Skip to main content

Tetova News

Me dishepujt e Volterit - Nga Vedat Kokona

Vedat Kokona
Në Tiranën e viteve tridhjetë, që kishte nja tridhjetë mijë banorë dhe jo pesëqind e ca mijë si sot, kur shkonim e nuk shkonin nja katër karroca dhe ndonjë veturë në sheshin e bashkisë, kur dilnin vetëm dy gazeta të përdtishme dhe një revistë në jave, kishtë një librari, i zoti i së cilës ishte Mit’hat Frashëri, alias, Lumo Skendo, bir i Abdylit dhe nip i Samiut dhe i Naimit. Kur mendoj se sot, në Tiranën më gjysëm milion e ca banorë, të mijërave veturave që paradojnë në karuzelin e Sheshit Skëndërbej, ku botohen me dhjetra gazeta e revista në ditë, madje edhe pornojë dhe se nuk ka një library si ajo e Lumo Skendos më shumë se gjysëm shekulli më parë, më hipën një valë hidhërimi që s’di si ta përcaktoj.
Ishte një librari e bukur, vendit të së cilës s’i ka mbetur as gjurma më e vogël; jo vetëm e asaj të parës të viteve ’33 por as asaj që ishte në Rrugën Mbretnore, pranë Bela Venecias që më vonë u quajt Rruga e Barrikadave, dhe që sot dhe asaj i ka humbur vula. Sipas traditës së vendit tonë çdo gjë e bukur prishet dhe vendin e saj e zë e shëmtuara.
Që disa vjet më parë kisha dëgjuar emrin e Lumo Skëndos, emrin e librit “Hi dhe shpuzë”, që kishte botuar në fillimin e shekullit tonë, pastaj edhe nga babai që e kishte mik dhe që ishte pajtuar në revistën “Dituria” që botonte në Tiranë në vitet tridhjetë. Nuk e kisha parë kurrë në kafenetë Bela Venecia dhe Kursal të kryeqytetit, siç shihja qeveritarët dhe intelektualët e asaj kohe.
Lumo Skendon mund ta gjeje vetëm në Librarinë Lumo Skendo. Iu luta babait të më shpinte një ditë tek ai. Më shpuri. E gjetëm ulur përpara një tryeze të gjatë katërkëndëshe. Ajo që më ra në sy posa e pashë ishte jaka e ngrirë e kollarisur, me dy cepa të ngritura siç e mbanin ata të shekullit XIX, kapaku i kollarisur i mëngës së këmishës që dilte nga xhaketa e kostumit krem shantung që binte menjëherë në sy nga pastërtia dhe pastaj ajo fytyrë që s’ishte si fytyra të tjera.Është e vërtetë se s’ka fytyrë të jetë si një tjetër, ashtu siç nuk ka edhe shenja gishtash që të jenë identike por, në përgjithësi, të gjitha fytyrat e njerëzve janë njësoj në vështrim të parë, të shpëlara, pa kolorit. Një fytyrë ndryshe nga të tjerat është ajo që godet menjëherë vështrimin si një rreze dielli. Ajo që më bëri përshtypje në fytyrën e thatë ishte shkëlqimi i syve. Thashë se ky njeri ishte ndryshe nga ata që kisha njohur deri atëhere, me përjashtim, sigurisht, të babait tim.
Ai sikur u gëzua – apo ashtu m’u duk mua, – kur mësoi se studioja në Liceun e Korçës. Që atë ditë, sa kohë isha në Tiranë gjatë, kohës së pushimeve të verës, do veja shpesh në Librarinë e tij. Një ditë, iu luta t’i bëja vizitë në shtëpi, se kisha dëgjuar që kishte një bibliotekë shumë të pasur. Më ftoi më gjithë zemër. Vajta.
Më duket sikur e kam para syve edhe sot e kësaj ditë pas gjashtëdhjet vjetëve. Ishte një nga ato shtëpitë e vjetra tiranase, me dy kate me oborr të madh, në rrugën e Tenis Klubit. Kati i parë ku qëndruam, përbëhej nga një sallon i madh muret e të cilit ishin mbuluar me libra. U ulëm në dy karrige të vjetra përpara një tryeze të vogël vezake, ku ishin vendosur një filxhan kafeje me pjatë dhe një cigarishte. E dija që s’e pinte duhanin dhe ajo cigarishtja më tërhoqi vëmendjen.
-Po shikon cigarishten?
-Si urdhëron, i thashë me një zë pak të druajtur. Ju s’e pini duhanin?
-Kjo cigarishte dhe ky filxhan kafaje janë të Naimit.
M’u duk sikur isha në ëndërr. Kisha përpara meje cigarishten dhe filxhanin e kafesë të Naimit dhe, pranë meje, ja, këtu, nipin e Naimit, Mit’hat Frashërit! A kishte gjë më të bukur. Më bëri çaj, solli edhe kutinë e vogël me peta sheqeri.
-Sa peta?
-Tre.
-Jo, bir, çaji puhet me pak sheqer. Një petë e ke mjaft.
I kundërshtohesh Lumo Skendos? Kisha dëgjuar se ashtu e pinin dhe anglezët. Jo me një petë, po edhe pa sheqer fare e pija me ëndje atë çaj nga dora e tij!
-Mit’hat bej, pse nuk shkruani një monografi më të gjatë se ajo që keni shkruar për Naimin, sepse përveç jush, s’ka se kush ta shkruaj?
Mirë i thashë, më duket? Ç’mirë zeza! Se mos kishte nevojë ai për mendimin tim. Nuk më dha përgjigje. E kuptova që kisha nderur jashtë jorganit këmbët që m’u bënë akull: kisha lëshuar një notë të rreme në simfoninë e asaj pasdrekeje të bukur. I fola me admirim për librin e tij “Hi dhe shpuzë”, për ato copa proze poetike që më pëlqenin aq shumë, për tregimin “Si vdiq Selman Todorusha”, që i kisha lexuar që në moshën 14 vjeçare, për revistën “Dituria” që i vinte babait, me atë lëndë aq të pasur që, të them të drejtën, ishte pak e rëndë për stomakun tim, thesar i vërtetë kulturës sonë. Sikur u vrenjt pak, më hodhi një vështrim ku shprehej si një farë keqardhjeje për atë djalë të ri dhe tha: “Do t’ia kuptosh më vonë vlerën e vërtetë”. Kishte shumë të drejtë. Si shumë gjërave, vonë, tepër vonë, ua kam çmuar vlerën, sepse gjatë jetës sime zhurma e daulleve dhe zurnave më ka penguar të dëgjoj fyellin magjik të artit. Një ditë e pyeta për shkritmarët francezë, cili i pëlqente më shumë? Tjetër pyetje pa vend, për të mos thënë idiote. Se mos janë dy a tre që të zgjedhësh si ata dy a tre shkrimtarë që kemi ne?
U tregua i duruar më mua edhe i sjellshëm. Ishte shumë ironi, dishepull i Volterit dhe i Anatol Fransit dhe mund të më ngulte një thumb që ta mbaja mend tërë jetën.
-Anatol Fransi.
Nga ai kam edhe sot admirimin tim për autorin që më njohur me Silvestër Bonarin, që e kam lexuar më se dhjetë herë.
Një ditë, më fali një libër që i kishte pëlqyer shumë, “Un jardin sur l’Orente” (një kopësht në Orontë) të Moris Baresit, për të cilin më foli më pasion sidomos për prozën e magjishme. Iu zotova se, meqë i kishte pëlqyer, do ta përktheja. Më vështroi me një buzëqeshje të lehtë stërpikur me ironi: “Në arrifsh dot”! sikur donte të thoshte ajo buzëqeshje. Isha duke shkruar asi kohe disa poezi lirike dhe, me guximin e të riut, iu luta të më shkruante një parathënie. Prisja dhe isha i sigurt se do të merrja një përgjigje mohuese. Si u mendua pak, më tha:
-Kur e do?
M’u duk sikur isha bërë me fletë!
-Kur të doni ju, Mit’hat bej!
Kaloi java dhe parathënien e kisha në dorë. Në dorë! Përmbledhja e parë e vjershave të mia “Dritë dhe hije” me parathënien e Lumo Skendos! Mrekulli! Fluturova te Luarasi! Me këtë kaniks po nisesha për në dasmën e letërsisë…

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…