Skip to main content

Tetova News

Amik Kasoruho iku, pas tij mbeti heshtja



Nga Aida Tuci
Nuk dihet çfarë mund ta ketë tronditur përkthyesin dhe shkrimtarin të premten e 28 marsit kur është ulur dhe ka shkruar këto radhë, ndoshta të fundmet shkruar prej tij: “Po më lodh sherri, njëanshmëria, shpirtligësia, lehtësia me të cilën harrojmë të mirën, mirënjohjen, faktin që i kapërcejmë pa të keq caqet e mirësjelljes. Ka shumë ligësi që do të doja të mbrapseshin nga dëshira për të bërë mirë, për të qenë të mirë, më njerëzorë, më tolerantë. Ndoshta kërkoj shumë” 

Amik Kasoruho iku qetësisht në udhëtimin e fundit, në rrugën që e shpie në varret e prindërve të tij në Durrës. Do të prehet përgjithmonë pranë tyre. Ishte 82-vjeç. Një ndalesë e vogël në Kishën e Shën Luçisë, ku do të kremtohet edhe mesha e përcjelljes së përkthyesit nga familjarët; djali, vajza dhe bashkëshortja e tij. Përkthyesi, shkrimtari dhe publicisti iku në një ditë plot angazhime për politikën që turret të nderojë dëshmorët e saj.
Iku pa bujë, pa ceremoni, pa fjalë, ashtu qetësisht pa ngritur zërin. “Faleminderit, më fal që po të mundoj.”- ishin fjalët e fundit që i tha mjekut. Pastaj nuk foli më.
Në shtëpinë e tij në Tiranë ku jetonte prej vitesh me qira, dorëshkrimet kanë mbetur  mbi tavolinën e punës. Janë 41 poezi të pabotuara, kujtime dhe përsiatje mbi fenomene të ditës apo ngjarje që tronditnin përditshmërinë e tij. Nuk dihet çfarë mund ta ketë tronditur përkthyesin dhe shkrimtarin të premten e 28 marsit kur është ulur dhe ka shkruar këto radhë, ndoshta të fundmet shkruar prej tij: “Seç kam një dëshirë të shkruaj diçka, t’i shkruaj dikujt. Diçka që të më shkundte nga njëfarë apatie. Nuk di çfarë mund të shkruaj dhe as kujt. Nesër ndryshon ora. Do të doja të ndryshonin edhe gjëra të tjera. Shumë të tjera. Po më lodh sherri, njëanshmëria, shpirtligësia, lehtësia me të cilën harrojmë të mirën, mirënjohjen, faktin që i kapërcejmë patëkeq caqet e mirësjelljes. Ka shumë ligësi që do të doja të mbrapseshin nga dëshira për të bërë mirë, për të qenë të mirë, më njerëzorë, më tolerantë. Ndoshta kërkoj shumë. Nuk ua kërkoj këtë gjë të tjerëve. Ky është një shndërrim që duhet të niset e të përfundojë së pari te vetvetja. Është e vështirë. Është e vështirë sepse, në fund të fundit, na kushtëzon jeta rreth nesh. Që të ndryshojë kjo njëmendje duhet të ndryshojmë ne vetë në radhë të parë. Dhe nuk është e lehtë. Nuk mjaftoka të duash të jetosh në harmoni mes njerëzve. U dashka të heshtësh para gënjeshtrës, të mbyllësh sytë para vrazhdësisë dhe të mjaftohesh vetëm duke simpatizuar atë që vuan, pa qenë i zoti t’i dalësh krah, sepse nuk ke guxim ose sepse qenka më e fortë ndjenja e ruajtjes së vetvetes sesa ajo e solidaritetit. Edhe ata që nuk e kanë pësuar mujshinë e më të fortit, them se nuk e kanë të vështirë ta kuptojnë këtë. Nuk them ta ndiejnë, por ta kuptojnë se është kështu në shumë raste. Nuk ka pse të ndihemi heronj në jetë, mjafton të jemi njerëz. Që mendojmë dhe që ndiejmë. Si e ka dhënë Zoti. Mjafton kaq.”
Punoi deri ditët e fundit. Sapo kishte mbyllur edhe përkthimin e romanit “Tregtarët e ëndrrave” të Harold Robbins. “Po e përkthej për kënaqësinë time”. Kasoruho përgjigjej kësisoj sa herë që e pyesnin se çfarë kishte në duar. Ai gdhihej dhe ngrysej duke punuar. Autori Harold Robbins me “Mos dashuro kurrë një të huaj” është i pari që i hapi udhë përkthimit. Ai është përkthyesi i sagës së Hary Potter-it, “Tregime dhe novela” të Luigi Pirandello-s, “Katër bijtë e Evës” të Vinsent Blasko Ibanjez, “Damka e turpit” të Nathianiel Hawthorne, “Paula” dhe “Eva Luna rrëfen” të Isabel Allende.
Vitet e fundit solli për lexuesit autorë dhe libra të munguar në shqip si: “Lartësitë e stuhishme” të Emily Bronte “Revolta e Atlasit” dhe “Burimi i jetës” të Ayn Rand, dhe së fundmi “Rebeka” të Daphne du Maurier.
Në sirtar prej kohësh “flinin” dhe pesë drama të Pirandello-s dhe kushedi sa do të rrinin aty, sikur të mos shfaqte interes për botimin e tyre në shqip një shtëpi botuese italiane. “Më vjen keq që dramat e Pirandello-s nuk i ka pranuar asnjë shtëpi botuese për t’i publikuar, duke u nisur nga mendimi se “drama nuk e tërheq lexuesin”. Për mendimin tim, janë të mrekullueshme”. Kasoruho gjithmonë përkthente çfarë i pëlqente.
Nga fushat e tij të shumta të veprimit përveç përkthimit vend të rëndësishëm zë dhe krijimtaria. Publicistika e jetës së tij është përmbledhur në librin “Pa mëri”. Në Itali ka botuar librat: “Një ankth gjysmëshekullor”, “Çmimi i një ëndrre” (dy libra që janë përmbledhur në një me titull “Shqipëria, ankthi dhe ëndrra” nga botimet UET-Press), “Mes burgut dhe Zotit”, “Fluturimi i gjatë i një ore”. Në 2009-ën botoi “Ikje nga trilli i perëndive”, një roman mbi peshën e fatit të një njeriu, të cilin e burgosin në moshën 17-vjeçare, duke i mohuar rininë pas arrestimit dhe pushkatimit të të atit dhe internimit të familjes. Ky roman edhe pse vjen si ‘trill’ letrar, është në të vërtetë saga e vuajtjeve të vetë shkrimtarit.
Amik Kasoruho iku, pas tij mbeti heshtja.

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…