Skip to main content

Tetova News

Hakëlberri, djali “i keq” i Mark Tueinit




Hakëlberri Fin konsiderohet një prej romaneve më të mëdhenj amerikanë të të gjithë kohërave. Por ashtu si protagonisti, edhe libri ka qenë shpesh herë në telashe
Suzanne Bilyeu
Në mars të vitit 1885, komiteti i Librarisë në Konkord, Masacusets mori një vendim: libri i ri i Mark Tueinit – “Aventurat e Hakëlberri Finit” – do të ndalohej dhe nuk do të ofrohej në librarinë publike të qytetit. Komiteti kish mbetur i tronditur nga përdorimi që autori i kish bërë gramatikës së keqe dhe gjuhës së ashpër. Një prej pjesëtarëve tha se “i gjithë libri i përket një klase që është më dobiprurës për lagjet e varfëra se sa për njerëzit e respektueshëm, dhe është për t’u hedhur në kosh të plehërave”.
Ndalimi i librit në librari bëri bujë, por Tueini ishte i kënaqur nga gjithë kjo zhurmë. Në fund të fundit, ishte reklamë falas. Në një letër drejtuar partnerit të tij të biznesit, shkrimtari 49-vjeçar shkruante se libraria e Konkordit i kishte dhënë romanit të tij më të fundit “një fryrje të tillë të jashtëzakonshme, saqë do të zerë vend në cdo gazetë të vendit… Kjo me siguri do të na shesë 25 mijë kopje”.
Libri vazhdon të shesë – më shumë se 20 milionë kopje në gjithë botën deri sot – si dhe të prodhojë polemika. Shumë studiues e konsiderojnë një klasik të letërsisë amerikane. Por ai ka qenë gjithashtu një prej librave më të ndaluar në SHBA, me disa kritikë që e konsiderojnë përshkrimin e Xhimit, skllavit të Misurit që miqësohet me Hakun, si racist.
Vetë Tueini duhet të ketë parashikuar një pjesë të debatit. Në paragrafin e fundit të romanit, Hakëlberri Fini thotë: “Po ta kisha ditur se cfarë telashi ke kur bën një libër, as do ta kisha kapur me dorë”. Dhe Mark Tueini kishte përfshirë një paralajmërim dinak në parathënien e librit: “Personat që përpiqen të gjejnë një motiv në këtë narrativë do të ndiqen penalisht; personat që përpiqen që të gjejnë një moral tek ai do të syrgjynosen; personat që përpiqen të gjejnë një fabul tek ai do të pushkatohen”.
“Mark Tuein” ishte në fakt emri i artit i Samuel Langhorne Clemens, i cili kish lindur në qytetin e Floridës, Misuri në vitin 1835. Që i vogël, Tueini vizitonte shpesh kabinat e skllevërve në fermën e familjes së tij. Ai mrekullohej nga historitë që dëgjonte prej një skllavi të quajtur Dan, i cili mendohet të ketë qenë modeli për personazhin e Xhimit. (Dain ishte liruar nga babai i Tueinit në vitin 1855).
Në vitin 1839, duke kërkuar shanse të reja për biznes, babai i Tueinit u zhvendos bashkë me familjen në Hanibal, Misuri, një qytet port në Lumin Misisipi, aty ku Tueini kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë. Misisipi, me avulloret e tij përshkruhet në disa prej romaneve më të mirë të Mark Tueinit, duke përfshirë Hakëlberri Finin. Dhe vetë emri i artit i shkrimtarit vjen pikërisht nga gjuha e rrugës e përdorur në këto anije: marinarët thërrisnin “mark tuein” kur donin të thoshin që thellësia e ujit ishte e mjaftueshme për anijen që të lundronte me siguri.
Famë
Në kohën kur nisi të shkruajë Hakëlberri Finin në vitin 1876, ai kishte qenë një tipograf, gazetar si dhe drejtues i nje avulloreje në Misisipi. Librat, dramat dhe leksionet e kishin bërë shumë popullor në Amerikë dhe në Europë. Në një kohë kur nuk kishte radio, filma dhe televizion, ai ishte shndërruar në një hero të kulturës pop dhe ishte ndër të parët njerëz vërtetë të famshëm të Amerikës, duke huazuar emrin e tij për produkte si purot dhe stilolapsat.
Gjatë viteve kur Tueini shkruante dhe jepte leksione, letërsia amerikane ishte në tranzicion. Ajo ishte influencuar për një kohë të gjatë nga shkrimtarët britanikë, dhe romanet kishin për qëllim të ngrinin shpirtërisht dhe të frymëzonin lexuesin. Shkrimtarë amerikanë si James Fenimore Cooper dhe Herman Melville rrëfenin aventura në të cilat personazhet niseshin në kërkime heroikë.
Tueini ishte pjesë e një brezi të ri shkrimtarësh “realistë”. Shumica e personazheve të tij jetonin në qytete të vegjël; ata flisnin në mënyrë të njëjtë me njerëzit realë – me aksente të rajoneve dhe duke përdorur gjuhën e rrugës – dhe sjellja e tyre reflektonte mangësitë njerëzore, si fanatizmi dhe makutëria.
Por ajo që e dallon Hakëlberri Finin nga letërsia e mëhershme amerikane është se “Tueini e lë Hakun që ta rrëfejë vetë historinë”, thotë Stivën Reilton, profesor i gjuhës angleze në Universitetin e Virxhinias. “Shumica e veprave të mëhershme të letërsisë amerikane përdorin një zë rrëfyesi që e ka kryesisht burimin prej letërsisë britanike, por përderisa Hak nuk i njeh ata libra, gjuha e tij është një kontakt i menjëhershëm me mjedisin amerikan që ai vetë përshkruan”.
Tueini kish patur si qëllim që ta bënte Hakëlberri Finin një vazhdim të Aventurave të Tom Sojerit, një rrëfim për djaloshë, i botuar në vitin 1876. Por ai kish probleme me fillimin e historisë së Hak dhe e la atë mënjanë për disa kohë. Ai i shkruajti një miku të tij se “mua më pëlqen jashtëzakonisht shumë, dhe mundet që ta lë diku në një sirtar apo edhe ta djeg dorëshkrimin sapo të kem mbaruar”.
Në kohën kur Tueini e përfundoi tetë vite më vonë, Hakëlberri Fin ishte tashmë dicka shumë më komplekse se sa thjeshtë historia e aventurës së një djaloshi. Me ngjarjet që zhvilloheshin në Lumin Misisipi, aty ku ishte rritur vetë Tueini, ato rrëfehen me dialekt rajonal nga Haku, një djalosh në fillim të adoleshencës (Haku, që fillimisht shfaqet tek Tom Sojeri, bazohej tek Tom Blenkënship, një shok i fëmijërisë i Tueinit).
Pasi i shpëton babait të tij pijanec, Haku takohet me Xhimin, një skllav në arrati. Pavarësisht ndjenjave të përziera që ka në lidhje me faktin që i duhet të ndihmojë një skllav që të arratiset, ai i bashkohet Xhimit në një udhëtim me trap teposhtë lumit Misisipi. Hakëlberri Fini është fare mirë dhe një histori e një njeriu në zhvillim: përmes Xhimit, Haku mëson për dinjitetin e jetës njerëzore.
Ashpërsi dhe shije e keqe
“Hakëlberr Fin” e bëri debutimin në Kanada dhe Britaninë e madhe dy muaj më herët se sa në SHBA. (Botimi amerikan u pezullua kur tipografët zbuluan se një rrengaxhi kishte dëmtuar një ilustrim duke vendosur në vend të tij një vizatim të turpshëm).
Libri u botua në SHBA në shkurt 1885. Komentet e parë kundërshtonin kryesisht atë që një kritik e quajti “ashpërsi dhe shije të keqe”. Të tjerë mendonin se Hak Fini, një djalë që shante gjithë ditën dhe që kish lënë shkollën, ishte një shembull i keq për lexuesit e rinj. Por libri pati shitje të mira, pavarësisht (apo ndoshta për shkak të) komenteve negativë.
U desh të kalojë pak kohë përpara se të vlerësohej në tërësinë e vet vlera e “Hakëlberri Finit”. Por deri në mesin e shekullit 20, shumë studiues të njohur pohuan se bëhej fjalë për një kryevepër të jashtëzakonshme. Në vitin 1935, Ernest Heminguei shkruante se “e gjithë letërsia moderne amerikane buron prej Hakëlberri Finit”. Romani është lexuar tashmë nga miliona njerëz në të gjithë botën dhe është përkthyer në më shumë se 60 gjuhë. Por debati nuk është zhdukur asnjëherë.
Me forcimin e lëvizjes së të drejtave civile në fundin e viteve pesëdhjetë, shumë zezakë nisën të shfaqin mosaprovimin e tyre ndaj Hakëlberri Finit, sidomos kur u fol për mësimin e tij në shkolla publike. Në vitin 1957, duke shfaqur ankesë për përdorimin e epiteteve racorë nga Mark Tueini kundrejt Xhimit, NAACP e dënoi librin si racist.
Që atëherë, romani nuk është lejuar në shumë klasa dhe librari nëpër Shtetet e Bashkuara. Në vitin 2007, Hakëlberri Fini zinte vendin e pestë në listën e Shoqatës së Librarive Amerikane, si libri më i diskutuar.
Xhon Uollas, një mësues me ngjyrë e ka quajtur librin “shembullin më grotesk të gjepurave raciste që janë shkruajtur ndonjëherë”. Në vitin 1982, ai u përpoq që të heqë Hakëlberri Finin nga kurikula e shkollës Mark Tuein në Virxhinia. Uollas bëri gjithashtu fushatë për ta ndaluar librin në shkolla të tjera dhe botoi një version të tij ku kishte hequr epitetet racorë.
Por mbështetësit e Hak Finit këmbëngulin se ai është thellësisht antiracist – që Xhimi është figura më fisnike në libër. Net Hentof, një komentator dhe aktivist për fjalën e lirë, e ka mbrojtur Hak Finin, jo vetëm në shkrimet e tij, por edhe në debate publikë me Uollasin. Hentof këmnbëngul se mbajtja e librit larg shkollave u shkakton probleme studentëve.
“Shikojeni atë Hak Finin”, shkruante ai në vitin 1982, “i rritur mes racizmit, ashtu si të gjithë fëmijët e tjerë të bardhë në qytetin e tij. Dhe më pas, në lumë, në trap me Xhimin, duke u zhveshur nga gjithë ajo injorancë, sepse skllavi në arrati është burri më i ndershëm, i kuptueshëm dhe largpamës që ai ka njohur ndonjëherë. Çfarë libri për fëmijët – të gjithë fëmijët!”
Romani pasqyron gjithashtu, idealin e Tueinit për bashkësinë e harmonishme: Tek e fundit, ajo që duan njerëzit e hipur në një trap, është të jenë të gjithë të kënaqur e të sillen me drejtësi e njerëzillëk me të tjerët. Sikurse “anija Pekoud” e Melvillit , edhe trapi përmbyset, e bashkë me të edhe ajo bashkësi e veçantë. Bota e pastër dhe e thjeshtë e trapit përmbyset në fund nga përparimi – nga anija me avull – por imazhi mitik i lumit, mbetet aq i gjerë e i ndryshëm, sa edhe vetë jeta. Lindja e paqëndrueshme mes realitetit e iluzionit është tema karakteristike e Tueinit, baza e një pjese të mirë për humorin e tij. Lumi madhështor, por edhe mashtrues e vazhdimisht i ndryshëm, është gjithashtu një tipar thelbësor i peisazhit që ai rikrijon nëpërmjet imagjinatës. Në romanin “Jeta” në Misisipi, Tueini rikujton se si ushtrohej kur ishte timonier i ri në një avullore e shkruan: Shkova të punoja për të mësuar formën e lumit; por nga të gjitha objektet e rrëshqitshme e të pakapshme, të cilave jam përpjekur t’u kushtoj mendjen dhe punën e duarve të mia, mbi të gjitha ishte ai. Hakëllberri Fini ka frymëzuar një numër të pafund interpretimesh. Nuk ka dyshim se romani është një histori për vdekjen shoqërore, rilindjen dhe futjen në jetë. Xhimi, skllavi i arratisur, bëhet një figurë babai për Hakun; duke vendosur të shpëtojë Xhimin, Haku rritet moralisht përtej kufijve të shoqërisë së tij skllavopronare. Janë aventurat e guximshme të Xhimit, ato që e fusin Hakun në ndërlikimet e natyrës njerëzore e që i japin kurajën morale./bota.al

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…