Skip to main content

Tetova News

VACLAV HAVEL: LETRA OLLGËS DËRGUAR NGA BURGU




Letra e parë

                                                                                                          4 qershor 1979
E dashur Ollga,
siç doli, astrologët kishin pasur të drejtë kur më kishin parathënë se këtë vit do të përfundoja përsëri në burg, dhe, ashtu siç parashikonin ata, do të bënte një verë e nxehtë. Këtu është vërtetë një i nxehtë i tmerrshëm, një sauna e pafundme. Më vjen keq që nga burgosja ime, janë gjasat, ti do të përballesh me shumë ndërlikime. Mendimi im për këtë është që ti të rrish në Hradeçek (shtëpia e Havelit për fundajavat pranë Trutnovit- shënim i botuesit), ku të amvisërosh, të kujdesesh për ngastrën e perimeve, ta hijeshosh shtëpinë, të shkosh me qentë te jazi etj. Mundet që gjithnjë dikush nga familja të qëndrojë me ty, apo edhe miq të cilët mund t’i kalojnë atje pushimet. Nuk ka asnjë kuptim të qëndrosh në Pragë – këtu ti në asnjë mënyrë nuk mund të më ndihmosh mua – dhe me çfarë do të merreshe ti këtu gjithë ditën e ditës? Do të duhet të dalësh me veturë në treg, të bësh blerjet dhe të tilla gjëra si këto. Dhe nuk do të jesh e varur nga askush. Me një fjalë, ti duhet të jetosh sikur unë ndodhem diku në ndonjë piknik, pra krejt normalisht. Kështu më ndihmon mua më së miri: nëse unë e di se ti po e kalon mirë dhe që po kujdesesh për veten. Sa kohë do të rri në piknik, këtë natyrisht unë nuk e di, nuk e ushqej veten aspak me shpresa të kota dhe, në të vërtetë, as që e vras mendjen për këtë gjë. Për “Rastin” tonë, pra, pothuaj nuk mendoj fare – nuk ka diçka për të cilën ia vlen të persiatesh: puna është e qartë, dhe unë po ashtu e kam atë të qartë (nisur nga të gjitha përvojat e mia), si duhet dhe çfarë duhet të bëj. Unë e vras mendjen për gjëra krejt të tjera. Dhe më vjen të pëlcas se nuk mund të shkruaj për këto gjëra. Burgu, si i tillë, natyrisht që është i mërzitshëm deri në tmerr, çfarë qejfi bëka njeriu t’ia ngulë sytë gjithë ditën e ditës murit. Por unë çdo burgim të ri e përballoj më mirë, sepse shumë gjëra, të cilat më parë më kishin tronditur e hutuar, tashmë nuk mund të më befasojnë as të më çoroditin. Shqetësimin më të madh e kam nëse, për shkakun tim, disa njerëz jashtë burgut do të përballen me vështirësira; më shkruaj për këtë. Përshëndete Andulkën përzemërsisht (Anna Kohoutovà, mike e Havelit) dhe jepja asaj të lutem letrën time ta lexojë. Më vjen shumë keq që nuk mund t’i shkruaj asaj, por ndoshta ajo mund të më shkruajë. Çdo mbrëmje i dëgjoj fëmijët në sheshin e lojërave afër burgut tek luajnë përjashta, kështu që unë kam njëfarë lidhjeje me botën jashtë. Kam filluar të stërvitem ngapak në Yoga, por këtu është tepër ngushtë për këtë.

E martë, 5 qershor

Më në fund shi! Dhe stuhi! Klima që bën jashtë këtu nuk ndihet fare, por gjithsesi është një lehtësim për ne! Mua më ishte dukur sikur po më zihej fryma! Tani jam në një gjendje shpirtërore të shkëlqyer. Unë të shkruaj ty sapo filloj e ndjehem shpirtërisht mirë; kur jam në dëshpërim, dua ta mbaj atë vetëm për veten. Çka më tërbon më shumë është se midis dy burgimeve nuk kam mundur të shkruajë një dramë të re. Kjo nuk ka të bëjë me krizën e paaftësisë për të shkruar – unë gjithnjë shkruaj me shumë frymëzim (dhe sidomos këtu, ku nuk mund të shkruaj kurrsesi, më tundon dëshira e pamasë që të shkruaj) – por, më saktë, ka të bëjë me përftimin e ideve. „Faustin“ pothuaj e kam konceptuar dhe e kam shkruar deri aty nga gjysma, por ende ndihem i pakënaqur me çfarë kam shkruar. Unë dua të shkruaj përsëri diçka për të cilën ta ndiej veten krejtësisht të kënaqur, jo diçka e cila i pëlqen vetëm publikut të zakonshëm (si „Berghotel“). Unë dua ta bluaj përsëri në kokë „Faustin“. Këtu kam një rast të qartë për të thelluar mësimet anglisht, çka do të ishte mrekulli... Ndoshta ti e kishe konstatuar se ne po përfundonim një shtojcë të shtëpisë sonë në Pragë. Policia ka menduar se unë ndodhesha në shtëpi dhe nuk e hapja derën – prandaj e shpërthyen atë dhe, meqë nuk më gjetën mua, ia ndërruan asaj dryrët, të cilët – në një shpërthim tjetër të shtëpisë, prapë do t’i ndërronin. Unë nuk ndodhesha në shtëpi, sepse po shëtisja në qytet dhe po shijoja lirinë- sikur po e parandjeja se shpejt do ta humbisja atë përsëri. Pastaj ata më gjetën në shtëpi në një vizitë tjetër. Unë nuk e hapa gojën fare, çka nuk pajtohet dhe aq shumë me natyrën time të qetë, por ata prapë se prapë nuk më ledhatuan. Ndjeva një trysni emocionale të fikëti, kur ata po përpiqeshin të më sqaronin, sikur unë gjoja një zonjushe kisha dashur ta magjepsja, e cila e dëgjonte këtë gjë. Hmm. Do të shihemi.


Letra e pestë

                                                                                                                       21 korrik 1979

E dashur Ollga,
para së gjithash: si zakonisht kam harruar, që ta uroj ditëlindjen. Më ra ndërmend pak minuta pasi ta kisha nisur letrën e mëparshme. Mä fal! Pa u shëruar nga kjo hutaqëri, nuk mund të them se do të përmirësohem në tërësinë time. Kështu që ty të uroj me vonesë. Një dhuratë për ditëlindjen do të ta blej kur të jem i lirë. Sepse dhuratat nga burgu ty nuk të bëjnë ndonjë përshtypje, për sa më kujtohet mua… A i ke marrë letrat e mia të mëparshme – Letrat Nr 3 dhe Nr 4? Do të ishte mirë që për çdo letër timen që do të marrësh, të ma nisesh një kartolinë, çka vërteton marrjne e letrës dhe unë çlodhem me pamjet e tyre…Herën e  fundit ta kam konfirmuar marrjen e letrës tënde të parë, prej atëherë kanë mbërritur edhe dy letra të tjera. Letra e parë më ka gëzuar pa masë dhe, veç tjerash, ma ka nxitur kënaqësinë për të shkruar (ti më ke shkruar aty si i keni lexuar letrat e mia). Shumë, shumë të faleminderit për këtë! Përkundrazi, letra e dytë (nga gjithësejt tri) më ka merakosur paksa: Aty ke shkruar se nuk më dërgon të puthura – psenë e  kësaj e ditkam unë. Unë nuk e di, pse! Por unë e di se ti të tilla gjëra të mos ia lejosh vetes të m’i shkruash – se pastaj mua më shkojnë kushedi sa ditë si s’ka më keq. Letrat janë e vetmja gjë që njeriu ka këtu, i lexon ato kushedi sa herë, i shosh në mendje fjalë për fjalë, edhe vogëlsia më e imtë e gëzon ose, në të kundërtën, e trishton njeriun dhe e bën atë ta kuptojë pafuqinë e vet – shkurt fjala, ti duhet të më shkruash mua letra të dashura! Dhe mbaj mend po ashtu, ta shkruash datën, e para së gjithash, të shkruash gjëra të menduara thellë e të lexueshme! Fundja nuk është ndonjë problem i madh, të ulesh nganjëherë në makinën e shkrimit dhe të shkruash për gjithçka që të ndodh ty!…Ashtu siç të kam shkruar unë për veten time… Pas mbylljes së hetimeve, lejohet korespondencë të pakufizuar, por nuk e di sa e pakufizuar do të jetë. Këtu unë mund të marr hua libra anglisht. Ndër librat më të mirë që kam këtu është “Iluzionet e humbura”, që sapo e kam lexuar, ndërsa tani po lexoj “Pikuikët”. Veç kësaj, këtu në burg nuk kam asnjë tjetër kënaqësi. Është terr, zbrazët, as thirrjet e fëmijëve përtej dritares nuk janë më. Nganjëherë mbaj shënime në një copë letër. Shumë ide më vijnë mua në këtë mjedis njëdimensional, por jo… Lidhur me rastin tim unë të kam shkruar tashmë gjithçka të mundshme, nga ana tjetër, unë nuk e di nëse ti i ke marrë të gjitha letrat e mia. Prandaj e ritheksoj: hetimet kanë tashmë një muaj që janë përmbyllur, kështu që në çdo kohë mund të jetë procesi gjyqësor – natyrisht, unë nuk mund ta di se kur bëhet. Gjithsesi unë duhet të jem i parapërgatitur, sikur procesi ndodh pas pak dhe unë marr dënimin. Unë mendoj se jam mjaft i parapërgatitur së brendshmi përballë kësaj alternative. Po ti a je e parapërgatitur? Kërkesa ime për pafajësi është hedhur poshtë, unë jam ankuar për këtë vendim. Kërkesa ime për lejim vizitash nga të afërmit nuk ka marrë end përgjigje. Javën e ardhshme merr fund afati i fundit i përmbylljes së hetimeve, dhe ai mund të zgjatet prapë e prapë, nëse ata e ndjejnë të arsyeshme… A të merr malli për mua? Kam katërmbëdhjetë ditë që nuk kam marrë kartolinë prej teje! Sa herë që ti je në qytet, ke mundësi të ma nisësh një kartolinë, kjo do të më gëzonte shumë… Në gazetë kam parë fotografitë e qeverisë së re të Nikaraguas – dukeshin si një grup i hareshëm studentësh filozofie, kështu që mua më ngjallën simpati. Natyrisht, unë nuk mund të them se informacionet që kam për këtë janë plotësisht të mjaftueshme…Prapë për krijimtarinë time, paksa më konkret: tashmë unë e kam kaluar nëpër mendje krejt “Faustin” – mjedis i ri, motive të reja, personazhe të rinj, një strukturë të re tërësore, e kështu me radhë. Ky projekt tashmë është përvijuar hollësishëm. Kështu që ngelet vetëm për ta shkruar, dhe kjo gjithsesi s’mund të ndodhë. Por unë e kam këtë ndjesi (ndoshta nuk e gënjej veten), se po të isha jashtë, mund ta shkruaja shumë lehtësisht dhe shumë shpejt. Për sot tung!

P.S.: Mua më është bërë e qartë një gjë tjetër: kjo bota këtu ka shumë më të vërteta se bota përjashta. Gjërat dhe njerëzit e tregojnë këtu thelbin e tyre të vërtetë. Gënjeshtra dhe hipokrizia zhduken. Nëse unë do të jem prapë përjashta, do të të tregoj gjëra interesante për këtë.

Dua të ta kujtoj prapë udhëzimin për rastin tim të procesit gjyqësor: Do të kishte shumë të ngjarë që edhe procesin e apelit, por megjithatë do të ishte shumë mirë nëse ti do të ishe e papapërgatitur për përiudhën e zbatimit të „Vuajtjes së dënimit“. Atje i lejohet njeriut të ketë më shumë gjëra, por nga ana tjetër atje njeriu nuk ka para që të blejë gjëra për veten. Prandaj do të jetë e nevojshme të pyetësh dikë që ka qenë atje, si i bëhet nëse pas procesit se çfarë lejohet të kesh dhe çfarë lejohet të mos kesh. Pa dyshim atje është e nevojshme një takëm veglash rroje, pasta dhëmbësh, fletore shkrimi, zarfa, gërshërë, pasqyrë, sapun e tjerë. Dhe patjetër lejohen cigaret. Dhe nëse është e mundur të kem libra, atëherë duhet të kem fjalor anglisht, metodë mësimi të gjermanishtes, libra anglisht e kështu me radhë. Ndoshta po e merakos veten para kohe, por përvoja ime nga burgu – një përvojë e mirëfilltë themelore – më mëson se gjithmonë ia vlen të jesh i parapërgatitur më së miri në kohën e duhur.

                                                                                           Të puth ty Vasheku

                                                                               
                                                                                                     Mëngjes i së martës, 24 korrik

Sot të kam parë në ëndërr! Kemi marrë me qira një pallat në Venecia! Jam gjithnjë me humor të mirë. Më shkruaj letra të dashura dhe kartolina, me anë të tyre ta ruaj qetësinë!



Letra e shtatë

                                                                                                      11 gusht 1979

E dashur Ollga,
është e shtunë, ora pesë, e kam ngrënë darkën tashmë, po pi lëngje dhe po meditoj çfarë je duke bërë ti tani. Më së shumti ka të ngjarë të jesh ulur në oborr – unë shpresoj me miq - pi kafe dhe bëhesh gati të shkosh në guzhinë, ta ngrohësh stufën dhe të përgatitësh gjellët e darkës. Më duhet të përsiat rreth jetës sate, meqë nuk kam lajme të mirëfillta për të: që prej letrës sate, e cila më erdhi para më shumë se një muaji, nuk kam marrë letër më prej teje. Por s’kam marrë letër as prej vëllait apo dikujt tjetër. Kjo shkëputje e plotë nga lajmet prej shtëpisë nuk është gjë e mirë, dhe prandaj do të ishte ndoshta mirë sikur të më shkruash të gjitha lajmet e përditshmërisë sate dhe, po ashtu, të m’i lutesh vëllait nga ana ime, të më njoftojë, mundësisht, nëse e ka ndërmend të vijë herën tjetër.

Çka duhet të të them unë për jetën time këtu? Ditët e fundit më toruturon pa masë ky shiatik, ky reumatizëm apo çfarë të jetë. Më krijon vështirësi të çohem, por edhe të rri shtrirë e kështu me radhë. Yoga gjithsesi nuk mund të bëj. Unë shpresoj se përkohësisht do të vazhdojë të më bëjë masazh shoku i dhomës. Unë jetoj këtu – sa është e mundur – i mbyllur në vetvete më shumë se më parë, ngaqë kam një shok të ri dhome, me të cilin nuk mund të bisedoj si me të parin. Boll mendime më vijnë në kokë, por nuk më vjen t’i shkruaj – çdo mungesë humori (në të vërtetë pavetëdijshëm ) këtu t’i lidhë duart. Sa për çështjen time nuk e vras mendjen fare dhe nuk di rreth saj asgjëje të re. Këtu është mjedis jomiqësor, i trishtueshëm, njerëzit janë të ftohtë, por pa pasur fare frikë, gjithçka e përjetoj pa keqardhje. Nisur nga përvojat e mia të mëparshme më bëjnë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm ndaj vetes, prandaj mendoj se rreziku, në një formë a në një tjetër, që të vuaj nga psikoza e burgut, nuk më kërcënon. Unë përpiqem të shmang çdo hamendje tuajën – prandaj sot po të shkruaj sot me shkrim normal dhe jo me ato shkronjat këmbëmiza; mua më duket se edhe hollësi të tilla janë të rëndësishme – në këto shkronja të vogla dhe të bukura ka një grimë përulje dhe përvuajtje, të cilat ndikojnë në mënyrën e sjelljes, së cilës njeri iu bindet, po ashtu edhe në mënyrën e të menduarit.

Unë po lexoj tani librin e tretë anglisht, por ende shumë fjalë nuk i njoh. E kam lexuar biografinë e Vilsonit dhe i them vetes se në krahasim me të gjithsesi nuk jam keq. E kam lexuar edhe “Javën e Pashkëve“ të Aragonit, asgjë e veçantë. Ndërsa Werfel (“40 ditë“) ishte i hatashëm, lexoje.

Me gjithë qejf do të doja të të shkruaja diçka të mirë, por disi nuk is besoj kësaj letre. Duhet ta kuptosh këtë. Ndërkohë të puth Ty dhe do të doja të të shkruaja prapë e prapë – Yti

                                                                                                                                          Vashek


                                                                                                                        E martë, 14 gusht

Asgjë për t’u shënuar. Ndoshta vetëm kjo – unë kam një koleg të ri, domethënë edhe masazhet ma kanë lënë shëndetin. Por kjo nuk më shqetëson, shiatiku im është më mirë, asgjë serioze. Unë ndihem mrekulli nëse marr një pako prej teje. Po të shkojë gjithçka mirë, pakoja mund të arrijë deri në fund të javës. Mezi e pres. Përshëndeti të gjithë miqtë, mikeshat, të njohurit, të afërmit – nuk dua të t’i numëroj një nga një, ti e di mirë se unë i përshëndes të gjithë me gjithë zemër. Pra më shkruaj mua nëse trëndafilët po lulëzojnë dhe çfarë bëhet me secilën nga lulet, të cilat ti i ke mbjellë dhe i ke selitur.

JI E QETË, E EKUILBRUAR, JETO SHËNDOSH E REHAT, PËRMBUSHI ME NDËRGJEGJE TË LARTË DETYRAT E NGARKUARA, VËZHGOI NGJARJET, MOS U ZEMËRO PËR ASGJË, PËR ÇKA NUK IA VLEN, MENDO PËR MUA DHE JEPMË MUA ZEMËR, PËRPIQU TA KALOSH ME TË GJITHË MIRË!

                                                                                         TË PUTH DHE TË PËRQAFOJ V.
                                                                                    
                                                                                        
                                                                                          E shtunë, 8 shtator 1979

Vizita jote më ka gjallëruar dhe forcuar pa masë; prej atëherë jam gjithë qejf. Para së gjithash u gëzova që për udhëtimin në SHBA jemi të të njëjtit mendim, bie fjala përkrahja jote pa lëkundje ma ka forcuar pikëpamjen time. Këtu është vërtetë e vështirë t’i peshosh mirë të gjitha gjërat – prandaj unë qeshë disi nervoz, por pas vizitës sate krejt nervoziteti im ka ikur. Unë jam ndjerë i sigurtë se të tjerët nuk mund të kenë të njëjtën pikëpamje me mua. Por megjithatë biseda me ty më ka dhënë kënaqësinë e jetës. Medet që ti nuk ke mundësi të më vizitosh më shpesh.

Sot pasdite kam filluar të bëj një dhuratë për ty, një punim artistik me tul buke, të cilën do të përpiqem të gjej rastin dhe ta dërgoj nëpërmjet avokatit. Nuk kam menduar më parë se ti i vlerëson këto gjëra, përndryshe do të kisha bërë plot të tilla për ty.

Dhe tani ca udhëzime:

Unë mendoj se bën mirë që në fund të shtatorit të vendosesh në Pragë. Nuk mund të qëndrosh e vetme në Hradeçek. Megjithatë duhet ta lësh Hradeçekin në një gjendje të tillë që të mund të kthehesh atje e të banosh sa herë të duash – qoftë edhe për një periudhë të gjatë. Si do t’ia bënim nëse mua më lënë të lirë të shkoj në shtëpi? Në këtë rast unë do të vija te ti në Pragë, por pastaj do të nisesha drejt e atje. Unë dua patjetër të shkruaj, dhe në Pragë unë nuk e shkruaj qoftë një rresht të vetëm.
Përndryshe hidhja një sy listës së detyrave tua, të cilat t’i kam renditur dhe përsiat si t’i zbatosh ato. Në Pragë do të jetosh në shoqëri, të shkosh në teatër, në kinema, tek miqtë, në dyqane (antikitetesh, qelqurinash ndër të tjera). Do të ndjekësh veprimtari të ndryshme kulturore, ti e di për çfarë e kam fjalën unë. Mbaj shënime për këtë dhe më informo për gjithçka.

Kaq me udhëzimet.

Dhe tani – si rëndom – diçka për jetën time këtu. Kolegët e mi ndihen krejtësisht me mua dhe iu pëlqej atyre shumë. Megjithatë mua më duhet të jem i kujdesshëm në të folur dhe nuk mund t’ua lexoj atyre mendimet. Në ato unë nuk mund të ndërhyj dot. Nganjëherë kjo më mundon. Por pas 10 minutash, zemërimi i fshehtë dhe i ndrydhur më ikën dhe ndjehem i lehtësuar si pas një stërmundimit të rëndë. Vetëm në një pikë nuk mësohem asnjëherë, sepse unë gjatë gjithë jetës sime i kam zët për vdekje të gjitha bisedat për punë femrash.


                                                                                      (shtojcë- të dielën)

Dhurata ndoshta është gati tashmë, por unë nuk do të tregoj çfarë dhurate është – ajo do të jetë një e papritur. Unë kam kërkuar që ajo të mishërojë diçka të frymës rinore. Le të shpresojmë që të jetë e tillë (është vetëm tul buke, me materiale të tjera absolutisht nuk mund të punoj). Por një kordele mund t’ia bësh ti vetë.

Të mos e harroj një gjë: Në Hradeçek procedurat e ujit janë këto: 1. E mbyll pompën e ujit; 2. Hap rubinetën në qoshe të bodrumit dhe e lë ujin të rrjedhë; 3. I hap të gjithë rubinetat në shtëpi (mos harro plevicën), në këtë mënyrë ajri vërshon në tubat.

Dua ta theksoj ndikimin e madh që ka pasur vizita jote tek unë. Njeriu në burg e ndjen veten përnjëherë më mirë.

Dje kam gjetur mënyra të shkëlqyera, ashtu si ma kishe rekomanduar ti, të lidhem me ty në mënyrë telepatike – por kjo duket se kjo bëhet pa bujë. Në këtë drejtim (ndryshe nga të tjerët) unë nuk kam fare prirje.

Di gjë, a po jepet premiera e dramës sime në Vjenë?

Ndërkohë të përshëndes dhe të puth ty – deri të mërkurën sigurisht që do të shkruaj edhe ndonjë shtojcë tjetër –

                                                                                                           Vashek

P.S. Kolegët e mi më mbajnë mua për të marrë, për shkak të sjelljeve “mospërfillëse” ndaj të fshehtave të udhëtimit tim në SHBA. (Havel e ka fjalën për rastin e udhëtimit zyrtar, të cilit ia kishin bërë gjatë hetimeve. Për këtë ai shkruan edhe në letrat e para të burgut. Shënim i përkthimit).

Me punimin në tul buke gjithsesi nuk jam krejt i kënaqur. Dua ta filloj nga e para një tjetër krejtësisht të ri. (Nëse ata nuk do të donin gjithnjë të pajtoheshin!) J. P. Sartre thotë: “Skëterra janë të tjerët.” Kjo është më e dukshme këtu, ku njerëzit duhet të jetojnë në gjashtë metra katrorë krejt ngjitur e ngjitur – shumë më intimë se jeton burri me gruan e tij. Dhe nuk ke asnjë rrugëdalje. Në Rudé Pravo kam lexuar një shkrim mbi studimet e shkencëtarëve, të cilët kanë hulumtuar rezultatet psikologjike të një bashkëjetese të gjatë në një hapësirë të ngushtë. Do të doja të bëja ca shaka për këtë. Një laborator të tillë e kanë ata këtu dhe ndoshta nuk e dinë.

Letra e 10-të


                                                                                                E shtunë, 22 shtator 1979

E dashur Ollga,
është prapë e shtunë, dhe kështu unë kam kënaqësinë, në këtë mënyrë prapë së bashku me ty të jem.

Para së gjithash: disa gjëra ma vërtetojnë se procesi im do të bëhet së shpejti dhe unë do të gjykohem. Kësisoj shpresat e fshehta mund t’i lë përfundimisht të fluturojnë të lira. Në të njëjtën kohë do të doja që këtë punën me SHBA ta kuptosh më së miri. Deri tani duket – kështu ma merr mendja gjithnjë – nëse unë vetëm pakëz disi ndryshe do të kisha pasë reaguar, sot do të dukej thelbësisht krejt ndryshe – dhe ka të ngjarë që të mos kishte pasur këtë pasojë të palezetshme, së cilës unë më së shumti i druhesha. Është krejt e mundur që, nga kujdesi i tepëruar, unë të kem bërë një gabim. Megjithatë nuk mund ta akuzoj veten as të më vijë keq për agjë; drojat e mia qenë të bazuara, dhe sa mund të ishin ato të cekëta, këtë unë nuk mund ta dija – dhe nuk mund të sillesha ndryshe. Qoftë si të jetë, nuk ka arsye që unë të vazhdoj të merrem me këto “qofte” e të luaj me to më gjatë. Nja tri ditë në të vërtetë nuk u mora me to, nuk i solla fare nëpër mendje, por tani i ndjej pasojat e tyre. Këto pasoja, nga ana tjetër, nuk qenë kaq të rënda, falë së vërtetës – të cilën ti e di – se që nga fillimi unë isha tej mase i përmbajtur. Ka të ngjarë që kjo e bën qëndrimin tim të pakuptimtë – çka unë nuk kam dashur kurrsesi të dukej i tillë – që unë të hedh një hap të vetëdijshëm (për këtë e kam thirrur avokatin tim). Dua ta bëj këtë gjë, pasi kam ndjenjën e mirë se isha unë ai që ia vura pikat mbi i asaj. Është disi e lezetshme që kjo zgjidhje erdhi në atë kohë kur unë fillova të gjej veten të befasuar si kisha menduar unë për Amerikën, dhe për këtë si e kisha parapërgatitur veten për gjithçka që do të bëja. Tani filloj përsëri vërtetë të mendoj për këtë si do t’ia arrij unë të mbaroj punë me jetën në “Bujtinë”…
Për jetën time këtu: duket se pesë ditë në shtrat më kanë ndihmuar shumë. Problemet me llomotitjet (e pandërprera) të kolegëve të mi janë të përhershme (edhe tani ata po llomotitin), por deri tani e kam mbajtur mendjen në kokë. Dhe besoj fort se këtë situatë do ta mbijetoj. Nga ana tjetër, kjo është stërvitja më e shkëlqyer për vetëpërmbajtjen, sidomos në diçka ku unë nuk kam pasur as më të voglin durim. Kjo është edhe një arsye që më shtyn të thellohem më tej në mendime. Përndryshe unë jam shëndosh e mirë fizikisht dhe shpirtërisht – vetëm ia kam drojën kohët e fundit dembelizmit dhe pasivitetit të tepëruar – pa qejf merrem me ndonjë gjë (mësim, lexim, shkrim, yoga). Duket se ky është një reaksion mbrojtës i trupit përballë një situate, ku përqëndrimi është i pamundur. Javën e ardhshme pres një pako nga ti (për këtë më ke njoftuar në letrën e fundit), të premten e kam ditën e emrit, dhe kështu gëzohem që të shtunën e ardhshme të organizoj një festë të vogël me gjërat që do të m’i dërgosh ti. Ndër të tjera: një javë më pas – ditën e 43 vjetorit tim – do të jem unë këtu një kohë po aq të gjatë sa në vitin 1977, pra do të bëhen katër muaj e një javë në burg. Dhe në të njëjtën ditë më mbeten mua edhe gjithësejt dhjetë muaj! Është interesante se gjërat me SHBA në të njëjtën kohë si më 1977 më erdhën pas arrestimit, si në rrëmujat e atëhershme. (Në cilësinë e një prej tre kryesorëve të Charta 77, ai do të shkonte në burg për herë të parë. Kundër Charta 77 në atë kohë u ndërmuar një fushatë e paskrupullt, gjatë së cilës firmosësi i dyti i Charta 77, filozofi Jan Patoçka, vdiq. Shënim i përkthimit.) Dhe pikërisht në atë kohë doli libri të cilin e mora në qelinë e burgut: “Doktor Faust” i Thomas Mann. Sa ishin ditët e asaj kohe më të liga se ditët e sotme! Mbi mua, në ferrin ku unë lëngoja, vinte gjithçka duke u kthjelluar (dalëngadalë fillova të kuptoj, sa rëndë e përjetoja unë këtë realitet) – dhe tani është pothuaj krejt ndryshe: mbi mua grumbullohen re të zeza dhe e ndjej veten së brendshmi tashmë të pajtuar me këtë realitet! Si shkojnë leximet këtu: kam lexuar librin “Aurelian” të Aragonit, dhe u befasova pa masë sa keq është shkruar ky libër (jo shumë më keq se “Java e Pashkëve”). Nuk kisha pritur të ishte kushediçka, por gjithsesi më ka habitur. Përndryshe, asnjë përjetim të veçantë letrar nuk kam pasur…
Pranë meje një koleq qahet për letrën e parë që sapo ka marrë nga shtëpia; unë e qetësoj atë. Tashmë jam i vjetër dhe i REGJUR…

Perktheu Skender Bucpapaj

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…