Skip to main content

Tetova News

Shtegtimi krijues jetëson stinën poetike


Pëllumb Gorica boton librin me poezi, “Dallëndyshet e erës”

Pëllumb Gorica po rrugëton me sukses në artin magjik të letërsisë. Këto ditë botoi librin me poezi, “Dallëndyshet e erës”. Botim i shtëpisë botuese ADA. Libri është një metaforë e bukur krijuese, shkruar me dashuri dhe ndjenjë. Pasi ta lexosh, gjendesh i përfshirë në një ngarkesë shpirtërore ku flatërimet poetike të autorit kanë dendësi mendimi, ndjesi dhe sidomos figurshmëri, që nuk është e rëndomtë. Do më pëlqente të citoja disa fjalë për poezinë e Pëllumbit nga i njohuri, poeti Agim Bajrami: “Poezia e Pëllumbit, aq sa është e thjeshtë dhe e ngarkuar me impresione, është aq edhe e shqetësuar dhe kërkuese ndaj enigmave të jetës. Sa delikate, aq edhe e fuqishme përballë sfidave dhe dritëhijeve të realitetit….”. Pëllumb Gorica është afirmuar me paraqitjet e tij në rrjetin mediatik dhe internetik, me mendime analitike, por edhe hulumtime kulturore dhe historike. Pjesëmarrja në manifestime letrare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe si moderator veprimtarish me një sens tjetër, është për të tepër frytdhënëse. Në këto manifestime, ku marrin pjesë shkrimtarë të njohur, por edhe talente të reja me një të ardhme premtuese për letërsinë shqipe, ai ka lënë gjurmë. Pëllumbi ka fituar edhe çmime të ndryshme letrare. Më 11 shtator 2011 në manifestimin letrar “Peja Poetike”, Kosovë, fitoi çmimin e II. Revista letrare “Obelisk“ për vitin 2013 e nderoi me çmim për esenë më të bukur. Pëllumbi jeton mes pasioneve të poezisë, fotografisë, udhëtimeve në objekte arkeologjike dhe natyrën e bukur, që e kanë frymëzuar për të shkruar. Më poshtë  po botojmë disa poezi nga libri “Dallëndyshet e erës”.
RIKUJTIMET!
Ku jeni gjerdanë kujtimesh, heshtjetretura,
turbullime makbethiane si fantazma?!
Pulëbardha ëndërrimesh mërgoni të tilla,
si mushkëri të plurosura tek i ndjek pas azma.
Psherëtimë e mbetur, si rrudhë e thellë,
si një mesditë gjinkallore e gjatë,
asnjë fllad në shpirt, si bujk, s’u mbjell
në një qiell harrese të pamatë.
Pa diell janë mendja, faqebardhat, sytë,
thjesht një krijesë e pafajshme dëbore,
mugëtira pak nga pak dritën hyjnore i mbyt
e ju kujtime të hidhura rrokulliseni në hone.
YJET E QIELLIT KE FTUAR
Keidës në ditëlindje
Të gjithë yjet e qiellit sot ke ftuar
të ulen pranë nesh në një tryezë,
shtëpia prej dritash mbuluar
për t’vazhduar gjer në mëngjes.
Si bisk që çel pas dritës pranverore,
llastohesh me urime e puthje merr,
me hapa drejt një tjetër stine ëndërrore,
në ëmbëlsinë e tingujve moshën gjen.
Dritëzon në dritat e kohës së ardhme
kjo ëndërra jote si fjongo maji, vajza ime,
dhe pse fryjnë flladet e jetës në dritare,
ti dhe diellin diskzjarrtë fut në ëndërrime.
EH, FJALA…
Eh, shpirti kërkon të heshtë…
Dhe fjalët meken, bëjnë mënjanë,
mendimet s’durojnë një botë të sertë
dhe ngrenë një det me tramundanë.
Letra, m ik pa fletëpalosje, 
më fton të futem tek e panjohura,
t’i gdhend bustin kësaj bote,
si kujtesë që s’e humb koha.
THYEN ËNDËRRA
Gjakmarrje, klithmë e tendosur, 
gjakmarrje, tmerr mbi tmerr, 
me frikë gjithë vendin ke pllakosur,
çdo ditë kufoma merr!
Kur të mendoj në gjoks më mblidhet,
një lëmsh, një makth nxehtësie.
Me plagë dita ofshan dhimbjet,
nën qiej perde zije.
E harroj ditën e diellin që thërret,
vetvetja më mbyllet brenda,
me lot gjaku ngop ti vdekjet,
si xham thyen ëndërra.
Të fundmet fjalë i mbledh me duar,
por kohërat s’më përgjigjen,
kjo kohë prej krismash është shurdhuar,
qirinjtë mes erës digjen.
RE NË GORICË *
Ca re qumështore lodrojnë mbi Goricë
si hieroglife lashtësie.
Ky lloj peizazhi më gërric,
më kthen në kohëra fëmijërie.
Në vargje shkojnë si kalorës pa kthim,
vetëtimat në vegime zbardhin malet.
Era fryn e më shton vetminë,
por mua sot më shton mallet.
Dua të jem larg trishtimit të mbjellë,
se kjo ditë që erdhi me diell,
në sytë e mi sjell kaq fllad erëmirë
si një zog në qiell pranverën ndjell.
*Gorica kodër shkëmbore në krahinën e Sulovës.

NË SYTË E TU LODHJA TRETET
Ti më përcjell në rrugëtimet e mia
me sytë e thellë, kureshtarë,
në rrugëtime më çon shpesh dashuria, 
në qytetërime larë nga dielli rrezear.
Sa shpesh qëllon të të vishen sytë me mall
nga kjo mungesa ime shumë e gjatë,
një rrudhë të mblidhet përmbi ballë,
po edhe pa gjumë mbetesh ndonjë natë.
Ikjet e mia, Odise e vërtetë,
në gërmadha qytetërimesh anembanë,
kala kujtimesh më mbeten në jetë,
veç ti me mua mallet ndan.
Në sytë e tu lodhja me tretet,
tek hyn ngrohtësisht mes krahëve të mi,
tik-taku i orës habertare në çast mbetet 
e ndrin si dielli pas shiut kjo dashuri.
KALLDRËMET E GJIROKASTRËS
Rrugicat me kalldrëm të lashtë,
në dhjetëra kthesa dredhojnë,
hapat flakët nxjerrin jashtë,
anetë llafet s’i mbarojnë.
Legjendat nga gurët dalin,
Ringrenë, bëjnë historinë,
erërat vrullshëm gdhendin malin,
këngët zgjojnë pavdeksinë.
DALLËNDYSHET E ERËS
Dallëndyshet, pas shtegtimit të gjatë,
foletë i gjejnë përtokë, rrëzuar,
si ca fëmijë të zhurmshëm harrakatë,
fole të re rendin për të ndërtuar.
S’i lodh aspak furi e erës,
një tjetër fole me sqep çukisin,
përtypin thërrimet te pragu i derës,
më shumë stinës ia shtojnë gëzimin.
ME DIELLIN HUMBET NË SHTEG
Flatron me krahë zogu,
me retë nxitimthi së toku,
ti bëhesh lot shiu në vesë…
Pse s’më jep kohë as të përshëndes?!
Bëhesh gjymtyrë e Qiellit,
ndonjëherë e dashura e Diellit,
ca fjalëza më përcjell në vesh:
kode zemre midis nesh.
I sfilitur prapë të ndjek,
po ti me diellin më humb në shteg!

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…