Skip to main content

Tetova News

Politika e përkthimeve


Amik Kasoruho

Eseistikë mbi përkthimet, një vështrim në shqipe – fragment nga libri “Pa mëri”, “Përkthimet në shqip si shprehje tradite dhe alternativë”

 Kushtet për një punë të programuar, të planifikuar dhe të përqendruar në një seli të vetme, u krijuan me mbarimin e luftës, Por kjo punë, përgjithësisht, do të kishte një karakter të njëanshëm, një zgjedhje të kushtëzuar dhe një kahje plotësisht të politizuar. Politika e përkthimeve nuk mund të dilte jashtë kuadrit ku qe gozhduar mbarë veprimtaria kulturore shqiptare dhe nuk mund të mos i shërbente synimeve ideologjike të shtetit-parti. U fillua me shtetëzimin e shtypshkronjave dhe me mbylljen e shtëpive botuese private. Monopoli i kulturës do të kalonte nën kontrollin e plotë dhe ekskluziv të shtetit. Kthehej në këtë mënyrë një faqe e jetës kulturore të vendit për të shfletuar një tjetër, ku përzgjedhja e autorëve sipas kritereve politike, njëanësia në zgjedhjen e titujve për t’u përkthyer, censurimi i teksteve, zelli maniak (nga pikëpamja politike) për t’ua besuar përkthimet përkthyesve të pakomprometuar politikisht, do të formonin tërësinë e kritereve që do të respektoheshin në lëmin e përkthimeve. Është rasti të themi, bashkë me Freud-in: «Qytetërimi (lexo ai socialist ) është një akt që i imponohet shumicës së pabindur nga një pakicë që ka shtënë në dore mjetet e pushtetit…» Fjalori enciklopedik shqiptar (botuar më 1985-n nga Akademia e Shkencave të Tiranës) në zërin Përkthimet (faqe 827) pohon se: “Kushtet për lulëzimin e vërtetë të përkthimeve u krijuan pas Çlirimit». Ka një të vërtetë dhe një mangësi në këtë pohim.
E vërteta është se iu dha fund spontanitetit në zgjedhjen e autorëve dhe të veprave për t’u përkthyer, se kjo veprimtari do të zhvillohej me një kriter fort mirë të
përcaktuar (edhe pse me luhatje që, hera-herës, kalonin nga një ekstrem në tjetrin, në vartësi të koniunkturave politike brenda apo jashtë vendit). Si gjithë arti, edhe përkthimet duhej të shërbenin për formimin e mentalitetit socialist të shqiptarëve. Por edhe socializmi i Tiranës njohu periudha dobësie. Kështu, në fillim të viteve ‘60 nxori krye prirja për të sjellë në shqip një varg shkrimtarësh të njohur perëndimorë krahas shumë veprave të letërsisë sovjetike me vlerë relative. Në atë periudhë të shkurtër fatlume, u përkthyen vepra të Galsworthy-t, London-it, Mann-it, Dreiser-it, Zweig-ut, Remarque-t, Balzac-ut, Maupassant-it, Cronin-it, Miller-it, po të përmendim vetëm një pjesë syresh. Pavarësisht se, në njëfarë mënyre, vinin në dukje anët negative të jetës së shoqërisë kapitaliste (dhe kjo, afër mendsh, me një qëllim fort të përcaktuar), fakti që ato përkthime u vunë në qarkullim, nuk mund të mos e kënaqte lexuesin shqiptar, i cili, tashmë nuk mund të ngihej me veprat e realizimit socialist.
Në këtë vepër fisnike, në këtë transfuzion vlerash u angazhuan një numër i konsiderueshëm përkthyesish me vlerë. Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Skënder Luarasi, Pashko Gjeçi, Bujar Doko, Sotir Caci, Vedat Kokona, Robert Shvarc, Petro Zheji, Halit Selfo, Hamit Kokalari, Henrik Lacaj, Vasil Gjymshana, Alqi Kristo, Enver Fico, Mustafa Gërblleshi, Aurel Plasari, Ardian Klosi, Klio Evangjeli, Afrim Koçi, Brikena Çabej, Prokop Gjergo, Pirro Misha dhe përkthyes të tjerë u bënë njëlloj të njohur për lexuesin sa dhe vetë shkrimtarët më në zë të realizmit socialist. Madje, në shumë raste, ndodhte që përkthimet zhdukeshin nga raftet e librarive, ndërsa shumë vepra origjinale mbeteshin të pashitura. Këtë fakt na e pohon edhe një e dhënë interesante: as edhe një përkthim i letërsisë së Perëndimit nuk është botuar me tirazh më të pakët se 10.000 kopje (e barabartë me 0,4% të mesatares së popullsisë), pa folur këtu për ato raste kur kjo sasi dyfishohej. Rrallëherë qëllonte kjo me vepra origjinale. Përkthimet vinin e plotësonin në mënyrë më të natyrshme atë boshllëk (që thellohej me kalimin e kohës) të krijuar nga vepra origjinale të njëanshme, shpeshherë mediokre dhe gjithmonë të politizuara. Edhe pse romani Babit i Sinclair Lewis-it u botua me shkurtime (dhe, mos qofsha gabim, ishte hera e parë që thuhej), lexuesit shqiptarë, brenda pak orëve, boshatisën libraritë. Tre shokë i Erich Maria Remarque-t, përkthyer me mjeshtri dhe ndjenjë nga Robert Shvarci, shumë vjet pas botimit ruhej si të ishte një relikte nga ata që e zotëronin. Kështu, mund të thuhet për novelat e Zweig-ut, për Trilogjinë e Forsajtëve të Galsworthy-t, për Çifuten e Toledos të Feuchtwanger-it, për Tragjedinë amerikane të Dreiser-it: përkthimet e zgjedhura me vend dhe të shqipëruara me kujdes e kompetencë i ngjanin një komete në një natë të errët: drita e saj kalimtare thithej menjëherë nga hapësira e dëshiruar për dritë. Ato zunë vendin e dialogut të gjallë me botën e lirë, nga e cila vendi qe izoluar.
Mangësia, për të cilën u fol, ka të bëjë me faktin se, thuajse pa përjashtim, të gjitha përkthimet iu nënshtruan censurës. Një mendim apo një fjali që nuk përkonte me ideologjinë zotëruese, do të hiqej se s’bën nga teksti dhe – absolutisht në të gjitha rastet – çdo përkthimi do t’i paravihej një parathënie, e cila duhej të shërbente si çelës i leximit ku viheshin në dukje kufizimet ideologjike të autorit si njeri që i përkiste një shoqërie borgjeze. Nuk mund të lejohej e të bëhej një interpretim individual i leximeve: edhe Shakespeare-i apo Dante duheshin lexuar me syzet e estetikës socialiste. Nga këto detyrime ideologjike do të vuanin autorë, vepra e përkthyes. Nëse shkolla e realizmit socialist imponoi rregulla të hekurta për krijimtarinë, nuk mund të mos i zgjeronte kërkesat e veta edhe në fushën e përkthimeve.
Robert Shvarci, qysh në vitet ‘60, ishte afirmuar si një nga përkthyesit shqiptarë më interesantë. Ai pasuroi thesarin kulturor të bashkëqytetarëve të vet, duke përkthyer me një shqipe të hijshme, të zhdërvjellët dhe të pasur një varg veprash të letërsisë gjermane. Përktheu Remarque-n, (Tre shokëShkëndija e jetësAsgjë të re nga fronti i perëndimitHarku i Triumfit), Lion Feuchtwanger-in (Çifutja e ToledosRruga e mundimshme drejt njohjes), Bertolt Brecht-in (Nëna KurajëArturo Ui dhe cikle poezish politike), Heinrich Heine-n (poezi të ndryshme dhe poemën Gjermania, një përrallë dimri), novela nga Zweig-u e të tjera.
E pra, ky njeri i talentuar dy herë radhazi ndjeu mbi vete “kujdesin” e regjimit. Herën e parë me dramën e Brecht-it, Arturo Ui, që do të shfaqej në skenën e Teatrit Popullor të Tiranës: plot gjashtë muaj zgjati diskutimi nëse duhej të jepej drama apo jo.
Censorët kishin frikë se mos spektatorët (e natyrisht edhe lexuesit) nuk do ta kishin aq të vështirë të hiqnin paralele në mes të dramës së Brecht-it dhe krimeve të diktatorit të Tiranës. Dhe gjatë atyre gjashtë muajve, përkthyesi jetoi me ankthin: ç’po mendonin për të ata që ishin aty lart, në majën e pushtetit?
Herën e dytë u ndesh ballë për ballë me ligësinë e një regjimi dhune. Pas interesimit të madh që kishte ngjallur romani Tre shokë, përktheu nga i njëjti autor, Remarque, Harkun e Triumfit. Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, e vetmja në të gjithë vendin që botonte letërsinë artistike (natyrisht shtetërore), s’pati kurajë ta botonte. Arsyeja: personazhi kryesor i romanit, një refugjat gjerman që, për t’u shpëtuar nazistëve, ishte strehuar në Francë, nuk kishte bindje politike të qarta e të prera dhe qëndrimi i tij ishte disi i pavendosur, i ndërdyshët dhe i lëkundur. Me pak fjalë, nuk paraqiste heroin antinazist klasik, sypatrembur. Nuk u botua. Ndërkohë, dorëshkrimi, i daktilografuar nga përkthyesi në tri kopje, kishte nisur të kalonte dorë më dorë ndërmjet miqve të vet. Ishte një praktike krejt e zakonshme për një vepër që, për mendimin e Shvarcit dhe të të tjerëve, s’kishte dyshim që nuk do të botohej. Kopjet filluan të qarkullonin mes dhjetëra lexuesish, aq sa vetë përkthyesi nuk e dinte ku kishin përfunduar. Vite më vonë, Robert Shvarci u thirr në Komitetin e Partisë të Rrethit të Tiranës ku i thanë troç se po bënte propagandë kundër shtetit, meqë dorëshkrimi “klandestin” po qarkullonte pa pëlqimin dhe pa lejen e autoriteteve dhe jashtë çdo kontrolli. Duke vepruar kësisoj, Shvarci kishte zënë vendin e shtetit. Remarque ishte një subversiv dhe romani i tij dëmtonte pushtetin popullor! Por ky paradoks duhej të kishte një vijim: në të vërtetë, pak kohë më vonë dhe në fakt, pak kohë më vonë, Harku i Triumfit u botua po nga ajo shtëpi botuese që e kishte refuzuar, duke i siguruar përkthyesit një sukses tejet të merituar. Por nuk mundi t’i kthente qetësinë e tronditur: Robert Shvarci e kishte parë veten në prag të derës së burgut.
Censura ndaj përkthimeve ushtrohej në forma të ndryshme. Pashko Gjeçi – një nga përkthyesit e poezisë së lashtë greke e latine – pothuajse kishte punuar një jetë të tërë për të përkthyer Komedinë HyjnoreParajsës iu desh të priste plot tetë vjet për t’u shtypur pas botimit të Ferrit, sepse të kujtonte pak si shumë kristianizmin dhe kjo ishte e papranueshme. Mark Dema nuk pati kënaqësinë ta shihte të botuar as Eneidën dhe asOrlandin e Ariosto-s, të cilat i kishte përkthyer me kujdes të madh dhe me ndjenjë përgjegjësie artistike e gjuhësore: përkthyesi kishte qenë në burg për opinione të kundërta me ato të pushtetit në fuqi dhe emri i tij nuk kishte si të bëhej publik duke u botuar. Vasil Gjymshana përkthente Voltaire-in, por u detyrua të hiqte dorë nga ajo punë aq e madhe: censura donte të ndërhynte rëndë. Bep Zorbës, kultivues i rafinuar i poezisë dhe përkthyes i ndjeshëm, nuk iu dha leja nga regjimi që të botonte përkthimet e tij nga letërsia anglo-saksone dhe, veçanërisht veprën poetike të Elliot-it që ai e donte aq shumë: pak për shkak të mesazhit të saj e ndoshta edhe më shumë sepse ai, Bep Zorba, kishte qenë në burg si “armik i popullit”.
Do të përktheheshin Aleksandër Tvardovskij, Kostandin Simonov, Kostandin Paustovskij, Aleksandër Fadejev, por nuk do të përmendeshin kurrë (përveçse si shembuj për t’u dënuar arti borgjez) Sartre, D’Annunzio, Wilde, O’Neil, Beckett, Kafka, Apollinaire dhe shumë të tjerë. Do të përkthehej ndonjë roman i Pratolin-it apo i Moravia-s (në mos gabohem vetëm Çoçarja) apo i Levi-t, por asgjë nga Petrarca, Leopardi, Foscolo, Manzoni, Carduci, Pavese, Malaparte, Pasolini, Berto, Montale, Ungaretti. Kultura italiane ishte më larg se kurrë. Pasternak, Sollzhenicin, Ahmatova mbetën vetëm emra. Përkthimet u nënshtroheshin trilleve politike të krerëve të partisë. Zgjedhja e veprave për t’u përkthyer u përqendrua kryesisht tek ato sovjetiket, kushtëzuar nga marrëdhëniet e mira që ishin vendosur (deri në vitin 1961) midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, dhe jo vetëm për këtë: për të mos lajthitur, edhe vepra shkrimtarësh perëndimorë shpeshherë përktheheshin nga rusishtja dhe botimi në gjuhët origjinale shërbente vetëm si tekst konsultimi!
Pas prishjes së këtyre marrëdhënieve, për një periudhë të shkurtër (që përputhet me çorientimin politik të vetë partisë, deri sa u lidh aleanca e re me “vëllezërit” kinezë), njohu një ngritje të vrullshme njëfarë lirie letrare dhe qe pikërisht në atë periudhë kur lexuesve shqiptarë u ranë në dorë vepra me vlerë. Por më vonë, pas atij lulëzimi të kulturës, për më shumë se pesëmbëdhjetë vjet u erdhi radha autorëve kinezë krejt të rëndomtë dhe autorëve thuajse të panjohur të Amerikës Latine.
Periudha që u shënjua nga kjo miqësi dëmprurëse për Shqipërinë, u karakterizua nga importimi i “revolucionit kulturor” kinez që qe preludi i një obskurantizmi mesjetar, i cili synonte të resiste nga kujtesa e njerëzve gjithçka kishte arritur njerëzimi në lëmin e kulturës. Ai revolucion u drejtua kundër kulturës. Shqipëria e Enver Hoxhës u krodh kokë e këmbë në atë aventurë, edhe sepse eliminimi i çdo pike referimi, pamundësia e cilitdo lloj krahasimi me botën e qytetëruar do t’i lejonte gjysmëperëndisë së Shqipërisë të shpallej – krahas me “timonierin e madh Mao” – si marksist-leninisti më i madh i gjallë.
Pikërisht në atë kohë, përkthyesit shqiptarë – duke përfituar honorare qesharake – sollën nga shqipja në gjuhë të huaja “veprat” e Enver Hoxhës dhe broshurkat propagandistike të Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste të Tiranës. Në kohën kur Partia e Punës e Shqipërisë imitonte Partinë Komuniste Kineze, u ndalua shfaqja e të gjitha operave muzikore perëndimore, nga repertori i koncerteve u ndalua deri Bethoveni dhe u bë gjithçka që njerëzit të bindeshin se socializmi puritan e kishte shndërruar globin e tokës në një trup me dy qendra rëndese, njëri nga të cilët ndodhej në Pekin dhe tjetri në Tiranë. Në këtë periudhë, përkthimet reshtën së qeni një komponent i jetës kulturore shqiptare.
Nëse në vitet ’60 përkthimet qenë një zgjedhje fatlume për të mbushur disi zbrazëtinë shpirtërore që po bëhej gjithnjë e më e thellë në Shqipëri, tani, në kushtet e një politizimi të dhunshëm dhe absurd të jetës, vetë përkthyesit u zvarritën në shtjellën e një kotësie të padobishme. Por një pjesë e tyre vijoi të kultivonte atë ushtrim që synonte t’u transmetonte bashkëkombësve të vet manifestime të kulturës universale që, sipas John N. Myres-it “janë ato që i mbeten njeriut nga e kaluara, që veprojnë në të tashmen për të bërë të mundur ngjizjen e së ardhmes”. Shumë përkthyes, duke punuar në kondita tejet të vështira, duke u bërë ballë orareve masakruese për të përkthyer fjalimet, letrat apo “veprat” e Enver Hoxhës, vijuan të përkthenin, mbrëmjeve, në shtëpi ku nuk kishin një kthinë që t’u shërbente si studio, vepra të cilat shpresonin që një ditë të mund të botoheshin. Autori i këtyre radhëve e di se pikërisht në këtë periudhë pune cfilitëse dhe që nuk gëzonte kurrfarë mirënjohjeje, Robert Shvarci përktheu poemën e Heine-sGjermania, një përrallë dimri, që do të shihte dritën e botimit vetëm në vitin 1990. Dhe kur përkthente vargjet
Shtrëngimi ishte për të paktët,
që bënin dhe shtypnin ca shkrime…
kishte në mendje pikërisht atë aradhe përkthyesish, kolegë të tij, të cilët, bashkë me një pjesë shkrimtarësh, e çmonin lirinë e tyre të shprehjes dhe do ta kuptonin domethënien e qortimit të gjermanit të madh:
Ajo liria praktike, e jashtme,
fort shpejt idealin ka për ta zhdukur
që ne e përkundnim thellë në gji
Arti, ai i vërtetë dhe i lirë, nuk mund të frymonte në një vend ku sundonte mediokriteti, konformizmi dhe përshklitja e vlerave të vërteta botërisht të njohura. Merita e punës së përkthyesve është se ata mundën të përftonin atë që nuk kishte mundur letërsia e realizmit socialist (dhe që as nuk mund ta arrinte): të edukonte te lexuesit shijen e një letërsie të mirë dhe të shëndetshme, ndjesinë e së bukurës dhe së drejtës, dimensionin thellësisht njerëzor të artit, cilësi këto që mund të shkrihen në një simbiozë harmonike me pritmënitë dhe nevojat shpirtërore të lexuesve vetëm në një vepër të vërtetë letrare.
Lexuesi, duke çelur një dialog të hapur dhe të thelluar me kulturën, do të ishte më i motivuar për një cilësi më të lartë të jetës. Të kesh një mendje të kthjellët dhe të ndriçuar do të thotë të dish të zgjedhësh, pavarësisht nga shtrëngimet apo imponimet. Kontakti me kulturën e të tjerëve u jep ekzigjencave të individit një përmbajtje më njerëzore, duke e shtyrë me vetëdije në shtegtimin drejt asaj që është më e mirë. Por përkthimet patën edhe karakterin e një shfrimi etik dhe intelektual për atë që kishte zgjedhur një jetë të kundërt me atë të konformizmit. Lasgush Poradeci, liriku më i rafinuar shqiptar, nuk e ndjeu të shkruante nën diktat: heshti dhe gjeti strehë të përkthimet për të shfryrë ngarkesën e tij emocionale, i vetëdijshëm se poezia e tij nuk do të kishte atë tingëllim fisnik që e kishte shquar, i bindur se do të tradhtonte veten si njeri dhe si artist duke vargëzuar lëvdata për regjimin, preferoi të heshtte dhe të mos bashkohej me korin e lajkatarëve badihava. Qe kjo një formë proteste e artistit të madh që ndihej i kufizuar në shprehjen e tij. Iu kushtua tërësisht përkthimeve (Goethe, Heine, Pushkin, Majakovski qenë autorët e tij të preferuar), duke pasuruar kështu jo vetëm thesarin kulturor të shqiptarëve, por duke dhënë edhe një shembull të madh ndjeshmërie të lartë artistike dhe mjeshtërie të padiskutueshme.
Nga kjo pikëpamje, përkthimet duhen parë jo vetëm si një element plotësues kulture, por edhe si pjesëmarrje në atë përpjekje që, duke fshirë kufij, synon ta bëjë individin një njeri të lirë, pjesëtar të botës.
Një tipar shumë i rëndësishëm i përkthimeve qe kontributi për të kristalizuar një gjuhë të pasur, dinamike, shprehëse. Çdo përkthyes, duke ruajtur mënyrën e vet të veçantë për të dhënë në shqip veprën e përkthyer, dha një ndihmesë të madhe për pasurimin e vetë gjuhës shqipe, duke e bërë të denjë për të transmetuar sa më korrekt stilet dhe përmbajtjet nga më të ndryshmet.
Një pjesë e mirë e përkthyesve ishin vetë shkrimtarë, por preferuan ta kufizonin veten: u përmend Poradeci, por Mitrush Kuteli ishte tregimtari më i mirë shqiptar. Vedat Kokona ishte romancier dhe novelist. Robert Shvarci ishte poet: rrallëherë u panë krijime të tyre. Ata (dhe të tjerë) ishin të bindur se shoqëria kishte nevojë për vlera, prandaj e frenuan ambicien e tyre krijuese, duke kontribuar që të kapërcehej kriza e identitetit kulturor që ndihej në një pjesë të shoqërisë shqiptare. Në kohën kur shtypej që në të lindur, çdo përpjekje kulturore që dilte jashtë hapësirave të ngushta të dekretuara nga diktatura që ushqehej me një ideologji absurde asgjësuese, vepra e merituar e përkthyesve shqiptarë të kujton vargjet e Majakovskit:
Duhet t’ia zhvasim gëzimin së ardhmes.
Në këtë botë nuk është vështirë të vdesësh,
të jetosh, kjo është e vështirë.
Dhe puna e tyre kontribuoi t’u komunikonte shqiptarëve, në periudhën më të errët të jetës së vendit të tyre, vlerat e letërsisë së madhe. Nëse pesëdhjetë vjet diktaturë i kishin shkallmuar këmbët urës së komunikimit njerëzor, ata bënë çmos për t’i rindërtuar.
Dhe pikërisht për këtë arsye që ata, përkthyesit shqiptarë, mund të thonë bashkë me Edmund Husserl-in: “thellë në ndërgjegjen time e ndiej veten që jetoj në botë”, në një botë ku të kishe një ndërgjegje ishte diçka me rrezik dhe që të dëmtonte, nuk është pak. Përkundrazi.
Revista “IN OLTRE”, Bari, qershor 1994/standard

Popular posts from this blog

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…