorë të Lidhjes së shkrimtarëve të Shqipërisë, që do të hapë shtigje të reja krijuese për letërsinë shqipe, në kushtet e një shoqërie që ngrihej mbi idealet e Luftës Nacionalçlirimtare dhe të një shteti që frymëzohej dhe mbështetej në principe revolucionare, Shevqet Musaraj do të ishte pjesëtar aktiv i kësaj lufte të re dhe këngëtar i saj përmes veprës së tij. Nga kjo pikëpamje, ai është ndër përfaqësuesit kryesorë të letërsisë së realizmit socialist, që kishte në bazën e vet ideologjinë komuniste që udhëhiqte vendin. Është e kuptueshme dhe e shpjegueshme që gjithë vepra letrare e Musarajt është pasqyrë e mishërim i ideve dhe realitetit të Shqipërisë socialiste.
Në dekadat e periudhës së pasçlirimit, talenti i Musarajt do të arrinte majat e krijimtarisë së tij si nga përmasat, ashtu dhe nga niveli artistik. Kjo do të jetë koha e pjekurisë së tij, të cilën do ta shprehte dhe realizonte në fushën e prozës si tregimtar e novelist e sidomos si romancier. Do t’i jepte lexuesit shqiptar jo vetëm prozën e shkurtër, me temë nga lufta, si “Të shkuara të harruara”, por do të lëvronte mjeshtërisht novelën, ku vendin parësor e zë novela tanimë e njohur “Isha unë Çobo Rrapushi”, për të vijuar me novelën tjetër “Unë Mato Labi konservator” apo “Llaz Qesarati”, në të cilat shpërfaqet bota labe, me nota të fuqishme realiste dhe me nivel mjeshtëror. Në qendër të tyre është figura e labit, psikologjia dhe mentalitetit i tij tipik, zbulohet patriotizmi dhe trimëria, inteligjenca dhe urtësia popullore, natyra e tij plot nerv. Heroi lab i Musarajt është vendosur në mjedisin e vet, plot ngjyra dhe detaje karakteristike e mbi të gjitha të përshkruara me humorin aq të hollë e të zgjuar të trevës, në situata e rrethana plot vërtetësi dhe të motivuara psikologjikisht. Ai që ka pasur fatin ta njohë nga afër njeriun dhe artistin Shevqet Musaraj e kupton dhe e ndjen se vepra të tilla mund të dilnin, siç dolën në të vërtetë, vetëm nga dora e tij, nga shpirti i tij lab. Ndryshe nuk mund të skaliteshin karakteret e tyre aq të besueshëm, që flasin një gjuhë plot kolorit, që shprehin natyrën e tyre energjike e plot temperament, humorin aq të pasur dhe origjinal, intuitën e hollë për të kapur ngjarjet e kohës etj. Por nga ana tjetër, syri realist i autorit depërton natyrshëm dhe në dobësitë njerëzore, të cilat i vë në lojë dhe krijon situata nga më të goditurat.
S’ka dyshim se vokacionin madhor të prozës së Shevqet Musarajt e përbëjnë dy romanet voluminoze “Para agimit” dhe “Belxhiku që këndonte vençe”. Janë vepra epike, me shtrirje të gjerë, që rrokin kohën e Luftës Nacionalçlirimtare dhe përballin lexuesin me ngjarje e situata heroike. E para evokon dhe përshkruan ngjarjet në kryeqytet, ndërsa e dyta në Labëri. Një temë e tillë ka gjetur te Shevqet Musaraj autorin e përgatitur që kish përshkuar rrugët e luftës, që kish bërë jetën e rrezikshme të ilegalit, që barte një përvojë të pasur të detyrave politike si propagandist i talentuar i ideve të çlirimit.
S’është e rastit që romani “Para agimit” përbën një nga veprat më përfaqësuese të letërsisë shqipe me temën e Luftës Nacionalçlirimtare. Ai është i ngritur në disa linja, ku integrohen gjithë klasat e shtresat shoqërore dhe forcat politike të kohës, nga komunistët, ballistët, legalistët e deri te njerëzit e regjimit të pushtuesve. Sigurisht vendin kryesor e zënë komunistët, si frymëzues e udhëheqës të luftës kundër nazifashistëve, patriotë, trima, të sakrificës deri në vetëflijim. Protagonistë të romanit janë Zef Mojsiu dhe Ermira Velo, të cilët autori ka arritur t’i japë jo vetëm si tipa socialë, por dhe si karaktere me individualitet të qartë. Romani dallohet për nga shtrirja në kohë dhe hapësirë, nga pasuria e intensiteti i ngjarjeve, nga moria e personazheve. Në të përpos linjave politike e sociale, që shpërfaqen në një kontekst historik të qartë, nuk mungon dhe linja e dashurisë, e shkruar me emocionet dhe kufizimet e kohës.
Shevqet Musaraj gjithë jetën, gjithë aftësitë dhe dhuntitë e veta ia kushtoi letërsisë. Ai e nisi dhe e mbylli rrugën e saj të gjatë e të vështirë si shkrimtar i angazhuar, si militant i nj ideali human, duke lënë pas jo vetëm emrin e një shkrimtari të talentuar, por dhe kujtimin e nderuar të një njeriu zemërmadh e të ndershëm, me shpirt demokrat, me karakter burrëror, tolerant e i drejtë. I tillë ka mbetur Çeçua në kujtimet tona, te kolegët dhe bashkëfshatarët e tij, i tillë është përjetësuar Shevqet Musaraj si shkrimtar në veprën e tij jetëgjatë që na la. Ai është një emër i integruar tanimë në historinë e letërsisë shqipe të shek. XX. Ndaj trashëgimia e tij pret të lexohet e të çmohet nga brezat e rinj që shkojnë dhe vijnë. Përkujtimi i 100 vjetorit të lindjes së shkrimtarit tonë të shquar shënon jo vetëm një ngjarje në jetën tonë kulturore, por përbën dhe një apel për ta rinxjerrë në dritë dhe për ta vlerësuar si duhet veprën e tij më të mirë, në kushtet e reja nëpër të cilat po kalon shoqëria shqiptare.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…