Skip to main content

Tetova News

Tërbimi i ‘Pashallarëve të kuq’ dhe reagimi i Kadaresë




Sot gazeta ‘DITA’ po boton versionin origjinal të poezisë së Ismail Kadaresë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh’. As që e vë në dyshim se vetë shkrimtari do të trishtohet nga ky botim, i cili desh i hëngri kokën dhe i ka sjellë aq shumë andralla për 40 vjet me radhë. Por, për të qenë transparent me lexuesit ne nuk mund të mos e botonim atë. Për më tepër, se sa serioze ka qenë situata në atë kohë dhe se sa i rrezikuar ka qenë shkrimtari më i njohur i vendit, lexoni letrën    që Kryeministri i asaj kohë, Mehmet Shehu, i drejtonte Enver Hoxhës.

1. Konteksti
Në biseda dhe intervista të shumta Ismail Kadare ka folur për aspekte të kësaj vjershe (Pashallarët e kuq). Dhe një nga pyetjet e vetvetishme që bëhet është: Përse u tërbua diktatura kundër kësaj vjershe? Interpretimet janë të ndryshme. Shpifësit në shërbim të Sigurimit, duke përfshirë dhe  S. Hamitin, e shpjegojnë shkakun si një zemërim të diktatorit nga që u lavdërua tepër!! Me fjalë të tjera: Ky diktatori ynë ishte kaq shpirtnjeriu e kaq i drejtë, sa që zemërohej po ta lavdëroje!!? Mirëpo, në të vërtetë, gjë që është më tepër e besueshme, shkaku i vërtetë i tërbim-zemërimit, sipas Kasdaresë, ishte pjesa ku flitej për “duart e përgjakura të zyrtarëve ”, (burokratëve). Në qoftë se ka diçka që një regjim tiranik nuk duron, është pikërisht gjaku që ka derdhur, pra “duart e lyera me gjak’. Ju lutem, lexojeni me vëmendje poezinë. Ajo fillon me një polemikë se çfarë janë burokratët në socializëm. Kadare shkruan haptaz se burokratët shqiptarë nuk janë aspak ca bablokë me shkresa dhe telefona, siç përshkruhen, por tjetër gjë:
“Mjaft me këtë qeshje dashamirëse,
Burokratët janë tetër gjë!”
Dhe autori shton:
“Ndryshe krejt, me duart e përgjakura
Gjer në bërryl, unë ata i shoh!”
Pa asnjë dyshim, ajo që ka shqetësuar më shumë se gjithë poezia, ishte pikërisht kjo: përmendja e duarve të përgjakura. Kjo ishte një blasfemi e vërtetë. Vetë autori Ismail Kadare sjell në kujtesë fillimin e mbledhjes tek Ramiz Alia kur ky i drejtohet me fjalët:  “Shoku Kadare, ata burokratët që flet ti janë zyrtarët e Partisë. Midis tyre jam edhe unë. Sipas teje, unë i kam duart me gjak?”
Pinjollëve  të nomenklaturës iu interesonte të fshihnin njollat e gjakut. Dhe ata gjer më sot e vazhdojnë një të tillë mashtrim. Më e turpshme është se në këtë vorbull përfshihet dhe një studiues i letërsisë si Sabri Hamiti, i cili vijon të mashtrojë në të njëjtën linjë.

2. Autokritika
Mirëpo, Ismail Kadareja ka bërë autokritikë për këtë poezi. Si ta shpjegojmë këtë fakt, pyet shumëkush. Fare e thjeshtë, zotërinj. Vendosoni në kohën kur u shkrua ajo poezi dhe do t’u shkojnë mornica në trup. Mua nuk më habit fare autokritika që ka bërë shkrimtari, më tepër më tmerron guximi për shkrimin e kësaj poezie. Sepse ai e njihte mbase më mirë se askush regjimin dhe demonët që kishte përballë. Kadare ka folur për autokritikën e tij, sidomos në bisedën me Stephane Courtois, autorin e “Libri i zi i komunizmit”.
Autokritika e Kadaresë është tepër e ashpër kundër vetes. Ai pranon se ka shkruar një vepër kundër Partisë,  regjimit dhe shtetit. (“Ka kthyer armën kundër Partisë!” etj). Pra del hapur kundër diktaturës së proletariatit. Ka dhënë shpjegimin e habitshëm se “ata” kishin të drejtë.  Mendja e tyre kështu ishte ndërtuar, ta quanin armik. Dhe e pranon. E vetmja gjë që nuk pranon është se vjershën e ka bërë me qëllim për të shkaktuar kryengritje. Përpara studiuesit francez, ai pranon se ka qenë i sinqertë edhe në këtë pikë: nuk ka menduar asnjëherë se kryengritja do të ishte e dobishme në Shqipëri.

3. Keqinterpretimi
Interpretimi i gabuar i poezisë është një gabimet më të mëdha që është bërë në këtë rast. Ky shtrembërim është një nga shpifjet më të rënda kundër shkrimtarit. Ajo tregon se Sigurimi famëkeq shqiptar vazhdon të jetë në psiqikën e njerëzve tnë Shqipëri dhe në Kosovë.
Letra e Dhora Lekësnuk lë asnjë dyshim për keqinterpretim.l Ajo thotë, e zeza mbi të bardhë, se Sigurimi shqiptar përgatiti kurthin për të futur në burg Ismail Kadarenë më 1967.

4. Faza post-autokritikës
Mund të pyetet: A e ka thyer shkrimtarin kritika e vitit 1975? Përgjigjja kërkohet në veprën e mëtejshme të tij. Pas rrebeshit të tmerrshëm, vepra e tij dëshmon se ai nuk ka ndryshuar. Ai ka shkruar “Pallatin e ëndrrave”, veprën më antidiktatoriale të tij. “Qorrfermanin” të ngjashëm me të. Romanin “Koncert në fund të dimrit” ku rikthehet tek “duart e përgjakura”, tek krimet! Nervozizmi i përtërirë kundër Kadaresë ka lidhje vetëm me ato (pra me krimet). Është e çuditshme, por sa herë që Kadare flet për sqarimin e tyre, një armatë e tërë ngrihet kundër tij. Edhe sot e kësaj dite.
* * *
Letra e Mehmet Shehut për Enver Hoxhën

Ismaili ka gabuar, por… ta ndihmojmë të korrigjohet
Shoku Enver
E lexova me vëmendje poemën e Ismail Kadaresë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”. Jam dakord me konkluzionet tuaja. Ai, këtu, sipas mendimit tim, gabon veçanërisht në këto çështje:
1-Të gjithë burokratët, meqenëse janë bartës të burokratizmit që është shfaqje konkrete e ideologjisë armike, i quan armiq, dhe nuk ndan ideologjinë armike nga bartësit e kësaj ideologjie në këtë rast, të cilët me ndonjë përjashtim janë jo armiq, por njerëzit tanë të ndreqshëm.
2-E përgjithëson dhe e absolutizon shfaqjen e burokratizmit, saqë krijon jo vetëm përshtypjen por edhe arrin në konkluzionin se këtu te ne sundonin (në mos sundojnë akoma) deri dje vetëm burokratët dhe këta i kanë duart të lyera me gjak gjer në bërryla, prandaj duhet të ngrihet klasa punëtore të turret mbi ministritë për kontroll që të mos i marrin ministritë me topa nesër! Deri këtu ka arritur alarmi i autorit.
3-Pashallarët e kuq dhe bejlerët me tesera partie duket që janë Beqir Balluku e banda e tij. Po këtu, në vjershë, duket sikur te ne ka mbaruar çdo gjë (ose gati mbaroi çdo gjë) dhe nuk i ndan autori njerëzit me shfaqje të burokratizmit nga banda tradhtare e Beqir Ballukut, por të gjithë i konsideron njësoj, armiq, që duhen përmbysur.
4-Konkluzioni tjetër i poetit është që “në kufi ka qetësi” prandaj o burra t’u vërsulemi burokratëve, të cilët janë të gjithë pashallarë të kuq, bejlerë me tesera partie, këtu brenda duhet të ndizet lufta për përmbysjen e burokratëve nëpër ministri, deri në Komitetin Qendror, se “nga jashtë nuk na nget njeri”.
5-Në qoftë se “çatinë” e një shtëpie quajmë superstrukturën dhe “themel” ekonominë, autori na këshillon që të mos e ngasim “çatinë” se andej nuk na vjen e keqja, por të ruajmë “themelin”. Kjo të devijon rëndë nga marksizmi, sepse, siç dihet, si degjenerimi i superstrukturës, ashtu edhe degjenerimi i ekonomisë të çojnë në katastrofë. Por, në qoftë se autori me fjalën “çati” quan udhëheqjen dhe me fjalën “themel” quan masën, atëherë kjo mund të merret edhe si thirrje për “të lëvizur gurët e themelit” se që andej vjen shembja e gjithë ndërtesës (rendit) etj.
Nga do ta kthesh, Ismaili ka gabuar. Po unë mendoj se duhet të luftojmë akoma, përsëri e përsëri, për ta shpëtuar Ismail Kadarenë, se mendoj se mund të shpëtohet. Rrënja e gabimeve të tij këtu qëndron në mosnjohjen nga ana e tij të bazave të ideologjisë të marksizëm-leninizmit, të vijës së partisë sonë, të luftës së klasave e ligjeve të saj, veçanërisht nuk njeh praktikën e luftës së klasave gjigandeske e të pashembullt që ka bërë e bën partia. Mund edhe të gaboj kur them se Ismail Kadareja mund të shërohet, por unë e kam akoma këtë bindje, sepse Ismaili i ka kënduar partisë, luftës nacionalçlirimtare, popullit jo një herë dhe ka bërë vepra të mëdha në këto drejtime. Poema e tij “Përse mendohen këto male” është me partishmëri të lartë. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Qyteti i gurtë” janë nga romanet më të mirë si nga përmbajtja ashtu edhe nga ana artistike. “Dimri i vetmisë së madhe” me gjithë boshllëqet ideologjike, është një vepër e madhe që ngre shumë lart luftën e partisë kundër revizionizmit dhe është e vetmja vepër ku portretizohet si duhet, me baza marksiste, udhëheqësi i partisë dhe i popullit. Dhe, me sa di unë, Ismaili e ka ripunuar këtë roman për të ndrequr gabimet e bëra. Edhe me mua ka biseduar për këtë dhe ka bërë autokritikë. Romanin “Dasma” ai e ka dënuar vetë si dështim, etj. Për nga origjina, Ismailin nuk e lidh gjë me armikun.
Ai, ndoshta ka dashur të fusë në vjershë luftën kundër grupit të komplotistëve dhe kundër burokratizmit. Por në këtë orvatje dështoi. Shpresoj se po të bisedohet shtruar me të, do t’i kuptojë gabimet e rënda.
Për sa i përket konkluzionit që kanë edhe shkrimtarët e tjerë më të mirë në lidhje me luftën e klasave, luftën kundër burokratizmit, etj., mjafton të përmendim dy vepra të gabuara, për mendimin tim, të Dritëro Agollit: A/Romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, ku absolutizohet burokratizmi, ku del se rendi ynë është kalbur me burokratë të pandreqshëm si Zylua, etj. B/Drama “Fytyra e dytë”, në fillim ishte një dramë që e nxinte situatën e rendit tonë sepse këtu sundonin burokratët. Pastaj, pas disa kritikave shumë të zbehta, e ndreqi këtë dramë gjer në një farë mase. Kjo dramë ka 7-8 vjet që jepet. Po romani për burokratin Zylo është në qarkullim. Dhe megjithatë, më vonë, siç dihet, Dritëroi shkroi poemën e mrekullueshme “Nëna Shqipëri”.
Ju e dini vetë më mirë se puna me shkrimtarët është delikate, ata duhen edukuar vazhdimisht. Dhe vetëm kur kalojnë krejtësisht në anën e kundërt, ndonjëri, si për shembull Fadil Paçrami, duhen flakur e dënuar. Mendoj se Ismaili nuk ka shkuar deri në atë shkallë. Këta njerëz ne duhet t’i ndihmojmë duke u vënë në dukje gabimet e të metat, t’i edukojmë e të përpiqemi t’i shpëtojmë deri në fund. Pastaj, po e kaluan barrikadën për matanë, në qafë paçin veten!
Kështu mendoj unë. Por mund edhe të gaboj në mendimin tim. Sidoqoftë, unë jam dakord si të vendosni ju.
Mehmet Shehu
20. 10. 1975


Ismail Kadare
Në mesditë Byroja Politike u mblodh

1.
Në mesditë Byroja Politike u mblodh:
Vallë ç’ka ndodhur në kufijtë veriorë?
Në kufijtë e jugut, vallë, ç’ndodh?
Qielli është me re dhe dimri sjell borë.

Mos po lëvizin klasat e përmbysura?
Mos ka katastrofë në prodhim?
Vallë ambasadorët mos kanë nisur
Radiograme plot shqetësim?

Jo, kufijtë e shtetit janë të qetë,
Nga ambasadat lajme me alarm s’ka;
Dhe nën diktaturë të proletariatit
Dimërojnë kokulur ish-klasat e mëdha.

Dhe prodhimi është normal, dhe ditët
Rrjedhin të zakonshme në dhjetor…
Po aherë pse kështu papritur
Në mesditë Byroja Politike u mblodh?

2.
Shtetet s’prishen kurrë nga çatitë,
Shumë- shumë mund të pikojnë diku.
Nga themelet prishen – këtij ligji
Shteti socialist i bindet gjithashtu.

Mund që lart çdo gjë të duket bukur,
Gara socialiste, merrja këngës! Haj!
Dhe pankartat, dhe heronjtë e punës,
Në gazetë lokale më një maj!

Telegrame urimi, diell i ndritur,
Në mitingje vjersha letrarësh të rinj;
Kurse poshtë, pikërisht në themelitë,
Rritet ngadalë tumor i zi.

Për armiqtë kemi topat, himnet, vallet,
Ambasadat, që rrëfejnë diçka për ta.
Për burokratizmin, ç’kemi vallë?
Topat s’pijnë ujë dhe konsuj atje s’ka!

3.
Midis shkresash, telefonësh, letërthithësesh,
Ata skenat mbushin gjithnjë.
Mjaft me këtë qeshje dashamirëse!
Burokratët janë tjetër gjë!

Jo me bojë pelikan përjargur,
Si tuafë të këndshëm: ho-ho-ho!
Por të kobshëm, me duar të përgjakura,
Gjer në bërrylë unë i shoh ata.

I shoh atje thellë tek rrëmojnë,
Në themelet e revolucionit pikërisht.
Ç’bëjnë ashtu, pse trupat e dëshmorëve,
Kthejnë majtas, djathtas dhe përmbys?!

Pa shiko, trupat sikur i lajnë,
Në themelet gjakun duan të fshijnë shpejt;
Dhe pas gjakut, amanetet që ata lanë,
Idealet dhe parimet krejt!

Dhe vulën e gjakut pasi ta zhdukin,
Oh, e dinë se lehtë është pastaj,
Të ndryshojnë revolucionin, diktaturën
E punëtorëve – thelbin e saj!

Ja, kështu, atje në gjunje të ulur,
Lajnë e shplajnë gjakun pa pushim.
Por ç’patën papritur, pse u ndalën,
Tek një yrt i shkretë, tek një djerrinë?

Këtu janë varrosur të përmbysurit,
Pashallarë, bejlerë, familje të mëdha.
Ata sulen, trupat kthejnë përmbys e nisin
Qe t’i veshin me një vrull hata!

4.
Dhe mëngjesi erdh. Të zbehtë, të ngrirë,
Nën mantelet me nishane e kurorë
Ata shkojnë në zyra, ministrira,
Madje ngjiten gjer në Komitet Qendror.

Pashallarë të kuq, bejlerë me tesera partie,
Baronë-sekretarë, bosë të naftës varg,
Në kortezh të zymte, nën himne liturgjie,
Çojnë tabutin e revolucionit për në varr.

5.
Kurse pamja e jashtme është ndryshe:
Buzëqeshje, tundje grushti në miting,
Thjeshtësi te xha Kamberi, tek iks gjyshe,
Dhe fjalët “Enver, Parti, autokritikë”.

Kështu ishte ditën, kurse natën,
Zbrisnin në themel ata sërish,
Por revolucioni s’ish kala e Rozafatit,
Që duronte: diten ngre e ngre e natën prish.

6.
Enver Hoxha, syri i tij i mprehtë,
Ishte i pari që dyshoi për ta.
Dhe aherë në themelet e shtetit
Zbriti, si në baladat e mëdha.

Një pishtar të kuq mbante në dorë,
Dheu dridhej: flaka mbi ta ra!
Dhe i pa tek prishnin gjakun e dëshmorëve,
Tek ndanin mantelet seç i pa!

“Ja ku qenkeni!”- ata u ngrinë:
“Oh, shoku Enver, hm, rroftë, oj!”
Po ai, i mvrejtur, me dhimbjen në çdo thinjë
Si një mal me dimër bubulloi.

Krisht ai nuk ishte që t’i dëbonte,
Nga pushteti me kamzhik dhe stap,
Ai klasën ngriti të punëtorëve,
Për ta bërë burokratizmin zap.

7.
Si dikur patrullat partizane,
Shtegtojnë ekipet e kontrollit punëtor,
Që të mos i marrim ministritë me topa
Nesër. Sot i marrim me kontroll.

Diktaturë e klasës s’është veç në vjersha,
Dhe në ditëlindjen e veteranit tornitor.
Je për socializëm? Vrapo në rrjeshta!
Shpall kudo dhe mbi këdo kontroll punëtor!

Bjeri ditë e natë burokratizmit,
Klasën që u përmbys nën këmbë e mbaj!
Nëse s’do që nesër skuadër e pushkatimit
Të të vejë në mur tek bulevard i madh!

8.

Ditët ikin. Vorbullat e ngjarjeve,
Nëpër stinë e vite shtjellin furi.
Vijnë plenumet e partisë posi ushtarët
E revolucionit në stuhi!

Ecën klasa pas Partisë në ditë epike,
Populli pas klasës derdhet oqean.
Dhe n’u mbledhtë prapë Byroja Politike,
Mesditë a mesnatë, aty gjithë janë.

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…