Skip to main content

Tetova News

Lahuta e Mizerjes (Botuar më 1945)

Petro Marko



Nëse Patër Fishta këndoi Lahutën e Malësisë, ku ngre trimërinë dhe traditat e burrërisë së malsorit, akoma nuk ka dalë ndonjë poet që të shrkuajë Lahutën e Mizerjes së kësaj popullate të lënë në primitivitetin e saj prapanik.Në një maqinë të madhe dhe të zbuluar kthehen nga Puka për në Shkodër shumë veteranë të ushtrisë sonë të kaluar nga mosha. Ata e lanë pushkën dhe tani kthhen për në vendet e tyre. Ka aty gjirokastritë e korçarë, dibranë dhe elbasanas. Dhe flasin për Mirëditën dhe Dukagjinin, për Malsinë e Madhe dhe për Tropojën, sikur të flisnin për vende të largëta dhe të harruara nga jeta. “Çuditem se si mund të rrojnë me ato kondita dhe me ato zakone që kanë. Aman o Zot! Si vishen, si mbathen, si flenë, si hanë, si banojnë në këto vende”, thosh një fshatar nga Myzeqeja i cili si partizan kishte shëtitur tetë muaj në malësitë e veriut. “Që të jetosh aty duhet të të ketë mallkuar njeri”, përfundoi myzeqari, që për ne ështënjeriu më i varfër dhe më i shtypur i Shqipërisë.Kjo do të thotë se më tepër se 150 mijë njerëz që bëjnë jetën e zezë patriarkale janë më të mjerë se bujqit e shtypur të Myzeqesë dhe të Vurgut. Aty shumë rrallë shkeli këmba e invazorit. Aty shumë rrallë depërtoi ndonjëherë ndonjë rreze drite, që humbi në kasollet e errëta të një popullate që është përpjekur kudoherë për të mbajtur lart flamurin e zakonit të valavitur nga murlani i Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe të mbajë shpirtin gjallë me ndonjë copë buke mizerje ose me një grusht gështenja. Varfëri, varfëri, mizerje, injorancë dhe çifteli, që mbi majat e maleve dhe në grykat e egëra ligjëron me nota monotone vajtimin e maleve.
Po të udhëtojë njeriu nga Kopliku në Bajzë, Hot, Vorr i Papës, Gropëzë, Tamarë, Predelec, Selcë, Vermosh, Theth, Lumi i Shalës, Kodra e Shën Gjergjit, Shosh, Nikaj, Mertur e Dushman dhe të jete i veshur si tërë njerëzit që shëtisin në Shkodër ose në Tirane, popullata e këtyre malësive do ta shikojë si njeri të huaj, si ndonjë turist që shkon aty për kuriozitet. Aty çdo fshat bën një jetë që i ngjan asaj të fshatit tjatër. Në tërë këto vende nuk gjen asnjë libër, asnjë broshurë, se pothuajse njëqind për qind janë analfabetë. Në Kastrat, një i ri 26-vjeçar më thotë: “Babai im i pagoi mësuesit njëzet korona sermi që të mos më pranonte në shkollë!”Malsorët e këtyre vendeve jetojnë në varfërinë më të pabesuar. Bukën e gojës e bëjnë vetë dhe tokën e punojnë me metodat më primitive. Aty vetëm misër mbillet. 25 për qind e popullatës sivjet kanë bërë misër për tre muaj. Aty e kanë për turp të kenë mbulesë. Atij që guxon të bëjë një mbulesë, mblidhet tërë fshati dhe ia djeg. Lëkura e deles dhe e dashit përdoret për veshje dhe kurrë nuk e ndërrojnë këmishën, nëse e kanë, veçse atëherë kur bëhet copë-copë.
Jam mysafir në të parin e fshatit, në një kasolle të errët që simbolizon vulën e patriarkalizmës. Në darkë kuvendojmë në errësirë dhe nganjëherë i zoti i shtëpisë ndez një copë pishe për të parë fytyrën time. Fjalë të pakta dhe të matura, si dhe nevoja të pakta që me zor plotësohen. Aty errësira dhe heshtja herë-herë trembet nga ndonjë e lehur qeni ose nga notat monotone të ndonjë çiftelie. Malsori thotë se ka qenë kudoherë me shtatë krajlat dhe me atë që sundonte kalanë e Shkodrës. Nderi është mbi të gjitha. Besa dhe mikpritja janë dy nga karakteristikat e çmuara të traditave të malsorëve. “Shkodranët nuk janë të mirë, se kur zbresim në qytet ata nuk na kthejnë sytë, ata tallen dhe na përbuzin. Po kur vijnë këtu ne i presim me çka mundemi.” Kështu më thosh një malsor i urtë, i cili më numëronte bajraqet e një kohe që perëndoi.
Dhe në të vërtetë ajo kohë perëndoi përgjithnjë. E ç’kishin bërë regjimet e kaluara për të dhe për këtë popullatë? Hiçgjë. Veçse që kanë shtuar më shumë varfërinë dhe injorancën dhe u kanë dhënë një nxitje më të madhe gjaqeve dhe përçarjeve. Shkolla hiç! Rrugë hiç! Asnjë interesim për popullin. Një interesim vetëm për kapidanin ose për bajraktarin, që këta t’u shërbenin klikave shtypëse. Xhandarët, kryeplaku, hoxha ose pruti, nëpunësi ose inspektori bënin ç’u thosh bajraktari ose kapidani, dhe këta për popullin ishin Perëndia. Këta për popullin ishin frika. Taksa mbi taksa, shtypje mbi shtypje detyronin një pjesë të kësaj popullate të dëgjonte qorrazi “autoritetin” që u imponohej me forcë. Një ishte qëllimi i autoritetit qeveritar në ato vende: të përçante, të shtonte farën e terrorit. Dhe në këto kushte si mund të shpëtonte malsia nga zinxhirët e fortë të patriarkalizmës? Nëse ndonjë përparimtar kërkonte të ndizte një çikë dritë në kasollet e errëta, ishin vetë autoritetet që shtynin të tjerët ta poshtëronin këtë përparimtar. Edhe ata që vinin në ushtri, kur kthehesin prapë aty ku kishin lindur, ç’të binin nga edukata e ushtrisë, përveç mësimit për të qenë më të disiplinuar për t’iu nënshtruar shtypjes?
Ndodha në Pukë kur niseshin rekrutet për në ushtrinë kombëtare. Një përgjegjës i mblodhi dhe u tha midis të tjerave: “Ju nuk po shkoni më në ato ushtri që ju bënin të ktheheshit më në errësirë dhe më në konfuzion sesa ishit: Ju po shkoni në një shkollë. Atje do të mësoni shumë gjëra që do të jenë të vlefshme për veten tuaj dhe për këtë vend kaq të mjerë. Kur të ktheheni ju do të jeni në pararojën e ndriçimit të vëllezërve tuaj. Ju do të jini ata që do të ndihmoni shumë të lëvizë popullata e këtyre vendeve, mbi kurrizin e së cilës regjimet e kaluara hidhnin gjilpëra morfine për ta mbajtur në letargjinë e përjetëshme.. .” Dhe me të vërtetë, kur të kthehen këta ushtarë, do të jenë ata që do të copëtojnë vargonjtë e rëndë të patriarkalizmës. Tani vjen pyetja: Ç’efekt do të bëjnë reformat e mëdha kombëtare në Pukë dhe në Dukagjin, në Lezhë dhe në Tropojë, në Mirditë, në Malësinë e Madhe dhe në Gjakovë? Bajraqet dhe kapedanët, vojvodët, princërit, që me florinë e huaj forconin zinxhirin e skllavërisë, u shpartalluan. Malësoret brenda këtyre dhjetë muajve kanë parë në mes të tyre partizanin e Shqipërisë të zbathur e të leckosur, por të fortë si arma që mban në dorë, të urtë e të duruar si ylli i shkëlqyer që mban në ballë. E dashurojnë dhe e respektojnë se tek ai shohin një vëlla përkrahës dhe një mbështetje për të drejtat dhe sigurimin e tyre. Malsori e adhuron trimin.
Malsori është i drejtë dhe i pastërt si era e maleve që mbush mushkërite e tij. Për herë të parë ai sheh që flitet për të, që punohet për të, që i jepet ndihmë nga ana e qeverisë, megjithë vështirësitë e mëdha. Ndihma më e madhe nuk është as kilua e misrit, as gramët e kafesë ose të sheqerit, po shkulja nga damarët e tij e frikës nga qeveritari. Unë nuk mund të shtroj këtu problemin e shpërnguljes për ata malsorë që s’kanë tokë dhe që s’mund të rrojnë aty ku lindën, por dua t’u përgjigjem disa armiqve të demokracisë dhe të popullit, që përhapin parulla, si për shembull: “Po të vejë malsori në një fushë vdes nga malarja. Qindra familje malsorësh nga Kelmendi dhe nga Malësia e Madhe kanë zbritur që me kohë në Bregun e Matjes, në fushën midis Lezhës dhe Milotit, dhe aty jetojnë. Punojnë tokën duke bërë bukën e vitit dhe pasi e korrin kthehen prapë në Malësi. Disa prej tyre janë instaluar aty dhe kanë përmirësuar shumë standardin e jetës, se kanë bërë ndonjë shtëpi, kanë veshur ndonjë këmishë dhe kanë ndezur ndonjë llambë në shtëpitë e tyre. Kjo do të thotë se malsori nuk vdes po të punojë. Përkundrazi, me pune ky do të bëhet zot i vetes dhe qytetar i lirë dhe i vlefshëm. Por problemi i shpërnguljes akoma nuk është paraqitur. Doemos qeveria jonë do të interesohet dhe bile shumë për këtë popullatë të mjerë. Për shembëll, po të marrin Pukën, toka e saj është e pasur dhe aty mund të prodhohet shumë rrushi, gështenja, patatja e të tjera pemë. Mirëpo fshatarët gjer tani nuk e kanë punuar, se ata vetëm misër mbillnin.Lahuta e mizerjes nisi të kthehet në një lahutë pune dhe reformash, dhe tingujt e saj oshëtijnë me krenari edhe në kasollen më të errët të Malësive të Shqipërisë.


Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…