Skip to main content

Tetova News

“Pa kolosin Ndre Mjeda, unë do të isha një studiues i zakonshëm”


Intervistë me prof. Mentor Quku, biograf i poetit të madh
Nga Fran Gjoka

Titulli i lartë shkencor “Profesor Nderi”, një titull, një “ofiq” i lartë, që jepet me pikatore, me të “mendueme”, si i thonë. Si ndiheni dhe a mund të thoni sadopak se si e priti e si ndihet sot Prof. Mentor Quku për një vlerësim kaq të lartë si ky?

Brenda pak rradhëve ju keni pyetur, por edhe keni pohuar, keni ngritur probleme për tema që meritojnë të diskutohen nga kritika letrare dhe në fakt, keni lënë të nënkuptohen vlerësime mbi rrethet akademike shqiptare. Mund të them se u gjenda para një pyetësori të veçantë. Komplimente. Isha mësuar me një ritëm të veçantë pune, pa pretendime, karakteristike për idealistët. Rrethet miqësore dhe kolegët më thërrisnin me këtë titull kohë më parë. Më vonë u mësova me këtë rutinë. Mendoj se në këtë drejtim ndikuan vite të tëra pune dhe botimet kushtuar Ndre Mjedes. Kësaj radhe ishte diçka tjetër, përjetova një gëzim të veçantë, sepse nderohesha zyrtarisht nga rrethe shkencore pedagogjike dhe albanologjike. Është e vërtetë se unë këto ditë po përjetoj një situatë të veçantë. Kuptohet që Mjeda ka qenë për mua për 40 vite një burim frymëzimi dhe pune intensive.
Patjetër që në këtë eveniment besoj do të ketë ndikuar puna kolosale hulumtuese permanente, pasionante, për 4 dekada kushtuar një poeti të madh. Një medalioni deri më tash, të papërsëritshëm si N. Mjeda. Apo vetë ju me dëshirë do t’ia dedikoni atij këtë vlerësim?
Në vitin 1957 fillova punën si mësues në shkollën 8 vjeçare të Barbullushit. Në këtë shkollë vinin edhe nxënës nga shkolla fillore e Kuklit, fshat aty pranë, i njohur si vendi ku kishte banuar dhe krijuar, rreth tre dekadave, Ndre Mjeda. Aty unë gjeta rastin e artë të jetës sime. Aty njoha dimensionin njerëzor e letrar të Gjeniut Mjeda. Është histori e tërë që unë e kam përshkruar disa herë në intervista, por unë do të ndalem në vitin 1974, që ashtu siç thoni ju, i hyra një rruge të gjatë e aspak të lehtë për të bërë kërkime nëpër arkiva, biblioteka e muzeume, për të hulumtuar e studiuar, që do të përmbyllej me një periudhë 10 vjeçare (2004 – 2014), një kolanë të tillë veprash, një rast unikal. Tani, mbas këtij titulli të lartë shkencor “Profesor Nderi”, duke bërë analizën e jetës time, mendoj që të gjitha ia kushtoj këtij kolosi të madh, pa të cilin unë do të isha një mësues dhe studiues i zakonshëm.

Qenia poet është njëra anë. Po unë duatë pyes, cila është ajo e veçantë në dimensionin njerëzor e letrar që tërheq studiuesin M. Quku për t’i hyrë një rruge kaq të gjatë e aspak të lehtë për të hulumtuar e paraqitur një kolanë të tillë veprash, një rast unikal, ndoshta, jo vetëm për ne, por dhe në mbarë relievin e letërsisë botërore.

Që në fillim që rashë në kontakt me figurën madhore të Mjedës, mësova se kisha të bëja me një gjeni të përmasave botërore, i cili kishte përmasa të jashtëzakonshme, që e nderonin letërsinë shqipe. Figura e Mjedës paraqitej e plotësuar me cilësi, si humanizmi, në të njëjtën kohë që ishte dhe një vizionar për të ardhmen e njerëzimit mbarë, po aq dhe të kombit shqiptar, parimi bazë i tij ishte guximi dhe përpjekja për të ndryshuar gjërat, pavarësisht se këto i hapnin telashe me bashkëkohësit. Mjeda ishte ai që në moshë të re ra ndesh me kornizën e rregullave të brendshme dhe disiplinën e Shoqërisë së Jezuitëve. Mjeda nguli këmbë të kthehej në Shqipëri që të kryente misionin e tij për çlirimin kombëtar si dhe për progresin shoqëror. Megjithëse kuptova se t‘i hyja studimit të kësaj figure madhore dhe problematike, do më nxirrte përpara vetes sa detyra të vështira, aq edhe do të më ushqente shpirtërisht me kënaqësi të veçantë dhe nuk u gabova. Kur vendosa t‘i hyja studimit të jetës dhe veprës së Ndre Mjedës, gjënë e parë që zgjodha është që të merresha metodën e studimit. Nuk më pëlqente metoda me të cilën kishin punuar përpara meje studiuesit e figurave të shquara. Ishte një vështirim horizontal i problemeve e sipërfaqësor, shumë pak shfrytëzohej letërsia dokumentare arkivore e njohur ose e panjohur, kurse unë kuptova se detyra ime ishte të invenstigoja dorëshkrimet e Mjedës si dhe të dokumentacionit që lidhej me të. Detyrë që kërkonte kohë të gjatë dhe vullnet që të mos pengohesha para vështirësive.

Tek poemtha “Liria”, Mjeda shfaq haptazi vizionin me prirjet e tij perëndimore, sidomos për sa i përket demokracisë amerikane dhe Xhorxh Uashingtonit. Si do ta shpjegonit ju një prononcim të tillë dhe aq më shumë në një kohë kaq të hershme dhe ndër të parat që artikuloni një frymë të tillë?

Mjeda u kthye në atdhe në vitin 1899, mbas një periudhe 20 vjeçare, pasi kishte jetuar në seminare Jezuite jashtë vendit, kishte marrë një edukatë të përsosur, një arsim klasik, por edhe ishte rebeluar herë pas here ndaj disiplinës shumë të fortë që mbizotëronte atje. Kur u kthye në atdheun e pushtuar, Mjeda ishte i ngarkuar me vizione dhe ide shumë përparimtare për lirinë kombëtare, lirinë personale si dhe për lirinë në përgjithësi. Është një e vërtetë se vizionet dhe idetë e mëdha lindin në mjedise të vjetra dhe të mykura. Kështu ndodhi me Europën plakë. Idetë e mëdha linden në Europën e Perëndimit, por lulëzuan në Amerikën e Veriut. Një mendje gjeniale, siç ishte ajo e Mjedës, e kishte kuptuar me kohë këtë të vërtetë të madhe. Kjo është arsyeja që Mjeda e shkroi poemthin “Liria” në periudhën kaq të hershme (1901 – 1911) dhe e botoi para vdekjes (1936), si testament politik. Por Mjeda nuk u mjaftua me fushën letrare. Ai luftoi edhe me armë në dorë për lirinë e Atdheut. Ai u rebelua kundër katedrave dhe kornizave burokratike, kundër çdo gjëje të vjetër, që pengonte lirinë e të menduarit, që pengonte zhvillimin, modernizmin, etj.
Mjeda, si shumëçka tjetër, pati shkëlqesë, një famë, të thosha, në fushë të gjuhësisë, që përveç një gramatikë dhe të një fjalori etimologjik, me dijet e tij në gjuhësinë krahasimtare i kushtoi mjaft vend e kohë prejardhjes së shumë fjalëve, përmirësimit të shqipes në të folur e sidomos në të shkruar. Këtë bëjnë interesante edhe korrespondenca e shumtë e sidomos 12 letrat që Mjeda do t’i dërgonte albanologut të shquar austriak, Gustav Mayer, të shkruara në italisht, ndërmjet viteve 1892-1893.
Ai punoi gjithë jetën për studimin, pasurimin e përmirësimin e gjuhës shqipe në të folur e sidomos në të shkruar. Për këtë ai punoi për alfabetin e gjuhës shqipe që në vitin 1887, kur hyri në debat me eprorët Jezuitë, duke kundërshtuar alfabetin e jezuitëve apo atë, siç quhej, Alfabeti i Shkrimtarëve të Vjetër. Lufta për një alfabet që ishte sa më pranë natyrës së tingujve të gjuhës shqipe, Mjeda e ka shprehur me albanologun austriak Gustav Meyer, me albanologun danez Holger Pedersen, me albanologun Italian Tagliavini, me albanologun amerikan Bloomfield. Kam parasysh jetën e pashkruar të një shqiptari të madh, po ashtu edhe veprën e palexuar të tij. Ky boshllëk mbetet për t’u plotësuar në kohët dhe nga brezat që vinë. Unë mund të sjell ndonjë episod të vogël. Vepra e tij në fushë të letrave shqipe është ende e paeksploruar. Po aq e pa zbuluar dhe e pa ndriçuar mbetet jeta e tij bujqësore, politike, juridike, etj. Një ndër fushat më të pandriçuara mbetet ajo e dorëshkrimeve të Mjedës. Histori më vete është ajo e zbulimit të një gramatike shqipe, që ka përfunduar në Alaskë të Amerikës së Veriut. Para disa kohësh, një shofer taksie, që kishte emigruar në SHBA dhe që jetonte e punonte në Alaskë, më njoftoi me anë të postës elektronike se zotëronte një dorëshkrim të një gramatike shqipe të Ndre Mjedës. Ai më dërgoi disa flete për t’i ekzaminuar në se ishin nga dora e Ndre Mjedës. U gëzova pa masë. Ishte një dorëshkrim i tij. U gëzova sepse ishte një shqiptar nga Berati, i apasionuar pas antikuarëve. Një fushë tjetër me interes e mbetur e pa eksploruar. Mjeda dinte shumë gjuhë të huaja si dhe zotëronte artin e përkthimit. Ai i shqipëroi kryeveprat e letërsisë botërore me një art të vërtetë, duke i bërë nder vetes edhe aftësive shprehëse të gjuhës shqipe.

Ç’do t’i shtoje këtij kuvendi të shkurtër? Prej gjithë asaj jete të pasur të një burri të madh, të një studimi kolosal që ju keni bërë, prej 10 vëllimeve, me 6300 faqe, çfarë do të zgjidhnit sot ju për të na rrëfyer nga jeta dokumentare poliglote të dom Ndreut?

Mjeda është njeriu që punoi tërë jetën e tij me një këmbëngulje të jashtëzakonshme dhe vepra e tij është shumë voluminoze dhe e shumëllojshme. Popullin e Kuklit ai e quajti “familjarët e mij”. Për Mjedën ata kishin një shprehje “ Ku vuni kamen Mjeda, qiti toka flakë”. Ai ka lënë prapa punë të mëdha: rreth 20 vëllime të botuara me qindra studime gjuhësore, historike, folklorike, paleografike, gjeografike, etj. Ai ka lënë me qindra letra autografe drejtuar linguistëve më të mëdhenj të botës. Ai krijoi shumë probleme me eprorët e tij Jezuitë, 5 herë e kanë arrestuar (turqit dy herë, serbët, austriakët dhe Ahmet Zogu) disa herë e kanë larguar nga detyra. Prandaj studimi ynë prej dhjetë vëllimesh në të vërtetë është një përmbledhje e jetës së tij. Në të ardhmen shumë studiues kanë shumë punë për të kërkuar dorëshkrimet e Mjedës dhe sidomos dokumentat që kanë lidhje me jetën dhe veprat e tij.

Në suplementin “Rilindasi” të datës 20. 04. 2014, ju shkruani një artikull me titull: “Mjeda, 3 letra surprizë-skandali i rinisë”. Ç’mund të na thoni më shumë për ketë publikim të fundit?

Këto ditë, mbas një periudhe të gjatë, arrita të fus në dorë një parti dokumentash prej të cilave pjesa më e madhe janë letra autografe që Ndre Mjeda ua ka dërguar eprorëve Jezuitë si dhe tre letra të Atë Gjeneralit të Shoqërisë Jezuite. Letrat janë në italisht dhe latinisht të ruajtura në arkivin e Jezuitëve të provincës Venete të Gallarates (Itali). Letrat paraqesin interes të dukshëm për studimet mbi Ndre Mjedën. Kishte vite që problemi i raportit të Mjedës me eprorët Jezuitë kishte hyrë në një rrugë të gabuar. Kurse tani që zbuluam dokumentat origjinale burimore në arkivin e Gallarates, u krijua një pistë e re, që krijonte mundësi për sqarimin e këtij problemi. Pikërisht në këtë moment ne botuam tek suplementi “Rilindasi” dy artikuj në datat 20/26 prill 2014. Artikujt përbënin një surprizë të vërtetë sepse përjashtonin të gjitha mendjet e mëparshme: letrat vërtetojnë se Mjeda në të njëjtën kohë ishte treguar shumë i përulur, shumë i bindur, shumë i devotshëm, por nga ana tjetër kishte thyer disiplinën e brëndshme të shoqërisë, duke krijuar skandale të herëpashershme, për të cilat eprorët nuk ia kishin falur gjithëherë. Kjo kishte vazhduar në mënyrë të rregullt nga të dyja palët. Mjeda kishte thyer disiplinën për problemet e alfabetit të gjuhës shqipe, për problemin e kthimit në atdhe apo atë të nacionalizmit shqiptar. Ndërsa eprorët, duke marrë parasysh talentin e jashtëzakonshëm të Mjedës, e kishin falur herë mbas here, deri sa një ditë e kishin përjashtuar për të mos e ripranuar më. Dëshiroj të njoftoj publikun kulturëdashës se jam në kërkim të dorëshkrimeve të Mjedës dhe të dokumenteve që lidhen me të në arkivat e Stambollit, të Krakovit, të Vienës si dhe të Vatikanit.

Me Mjedën janë marrë edhe studiues të tjerë, Por kjo e juaja mbetet më e plota dhe më e plotësuara në çdo pikëpamje. Si keni mundur të përballoni një “aventurë” të tillë, duke marrë parasysh vështirësitë e mëdha, shfletimet nëpër arkivat tona e të huaja dhe cili është “çelësi” që ka bërë të mundur atë që ju të mos “lodheni” kurrë së hulumtuari?

Sa për çelësin që ka bërë të mundur të mos lodhem në drejtim të hulumtimit të Ndre Mjedës, mund të sqaroj për herë të parë publikisht: kanë qenë vargjet e mëposhtme të Mjedës:
Ma rreptë për ndalë prita
Rrjedha shkumbore çohet;
E ma damtore lëshohet
Vala qi shkapërcen
(Për një shkollë shqype mbyllë prej qeverisë otomane, Korçë 1902)
Sa herë që gjatë jetës sime shteti, përmes strukturave burokratike, më është kundërvënë me të pa të drejtë, unë edhe ma shumë kam përmbledhur energjitë e mia, prirjet e mia, gjithnjë në shërbim të kombit. Pa dashur të shkruaj një histori të jetës sime, po ndalem për një çast në mënyrën se si më kaluan nga mësues specialist i kimisë në shkollën e mesme Shkodër në mësues bujqësie në Barbullush, duke më lënë atje për 30 vjet. Dhe unë për 30 vjet përmblodha të gjitha energjitë e mia, duke iu përkushtuar ditë natë figurës së Ndre Mjedës. Kur më bëjnë pyetjen që më bëtë ju, unë dëshiroj të jem i sinqertë dhe mendja më shkon tek vargjet e mësipërme të Mjedës.

Besoj, jeni diku nga fundi i vëllimeve që ju kishit projektuar për jetën e këtij poeti të shquar. Jeni me atë çfarë kishit parashikuar apo diçka përsëri ju “tundon” apo ju ka mbetur “peng” nga jeta e tij?

Formalisht kam përfunduar botimin e 11 vëllimeve të serive eseiste “Mjeda”, sipas projektit të ndërtuar në fillim, por të ripunuar herë pas here sipas zbulimeve të reja, por të përpunuara sipas frymëzimeve të mia. Në tryezën time të punës kam disa dosje me plane të reja botuese për aspekte të ndryshme të jetës e veprës së Ndre Mjedës. Ndërsa për tundimin apo pengun rreth jetës dhe veprës së tij mund të them se këto janë pjesë organike e vetëdijes sime letrare.

Mentor Quku, tashmë përbën një model, është një lloj klasiku, një intelektual i formatit të veçantë, një ”specie” tashmë në zhdukje, një njeri i palodhur gjithë aktivitet. Dhe në se mundeni, keni diçka për të na rrëfyer për projekte të tjera këso natyre apo ndryshe për të ardhmen në fushën e krijimit, studimit e hulumtimit.

Mendoj që vazhdoj të kem ende energji, ëndrra, shpresë dhe guxim për të vazhduar për studimet mbi Mjedën, qoftë edhe për tema të tjera. Kam dërguar në shtyp dhe del së shpejti vëllimi “Proza e Mjedës”, një përmbledhje e disa veprave klasike të Mjedës, të shoqëruar me një studim timin. Së shpejti do të dërgoj në shtyp edhe “Poezinë e Mjedës”, gjithashtu shoqëruar me një studim timin. Pas një periudhe tjetër të shkurtër, do të botoj edhe një përmbledhje të “Studimeve të Mjedës”, si dhe një vepër tjetër të “Krijimeve letrare dhe artistike për fëmijë”. Nuk përjashtohet ndonjë vepër tjetër jashtë temës së Mjedës.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…