Skip to main content

Tetova News

Përsëri po më trand erosi, kjo kafshë e errët, idhnake



Christa Wolf

Christa Wolf (1929-2011), një nga shkrimtaret më të famshme të letërsisë gjermane dhe asaj botërore të dekadave të fundit, fragment nga romani “Kasandra”, përkthyer në shqip nga Afrim Koçi, botimet “IDK”
  Safo
Këtu ka ndodhur. Ajo qëndronte aty. Këta luanë të gurtë, tani pa kokë, e kishin vështruar. Kjo kështjellë, dikur e papushtueshme e tani një grumbull gurishtash, kishte qenë gjëja e fundit që ajo kishte parë. Një armik i harruar prej kohësh dhe qindvjetët, dielli, shiu, era e kishin rrafshuar dhe ia kishin lëmuar gurët. I pandryshuar vetëm qielli, një bllok me kaltërsi të thellë, i lartë, i pafund. Përbri mureve me blloqe ciklopikë, sot si dikur, që i jepnin drejtim rrugës: drejt portës, poshtë së cilën tashmë nuk kullon gjak. Drejt errësirës. Drejt kasaphanës. Dhe e vetme.
Me këtë rrëfim unë hyj në vdekje.
Këtu përfundoj edhe unë, e rraskapitur dhe asgjë, asgjë që mund të kisha bërë apo lejuar, që mund të kisha dashur apo menduar, nuk do të më kishte çuar dot drejt një fundi tjetër. Më thellë se çfarëdo ndjenjë tjetër, më thellë madje edhe se frika e brendshme, qenia ime është përshkuar, gërryer, helmuar nga shpërfillja e të pavdekshmëve kundrejt nesh, vdekatarëve. Dështoi kuturisja jonë që ftohtësisë akullnajore të tyre tu kundërvëmë ngrohtësinë tonë të vockël. Më kot ne përpiqemi që t´i shmangemi dhunës së tyre dhe këtë unë e di prej kohësh. Së fundi asaj nate, gjatë kalimit të detit, kur furia e motit e ardhur nga të katër anët e horizontit kërcënonte ta shkatërronte anijen tonë; kur askush që nuk ishte lidhur fort, nuk qëndroi dot; kur unë vura re Marpesën që rrekej fshehurazi të zgjidhte litarët që e mbanin atë dhe fëmijët të lidhur mes tyre dhe pas direkut; kur unë, e lidhur me një litar më të gjatë se robërit e tjerë, e çakërdisur, mendjehumbur, u hodha përmbi të; ajo pra, u përpoq kështu të mos ua linte jetën e saj dhe të fëmijëve të mi elementëve shpërfillës të natyrës, por në vend të kësaj ua dorëzoi ato njerëzve të çmendur; kur unë, duke iu shmangur vështrimit të tyre, qëndrova përsëri galiç në vendin tim, pranë Agamemnonit që grindej dhe spërkaste jargë dhe pyeta veten se prej çfarë lënde të pa shkatërrueshme qenkan përgatitur këta litarë që na mbajnë në jetë. Marpesa, ajo që sikundër dikur, nuk donte të fliste me mua, dukej që ishte përgatitur për atë që po përjetonim më mirë se unë, fatthënësja, sepse unë nxirrja kënaqësi nga gjithçka që shihja – kënaqësi, jo shpresë, – dhe jetoja më tej, për të parë.
Ishte e habitshme që armët e çdo njeriu, – heshtja e Marpesës, harbimi i Agamemnonit, – mbeteshin përherë të njëjtat. Unë për vete, natyrisht, i kisha ulur armët e mia, do të thotë: çfarë ishte e mundur të ndryshohej.
Përse më duhej patjetër dhuntia e fatthënies?
Më e skajshmja: të flisja me zërin tim. Më tepër, ndryshe, nuk kisha dashur. Në rast nevoje edhe mund ta dëshmoja dhuntinë, por kujt? Këtij populli të huaj që, paturpësisht dhe i ndrojtur njëherësh, qëndron përreth qerres? Sepse një motiv për të qeshur, sidoqoftë kishte mbetur, prirja ime për tu përligjur kishte marrë fund diçka më përpara se të marr fund unë vetë.
Marpesa hesht. Fëmijët nuk dua t´i shoh më. Ajo i mban ata të fshehur prej meje poshtë pëlhurës.
I njëjti qiell përmbi Mikenë, si përmbi Trojë, vetëm se i zbrazët. Vezullues, i paarritshëm, i shpëlarë. Ende gjithçka që po më ndodh ka gjetur përgjegjësen e vet brenda meje. Është e fshehta që më mbërthen dhe më mban njësh e për të cilën nuk mund të flisja me asnjeri. Vetëm këtu, në cakun e skajshëm të jetës sime, mund t´ía përmend atë vetvetes. Duke qenë se brenda meje gjendet diçka e secilit, unë nuk i kam përkitur askujt tërësisht, sikundër e kam mirëkuptuar edhe urrejtjen e tyre ndaj meje. Njëherë, “më parë”, po, kjo është formula magjike, duke e hedhur fjalën ashtu anash dhe me fjali të cunguara, unë desha të flisja për këtë me Mirinën, jo për tu lehtësuar vetë, jo, kjo nuk ekzistonte. Por sepse besoja që ajo ishte fajtore për këtë. Fundi i Trojës ishte i parashikueshëm, ne ishim të humbur. Enea me njerëzit e tij ishte tërhequr. Mirina e përbuzte. Kurse unë u përpoqa t´i thosha se Enean unë jo thjeshtë e kuptoja, por e miratoja. Sikur të isha unë ai. Sikur të rrija galiç brenda tij dhe me mendimet e mia të mëkoja vendimet e tij tradhtare. “Tradhtare” tha Mirina që godiste me zemërim me sëpatë shkurret përdhese në hendekun përreth kështjellës, ajo nuk më dëgjonte, mbase edhe nuk më kuptonte aspak, sepse nga koha kur më zunë robinjë dhe më futën në kosh, unë flisja me zë të ulët. Por nuk ishte për shkak të zërit, siç mendonin të gjithë, ai nuk ishte dëmtuar. Ishte toni. Toni i profecisë ishte zhdukur. Fatmirësisht i zhdukur.
Mirina bërtiti. E habitshme që unë, vetë ende jo shumë e vjetër, jam e detyruar të flas në kohën e shkuar për thuajse cilindo që kam njohur. Jo për Enean, jo. Enea jeton. Por a duhet që një burrë që jeton, duke qenë se të gjithë burrat vdesin, të jetë frikacak? Ishte më tepër se politikë që ai, në vend që të fundit t´i udhëhiqte drejt vdekjes, u tërhoq bashkë me njerëzit e vet në malin Ida, në vendin e tij? Disa duhej të mbeteshin – Mirina e kundërshtonte këtë, – përse të mos ishin këta Enea me njerëzit e tij?
Përse jo unë, me të? Kjo pyetje nuk u bë. Ai, që deshi të ma bënte atë pyetje, tek e fundit e tërhoqi. Sikundër edhe mua, mjerisht, mu desh ta mbaja përbrenda atë që vetëm tani do të mund t`ia bëja. Për të mundur kështu që të mbetesha në jetë, së paku për të menduar. Ndonëse ende jam në jetë, edhe disa orë. Nuk kërkoj thikën, atë që, e di, Marpesa e mban në gji. Atë që ajo, kur pak më parë, ne, gratë, pamë mbretëreshën, ma ofroi më një vështrim. Dhe unë, po me vështrim, nuk e pranova. Kush më njeh mua më mirë se Marpesa? Tashmë asnjë. Dielli e kishte kaptuar mesditën. Ajo që unë do të kuptoj, derisa të vijë mbrëmja, do të zhduket bashkë me mua. Do të zhduket? A vazhdon mendimi, i lindur një herë, të jetojë më tej tek një tjetër? Tek përçuesi i qerres sonë, fjala vjen, të cilit iu mërzitëm?
Ajo po qesh, dëgjoj të thonë gratë që nuk e dinë se unë e flas gjuhën e tyre. Dhe largohen prej meje, duke u dridhur, gjithandej e njëjta. Mirina, që më shihte buzagaz tek flisja për Enean, bërtiti: “E pandreqshme”. E kishte për mua. Unë i mbështeta dorën në zverk, derisa ajo heshti dhe ne të dyja, nga muri afër Portës Skaike, soditëm diellin tek kridhej në det. Kjo ishte hera e fundit që qëndruam bashkë, dhe ne e dinim këtë.
Unë bëj provën e dhimbjes. Sikundër mjeku, që për të provuar nëse një gjymtyrë ka vdekur apo jo e shpon atë, kështu edhe unë shpoj kujtesën time. Ka mundësi që dhimbja të vdesë përpara se të vdesim ne. Kjo, po të ishte kështu, duhej përçuar, por kujt? Këtu asnjë nga ata që nuk do të vdesë bashkë me mua, nuk e flet gjuhën time. Unë bëj provën e dhimbjes dhe kujtoj lamtumirat, secila ka qenë ndryshe. Në fund ne po silleshim sikur të dinim që bëhej fjalë për lamtumirë. Hera-herë ngrinim lehtë dorën. Hera-herë përqafoheshim. Enea dhe unë, ne nuk u prekëm më. Pafundësisht gjatë qëndroi mbi mua vështrimi i syve të tij, ngjyrën e të cilëve unë nuk e përcaktova dot. Hera-herë ne flisnim me njëri tjetrin, ashtu siç unë flisja me Mirinën, derisa së fundi u shqiptua edhe emri për të cilin ne kishim heshtur prej kaq kohësh: Pentesilea.
Sesi unë, para tre katër vjetësh, e kisha parë atë, Mirinën, të hynte në këtë portë, përbri Pentesilesë, me shpurën e saj të zhurmshme. Sesi shkulmi i ndjesive kundërtore – habi, emocion, admirim, tmerr, hutim dhe, po, po, edhe një gazmim i lig, çau ajrin në formën e një të qeshure ngërçore, që më bezdisi edhe mua vetë dhe që Pentesilea, e ndjeshme siç ishte, nuk ma fali kurrë, siç ma pohoi edhe Mirina. Ajo u lëndua. Kjo dhe asgjë tjetër ka qenë shkaku i ftohtësisë që ajo tregonte kundrejt meje. Edhe unë i pohova Mirinës se ofertat e mia për pajtim nuk bëheshin me gjithë zemër; edhe pse e dija se Pentesilea do të binte. Nga e dije? Më pyeti Mirina me afshin e zjarrit të saj të dikurshëm, por unë nuk isha më xheloze ndaj Pentesilesë. Të vdekurit nuk janë më xhelozë ndaj njëri-tjetrit. Ajo ra, sepse donte të binte. Apo përse kujton ti, se erdhi ajo në Trojë? Dhe unë kisha arsye ta vrojtoja me vëmendje dhe e vrojtova. Mirina heshti. Më tepër se gjithçka tek ajo mua më kishte mrekulluar urrejtja e saj ndaj profecive të mia, të cilat unë nuk i shqiptoja kurrë në praninë e saj, por që ajo i merrte vesh gjithmonë me zell më vonë, edhe ndaj sigurisë së përmendur prej meje një herë kalimthi, se mua do të më vrasin, e që ajo, ndryshe nga të tjerët, ma kundërshtoi. Ku e marr unë të drejtën për të shqiptuar profeci të tilla. Unë nuk iu përgjigja, vetëm mbylla sytë, e lumtur. Më së fundi e pas një kohë kaq të gjatë, përsëri trupi im. Përsëri ajo therja e fortë përbrenda meje. Përsëri dobësia për një njeri, plotësisht. Si ndjehem unë. Pentesilea, luftëtarja burravrasëse, nuk më kishte pëlqyer, kështu? Apo mos unë mendoj se ajo, Mirina, ka vrarë më pak burra se prijësja e saj? Apo madje edhe më shumë, pas vdekjes së Pentesileas, për tu hakmarrë?
Po, kaluçi im, por kjo ishte diçka krejt tjetër.
Ky ishte kundërshtimi yt kryeneç dhe pikëllimi yt i zjarrtë për Pentesilean, që unë, çfarëdo të mendosh ti, e kuptoj. Kjo ishte droja e saj e strukur thellë, frika e saj nga prekja, që unë nuk e cenova kurrë, derisa mua mu lejua të spërdridhja mes gishtave cullufet e saj të verdha dhe mësova kështu sesa e fuqishme paska qenë dëshira që paskësh selitur prej kohësh në zemër. Mendoj buzëqeshjen tënde në çastin e vdekjes sime dhe tani që nuk i largohem më asnjë brishtësie, e ndjej përsëri frikën nga pas. Tani ajo vjen dhe më mbulon me errësirën e saj.
Mirina më hyri në gjak që në çastin kur e pashë së pari, tërë dritë, guxim dhe pasion të egër përbri Pentesileas së zymtë dhe që digjej përbrenda. Gëzim më sillte apo dhimbje, unë nuk mund të shkëputesha dot prej saj, mirëpo tani nuk kam dëshirë që ta kem pranë. E pashë plot gaz atë grua, e vetmja e armatosur, tek burrat e Trojës, pa i vënë veshin profecisë sime, e sollën në qytet kalin e grekëve, e mbështeta atë në vendimin e saj për të bërë rojë pranë përbindëshit, unë me të, e paarmatosur. Plot gaz, gjithnjë, përsëri në këtë kuptim të përkundërt, e pashë tek sulmoi grekun e parë që aty nga mesnata doli nga barku i kalit të drunjtë, dhe tek ra me gëzim, po, me gëzim, ra dhe vdiq nën një goditje të vetme. Mua, që po qeshja, më kursyen, siç e kursejnë rëndom marrëzinë.
Nuk kisha parë ende sa duhej.
Nuk dua të flas më. Gjithë sqima dhe gjithë shprehitë janë djegur, janë shkretuar vendet në shpirtin tim ku ato mund të gjallonin. Keqardhja për veten tani nuk është më e madhe nga ajo për të tjerët. Tani nuk dëshiroj të dëshmoj më asgjë. Qeshja e kësaj mbretëreshe kur Agamemnoni kalonte nëpër qilimin e kuq, ishte përmbi çfarëdo dëshmie.
Kush dhe kur do ta rigjejë gjuhën?
Sigurisht është dikush të cilit dhimbja do t´i çajë kafkën. Dhe deri atëherë, deri tek ai, vetëm brurima dhe urdhri, gërvëlima dhe si’urdhëroja e të bindurve. Vilania e fitimtarëve që, heshturazi, duke kaluar emrin tim gojë më gojë, përcjellin qerren. Pleq, gra, fëmijë. Për neverinë e fitimtarit. Për pasojat që unë i shoh që tani në sytë e tyre të verbër. Të goditur nga verbëria, po. Gjithçka që ata duhet të shikojnë, do të luhet përpara syve të tyre dhe ata nuk do të shohin asgjë. Pikërisht kështu është.
Tani do të më duhet ajo që kam ushtruar gjatë gjithë jetës: t´i mposht ndjenjat nëpërmjet mendimit. Dashurinë dikur, frikën tani. Ajo u zgjua menjëherë brenda meje sapo qerrja, që kuajt e lodhur e kishin tërhequr me ngadalë përpjetë malit, u ndal midis muresh të zymtë. Përpara kësaj porte të fundit. Kur qielli u ça dhe dielli ra mbi luanët e gurtë që më shihnin mua dhe gjithçka tjetër përpara dhe që do të shohin gjithnjë. Frikën unë e njoh, por kjo këtu ishte diçka krejt tjetër. Si një diçka që vinte për herë të parë, përpara se të më vrisnin. Tani po lëmohej bërthama.
Tani kureshtja ime, edhe kundrejt vetvetes, ishte çliruar plotësisht. Kur e kapa këtë bërtita fort, tek po kalonim detin, unë, si gjithë të tjerët, mjerane, e shkundur nga tallazet, e lagur deri në palcë nga stërkalat, e terrorizuar nga ulërimat dhe kutërbimet e trojaneve të tjera, aspak dashamirëse ndaj meje, sepse ato e dinin mirë se kush isha unë. Kurrë nuk kam pasur shanse të kridhem në mes tyre, si shumë vonë më lindi kjo dëshirë, si shumë kisha bërë në jetën time të mëparshme për të qenë e njohur. Por edhe vetëqortimet i pengonin pyetjet e rëndësishme të mblidheshin. Tani pyetja rritej si fryti në lëvozhgë dhe kur ai u shkëput dhe qëndroi para meje, unë bërtita fort, nga dhimbja apo kënaqësia:
Përse e doja patjetër dhuntinë e fatthënies?
Atë çast të asaj nate të stuhishme mbreti Agamemnon, “tejet i vendosur” (o zot!) më tërhoqi me forcë nga lëmshi i trupave të tjerë dhe britma ime pushoi: atij nuk i duheshin profecitë e mia.
- Ti, ti ke qenë, – më gërthiti ai, i çmendur nga frika, – që ndërseve Poseidonin kundër meje. – A nuk i blatoi ai këtij zoti përpara se të dilnin në det tre nga kuajt e tij më të mirë?
- Po Athinës?, – e pyeta unë ftohtë, – çfarë i blatove asaj?
E pashë tek u zverdh. Të gjithë burrat janë fëmijë egoistë. (Enea? Dokërr. Enea është njeri i rritur.) Përtallje? Në sytë e një gruaje? Këtë ata nuk e durojnë dot. Mbreti-fitimtar do të më kishte vrarë – dhe këtë doja edhe unë, – të mos kishte ende frikë prej meje. Ky njeri vazhdonte të më mbante për magjistare. Unë duhej të paqtoja Poseidonin! Ai më shtyu në bash të anijes dhe m´i ngriti duart lart, siç e kërkonte riti përkatës. Unë lëviza buzët. Paçavure e mjerë, ç´rëndësi ka për ty nëse të përpin deti këtu, apo të therin në shtëpi?
Po të jetë Klitemnestra ashtu siç e përfytyroj unë, ajo nuk do ta ndajë fronin me këtë hiç. Dhe ajo është ashtu siç e përfytyroj unë. Për më tepër edhe e mbushur deri në grykë me urrejtje. Deri në çastin kur kishte qenë ende zotërues i saj, ai e kishte tiranizuar dhe shpërdoruar egërsisht, sikundër bëjnë të gjithë frikacakët. Duke qenë se unë i njoh burrat, por ç´është më e vështirë, njoh edhe gratë, e di mirë që mbretëresha nuk do të më kursejë. Dhe me vështrim, ma kishte thënë tashmë këtë.
Urrejtja ime ishte zhdukur, kur? Tani më mungon ajo, urrejtja ime e ngjeshur, plot lëng! Është një emër, e di, që do të mund të ma zgjonte, por tani për tani nuk më pëlqen ta shqiptoj. Sikur të mundja. Sikur të mund ta fshija këtë emër, jo vetëm nga kujtesa ime, por edhe nga ajo e gjithë njerëzve që mbetën gjallë. Sikur të mund ta digjja atë emër nga mendjet tona, atëherë edhe jeta ime nuk do të kishte qenë e kotë. Akil.
Nëna ime, ajo nuk duhej të më vinte ndërmend. Hekuba, ajo lundron tani me një anije tjetër, drejt brigjesh të tjerë. Me Odiseun. Por a mund të harrohen veprimet e saj! Fytyra e saj çmendurore kur e tërhoqën zvarrë. Goja e saj. Mallkimin më të tmerrshëm që është shqiptuar ndaj grekëve ndonjëherë që prej lindjes së njerëzimit, ka qenë Hekuba, ime më, që e ka nxjerrë nga goja. Dhe ajo ka të drejtë, vetëm duhet bërë durim, duhet pritur. Mallkimi i saj do të përmbushet, i thirra unë nga pas. Dhe ishte emri im, një klithmë ngadhënjimi, fjala e saj e fundit. Kur hipa në anije brenda meje kishte heshtur gjithçka.
Natën, kur pas “namatisjes” sime, shtrëngata pushoi vërtet, jo vetëm robërit, por edhe grekët, gjer edhe vozitësit-skllevër, të vrazhdë dhe makutë, më shmangeshin plot frikë dhe nderim. Agamemnonit i thashë se do ta humbja dhuntinë time, po të më merrte me përdhunë në shtrat. Dhe ai nuk më ngau. Fuqia e burrit e kishte lënë atë prej kohësh, më kishte rrëfyer në mirëbesim vajza që vitin e fundit kishte bashkëjetuar me të në çadër. Po ta nxirrte këtë të fshehtë të tmerrshme, e kishte kërcënuar ai, do të gjendej një sebep për ta vrarë me gurë para ushtrisë. Atëherë unë e kuptova më mirë mizorinë e tij në luftë, siç vura re edhe që ai bëhej gjithnjë e më i heshtur sa më tepër që, duke nisur nga Nauploni nëpër rrugën e gjatë e pluhurmadhe përmes Argosit, i afroheshim kështjellës së tij, Mikenës, gruas së tij, së cilës ai nuk i kishte dhënë asnjë shkas të tregohej zemërgjerë më të po ta tregonte dobësinë. Nuk dihet se nga çfarë e keqe do ta shpëtonte ajo duke e vrarë.
Se ata nuk dinë të jetojnë. Që kjo është fatkeqësia e vërtetë, që ky është rreziku i mirëfilltë vdekësor, këtë unë nuk e kuptova menjëherë. Unë profetja! Unë, e bija e Priamit! E verbër për aq shumë kohë ndaj asaj që më rrethonte; e ngurosur në zgjedhjen midis prejardhjes dhe ofiqit! Sa shumë kohë dridhesha plot frikë para tmerrit që unë, po të isha vetvete, duhej t´i parashikoja popullit tim! Dhe tani ky tmerr kishte hedhur detin përpara meje. Njerëzit e këtushëm – naivë po t´í krahasoj me trojanët, nuk e kishin përjetuar luftën, – nuk i fshehin ndjenjat e tyre, prekin me duar qerren, sendet e pa njohura, armët trofe, por edhe kuajt. Mua jo. Qerrtari, të cilit sikur i vinte turp për bashkëqytetarët e vet, u bëri të njohur emrin tim. Dhe atëherë unë pashë atë që isha mësuar: frikën. Më të mirët, thotë qerrtari, nuk janë aspak ata që mbetën në shtëpi. Gratë më afrohen përsëri. Më vlerësojnë me një vështrim të paturpshëm, hetojë poshtë shallit që unë kam hedhur përmbi kokë dhe supe. Dhe grinden se a jam apo nuk jam e bukur; më të vjetrat e pohojnë, më të rejat e mohojnë.
E bukur? Unë frikëndjellësja? Unë që doja shkatërrimin e Trojës?
Thashethemja që kaptoi detin, po më tejkalon mua edhe në kohë. Dhe Pantoi, greku, po merr kështu të drejtë.
- Ti po gënjen, e dashur, – më thotë ai, kur pranë altarit të Apolonit bënim përgatitjet e duhura për ceremoninë, – ti gënjen kur na profetizon të gjithëve fundin. Duke profetizuar shkatërrimin tonë ti kërkon të nxjerrësh përjetësi për vete. Ty të duhet ajo shumë më tepër sesa ajo thërrime lumturie familjare këtu. Emri yt do të mbetet dhe ti e di këtë.
Ishte hera e dytë dhe unë nuk munda t´i jepja një shuplakë. Pantoi ishte ziliqar, ndaj edhe i lig dhe gjuhëgjarpër. Thua të kishte të drejtë? Sidoqoftë ai më mësoi të pabesueshmen: edhe pas shkatërrimit tonë bota do të vazhdonte të jetonte. Por unë nuk i dhashë të kuptojë sesa shumë më tronditi. Si mund ta kisha menduar se me zhdukjen e fisit tonë do të zhdukej njerëzimi? A nuk e dija unë se robinjat e fiseve të mundura shtojnë pjellorinë e fitimtarëve? Mos ishte mendjemadhësia e bijës së mbretit që fatet e të gjithë trojaneve – po edhe të trojanëve, – i lidhja me vdekjen e shtëpisë sonë? Vetëm më vonë dhe me mundim, unë mësova të shquaj vetitë që njeriu i vesh vetes nga ato të lindurat dhe të vështira për tu dalluar. E shoqërueshme, e thjeshtë dhe pa të meta, kjo ishte tabloja që unë kisha krijuar për veten, tablo që dilte thuajse e pandryshuar nga çdo katastrofë. Ca më tepër: kur ajo dilte, katastrofa tashmë kishte kaluar. Apo mos, duke dashur të shpëtoj dinjitetin tim, – sepse me të vërtetë ndjenja e drejtësisë, e krenarisë dhe besnikërisë ndaj së vërtetës ishin pjesë e kësaj tabloje të vetvetes, – unë lëndoja së tepërmi dinjitetin e afërmve të mi? Apo mos, duke u parathënë vendosmërisht të vërtetën, unë u shpaguaja atyre kështu lëndimet që më kishin sjellë ata më përpara? Kështu, besoj, mendonte edhe Pantoi, greku, për mua. Ai e njihte vetveten, e duronte me vështirësi, siç e vura re më vonë, dhe përpiqej ta ndihmonte atë duke lejuar vetëm një motiv të vetëm për çdo veprim dhe çdo lëshim: vetëdashjen. Ai kishte bindjen e thellë se ndërtimi i botës nuk të lejon që të jesh njëherësh i dobishëm për veten dhe për të tjerët. Dhe ai kurrë, asnjëherë, nuk doli dot nga burgu i vetmisë së tij. Mirëpo sot unë e di se ai nuk kishte asnjë të drejtë të më quante edhe mua të ngjashme apo të njëllojtë me veten. Në fillim mbase po, dhe vetëm përsa i përket asaj vetie që Marpesa e quante mendjemadhësi. Lumturinë për të mbetur vetvete dhe njëkohësisht për të qenë e dobishme për të tjerët unë arrita ta jetoj. Arrita gjithashtu të vërej se janë të paktë ata që e venë re ndryshimin. Hekuba, ime më, më njohu shumë herët dhe pastaj nuk u kujdes më për mua. “Kjo vajzë nuk ka më nevojë për mua” kishte thënë. Për këto fjalë unë e admiroja dhe e urreja. Priami, im atë, kishte nevojë për mua.
Përktheu: Afrim Koçi/standard

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…