Skip to main content

Tetova News

Sterjo Spasses i jemi të gjithë borxhlinj, mbi të gjitha qeveria



Behar Gjoka, studiuesi i letërsisë tregon për “Shekullin”, indiferencën e treguar ndaj shkrimtarit Sterjo Spasse në 100-vjetorin e tij të lindjes. Politikat kulturore dhe arsimore janë ende të munguara, duhet të çlirohen nga sugjerimet rastësore


Valeria Dedaj



Sterjo Spasses (1912-1989) dikur i thanë: Përpunoje “Pse”-në dhe ai nuk e bëri. Ndonëse sepse ishte vepra e tij më e dashur, vepra e rinisë. Por, ai mbahet mend edhe për ciklin e romaneve “Rilindësit”, si i vetmi shkrimtar që ka shkruar për këtë periudhë, në aspektin historik dhe social. Pavarësisht se as për këtë botim nuk u citua gjëkundi, gjatë kremtimit të festës kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë, që përkonte edhe me 100-vjetorin e lindjes së tij. Në muajin maj në Fier dhe në Korçë do të organizohen dy aktivitete kushtuar këtij shkrimtari.
Një ndër personat që do të referojnë është edhe studiuesi i letërsisë, Behar Gjoka. Në një intervistë për “Shekullin”, Gjoka tregon për kontributin e Spasses në letërsinë shqipe, por edhe për frymën e re që solli ky shkrimtar me romanin “Pse”. Ministria e Kulturës dhe e Arsimit për “Shekullin” tregojnë arsyet se përse nuk ka asnjë angazhim serioz për këtë shkrimtar deri më tani. 

Zoti Gjoka, në qytetin e Fierit dhe të Korçës, në fillim të muajit maj do të merrni pjesë në një konferencë kushtuar shkrimtarit Sterjo Spasse. Çfarë do të trajtoni në kumtesën tuaj?

Do të trajtoj “Pse”-në, si romanin e parë modern të letërsisë shqipe. Fillimisht do të ndalem te pjesa e përplasjes intime filozofike edhe e formës së ditarit, ku personazhet lëvizin në situata të rëndësishme, jashtë pozicioneve klasiciste, apo pozicioneve rapsodike të atëhershme. 
Do të jetë në fokus edhe një lloj përqasje, që është përmendur edhe më përpara mes “Vuajtjeve të djaloshit Verter” të Gëtes dhe romanit “Pse”, kanë një sfond të përbashkët për marrëdhënien e dashurisë. Ky do të jetë pak a shumë thelbi i kumtesës sime, që ka të bëjë me një aktivitet, që realizohet për librin në Fier. Në këtë kuadër do të ketë një konferencë kushtuar Jeronim de Radës dhe Sterjo Spasses.
Ndonëse nga ana historiografike theksohet zyrtarisht se, Sterjo Spasse ka lindur në vitin 1914, për sa i përket dorëshkrimeve aktualisht ne jemi në 102-vjetorin e lindjes së tij. Në këtë rast, mbas kufirit të 100-vjetorit të lindjes, që nuk u bë për kontributet e shumta, qoftë edhe vetëm ato të romanit “Pse”, që në ligjin e studimeve është padyshim një gur themeli për romanin shqiptar, por edhe i ligjërimit modern të këtij romani, pavarësisht heshtjes. Një heshtje që unë do të thoja se është e pajustifikuar përballë një fakti kaq domethënës.

Një heshtje e pajustifikuar... 

Rilindja kombëtare në mendjen time, si njohës i letërsisë dhe i historisë së saj, mendoj se është e përjetuar dy herë. Një herë si realitet i ëndërruar nga Jeronim de Rada dhe Naim Frashëri edhe njëherë nga Sterjo Spasse. Mjafton të kujtojmë faktin që “Zgjimi”, “Ja vdekje ja liri”, “O sot o kurrë” janë një cikël romanesh, që e rivitalizojnë esencën dhe thelbin e Rilindjes nga Sterjo Spasse. Rivitalizojnë esencën e një ëndrre shqiptare, për të gjetur veten në këto hapësira. Spassen me romanin “Pse”, e njohin të gjithë shqiptarët, sepse në të njerëzit gjejnë idealen e ripërtëritjes së këtij kombi, e ripërtëritjes dhe të qenit shqiptar. 

Mendoni se ne si shqiptarë i jemi borxhli këtij shkrimtari?

Të them të drejtën Sterjo Spasses i duhet t’i jemi borxhlinj në të gjitha kuptimet për arsyet që përmenda, por ka edhe një arsye tjetër që më shqetëson mua. Më shqetëson indiferenca që ne tregojmë. Për mua Sterjo Spasse është ura lidhëse me shqiptarët dhe me pjesën lidhëse rrotull nesh. Duke qenë me origjinë joshqiptare, duke qenë në tekstet tona një ogur në letërsinë shqiptare, pavarësisht se me rrënjë dhe me gjak i përket Maqedonisë, unë do të thoja se do të ishte një urë ndërlidhëse mes shqiptarëve. Ai ka dhënë nivelin sesi mund të integrohesh dhe të jesh pjesë e një kulture në një hapësirë tjetër. 
Në këtë kuptim do të thoja se, duke mos harruar as faktin se ai me veprat e tij u bë pjesë e realizmit socialist, sepse në fakt nuk mund të ndodhte ndryshe. Në momentin që në një hapësirë vendoset një sistem në rastin konkret sistemi i komunizmit, ai bëhet pjesë e tij. Ai u integrua dhe mbijetoi në këtë sfond, por këto dritëhije janë të pranishme te të gjithë shkrimtarët e atij sistemi. Te Sterjoja kjo gjë është e çuditshme, dritat nuk janë më hije, dhe hijet herë-herë janë të theksuara.
Nuk duhet harruar edhe një fakt tjetër se Sterjo Spasse ka qenë një nga figurat themel-hedhëse edhe në shkollën e re shqipe, në tekste, studime, në politikat arsimore etj. Natyrisht që ka një përpjekje të Universitet të Korçës për përkujtimin e kësaj figure. Në maj do të organizojë një konferencë për rolin dhe ndikimin e tij, jo vetëm në hapësirën e Korçës, por edhe në shkollimin e tij, të jetuarit në Tiranë, në pjesën e kontributeve të shumëfishta që ka pasur në Shqipëri. 

Nëse deri tani nuk ka pasur një angazhim serioz nga MK apo nga MAS, çfarë mendoni se mund ta ndryshonte këtë qëndrim në të ardhmen?

Kontributin real të secilit nuk do ta zgjidhte as viti i Jeronim de Radës, as i Sterjo Spasses, apo i kujtdo qoftë. Por problemi është se, ne vazhdojmë të jemi spontanë dhe të rastësishëm në marrëdhënie më këto figura. Kur them spontan nënkuptoj se, shteti nuk mund të jetë spontan, shteti ndërton një politikë të përcaktuar dhe duhet ta dijë se çfarë i mungon një figure, dhe çfarë duhet t’i caktojë një tjetre. Për shembull,  është caktuar viti i De Radës, shumë mirë që është caktuar. Është mrekulli fare, por këta nuk duhet të harrojnë një gjë, se Jeronim de Rada nuk ka shkruar në gjuhën standarde. Si do t’ia bëjnë me këtë, do të fillojnë të lexojnë nga përkthimet që i janë bërë në gjuhën standarde De Radës, për cilën De Radë do flasin? Për De Radën që ka shkruar në gjuhën arbëreshe?! Jemi në problematika shumë të mprehta. 
Nëse një mendje e kthjellët do të kishte futur si pjesë të këtij viti edhe Sterjo Spassen, me shumë të drejtë do të duhej të raportonin edhe se çfarë vlerash kemi nga kontributi i Sterjo Spasses? Si të tillë unë do të thoja se padyshim shkrimi në gjuhën shqipe, i një joshqiptari që e ndien veten shqiptar, shkrimi i romanit “Pse”, shenjat dhe dyshimi që ai i bën Rilindjes kombëtare do të ishin nga ato momente, që do t’i shërbenin çdo institucioni, atij arsimor dhe atij kulturor. Por mbi të gjitha unë do të thoja se, Sterjo Spasse do të ishte një shans për të ndërtuar ura komunikimi mes qytetareve të Shqipërisë, së Kosovës dhe të Maqedonisë. Nëse ne vonojmë për ta bërë të jeni të sigurt që të tjerët do ta bëjnë.
Të them një fakt, është e çuditshme, por unë dy libra i kam me sponsorizim nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë, dhe nuk i njoh kush janë. 
Është e domosdoshme edhe për një arsye tjetër sepse ne e shikojmë për nevojën e ditës, nuk mund të zëvendësohet De Rada, me Sterjo Spassen, jemi ne që zbukurojmë ditët tona, nëse marrim diçka nga hipotekat shpirtërore të tyre. Nëse De Rada bëri mrekulli, me këtë vepër të tij, mrekullia e Spasses është krejt unike, jemi te rasti që në damarët e tij nuk ka gjak shqiptar, por që vepra e tij përcjellë një ADN aq shqiptare, saqë nuk mund të di se me kë do të krahasohet.

Mendoni se ka pasur nxitim në shpalljen e aktiviteteve që mbështeten nga Ministria e Kulturës apo Arsimit?

Nxitimi për të bërë emërimin e vitit dhe nevojat që për faktorët sugjerues dhe fakultativ do të ishin më gjithë përfshirëse. Ka një moment tjetër që po mendohet që të ketë një vlerësim “Nderi i Kombit”, është një përpjekjeje nga disa njerëz që po rreken për të bërë diçka. Politikat kulturore dhe arsimore duhet të çlirohen nga sugjerimet rastësore. MK duhet të bëjë të qartë kalendarin kulturor dhe MAS kalendarin arsimor. Por për mendimin tim, nëse nuk e dinte Ministria e Kulturës, e kishte për detyrë që ta dinte e Arsimit, por nëse as e Arsimit nuk e dinte, duhet medoemos duhet ta dinte e Kulturës.

Vepra e tij, sa bashkëkohore ngelet në ditët e sotme?

Unë mendoj se me Sterjon kemi një dimension human të pranishëm në atë kohë. Të pranishëm në kohën e duhur dhe të munguar në këtë kohë, që ka shumë nevojë për të. Po ta marrim në kuptimin historik dhe letrar, Spasse është pjesë e viteve ‘30. Kujtoni për një moment atë mision edhe atë tentativë që bëri ai brez për të ndryshuar shumëçka për jetën nëpërmjet letërsisë, kulturës etj. Ai është pjesë e asaj ndodhie letrare moderne të njëkohshme. Mjeshtërisht Sterjo Spasse, duke kuptuar që bashkëkohësia do të detyronte të shkruante shumëçka për nevojat e modelit në realizmit socialist bëri një ‘ikje’ gjatë periudhës së realizmit socialist, një ‘ikje’ në të kaluarën, që është sa e zgjuar, aq edhe funksionale për kulturën. Në raport me historinë dhe me shumëçka, duke krijuar kështu një vend të pashmangshëm në kulturën dhe në letërsinë shqipe. Zhvillimi i kësaj dukurie, kuptimi i rolit dhe i misionit që ka pasur pena e tij, në kulturën shqiptare është një nga piketat, që zhvillimet letrare dhe gjuhësore duhet të ndalen. Ai ka shkruar si të kishte gjuhë mëme, gjuhën shqipe, në një moment që ka pasur gjuhë mëme një gjuhë tjetër. 

Në dorëshkrimet e tij Spasse shkruan se: “Në dejet e mia rrjedh gjak maqedonas, kurse unë i përkas intelektit shqiptar”... 

Jemi në një moment për të kuptuar se çfarë ndodh me aktin e shkrimtarit, kur ekzistencën e tij e ka në gjuhën shqipe. Shkrimtari, atdheun e krijon atje ku krijon letërsi. Prandaj me këtë konstatoj se është në fillimin e nevojës për ta vendosur në vendin që i takon si figurë, si shkrimtar, si humanist, por do të thosha edhe si një njeri që i mbijetoi shumëçkaje. Ai i mbijetoi vështirësive që hyn në sistemin e vrigullt dhe atyre të viteve ‘30. Çuditërisht shoqëria shqiptare nëse do t’i duhet të kthejë kokën duhet të ndalet tek ato vlera, që janë të rëndësishme në letërsi. 

Bio

Spasse u lind në Gollomboç të Prespës më 1912 dhe vdiq në Tiranë më 1989. Mësimet fillore i nisi greqisht në vendlindje dhe i vazhdoi shqip në Goricë të Madhe e në Korçë. Kreu Normalen e Elbasanit ku kishte profesorë Aleksandër Xhuvanin dhe Simon Shuteriqin. Studimet e larta të pedagogjisë i kreu në korrespondencë, në Firence. Botoi shkrimet e para në revistën “Normalisti”, bashkëpunoi me revistat “Zëri i Korçës”, “Abc”, “Rilindja”, “Bota e Re”, ku botonte shkrime letrare e kritike. Bashkë me Ismail Kadarenë kreu kursin e lartë të letërsisë në Bashkimin Sovjetik.
Shkroi: “Pse?” 1935, tregimet “Kurorë rinie” 1938, romanet “Afërdita” 1944,  “Ata nuk ishin vetëm” 1952, “Afërdita përsëri në fshat” 1954, “Buzë liqenit” 1965, “Zjarre” 1972, “Zgjimi” (1973), “Pishtarë” (1975), “Ja vdekje ja liri” (1978) dhe “Kryengritësit” (1983) etj.

Ministria e Kulturës 

Pas kontaktimit të “Shekullit” me Gentian Çoçolin, Drejtor i Fjalës së Shkruar dhe Përkthimit, se përse në kalendarin e aktiviteteve kulturore, nuk është përcaktuar asnjë aktivitet kushtuar shkrimtarit Sterjo Spasse, pavarësisht faktit se në muajin nëntor në MK është drejtuar një letër e firmosur prej shkrimtarëve për nderimin e tij.  
“Ministria e Kulturës për realizimin kalendarit të aktiviteteve kulturore, ka ndjekur procedurën nëpërmjet aplikimit online në shkurt. Ky aplikim bëhet dy herë në vit, kjo herë ka kaluar, prandaj mund ta bëjnë edhe një herë në maj. Mesa kujtoj unë, aplikimi për shkrimtarin Sterjo Spasse është bërë në nëntor, prandaj ne nuk kemi përcaktuar asnjë datë kushtuar këtij personaliteti. Për sa i përket dekorimit të tij, procedurë që i përket Presidentit, kemi dërguar çdo gjë atje ku duhet dhe jemi në pritje”. 

Ministria e Arsimit 

Gjergj Hamiti, zëdhënës për shtyp, i Ministrisë së Arsimit, në një bisedë për “Shekullin”, u shpreh se Ministria e Kulturës dhe e Arsimit aktualisht janë duke biseduar për të pasur një agjendë konkrete, për sa i përket nderimit të shkrimtarit Sterjo Spasse. “ Nuk mund të jap një datë fikse, por duke shqyrtuar listën e të gjithë intelektualëve që kanë firmosur për nderimin e Sterjo Spasses, ne e konsiderojmë të arsyeshme që ta realizojmë diçka në nderimin e tij. Ndoshta nga korriku, sepse atëherë ka datëlindjen”. 

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…