Skip to main content

Tetova News

I anatemuari Kristo Floqi

Prof.dr.Stilian Adhami

U luftua dhe u la në harresë gjatë viteve të diktaturës. Por u sulmua edhe para Luftës, kryesisht nga ish-bashkëpunëtori i tij i dikurshëm Fan Noli dhe mbështetësit e tij, i cili nuk ia fali pse Floqi shkroi himnin e mbretërisë... Një ndër themeluesit e Federatës Panshqiptare “Varta”, publicisti, dramaturgu, juristi dhe politikani Kristo Floqi mbetet një figurë interesnate për t’u zbuluar



Pa dyshim, janë më se të drejta për pjekjet që bëhen për të nxjerrë nga pluhuri i harresës ata portrete atdhtarësh, intelektualësh e krijues
të çdo fushe qofshin, të së shkuarës, që janë anatemuar për “faje” të pamerituara. Atdhetarët e krijuesit, veçanërisht të traditës, është e domosdoshme të gjykohen me syrin e kohës kur kanë jetuar e krijuar, me rrethanat në të cilat kanë vepruar, mundësitë e përgjigjthshme që kanë ekzistuar e me të cilat kanë qenë edukuar, ëndërrimet e performancat e tyre, zhgënjimet që kanë provuar, etj. Një ndër këta atdhetarë e krijues mjaft prodhimtar të së kaluarës kam përshtypjen se është dhe juristi e shkrimtari i anatemuar dhe i lënë në harresë Kristo Floqi, për të cilin, me sa kam mundësi, do të përpiqem të shtjelloj argumentat e duhura.
Figura e tij prej shkrimtari dhe atdhetari më ka ngacmuar prej shumë kohësh, sepse brezi ynë i 70-80 vjeçarëve, apo që tashmë mban mbi supe një moshë edhe më të madhe, është edukuar në shkollat e viteve ’20 e ’30 të shekullit të kaluar edhe me vjershat patriotike dhe krijimtarinë dramaturgjike të këtij shkrimtari. Dhe ma merr mendja se nuk është edukuar keq. Edhe tani që po shkoj drejt të 90-ave, me tingëllojnë kumbueshëm disa vargje të vjershës “Tomorri” nga libri i Floqit “Shkëndija ose Antologji shkollore”, botuar më 1923: “Të kam përpara, Tomor, mal i vjetër/Mal i patundur qysh se filloj dheu/Kryepërpjetë që shok nuk ke tjetër/Që Zot’i jetës për ne ty të kreu/...
E kush nuk është njohur me dramën e tij atdhetare “Fe e kombësi”, që bashkë dhe me nja dy komedi me një akt janë shfaqur edhe në qytetin tonë të vogël të Përmetit aty nga vitet ’30?! 





Publicisti në mërgim 


Por le të njihemi se kush ka qenë Kristo Floqi. I lindur më 1876 në fshatin Floq të Korçës, e shohim të emigrojë që në moshë të re në SHBA në dhjetëvjeçarin e parë të shekulli 20, atëherë kur edhe shumë të rinj, si Sotir Peci, Fan S. Noli, Faik Konica, Kristo Dako, Mihal Grameno dhe shumë të tjerë po mbushnin radhët e diasporës shqiptare të Amerikës, të inkuadruar nëpër shoqëritë patriotike të atjeshme, pas asaj të pararojës “Malli i Mëmëdheut”, krijuar më 1904 në Xhemstan nga Perto Nini Luarasi. Shumë shpejt Kristo Floqi shquhet si në fushë të publicistikës, ashtu edhe në çëshje arganizative të diasporës shqiptare.
Për këtë, ndër të tjera, flet edhe një letër e Aleksandër Xhuvanit drejtuar nga Kajro (Egjipt) më 10.XI.1911 Sotir Kolesë, ku i thotë: “Z. Vruho asht këtu, kishte marrë një letër nga z.Floqi, drejtori i “Diellit”, ku i shkruan se në mbledhje të Shoqërisë “Besa-Besën”, kishin biseduar edhe çëshjen e bashkimit të të gjithë shoqërive të atjeshme në një qendër e komitet”. Në të vërtetë, mbedhja e përgjithshme shqiptare, që u mbajt në Boston në dhjetor 1911 për bashkimin e të gjitha shoqërive shqiptare e zgjodhi pjesëtar të komisionit, bashkë me Fan Nolin, Faik Konicën dhe Paskal Aleks Përmetin, që më 28 prill 1912 themeloi Federatën Panshqiptare “Varta”, e cila u njoh zyrtarisht edhe nga qeveria e Masaçusotit. Me 14 korrik 1912 u zhvillua kuvendi i parë i federatës në Boston dhe u krijuan 15 degë të “Vatrës” në qytete të ndryshme të SHBA. Ishte koha kur në Atdhe, kryengritjet shqiptar, në Jug e në Veri po korrnin fitore të njëpasnjëshme. Pra, Kristo Floqi është ndër ata të katër themluesit e Federatës Panshqiptare “Varta”, e cila do të luante një rol të madh për çështjen kombëtare shqiptare. Në të njëjtën kohë ka qenë dhe redaktor i gazetës “Dielli”, që fillimisht ishte themeluar më 12.2.1909 si fletore e përjavshme prej shoqërisë “Besa-Besën”. Me futjen e saj në fedaratën “Vatra” u bë pronë e saj, duke dalë dy herë në javë. Më 18 nëntor 1914 nisi tri herë në javë, kurse nga 9 nëntori 1915 u bë e përditshme.
Ndërkohë Kristo Floqi kishte fillua edhe krijimtarinë e tij letrare, gjë që shprehet dhe në një letër të Kristo Luarasi i dërgon Asdrenit nga Sofja më 12.4.1912, në të cilën e njofton edhe se ka filluar të shtypë në shtypshkronjën e vet, disa libra të Kristo Floqit. Sprovat e para në fushën e publicistikës për të janë të kohës së mërgrimit në SHBA dhe jo vetëm në gazetën “Dielli”, që përmendëm më sipër, por edhe kur drejtonte në New York gazetën “Zëri i Popullit”, numuri i parë i së cilës doli në tetor 1912 me moton “Gazetë shqip e përjavëshme kombëtare, politike, letrare”. Prej kësaj dolën 14 numura gjatë viteve 1912-1914. 


Kristo Floqi, Selaudin Shkoza, Iliaz Vrioni, Tef Curani dhe Xhafer Ypi


Kthimi në atdhe 


Si duket kthimi i tij në Atdhe duhet të jetë bërë menjëherë pas pushimit të Luftës së Parë Botërore, sepse në 1919 e shohim të jetë drejtor i së përkohëshmes “Agimi”, që u botua në Shkodër gjatë viteve 1919-1923. Këtë profil, veç letërsisë dhe jurisprudencës që do të flasim më poshtë, e ndoqi duke qenë më vonë drejtor redaktor i gazetës “Indipendenca shqiptare”, botuar në Tiranë në vitet 1925-1926, numuri i parë i së cilës doli më 17 janar 1925, dy herë në javë. Gjithësesi nga mërgimi K.Floqi kthehet si intelektual i formuar dhe doktor në jurisprudencë, sepse në SHBA arsimohet pa shkëputje nga puna. Vetë u ka shprehur të afërmve së në mërgim i është dashur të lajë edhe pjata. Pra, ndihmesat e tij janë të shumëanëshme, jo vetëm në letërsi dhe publicistikë, por edhe në politikë e drejtësi.
Ai bën pjesë në kabinetin e Ilias Vrionit, qysh nga 19-shtatori i 1920-ës e deri më 1 korrik 1921 dhe deputet i legjislaturës së parë, që filloi më 21.4.1921. Ai përvec funksionit të ministrit t’arsimit për ca kohë dhe gjyqtar i diktimit, ka pasur edhe detyra të tjera të larta gjatë regjimit zogist. Vlen të vihet në pah edhe një cilësi e tij, që tregon karakterin humanitar të vet, duke strehuar në vitet 30 dhe kunatën e tij (motrën e bashkshortes), e cila i kaloi tek ata ditët e fundit të jetës. Eshte fjala për atdhetaren dhe qëndistaren e flamurit Marigo Pozion. Midis dorëshkrimeve të ruajtura në fondin e Thimi Mitkos në Aleksandri, sic kumton gjuhëtari Jorgo Bulo, gjendet edhe një letër e Kristo Floqit, gjysmë privatisht e gjysmë zyrtarisht, që i ishte drejtuar njërit prej djemve të tij, Dhimitri Mitkos me anën e së cilës i kërkonte që të dërgonte në Shqipëri, me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë shkrimet që ruante nga i ati. Kjo na bën të mendojmë se Kristo Floqi duhet të ketë qenë një nga organziatorët bashkë me Teki Selenicën etj, i ekspozitës dokumentare e fotografike të vitit 1917. 


Një tufë vjershash 


Por le të kthehemi tek krijimtaria e tij, mjaft e pasur që numëron mbi 30 e ca vepra të karaktereve të ndryshme. Ai pati botuar një tufë vjershash të përmbledhura në botimin e tij “Shkëndija ose Antologji shkollore” që në vitet ‘20 dhe ‘30 përdoreshin nga të gjitha shkollat fillore, sepse të gjitha vjershat kishin karakter partiotik dhe edukativ. Eshtë fjala për rreth 105 vjersha, elegji, fabula etj, që sidomos recitoheshin në ato festa të bukura të mbylljes së vitit shkollor. Mjaft prej tyre janë elegji kushtuar atdhetarëve e dëshmorëve, si Naim e Sami Frashëri, Themistokli Gërmenjit, Spiro Bellkamenit, Papakristo Negovanit, Haki Glinës, Ceno Sharrës, Meleq Frashërit, Mustafa Qullit, Cerciz Topullit, Bab Dudë Karbunarës, Kapiten Kamber Ibrahimit, Kolonelit hollandez Tomsonit etj. Nuk më harrohet se me sa pathos recitoheshin vjershat patriotike, si “Flamuri jonë”, ‘Duaj Atdhenë”, “Valo Flamur”, “Indipendenca jonë”, “Ndero prindët”, “Vëllazëria” etj. Të gjithë kemi dëgjuar nga kori i pleqve të Korcës këngët “Burimi i Cardhakut” apo “Pylli gjelbëruar”, por pak e dinë se këto janë vjersha të Kristo Floqit, sikundër edhe këngët e tjera të “Bonjakut”, “Të Pranverës” etj. 


Dramat 


Megjithatë vendin kryesor në krijimtarinë e tij letrare e zë dramaturgjia. Veprat e tij në dramë e në komedi, origjinale ose të përshtatura e përkthime, për kohën që janë shkruar kanë dhënë një kontribut të vlefshëm dhe kanë pasqyruar mendimet përparimtare të letërsisë së viteve të pavarësisë, po të mendohet se drama shqiptare n’ato kohë hidhte hapat e para. Deri atëherë ishin botuar dramat “Besa” e Sami Frashërit, “Mallkimi i gjuhës shqipe” dhe “Vdekja e Pirros” të Mihal Gramenos, “Izaraelitë dhe filistinë” e Nolit. Më pas në shtyllat e “Diellit” Faik Konica botoi dramën “Tregtari i Vlorës”, të përshtatur nga frëngjishtja e me radhë autorë të tjerë si Fishta, Zef Harapi, Helenau, Foqion Postoli e ndonjë tjetër. 


“Fe e kombësi” 


Le të kujtojmë dramën e mirënjohur të Kristo Floqit “Fe e kombësi”, që zuri vend të nderuar në repertorin e shfaqjeve teatrale të viteve ‘30 në mjaft qytete të vendit, madje edhe në ndonjë fshat. Sa për kureshtje, ja se ç’më shkruan një miku im dardhar nga rochester Hills (SHBA) në një letërkëmbim që kam me të: “…Kristo Floqi kishte penë të fortë në dramat e tij e një nga këto “Fe e kombësi” e kemi shfaqur ne pionierët e Dradhës në fshat e në Korcë në vitin 1945 dhe patëm mjaft sukses. Ne fëmijë të vegjël 13-14 vjeçarë u veshëm si trima të Zylyftarit e plot passion e forcë e shfaqëm dramën sikur ishim të mëdhenj”.
Por jo pa vlerë janë edhe dramat e tij historikë “Pirro Neoptolemi”, “Karl Topija”, “Skënderbeu n’ Itali”, “Qyprilinjtë” etj, që të gjitha me frymë kombëtare.
Në krijimtarinë dramaturgjike të Floqit një vend të veçantë zënë edhe seria e komedive të shkurtra apo pjesëve komike me një akt, qofshin origjinale apo përshtatjeje. Janë të shumta. Disa prej të cilave, kur ishim të rinj organizonim shfaqjet e tyre, sidomos për fëmijët. Në këto pjesë personazhet janë marrë nga jeta e përditshme, ku shtrohen probleme të diktuara nga vetë realiteti historik i atëhershëm, por jo pa rezonancë edhe për të sotmen, si nepotizmi, akraballëket, korrupsioni, intrigat e grindjet edhe brenda familjes etj. Ajo ç’ka përbën forcën e këtyre veprave letrare, është mbrujtja me realitetin tonë, të cilin e njihte mirë dhe ky autor e selektonte me shije. Vaji e gazi ishin të ndërthurura, duke u përpjekur t’ua japë trajtimin universal të problemit. 


Studiues e jurist 


Si studiues e jurist Kristo Floqi ka botuar edhe një sërë tekstesh me karakter politiko- juridik apo historiko-etnologjik si psh “E drejta themelore”, “Elemente të ekonomisë politike”, “Një predikim mbi patriotizmë e nacionalizmë”, “Kosova-Serbi e vjetër!(studim etnografik) etj. Studiuesi ynë i mirënjohur, prof. Ismet Elezi në një artikull studimor “Shkenca juridike shqiptare në procesin e zhvillimit të saj”, me të drejtë evidenton si botim me vlera shkencore veprën e Floqit “Administrata” ose “E drejta studimore”. 


Viktimë e himnit
të mbretërisë
 


Me gjithë këtë bilanc të pasur, madje voluminoz të krijomtarisë së këtij autori çuditërisht Kristo Floqi dhe vepra e tij, është errësuar dhe lënë në harresë, është përgojuar e përbuzur. Kjo si në kohën e monizmi, ashtu edhe më parë. Kundërshtari i Ahmet Zogut, ish-kolegu i dikurshëm Fan. S. Noli e ka sulmuar gjithmonë. Me sa dimë ne i vetmi shkak apo “faj” më i madh i tij është se ka shkruar himnin e mbretërisë dhe si i tillë është damkosur me vulën e panegjiristit të monarkut. Në mos gaboj, Floqi një hymn analog e pati përgatitur që me ardhejn e Princ Vidit. Por a duhet anatemuar autorë të tillë, që veprimtarinë e tyre atdhetare e krijuese e kanë filluar që në kohë të robërisë osmane? Për një pjesë të mirë të atdhetarëve të atij brezi sigurisht ka qënë fitore dhe ëndërr fisnike që vendi të çlirohej nga robëria shekullore, që të “bëhej Shqpëria shtet më vete dhe e pavarur” pa s’kishte rëndësi se ç’formë qeverimi do të kishte, republikë apo monarki. Kështu mund të shpjegohet, p.sh. përse atdhetari Hil Mosi u bë ministër i arsimit në kohën e monarkisë, përsë Mihal Grameno librin e tij me kujtime “Kryengritja shqiptare” ia përkushtoi Ahmet Zogut e kështu me radhe. Nga ana tjetër do të ishte jashtë logjikës që të mënjanohej krijimtaria e Asdrenit për shkak të vjershën së tij titulluar me sloganin e fashizmit, apo për të ardhur edhe më afër në kohë, sikur të fshihej edhe krijimtaria e begatë e me vlerë e Dh. S. Shuteriqit, sepse pati thurur poemën për diktatorin më 1947!
Të mos harrojmë, Kristo Floqi në kohën e fashizmit ishte në moshë mbi 70 vjeç, kështu që pas pushtimeve të njëpasnjëshme të vendit, pas iluzionesh e zhgënjimesh të ndryshme, natyrisht mundësia e njeriut pasurohet me doza të realizmit, duke i parë më ndryshe ngjarjet e dukuritë e jetës, por nga ana tjetër tipa si Kristo Floqi as që kishin këllqe për t’u inkuadruar nëpër oranizma kollaboracioniste apo antifashiste, prandaj duke mos i rënduar tjetër “faj” përvec panegjirizmit ndaj monarkut, jam i mendimit se duhet të fitojë “pafajësinë” dhe njëkohëshit le të shikohen këto vepërza nga teatrot tona, se me siguri do t’u pëlqejnë që t’i përfshijnë në repertorin e shfaqjeve të tyre, sepse disa prej tyre tingëllojnë aktuale edhe për kohën tonë.
Ka të dhëna që disa komedi janë vënë vitet e fundit në skenë në Kosovë, Berat e gjetkë. Mirë është, që ndonjë shtëpi botuese të ndërrmarrë inisiativën për të botuar një përmbledhje të përzgjedhur nga veprat e tij. Kështu do t’i shtohej traditës edhe një autor jo pa vlerë. 


FUNDI I PAMERITUAR I AUTORIT 


Pa pasur asnjë interes vetiak përpos atij shoqëror e atdhetar, kisha dëgjuar nga të tjerët për vdekjen në mjerim të këtij atdhetari, shkrimtari e juristi me një prodhimtari krijuese mjaft të begatë, të cilën e kisha njohur vetëm përmes librave të tij.
Kam qenë gjithnjë i interesuar të njihesha me përfundimin e këtij autori. Rastësisht, i njohur me një të afërm të rrethit të tij familjar, arsimtaren pensioniste Sofika Dhimosten Stathi, njëkohësisht e afërme e Marigo Pozios, iu luta që të merrte mundimin për të verifikuar gjendjen e këtij intelektuali në ditët e fundit të jetës. Duke pyetur jo vetëm të afërmit, por edhe komshinjtë e vet ajo më sqaroi se fundi i jetës së tij ka kaluar në bodrumin e shtëpisë së vet, që i ishte shtetëzuar jo me të drejtë. Ai pati vuajtur edhe për bukën e gojës, sa që diku e ndihmonin edhe komshinjtë me nga një pjatë gjelle. Fillimisht i vdiq e shoqja, Rania në mjerim dhe më pas ne vitit 1951 edhe ai në të njëjtën gjendje. Për djalin e vet, Pirron ajo është informuar se para luftës shkonte nëpër fshatra për të mbledhur folklore, dinte gjermanisht dhe njihte makinën daktilografike. Nga sa më kanë pohuar edhe të tjerë ai paskësh qënë ca i çekuilibruar dhe mbase do të ketë flirtuar me pushtuesit nazistë që qenkan larguar së ketjmi për Kavajë që t’i shmangej dënimit eventual pas çlirimit, përderisa thuhet se ka vdekur i internuar në Lezhë.
Familjarëve të Katroshëve u kujtohet dhe një episod për Kristo Floqin gjatë luftës. Në mëhallën e Kukve (afër Medreses) ishte vrarë një gjerman nga partizanët. Për hakmarrje nazistët, siç e kishin zakon u vunë zjarrin shtëpive të asaj mëhalle. Ishte Kristo Floqi që me gjermanishten e tij, u foli të huajve dhe shpëtoi rruga e tij nga zjarri. Madje vetë Kristo Floqi i këshillonte njerëzit që të rrinin të qetë në shtëpi se ata nuk kishin punë me mëhallën e tyre.
Këtë dhe hollësi të tjera kam mundur të vjel për fundin tragjik të këtij autori dhe shuarjen në mjerim të familjes së tij.


VEPRA DRAMATURGJIKE

Drama e tragjedi :

􀂾 Fe e kombësi – dramë në 5 akte
􀂾 Karlo Topija –dramë në 5 akte
􀂾 Piro Neoptolemi-dramë historike në 5 akte
􀂾 Qyprilinjtë-tragjedi historike në 5 akte
􀂾 Skanderbeu n×itali – dramë historike në 5 akte
􀂾 Fatzeza- dramë historike në 5 akte

Komedi :

􀂾 Rrogat e nënpunësve – me një akt
􀂾 Lojnat e studentëve – me një akt
􀂾 Do të vras vedin – me një akt
􀂾 Vllazëni e interesë – me një akt
􀂾 E bija e bankjerit – me një akt
􀂾 Dhëndër me përdhuni - me një akt
􀂾 Merre t×a marrim – me një akt
􀂾 Nder e qytetni – me një akt
􀂾 Kundërshtarët e prikës – me një akt
􀂾 Pësimet –mësime - me një akt
􀂾 Zi e më zi – me një akt
􀂾 Reklamë e blofë – me një akt
􀂾 E mbesa e krahinarit – me një akt
􀂾 Akraballëket – me një akt
􀂾 Ministri kandidat – me një akt
􀂾 Kopraci I Molierit – me 5 akte
􀂾 Monologë komike theatrore
􀂾 Antigoni e Sofokliut – tragjedi me 5 akte
􀂾 Mbreti Edipus I Sofokliut – tragjedi me 5 akte
􀂾 Midhia e Euripidit – tragjedi me 5 akte
􀂾 Triumfi I Lirisë – dramë
􀂾 Tezja e Karlit- komedi
􀂾 Burri burrë- komedi

“Fe e kombësi”
Kjo është nga dramat më të arrira të këtij autori. U botua si vepër më vetë në shtypshkronjën “Mbrothësia” të Kristo Luarasit në Sofje më 1914. Ngjarjet e dramës zhvillohen më 1831 në Podë të Leskovikut kur Zylyftar Poda u bëri një qëndresë heroike ushtrive turke të komanduara nga Mehmet Pasha. Edhe pse përfshin ngjarje të shek. 19, kuadri historik nuk e ka penguar autorin që të shprehë idetë e t’u drejtohet bashkëkombasve për ato probleme që preokuponin atdheun e sapo dalë nga robëria turke. Paralelizmi historik përcakton linjat e dramës Ó lufta mbaroi me triumfin e shqiptarëve, tani pas saj çduhet bërë? Ideja e bashkimit
të qëndrueshëm përcillet në çdo tabllo e akt. Mesazhi kryesor është Ó fati i atdheut mbi çdo fat tjetër . Feja s’ka asgjë të përbashkët me dashurinë, se ajo është e pavarur nga pasuria e shtresa shoqërore, se secili mund të besojë një fe por Shqipëria është feja më e lartë në altarin e besimit

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…