Skip to main content

Tetova News

Gjëmia e mbytur

Fatos Kongoli

Rikthimi i tij qe i ngjashëm me zgjimin nga një gjumë i thellë. Ai u ndërmend ngadalë, pohim relativ ky, kuptimet “ngadalë” apo “shpejt” në këtë rast nuk kanë vend, koha dhe hapësira nuk ekzistonin për të, rrjedhimisht as derivatet e tyre. Pati vetëm një ndijim në një çast të caktuar, kur në terr ndodhi gëzueshëm shpërthimi i një pike, e më pas hapësira zuri të zgjerohej, siç besohet te jetë zgjeruar e vazhdon të zgjerohet pambarimisht universi. Në atë shurdhëri u ngrit një jehonë tingujsh, këta ia lanë vendin një zëri, dhe zëri zuri të përsëriste një kumt, një thirrje të ngulmët, dhe ai vendosi t’i përgjigjej, dhe hapi sytë.
Fillimisht mundi të vendosej në hapësirë. Më tej në kohë, meqë iu desh njëfarë kohe për të marrë me mend se ku ndodhej. E pa veten në një sallë me disa radhë ndenjësesh, ulur në skajin e njërës prej tyre, pranë një pareti të qelqtë nga dyshemeja në tavan, në rolin e murit anësor, me të ndara dritaresh.
Përtej këtij muri, jo fort larg, aq sa po të zgjatej mund ta prekte me dorë, sytë i zunë një avion të madh. Më tutje avionë të tjerë, të madhësive të ndryshme, të mbërthyer në vend apo në lëvizje dhe, edhe më tutje, avionë që ngriheshin nga pista për t’u zhdukur në horizont, apo e kundërta, që shkëputeshin nga fashat e reve në një cep të qiellit, për t’u ulur në pistë.
Ai qëndroi kështu, i përpirë nga peizazhi me avionë i asaj dite të mugët dhe trurin ia ngacmoi një pyetje. Ku ndodhej, pse dhe si ndodhej atje?
Pjesës së parë të pyetjes nuk e pati të vështirë t’i përgjigjej. Ndodhej në aeroport, në sallën e një aeroporti. Të mbushur me njerëz, shumica ulur, të tjerë duke bredhur poshtë e përpjetë, ndonjëri duke vrapuar. Nisur nga ky fakt, u përpoq të fuste në përdorim logjikën. Përderisa ndodhej në një sallë aeroporti, të pranishmit s’mund të kishin qëllim tjetër veç të fluturonin për diku dhe ai, njëlloj si ata, s’mund të kishte qëllim tjetër veç të fluturonte për diku.
Kjo lidhej pak a shumë me pjesën e dytë të pyetjes. Nga kishte ardhur dhe ku shkonte? Kush ishte ai vetë?
I paaftë të gjente përgjigjet e duhura, ai u mjaftua të rrinte pa lëvizu, me përshtypjen se dikush, ndoshta në një nga ndenjëset e sallës, e përgjonte. Ideja e të qenit i përgjuar zuri ta bezdiste dhe ai ndërmori një veprim automatik. Futi dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës dhe nxori prej andej një pasaportë e, bashkë me pasaportën, një biletë avioni.
Dyshimtar, vështroi përreth. Veprimi për të futur dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës nuk duhej të kishte qenë dhe aq automatik. Duhej të kishte qenë i komanduar, me një qëllim qartazi të lexueshëm, domethënë ta shtynte të zbulonte pasaportën dhe biletën ku përmblidhej enigma e tij.
Pa ndonjë emocion, ai u përqendrua te kapaku i pasaportës. Aty mori informacionin e parë përmes shënimit “Republika e Shqipërisë”, në krye të kapakut. E lexoi dhe e kuptoi natyrshëm, siç lexoi dhe kuptoi natyrshëm dublimin “Republic of Albania”. Megjithëse i ndjeu njëlloj familjare të dyja gjuhët, mbërriti në përfundimin e konfirmuar në të dyja gjuhët se duhej të ishte nga Shqipëria, domethënë shqiptar, po të pranonte se pasaporta që mbante nëpër duar i përkiste atij.
Gjithnjë pa ndonjë emocion, ai kaloi në faqen pasardhëse, në krye të së cilës përsëritej informacioni i kapakut dhe në anën e prapme të saj, nga një fotografi me ngjyra, e vështroi një tip me flokë e sy të zinj. Një copë herë mbeti si i hipnotizuar, i zhytur në sytë e tjetrit. Ky as reagoi, as e mori mundimin t’i sqaronte ndonjë gjë, derisa burri u shkund, disa të dhëna elementare rreth tipit shënoheshin në po atë faqe. Në bazë të tyre ai quhej Glauk Fusha, lindur në Tiranë, më 14 dhjetor 1972. Këto e ca hollësi të tjera pa ndonjë rëndësi për të, fjala vjen data e lëshimit të pasaportës, ajo e skadimit, organi që e kishte lëshuar etj, i konfirmonte vetë personi me një firmë të lexueshme emër e mbiemër poshtë portretit. Pra, po të pranonte se pasaporta i përkiste atij, personi i fotografisë duhet të ishte ai vetë.
Ca veprime të mëtejshme i kreu po aq spontanisht – fjala më e përshtatshme në rastin e dhënë – sa ç’kishte qenë spontane futja e dorës në xhepin e brendshëm të xhaketës për të nxjerrë pasaportën dhe biletën e avionit, së cilës aty për aty nuk i kushtoi vëmendje. U ngrit në këmbë, i vuri pasaportën dhe biletën në xhepin e brendshëm të xhaketës, u kujdes të merrte në ndenjësen aty pranë një xhup dimëror prej lëkure të zezë dhe, mbështetur në anë të ndenjëses, një valixhe të vogël nga ato me rrota, pa e vënë aspak në dyshim se sendet ishin të tijat. Pastaj këmbët e çuan drejt një salloni llamburitës, ku u ndie në një mjedis të njohur falë një përvojë kohësh të shkuara.
Me tërheqësen e valixhes në njërën dorë dhe xhupin në tjetrën, ai mbeti në sallon midis turmës së njerëzve, në një orvatje për t’i dhënë kuptim konkret përfytyrimit “kohë të shkuara”. Hoqi dorë ja ngaqë shtrydhja e trurit i krijoi marramendje, ja ngaqë urgjenca e tij e vërtetë ishte edhe më konkrete, të provonte nëse portreti i fotografisë së pasaportës i përkiste atij. Kjo përkoi me një urgjencë të re, të një natyre po themi njerëzore: i erdhi të urinonte. Falë përvojës së kohëve të shkuara – gjemi e mbytur thellësive, që lëshonte ndonjë sinjal, kaq mundi të abstragonte – ai u orientua në sallonin llamburitës përmes shenjave konvencionale të vendosura gjithandej, derisa gjeti një shenjë ËC-je.
Tipi i pasaportës iu shfaq në pasqyrë tek lante duart pasi urinoi. Origjinali i pasqyrës ishte disi i ndryshëm nga kopja e fotografisë. Sytë dhe flokët nuk i kishte aq të zinj, mund të quheshin gështenjë, por fytyra mbetej po ajo, e rregullt dhe, ndryshe nga kopja, që tërë kohën e kishte vështruar me një seriozitet të rëndë, i buzëqeshi. Një lloj ngushëllimi për të, e tmerrshme të ishte aq marrëzisht serioz sa portreti i fotografisë. Sepse nuk i mbeti asnjë dyshim, ndodhej përballë vetvetes, pasaporta i përkiste atij, ai quhej Glauk Fusha, shtetas shqiptar, lindur në Tiranë, më 14 dhjetor 1972.
“Mirë, mendoi, duke iu drejtuar më shumë vetvetes në pasqyrë. Po e pranoj, jam i detyruar ta pranoj, quhem Glauk Fusha, shtetas shqiptar, lindur në Tiranë, më 14 dhjetor 1972. Po ç’del nga kjo? Ç’lidhje kam unë me këtë emër të çuditshëm, shtetësinë, ditën dhe vendin e lindjes, e kushedi çfarë të tjera, që ende nuk i di? Ç’lidhje kam edhe me ty zotëri, që më buzëqesh kot më kot? Jo, e padrejtë të pranoj qorrazi disa gjëra vetëm sepse gjeta në xhepin e xhaketës një pasaportë, pa e ditur se si u ndodh në xhepin tim, kush e ka futur dhe për ç’arsye. Me ç’kam dëgjuar, s’më kujtohet se kur e se ku, sot një sport i përhapur në univers qenka falsifikimi dhe trafikimi i pasaportave, me fjalë të tjera trafikimi i identiteteve. S’ka të bëjë me pëlqimin apo mospëlqimin tim, është diçka parimore!”
Ai ngriu përballë vetvetes, që kishte mundur të formulonte fjalët “s’më kujtohet”. I befasuar nga ideja e trafikimit të pasaportave apo identiteteve, që nuk e mori vesh se si i mbiu në tru. I paqartë për atë që e kishte quajtur diçka parimore. Të gjitha këto as i njihte, as i ndiente.
I ktheu shpinën pasqyrës, iu vodh shëmbëllimit të tij dhe doli sërish në sallonin llamburitës, duke tërhequr me njërën dorë valixhen, xhupin në dorën tjetër. Grumbuj njerëzish nguteshin të shkonin për diku, në drejtime të ndryshme, disa dilnin nga dyqanet, disa futeshin, të tjerë prisnin nëpër tryezat e lokaleve ose në radhët para banakëve.
Fragment nga romani “Gjëmia e mbytur”, botimet “Toena”

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…